Instituti
Materiali i Përgatitjes për Orën Mësimore për Mësimin 7: Natyra dhe Qëllimi i Përjetshëm i Gjinisë


“Materiali i Përgatitjes për Orën Mësimore për Mësimin 7: Natyra dhe Qëllimi i Përjetshëm i Gjinisë”, Materiali i Mësuesit – Familja e Përjetshme (2022)

“Materiali i Përgatitjes për Orën Mësimore për Mësimin 7”, Materiali i Mësuesit – Familja e Përjetshme

një grup të rinjsh në moshë madhore në bregdet

Materiali i Përgatitjes për Orën Mësimore për Mësimin 7

Natyra dhe Qëllimi i Përjetshëm i Gjinisë

Plaku Dejvid A. Bednar i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dha mësim se gjinia jonë, e përdorur në këtë mësim dhe atë pasues për të nënkuptuar seksin tonë biologjik në lindje (në qoftë se nuk shënohet ndryshe), “në një kuptim më të gjerë përcakton kush jemi ne, përse jemi këtu mbi tokë dhe atë që duhet të bëjmë dhe të bëhemi” (“Marriage Is Essential to His Eternal Plan”, Ensign, qershor 2006, f. 83). Teksa e studioni materialin për këtë mësim, merrni parasysh se si plani i Atit Qiellor për shpëtimin mund t’ju ndihmojë ta kuptoni më mirë rëndësinë e identitetit dhe qëllimit tuaj të përjetshëm si një bir ose bijë e prindërve qiellorë.

Shënim: Gjinia ishte një çështje e ndjeshme për shumë njerëz. Këto materiale kanë për qëllim t’ju ndihmojnë të kuptoni doktrinën e Atit Qiellor lidhur me gjininë dhe të eksploroni se si ajo gjen zbatim në rrethana të ndryshueshme në botën tonë sot. Kërkoni ndihmën e Shpirtit për të kuptuar mesazhet që Perëndia synon që ju t’i studioni.

Pjesa 1

Si mund të forcohet të kuptuarit tim për gjininë kur unë e kuptoj më mirë planin e Atit Qiellor?

Proklamata për familjen shpall: “Të gjitha qeniet njerëzore – meshkuj e femra – janë krijuar sipas shëmbëlltyrës së Perëndisë. Secili është një bir ose bijë shpirtërore e dashur e prindërve qiellorë dhe, si i tillë, secili ka një natyrë dhe destinacion hyjnor. Gjinia është një karakteristikë thelbësore e identitetit dhe qëllimit individual të jetës para lindjes, të jetës së vdekshme dhe asaj të përjetshme” (“Familja: Një Proklamatë drejtuar Botës”, ChurchofJesusChrist.org).

Fjala gjini mund të ketë kuptime të ndryshme për njerëz të ndryshëm. Siç shpjegohet në manualin e Kishës, “Kuptimi qëllimor i fjalës gjini në proklamatën për familjen është seksi biologjik në lindje” (Manuali i Përgjithshëm: Shërbimi në Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, 38.6.23).

Plaku Riçard G. Skot, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, tha për krijimin tonë:

Plaku Riçard G. Skot

“Ky [krijim i mashkullit dhe femrës] u bë shpirtërisht në ekzistencën tuaj para lindjes kur jetonit në praninë e Atit tuaj në Qiell. Gjinia juaj ekzistoi përpara se të vinit në tokë.” (“The Joy of Living the Great Plan of Happiness”, Ensign, nëntor 1996, f. 73)

Presidenti Dallin H. Ouks, i Presidencës së Parë, më tej dha mësim se “krijimi me dy pjesë [i mashkullit dhe i femrës] është thelbësor në planin e shpëtimit” (në “General Conference Leadership Meetings Begin”, 2 tetor 2019, newsroom.ChurchofJesusChrist.org).

një burrë dhe grua duke ecur

Të kuptuarit e prindërimit tonë qiellor mund të na ndihmojë të kuptojmë më mirë planin e Perëndisë për ne dhe mund të na ndihmojë të kuptojmë më mirë rëndësinë e gjinisë sonë në atë plan.

ikonë, studioni

Studioni në Përgatitje për Orën Mësimore

Lexoni vargjet te Zanafilla 1:26–27 dhe mendoni për atë që do të thotë të krijohemi sipas shëmbëlltyrës së prindërve tanë qiellorë.

