“Materiali i Përgatitjes për Orën Mësimore për Mësimin 26: Dallimi i Keqtrajtimit dhe Shërimi prej Tij”, Materiali i Mësuesit – Familja e Përjetshme (2022)
“Materiali i Përgatitjes për Orën Mësimore për Mësimin 26”, Materiali i Mësuesit – Familja e Përjetshme
Materiali i Përgatitjes për Orën Mësimore për Mësimin 26
Dallimi i Keqtrajtimit dhe Shërimi prej Tij
Keqtrajtimi është një mëkat i rëndë. Profetët dhe apostujt kanë paralajmëruar se “individët që … abuzojnë me bashkëshorten, bashkëshortin ose fëmijët … do të qëndrojnë një ditë përgjegjës përpara Perëndisë” (“Familja: Një Proklamatë drejtuar Botës”, ChurchofJesusChrist.org). Teksa e studioni këtë mësim, kërkoni se si mund të dalloni kur keqtrajtimi po ndodh dhe se si ata që janë ndikuar nga keqtrajtimi mund të shërohen nga Zoti.
Pjesa 1
Çfarë është keqtrajtimi?
Zgjedhjet tona mund të kenë një larmi pasojash për ne dhe të tjerët. Trishtueshëm, disa njerëz e përdorin lirinë e tyre të zgjedhjes morale në mënyrë të padrejtë për t’i keqtrajtuar të tjerët.
“Shpesh nuk ka një përkufizim të vetëm për keqtrajtimin që mund të zbatohet në të gjitha situatat. Në vend të kësaj, ka një spektër të gjendjes së rëndë në një sjellje keqtrajtuese. Ky spektër shtrihet nga përdorimi herë pas here i fjalëve të vrazhda deri te shkaktimi i dëmtimit të rëndë” (Manuali i Përgjithshëm: Shërbimi në Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, 38.6.2.4, ChurchofJesusChrist.org). Keqtrajtimi mund të ndodhë nëpërmjet lënies pas dore ose trajtimit të keq në mënyra fizike, seksuale, emocionale ose seksuale.
Siç shënon një botim i Kishës:
“Zoti pret që ne të bëjmë gjithçka mundemi për ta parandaluar keqtrajtimin dhe për t’i mbrojtur e ndihmuar ata që kanë qenë viktima të keqtrajtimit. Nga askush nuk pritet që t’i durojë sjelljet keqtrajtuese. …
… Viktimat … nuk duhen fajësuar për sjelljen lënduese të të tjerëve – pavarësisht se kush i keqtrajtoi ata. Një viktimë nuk është fajtore.” (Gospel Topics [Temat e Ungjillit], “Abuse” [“Keqtrajtimi”], topics.ChurchofJesusChrist.org)
Plaku Xhefri R. Holland, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, foli për përgjegjësinë tonë si dishepuj të Jezu Krishtit që të përmbahemi për të mos i keqtrajtuar të tjerët, veçanërisht pjesëtarët e familjeve tona:
“Duhet të jemi dy herë më të kujdesshëm si dishepuj të Zotit Jezu Krisht. … Në asnjë rast nuk duhet të jemi fajtorë për ndonjë formë keqtrajtimi apo sundimi të padrejtë ose detyrimi të pamoralshëm – jo fizik ose emocional ose kishtar apo të çfarëdo lloji tjetër. …
Në tepër shumë raste, burra, gra dhe madje fëmijë që ndryshe janë besnikë, mund të jenë fajtorë për të folurit me ashpërsi, madje në mënyrë shkatërruese, ndaj atyre që mund të jenë të vulosur me ta nëpërmjet një ordinance të shenjtë në tempullin e Zotit. Çdo njeri ka të drejtën që të ndiejë dashuri, paqe dhe të gjejë siguri në shtëpi. Ju lutem, le të përpiqemi që ta ruajmë atë mjedis atje. Premtimi i të qenit paqebërës është që ju do të keni Frymën e Shenjtë si shoqëruesin tuaj të vazhdueshëm dhe bekimet do të rrjedhin te ju përgjithmonë ‘pa mënyra detyruese’ [Doktrina e Besëlidhje 121:46].” (“Jo si e Jep Bota”, Liahona, maj 2021, f. 37; shih edhe Efesianëve 4:29–32)
Pjesa 2
Si mund ta dalloj nëse po ndodh keqtrajtimi?
“Ka shenja të zakonshme për t’i vëzhguar lidhur me mënyrën se si shpesh fillon dhe vazhdon keqtrajtimi” (“Recognizing Patterns of Abuse” [“Dallimi i Modeleve të Keqtrajtimit”], abuse.ChurchofJesusChrist.org). Dallimi dhe të kuptuarit e këtyre shenjave mund t’i japin mundësi Zotit që të veprojë nëpërmjet jush për të ndihmuar që të ndalohet keqtrajtimi ose për t’i parandaluar situatat që mund të çojnë drejt keqtrajtimit.
