Instituti
Materiali i Mësuesit për Mësimin 12: Kultivimi i Marrëdhënies Martesore


“Materiali i Mësuesit për Mësimin 12: Kultivimi i Marrëdhënies Martesore”, Materiali i Mësuesit – Familja e Përjetshme (2022)

“Materiali i Mësuesit për Mësimin 12”, Materiali i Mësuesit – Familja e Përjetshme

Materiali i Mësuesit për Mësimin 12

Kultivimi i Marrëdhënies Martesore

Zoti do që të na ndihmojë të ndërtojmë martesa të gëzueshme, të përjetshme. Duke përdorur këshillat dhe mësimet profetike si dhe shembullin e Jezu Krishtit, studentët do të zbulojnë mënyra se si mund ta kultivojnë martesën e tyre aktuale ose të ardhshme. Studentët do të nxiten gjithashtu të përcaktojnë mënyra për t’u kapur me besnikëri ndaj bashkëshortit/es të/së tyre.

Sugjerime për Mësimdhënien

Ne mund ta kultivojmë martesën tonë duke e jetuar ungjillin e Jezu Krishtit.

Përmirësimi i Mësimdhënies dhe i të Mësuarit Tonë

Prisni nga studentët që ta përmbushin rolin e tyre si nxënës. “Ndjesia e qëllimit ekziston në një orë mësimore kur mësuesit presin që studentët të përmbushin rolin e tyre si studentë e t’i ndihmojnë ata në përmbushjen e kësaj dhe kur studentët mirëbesohen që të kontribuojnë në mënyra domethënëse” (Mësimdhënia dhe të Nxënit e Ungjillit: Një Manual për Mësuesit dhe Udhëheqësit në Seminaret dhe Institutet e Fesë [2012], f. 17).

Ftojeni një student/e ta lexojë me zë të lartë thënien nga Plaku Xhefri R. Holland te pjesa 1 e materialit të përgatitjes. Më pas ftojini disa studentë që të japin shembuj të çifteve që ata e dinë se kanë martesa të lumtura.

Organizojini studentët në grupe të vogla dhe caktoni një drejtues/e për çdo grup. Jepini secilit grup një kopje të fletushkës vijuese, lexojini udhëzimet së bashku dhe më pas jepuni studentëve kohë të mjaftueshme që ta përfundojnë veprimtarinë. (Nëse ka kohë, madje mund t’i ftoni grupet që të krijojnë një publikim ose material filmik për ditarin e tyre në internet gjatë veprimtarisë dhe ta kenë gati për t’ia treguar klasës.)

Parimet Kyç për Kultivimin e një Martese të Lumtur dhe të Përjetshme

Materiali i Mësuesit – Familja e Përjetshme – Mësimi 12

Përfytyroni sikur grupi juaj do të shkruajë një publikim për një ditar në internet ose të krijojë një material filmik të quajtur “Parimet Kyç për Kultivimin e një Martese të Lumtur dhe të Përjetshme”. Parimet për publikimin e ditarit në internet ose materialin filmik duhet të nxirren nga pjesët 1 dhe 2 të materialit të përgatitjes ose nga shkrimet e shenjta. Duke qenë se nuk mund të trajtoni çdo pikë të rëndësishme në publikimin tuaj për ditarin në internet ose materialin filmik, vendosni se cilat janë pesë mënyrat më të rëndësishme për ta plotësuar parimin vijues: Bashkëshortët dhe bashkëshortet mund të kultivojnë një martesë të lumtur dhe të përjetshme duke …

  • Shembull:

  • Bashkëshortët dhe bashkëshortet mund të kultivojnë një martesë të lumtur dhe të përjetshme duke ndjekur shembullin e dashurisë dhe të sakrificave të drejta të Shpëtimtarit (shih Efesianëve 5:25, 28–31).

Pyetjet vijuese mund t’ju ndihmojnë të vendosni se cilat parime të përfshihen:

  • Pse duhet të përfshihet ky parim në publikimin për ditarin në internet ose materialin tonë filmik? Në çfarë mënyrash kontribuon të jetuarit e këtij parimi te një martesë e lumtur dhe që zgjat?

  • A e përmendën këtë parim çiftet lumturisht të martuara me të cilat folëm në përgatitje për orën mësimore? Nëse po, çfarë treguan ata rreth tij?

Parimet Kyç për Kultivimin e një Martese të Lumtur dhe të Përjetshme

fletushka e mësuesit

Pasi grupet të kenë pasur kohë të mjaftueshme për t’i përcaktuar dhe mbajtur shënim pesë parimet, kërkojuni atyre t’i shkruajnë tri parimet më të rëndësishme sipas tyre në tabelë (ose të shpërndajnë publikimet për ditarin në internet ose materialet filmike). Pasi të jenë përcaktuar parimet, ftojini studentët të tregojnë se çfarë mësuan nga kjo përvojë. Ndërsa ata tregojnë, merrni parasysh të bëni pyetje të ngjashme me ato që vijojnë për t’i ndihmuar studentët të ndërmarrin veprime të efektshme dhe të drejta.

  • Kur e keni parë këtë parim në veprim? Çfarë vëzhguat?

  • Si mund ta thellojë jeta dhe shembulli i Shpëtimtarit të kuptuarit tuaj për këtë parim?

  • Nëse jeni beqar/e, në cilat mënyra mund ta ushtroni këtë parim që t’ju ndihmojë të përgatiteni për një martesë të lumtur?