Merrni parasysh përse gjinia është thelbësore në planin e Atit Qiellor. Ja ku janë disa të vërteta për të cilat mund të reflektoni:

Martesa e përjetshme midis një burri dhe një gruaje është thelbësore për t’u bërë si prindërit tanë qiellorë. Natyra e jetës së përjetshme, ose ekzaltimit, është vazhdimësia e familjeve për përjetësinë. Ky potencial mund të arrihet vetëm “nëpërmjet fuqive krijuese të trashëguara në lidhjen e mashkullit dhe të femrës të bashkuar në një martesë të përjetshme (shih Doktrina e Besëlidhje 132:19)” (Dallin H. Oaks, në “General Conference Leadership Meetings Begin”).

“Sipas planit hyjnor, duhen që të dy, një burrë dhe një grua për të sjellë fëmijë në vdekshmëri dhe për të siguruar kushtet më të mira për rritjen dhe edukimin e fëmijëve” (David A. Bednar, “Marriage Is Essential to His Eternal Plan”, Ensign, qershor 2006, f. 83; shih edhe Zanafilla 1:28).

Ati Qiellor u dhuron burrave dhe grave aftësi të dallueshme për t’i ndihmuar që të përmbushin këto dhe përgjegjësi të tjera hyjnore në planin e Tij. Burrat dhe gratë kanë nevojë për njëri‑tjetrin që të përparojnë dhe të arrijnë potencialin e tyre të plotë, të përjetshëm. Siç dha mësim Plaku Bednar:

Plaku Dejvid A. Bednar

“Natyrat e shpirtit të mashkullit dhe femrës plotësojnë e përsosin njëri-tjetrin dhe prandaj burrat dhe gratë paracaktohen të përparojnë së bashku drejt ekzaltimit.

Për qëllime hyjnore, shpirtrat e mashkullit dhe të femrës janë të ndryshëm, të dallueshëm dhe plotësues.

… Ndërthurja e pashoqe e aftësive shpirtërore, fizike, mendore dhe emocionale si të meshkujve edhe të femrave, nevojitej për ta vënë në jetë planin e lumturisë. Të vetëm, as burri as gruaja nuk mund t’i përmbushin qëllimet e krijimit të tij apo të saj. …

… Ashtu siç ndihmojnë tiparet e pashoqe si të meshkujve edhe të femrave në plotësinë e një marrëdhënieje martesore, po ashtu të njëjtat tipare janë jetike për rritjen, edukimin dhe mësimin e fëmijëve.” (“Marriage Is Essential to His Eternal Plan”, f. 83–84.)

Plaku Dejll G. Renland, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dhe Motra Ruth L. Renland gjithashtu kanë dhënë mësim:

Plaku Dejll G. Renland dhe Motra Ruth L. Renland

“Shpirtrat e meshkujve dhe të femrave u krijuan që të plotësojnë njëri‑tjetrin. Kjo është arsyeja përse gjinia nuk mund të ndryshohet në përjetësitë – sepse ajo siguron bazat për dhuratën përfundimtare që Ati Qiellor mund të japë, llojin e Tij të jetës.” (“The Divine Purposes of Sexual Intimacy”, Ensign, gusht 2020, f. 16)

ikonë, përsiatni

Përsiatni në Përgatitje për Orën Mësimore

Merreni parasysh rolin e gjinisë nga një këndvështrim i përjetshëm. Si mund t’ju ndihmojë plani i shpëtimit që të kuptoni se “gjinia është një karakteristikë thelbësore e identitetit dhe qëllimit individual të jetës para lindjes, të jetës së vdekshme dhe asaj të përjetshme”? (“Familja: Një Proklamatë drejtuar Botës”).

Pjesa 2

Si mund t’i kuptoj më mirë pyetjet për sa i përket gjinisë?

dy gra të reja në moshë madhore duke bashkëbiseduar

Mund ta keni vënë re se në kohën tonë ka shumë ide të ndryshme rreth gjinisë dhe identitetit. Disa njerëz e veçojnë termin gjini nga seksi biologjik. Ata mund të flasin për identitetin e tyre gjinor, që mund t’i referohet ndjesisë së brendshme të një personi për gjininë e vet edhe nëse është diçka e ndryshme nga seksi i vet biologjik. (Vini re që ky është i ndryshëm nga orientimi seksual, që përfshin tërheqjen fizike, emocionale dhe seksuale ndaj të tjerëve. Orientimi seksual do të diskutohet në mësimin e ardhshëm.)

Kuptimi i një personi për të qenit mashkull ose femër mund të ndikohet nga kultura, normat shoqërore dhe edukimi. Për këto dhe arsye të tjera, stereotipat e ngurtë të gjinisë nganjëherë mund të shkaktojnë pështjellim për disa njerëz dhe madje mund të jenë të dëmshëm. Për shembull, disa njerëz mund të shqetësohen që interesat dhe aftësitë e tyre nuk përputhen me disa pritshmëri kulturore dhe shoqërore për seksin e tyre biologjik. Kjo nuk do të thotë patjetër që ka mospajtim midis seksit të tyre biologjik dhe identitetit të tyre gjinor. Është e rëndësishme të kujtojmë që një numër elementesh përbëjnë identitetin tonë të plotë individual, përfshirë identitetin tonë hyjnor, seksin biologjik, dhuntitë, prirjet, dëshirat dhe zgjedhjet.

