Instituti
Materiali i Mësuesit për Mësimin 26: Dallimi i Keqtrajtimit dhe Shërimi prej Tij


“Materiali i Mësuesit për Mësimin 26: Dallimi i Keqtrajtimit dhe Shërimi prej Tij”, Materiali i Mësuesit – Familja e Përjetshme (2022)

“Materiali i Mësuesit për Mësimin 26”, Materiali i Mësuesit – Familja e Përjetshme

Materiali i Mësuesit për Mësimin 26

Dallimi i Keqtrajtimit dhe Shërimi prej Tij

Profetët dhe apostujt kanë paralajmëruar se “individët që … abuzojnë me bashkëshorten, bashkëshortin ose fëmijët … do të qëndrojnë një ditë përgjegjës përpara Perëndisë” (“Familja: Një Proklamatë drejtuar Botës”, ChurchofJesusChrist.org). Ky mësim do t’i ndihmojë studentët të kuptojnë më mirë se si t’i dallojnë situatat e keqtrajtimit dhe t’u përgjigjen atyre. Studentët gjithashtu do të diskutojnë fuqinë e Jezu Krishtit për t’u ofruar shërim të gjithë atyre që janë ndikuar nga keqtrajtimi.

Shënim: Ju mund të keni studentë që janë ndikuar nga keqtrajtimi. Për shkak të natyrës së ndjeshme dhe sfiduese të keqtrajtimit, disa pjesë të këtij mësimi mund të shkaktojnë reagime emocionale nga studentët të cilët janë viktima të keqtrajtimit, veçanërisht ata që nuk kanë folur për këtë gjë. Mund të doni t’i njoftoni studentët që më parë me qëllim që nëse ndonjëri prej tyre nuk ndihet rehat në frekuentimin e orës mësimore për këtë mësim, ata mund të bëjnë një plan tjetër me ju. Merreni parasysh që të mund t’i ftoni të marrin pjesë jashtë orës mësimore në një tjetër përvojë domethënëse të të mësuarit.

Nëse duket se një student mund t’ju flasë rreth përfshirjes vetjake ose familjare me keqtrajtimin, ju duhet të shpjegoni me ndjeshmëri se ju kërkohet t’i raportoni akuzat e të gjitha llojeve të keqtrajtimit duke marrë në telefon shërbimin telefonik të ndihmës të Kishës ose këshilluesin ligjor të zonës. Jini të duruar, të ndjeshëm, zemërdhënës dhe mirëkuptues teksa e drejtoni studentin/en te peshkopi ose presidenti i degës së tij ose të saj për ta diskutuar situatën. Ndiqini me kujdes ligjet vendore lidhur me përgjegjësitë dhe detyrimet për ta raportuar keqtrajtimin.

Sugjerime për Mësimdhënien

Përmirësimi i Mësimdhënies dhe i të Mësuarit Tonë

Jini të ndjeshëm ndaj nevojave dhe ndjenjave të studentëve. Mënyra se si ju dhe studentët tuaj diskutoni për keqtrajtimin mund ta shtojë dhembjen ose mund të japë shpresë. Mund të doni të diskutoni me studentët përse është e rëndësishme që të kuptoni dhe të jeni të ndjeshëm ndaj dhembjes dhe vuajtjes që përjetojnë viktimat e keqtrajtimit. Teksa mendoni se si do ta drejtoni këtë diskutim, ju mund ta gjeni të dobishme të lexoni te “How Can I Support Someone Who Has Been Abused?” [“Si Mund ta Përkrah Dikë që Ka Qenë i Keqtrajtuar?”] (abuse.ChurchofJesusChrist.org).

Ata që i keqtrajtojnë të tjerët, do të jenë përgjegjës përpara Perëndisë.

Paraqiteni thënien vijuese nga dokumenti “Familja: Një Proklamatë drejtuar Botës”: Individët që abuzojnë me bashkëshorten, bashkëshortin ose fëmijët, do të qëndrojnë një ditë përgjegjës përpara Perëndisë (shih edhe Zbulesa 20:12–13; 2 Nefi 9:15–17).

Jepuni studentëve disa minuta që të shqyrtojnë pjesët 1 dhe 2 të materialit të përgatitjes dhe ftojini të flasin për pyetje ose mbresa që i patën teksa i studionin këto pjesë. Sipas nevojës, ju mund të bëni pyetje si ato që vijojnë:

  • Çfarë është keqtrajtimi? Cilat parime të ungjillit shkelen kur ndodh keqtrajtimi?