  • Nëse jeni i/e martuar, si mund të çojë vënia në zbatim e këtij parimi në martesën tuaj drejt një lumturie më të madhe?

Pas kohës për një diskutim kuptimplotë, ftojini studentët të mbajnë shënim një veprim specifik që do të ndërmarrin ose për t’u përgatitur për një martesë të lumtur ose për ta kultivuar më mirë martesën e tyre.

Bashkëshortët e bashkëshortet duhet të kapen pas njëri-tjetrit.

Nëse është e mundur, shfaqeni pjesën filmike vijuese me Presidentin Rasëll M. Nelson i cili tregon një përvojë që e pati duke vëzhguar një çift të martuar në një avion (shfaqeni nga kodi kohor 0:24 deri te 1:50). Kjo pjesë filmike është nga biseda “Nurturing Marriage” (Ensign ose Liahona, maj 2006, f. 36).

14:54

Nëse materiali filmik ose regjistrimi zanor nuk është në dispozicion, lexojeni thënien vijuese së bashku:

Presidenti Rasëll M. Nelson

“Duke qenë se ne Vëllezërit udhëtojmë nëpër botë, nganjëherë shohim disa skena shqetësuese. Në një fluturim të kohëve të fundit, u ula prapa një çifti të martuar. Ajo dukej qartë se e dashuronte të shoqin. Teksa ajo ia ledhatonte qafën, munda ta shihja unazën e saj të martesës. Ajo strukej pranë tij dhe e mbështeste kokën në supin e tij, duke kërkuar shoqërinë e tij.

Në dallim, ai dukej tërësisht i pavëmendshëm ndaj pranisë së saj. Ai qe i përqendruar vetëm te një mjet për lojëra elektronike. Gjatë gjithë fluturimit, vëmendja e tij ishte e përqendruar tek ajo pajisje. Ai nuk e vështroi, nuk i foli dhe nuk e dalloi as edhe një herë të vetme dëshirimin e saj për ngrohtësi.

Mungesa e vëmendjes së tij më bëri që të doja të bërtisja: ‘Hapi sytë, o burrë! Nuk e sheh? Kushtoji vëmendje! Bashkëshortja jote të do! Ajo ka nevojë për ty!’

Unë nuk di më shumë për ta. Nuk i kam parë që nga ajo kohë. Mbase u alarmova më kot. Dhe ka shumë të ngjarë që po të dinte ky burrë për shqetësimin tim për ta, atij mund t’i vijë keq që unë nuk e di si ta përdor një mjet të tillë emocionues.” (“Nurturing Marriage”, f. 36.)

  • Çfarë është shqetësuese te sjellja e bashkëshortit në këtë situatë?

  • Çfarë gjërash mund t’i pengojnë bashkëshortët të lidhen me njëri-tjetrin dhe ta kultivojnë martesën e tyre?

Ftojeni një student/e të lexojë me zë të lartë vargun te Doktrina e Besëlidhje 42:22. Theksojeni faktin që bashkëshortët dhe bashkëshortet duhet ta duan njëri-tjetrin me gjithë zemër dhe të kapen vetëm pas njëri-tjetrit. Merreni parasysh t’i ftoni studentët të përgjigjen për një ose më shumë prej pyetjeve vijuese për t’i ndihmuar që ta thellojnë të kuptuarit për këtë parim.

  • Çfarë do të thotë të kapesh pas bashkëshortes/it e pas “askujt tjetër”? (Doktrina e Besëlidhje 42:22). (Mund të doni të rishikoni thënien nga Presidenti Spenser W. Kimball në pjesën 3 të materialit të përgatitjes.) Pse kapja është një shprehje e fuqishme e dashurisë?

  • Cilat janë mënyrat e ndryshme se si mund të sfidohet besnikëria në martesë (ndaj bashkëshortit ose bashkëshortes suaj)? Si mund ta mbrojnë veten bashkëshortët/et prej çdo lloj forme të mungesës së besnikërisë në martesë? (Merreni parasysh t’i ftoni studentët që t’i rishikojnë thëniet nga Plaku L. Uitni Klejton dhe Presidenti Nelson në pjesën 3 të materialit të përgatitjes.)

  • Si mund ta drejtpeshojë e të krijojë hapësirë për interesat personale një çift i martuar ndërkohë që e kultivon dhe ruan siç duhet përkushtimin e plotë ndaj martesës së tyre?

Jepuni studentëve kohë që t’i mbajnë shënim përgjigjet e tyre për pyetjen vijuese, për të cilën u ftuan të përsiatin në pjesën 3 të materialit të përgatitjes:

  • Çfarë përshtatjesh nevojitet të bëni tani që të jeni të përgatitur më mirë për t’u kapur pas bashkëshortit ose bashkëshortes tuaj të ardhshme, apo për t’u kapur më plotësisht pas bashkëshortit/es tuaj/suaj nëse jeni të martuar?

Mbylleni këtë mësim duke dëshmuar për dëshirën dhe aftësinë e Zotit që të na përkrahë në ndërtimin e martesave të gëzueshme dhe të përjetshme teksa ne bëjmë përpjekjen tonë më të mirë.

Për Herën Tjetër

Ftojini studentët të studiojnë plot lutje materialin e përgatitjes për mësimin e ardhshëm, i cili flet rreth dhuratës së ëmbël dhe të shenjtë të intimitetit seksual. Nxitini studentët të vijnë në klasë gati për të folur sinqerisht dhe me respekt rreth kësaj dhurate dhe rreth mënyrës se si duhet mbrojtur ajo.