Edhe kur i kuptojmë të vërtetat e përjetshme rreth gjinisë, realitetet e ndërlikuara në jetën tonë mund të çojnë në çështje ose rrethana sfiduese. Merrini parasysh pikat që vijojnë:

  • Për disa arsye që nuk kuptohen plotësisht, disa individë në njëfarë kohe në jetën e tyre, “përjetojnë ndjenja mospajtimi midis seksit të tyre biologjik dhe identitetit të tyre gjinor. Si rrjedhojë, ata mund të përcaktohen si transgjinorë. Kisha nuk mban një pozicion në lidhje me shkaqet pse njerëzit e përcaktojnë veten si transgjinorë” (Manuali i Përgjithshëm38.6.23).

  • Disa njerëz mund të mos ndihen rehat ose mund të ndihen të pashpresë lidhur me pritshmëritë kulturore dhe sociale që shoqërohen me seksin e tyre biologjik.

  • Siç shënohet në Manualin e Përgjithshëm: “Në raste jashtëzakonisht të rralla, një foshnjë lind me organe gjenitale që nuk janë qartësisht mashkullore ose femërore” (38.7.7). Kjo shpesh quhet si ndërthurje gjinish. Kjo rrethanë dhe mënyra se si të trajtohet nga prindërit ose këshilluesit mjekësorë, mund të ndikojë ose jo mbi identitetin gjinor të individit.

Siç vë në dukje një botim i Kishës lidhur me temën e transgjinisë, individët që identifikohen si transgjinorë “përballen me sfida të ndërlikuara”. Ata “e meritojnë po aq shumë dashurinë si të Krishtit sa çdo fëmijë tjetër i Perëndisë dhe duhet të trajtohen me ndjeshmëri, mirësi dhe dhembshuri” (“Transgjinorët: A Kam Përkatësi si një Anëtar/e i Kishës?”, ChurchofJesusChrist.org). Në vend që të lejojmë një mungesë të të kuptuarit ose një gjykim të padrejtë që të diktojë mënyrën se si ndërveprojmë me të tjerët, ne mund të “përpiqemi për t’i parë të tjerët nëpërmjet syve si të Krishtit” (“Transgjinorët: Çfarë Mund të Bëj që të Tregoj Dashuri si të Krishtit?”, ChurchofJesusChrist.org).

rini në moshë madhore duke folur së bashku
ikonë, përsiatni

Përsiatni në Përgatitje për Orën Mësimore

Si mund të jem më i matur dhe më i ndjeshëm kur diskutoj për gjininë me të tjerët dhe kur marr parasysh realitetet e ndërlikuara të të tjerëve që mund t’i njoh ose me të cilët mund të takohem?

Pjesa 3

Çfarë të bëj po të kem pyetje rreth identitetit tim gjinor?

Nëse keni pyetje rreth gjinisë suaj ose përjetoni ndjenja të mospajtimit gjinor, dijeni se Ati juaj Qiellor dhe Shpëtimtari juaj ju duan. Ata janë gjithmonë atje për ju. Merreni parasysh se si mund t’ju ndihmojnë dhe forcojnë Jezu Krishti dhe ungjilli i Tij. Burimet për Transgjinorët të botuara nga Kisha japin këto të vërteta dhe kujtues të rëndësishëm:

Shpëtimtari ka një kuptueshmëri të përsosur për rrethanat tona unike. Si njerëz të vdekshëm, kuptueshmëria jonë është e kufizuar. Ne mund të shpallim me Nefin që ne “e di[më] se [Perëndia] i do fëmijët e tij; megjithatë, [ne] nuk e di[më] kuptimin e të gjitha gjërave” (1 Nefi 11:17). (“Transgjinorët: A e Kupton Vërtet Shpëtimtari Atë që po Kaloj?”, ChurchofJesusChrist.org)

Jo çdo njeri rreth jush do të jetë i përsosur në shprehjen e dashurisë, dhembshurisë ose ndjeshmërisë. Sot në botë është e lehtë të fyhesh dhe të shkaktosh fyerje. Sfidat e konsiderueshme mund të na bëjnë të cenueshëm ndaj fyerjeve të paqëllimshme për shkak të fjalëve pa vend apo komenteve të gabuara. Si anëtarë të Kishës, të gjithë ne po mësojmë dhe po rritemi. (“Transgjinorët: A Kam Përkatësi si Një Anëtar/e i/e Kishës?”, ChurchofJesusChrist.org)