  • Çfarë paralajmërimesh dhe sugjerimesh ju bënë më shumë përshtypje në këto pjesë të materialit të përgatitjes?

  • Çfarë mendimesh patët kur shqyrtuat shenjat e zakonshme të keqtrajtimit?

  • Si mund të kërkojë ndihmë në mënyrë të sigurt dikush që gjendet në një situatë keqtrajtimi? Nëse dini për një situatë keqtrajtimi, si mund ta raportoni atë në mënyrë të parrezikshme? (Merreni parasysh të shpenzoni kohë për t’i ndihmuar studentët që të gjejnë burime për raportimin e keqtrajtimit. Shih, për shembull, “In Crisis? Talk Now” [“Në Krizë? Bisedoni Tani”] [abuse.ChurchofJesusChrist.org].)

Jezu Krishti mund t’i shërojë ata që kanë vuajtur nga keqtrajtimi.

Merreni parasysh të shfaqni pjesën e parë të materialit filmik “Living with the Pain of Childhood Abuse” [“Të Jetuarit me Dhembjen e Keqtrajtimit në Fëmijëri”] (kodi kohor 0:00–2:27). Përpara se të shfaqni materialin filmik, shpjegoni se ai tregon historinë e vërtetë të një gruaje që i mbijetoi keqtrajtimit, të quajtur Erina. Ftojini studentët të kërkojnë se si Erina u ndikua nga keqtrajtimi që përjetoi.

4:50

Merreni parasysh të bëni pyetjet vijuese:

  • Në çfarë mënyrash mund të vijë shërimi nga keqtrajtimi? (Nëse nevojitet, ju mund të shqyrtoni thënien e dytë nga Plaku Riçard G. Skot në pjesën 3 të materialit të përgatitjes.)

  • Çfarë do t’i thoshit një mikeje, si Erina, që po has vështirësi nga efektet e keqtrajtimit? Cilat janë disa gjëra që e bëjnë të vështirë shërimin nga keqtrajtimi?

Lexoni së bashku tek Isaia 61:1–3 dhe përcaktoni të vërteta që mund të jenë të dobishme për një viktimë të keqtrajtimit (shih edhe 2 Nefi 2:1–2). Mes të vërtetave të tjera, studentët mund të përcaktojnë një të vërtetë të ngjashme me sa vijon: Jezu Krishti ka fuqinë për t’i shëruar njerëzit zemërthyer dhe për t’i ngushëlluar ata që vajtojnë.

  • Çfarë keni bërë që të ftoni ngushëllim, ndihmë dhe shërim nga Shpëtimtari, në çfarëdo rrethane?

  • Si e ka zëvendësuar Shpëtimtari mungesën e shpresës ose dëshpërimin me bukuri në jetën tuaj?

Nëse e shfaqët më parë pjesën e parë të materialit filmik “Living with the Pain of Childhood Abuse” [“Të Jetuarit me Dhembjen e Keqtrajtimit në Fëmijëri”], tregoni pjesën tjetër të tij tani (kodi kohor 2:27–4:50). Vëreni klasën të dëgjojë se si Shpëtimtari e ndihmoi Erinin.

  • Çfarë mund të na ndihmojë që të jemi të duruar dhe besnikë gjatë gjithë kohës që mund të duhet për t’u shëruar?

Jepuni studentëve disa minuta kohë për të marrë në shqyrtim se si mund të ndikojnë te jeta e tyre aktualisht mësimet në këtë mësim. Nxitini të shënojnë çfarëdo mbrese që mund ta kenë marrë.

Për ta përfunduar mësimin, ftojini studentët të tregojnë se çfarë kanë mësuar rreth rolit të Shpëtimtarit për t’i ndihmuar të gjithë ata që janë ndikuar nga keqtrajtimi. Mund të shfaqni materialin filmik “The Prince of Peace” [“Princi i Paqes”] (2:32), i cili përmendet në pjesën 3 të materialit të përgatitjes.

2:3

Për Herën Tjetër

Ftojini studentët të mendojnë për mënyrat se si e kanë parë Satanin dhe të tjerë të punojnë për ta shkatërruar familjen. Nxitini studentët, ndërsa studiojnë materialin e përgatitjes për mësimin e ardhshëm, që të vëzhgojnë për rezultatet e shpërbërjes së familjeve në shoqëri dhe të përsiatin atë që mund të bëjnë për t’i mbrojtur mësimet e Zotit mbi familjen.