Kurrë mos e minimizoni seriozitetin e keqtrajtimit ndaj jush ose ndaj dikujt tjetër. “Nëse ju ose dikush që e njihni, është keqtrajtuar, kërkoni ndihmë menjëherë nga autoritetet civile, udhëheqësit e priftërisë, shërbimet për mbrojtjen e fëmijëve ose shërbimet për mbrojtjen e të rriturve” (“In Crisis? Talk Now” [“Në Krizë? Bisedoni Tani”], abuse.ChurchofJesusChrist.org). Për informacion shtesë mbi raportimin e keqtrajtimit, shihni “What Should I Do If I Know or Suspect That Someone Is Being Abused?” [“Çfarë Duhet të Bëj nëse e Di ose Dyshoj që Dikush po Keqtrajtohet?”] (abuse.ChurchofJesusChrist.org).
Pjesa 3
Si mund të shërohem nëse jam keqtrajtuar?
Viktimat e keqtrajtimit vuajnë plagë të rënda. Dhembja dhe trauma që kanë përjetuar, mund të çojnë në sfida mendore, emocionale, shpirtërore dhe fizike.
Plaku Riçard G. Skot, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, paralajmëroi:
“Nëse kanë abuzuar me ju, Satani do të orvatet t’ju bindë se nuk ka zgjidhje. … Strategjia e tij është që të bëjë ç’është e mundur për t’ju ndarë nga Ati juaj dhe Biri i Tij. Mos e lejoni Satanin t’ju bindë se ju nuk mund të merrni ndihmë.” (“Të Shërojmë Pasojat Shkatërruese të Abuzimit”, Liahona, maj 2008, f. 41)
Shëruesi Mjeshtër, Jezu Krishti, mund të sigurojë shpresë dhe më së fundi shërim për të gjithë fëmijët e Perëndisë. Plaku Skot më tej dha mësim:
“Liria morale e zgjedhjes është një element jetik në planin e madh të lumturisë të Atit tonë Qiellor. Ai e kuptonte se disa nga bijtë e Tij shpirtërorë do ta përdornin në mënyrë të papërshtatshme atë zgjedhje të lirë, duke u shkaktuar probleme serioze të tjerëve. Disa madje do të dhunonin mirëbesimin e shenjtë, të tillë si një atë ose anëtar familjeje që abuzon me një fëmijë të pafajshëm. Meqenëse Ati ynë Qiellor është plotësisht i drejtë, duhet të ketë një mënyrë për të kapërcyer pasojat tragjike të një përdorimi kaq dëmtues të zgjedhjes së lirë, si për viktimën ashtu dhe për autorin e krimit. Shërimi paqësues vjen nëpërmjet fuqisë së Shlyerjes së Birit të Tij të Dashur, Jezu Krishtit, për të korrigjuar atë që është e padrejtë. Besimi te Jezu Krishti dhe te fuqia e Tij për të shëruar i jep të keqtrajtuarit mjete për të mposhtur pasojat e tmerrshme të veprimeve të padrejta të të tjerëve. …
Shërimi mund të fillojë me një peshkop ose president kunji të matur apo një këshilltar profesionist të mençur. Nëse do t’ju thyhej këmba, nuk do të vendosnit ta shëronit atë vetë. Abuzimi serioz mund të përfitojë (që të shërohet) edhe nga ndihma profesionale. Ka shumë mënyra për të filluar shërimin, por mbani mend që, një kurë e plotë vjen nëpërmjet Shpëtimtarit, Zotit Jezu Krisht, Mësuesit dhe Shëlbuesit tonë. Kini besim që me përpjekje, Shlyerja e Tij e përsosur, e përjetshme dhe e pafundme mund të shërojë vuajtjen tuaj nga pasojat e abuzimit.” (“Të Shërojmë Pasojat Shkatërruese të Abuzimit”, f. 40, 42)
Profeti Isaia foli për misionin dhe fuqinë e Shpëtimtarit për të shëruar.
Për ta kuptuar më mirë frazën “një diademë në vend të hirit” (vargu 3), mund të ndihmojë të dini se izraelitët tradicionalisht do të derdhnin hirin mbi kokat e tyre gjatë periudhave të trishtimit ose dëshpërimit. Zoti premtoi që ta zëvendësonte këtë hi me një diademë, apo me një kurorë ose mbulesë bukurie të kokës. Ata që ushtrojnë besim te Jezu Krishti mund ta përjetojnë këtë dhuratë të shenjtë shërimi e dashurie.
Merreni parasysh të shihni materialin filmik “The Prince of Peace” [“Princi i Paqes”] (2:32) dhe mendoni se si Jezu Krishti mund të ndihmojë për t’u dhënë paqe viktimave të keqtrajtimit.
Presidentja Xhin B. Bingham, Presidente e Përgjithshme e Shoqatës së Ndihmës, ripohoi:
“Pavarësisht nga ajo që kemi vuajtur, [Jezu Krishti] është burimi i shërimit. Atyre që kanë përjetuar ndonjë lloj dhune … të gjitha mund të shërohen nëpërmjet Shëlbuesit të botës. Gjithsesi, Ai nuk do të hyjë pa u ftuar. Ne duhet të vijmë tek Ai dhe ta lejojmë Atë t’i kryejë mrekullitë e Tij.” (“Që Gëzimi Juaj të Jetë i Plotë”, Liahona, 2017, f. 86)