Motra Mishel D. Krejg, Këshilltare e Parë në Presidencën e Përgjithshme të Të Rejave, gjithashtu ka dhënë mësim:

Motra Mishel D. Krejg

“Shenjtorët e ditëve të mëvonshme vijnë në shumë forma dhe madhësi, por ‘të gjithë janë njësoj para Perëndisë’ [2 Nefi 26:33]. … Pavarësisht se kush jeni ose me çfarë po përballeni, ju jeni të ftuar në tryezën e Zotit.” (“Aftësia Shpirtërore”, Liahona, nëntor 2019, f. 21).

Jini të sigurt se të gjitha bekimet e ungjillit janë në dispozicion të kujtdo që zgjedh t’u bindet urdhërimeve të Perëndisë. Ju “mund t’i bëni premtime Perëndisë dhe t’i mbani ato” dhe të “ecni në dritën e Tij dhe të merrni pjesë në Kishën e Tij” nëse përjetoni ose jo ndjenja të mospajtimit gjinor (“Transgjinorët: Si Mund të Jap Ndihmesë në Mbretërinë e Zotit?”, ChurchofJesusChrist.org).

Manuali i Kishës shënon se “individët transgjinorë që nuk e vazhdojnë përpjekjen mjekësore, kirurgjikale ose shoqërore për ndryshimin drejt gjinisë së kundërt dhe janë të denjë, mund të marrin thirrje në Kishë, rekomandime tempulli dhe ordinanca në tempull” (Manuali i Përgjithshëm, 38.6.23). (Shënim: “Një përpjekje për ndryshim shoqëror përfshin ndryshimin e veshjes ose të pamjes së jashtme, apo ndryshimin e një emri ose të përemrave, për ta paraqitur veten si dikush tjetër nga seksi i tij ose i saj biologjik në lindje” [Manuali i Përgjithshëm, 38.6.23].) Nëse do të donit të kuptonit më shumë, bisedoni me peshkopin apo presidentin tuaj të degës.

Ndonëse nuk është kundër rregullores ose doktrinës së Kishës, emërtimi publikisht i vetvetes si transgjinor mund ta kufizojë aftësinë tuaj për të arritur synimet tuaja të përjetshme. Presidenti Ouks paralajmëroi:

Presidenti Dallin H. Ouks

“Jini të kujdesshëm se si ta karakterizoni veten tuaj. … Cilësia e vetme që duhet të na karakterizojë është se ne jemi një bir ose një bijë e Perëndisë. Ai fakt i tejkalon të gjitha karakteristikat e tjera.” (“How to Define Yourself”, New Era, qershor 2013, f. 48)

“Secili prej nesh është fëmijë i Perëndisë me një fat të mundshëm për jetë të përjetshme. Çdo etiketë tjetër … është e përkohshme ose e parëndësishme në aspektin e përjetshëm. Mos zgjidhni që ta etiketoni veten ose të mendoni për veten me terma që i vendosin kufi një qëllimi për të cilin ju mund të përpiqeni fort.” (“Ku do të na Çojë Kjo?Ensign, maj 2019, f. 62)

Plaku D. Tod Kristoferson, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, gjithashtu dha sigurinë vijuese:

Plaku D. Tod Kristoferson

“Çdo njeri ka dhurata; çdo njeri ka talente; çdo njeri mund të japë ndihmesë në shpalosjen e planit hyjnor në secilin brez. … Kaq shumë prej jush po bëni gjithçka që mundeni. Dhe kur ju që mbani barrët më të rënda të vdekshmërisë, ngriheni në mbrojtje të planit të Perëndisë për ekzaltimin e fëmijëve të Tij, ne të gjithë jemi gati për të marshuar. Me vetëbesim ne dëshmojmë se Shlyerja e Jezu Krishtit e ka paraprirë dhe, më së fundi, do ta dëmshpërblejë gjithë mungesën e mundësive dhe humbjen për ata që kthehen tek Ai. Askush nuk është i paracaktuar që të marrë më pak sesa gjithçka që Ati ka për fëmijët e Tij.” (“Përse Martesa, Përse Familja”, Liahona, maj 2015, f. 52)

ikonë, përsiatni

Përsiatni në Përgatitje për Orën Mësimore

Si mund t’ju ndihmojnë ju ose dikë që e njihni mësimet në këtë mësim dhe besimi te Jezu Krishti, që të dini se si t’i trajtoni pyetjet rreth gjinisë?