Instituti
Materiali i Mësuesit për Mësimin 22: Rritja e Fëmijëve me Drejtësi


“Materiali i Mësuesit për Mësimin 22: Rritja e Fëmijëve me Drejtësi”, Materiali i Mësuesit – Familja e Përjetshme (2022)

“Materiali i Mësuesit për Mësimin 22”, Materiali i Mësuesit – Familja e Përjetshme

Materiali i Mësuesit për Mësimin 22

Rritja e Fëmijëve me Drejtësi

“Prindërit kanë një detyrë të shenjtë për të rritur fëmijët e tyre me … drejtësi” (“Familja: Një Proklamatë drejtuar Botës”, ChurchofJesusChrist.org). Ky mësim do t’i ndihmojë studentët të kuptojnë se çfarë mund të bëjnë për t’i ndihmuar fëmijët e tyre të mësojnë rreth Shpëtimtarit dhe ungjillit të Tij. Studentët do të hulumtojnë gjithashtu se si t’i ndihmojnë njerëzit e tyre të dashur që largohen nga shtegu i ungjillit.

Sugjerime për Mësimdhënien

Përmirësimi i Mësimdhënies dhe i të Mësuarit Tonë

Përdorni programin mësimor. Ndërsa e përgatitni çdo mësim, shqyrtojeni me lutje si materialin e mësuesit ashtu edhe materialin e përgatitjes. Ndërsa veproni kështu, Fryma e Shenjtë mund t’ju ndihmojë ta përshtatni mësimin sipas nevojave të studentëve. Ju mund të zgjidhni t’i përdorni të gjitha ose disa nga sugjerimet për mësimdhënien, ose mund të përmblidhni disa pjesë të mësimit dhe t’i përshtatni idetë e sugjeruara sipas nevojave dhe rrethanave të studentëve tuaj.

Zoti i urdhëron prindërit që t’i rritin fëmijët e tyre në dritë dhe të vërtetë.

Merreni parasysh ta filloni mësimin duke i ftuar studentët të reflektojnë mbi ndikimet në ditët tona që mund ta bëjnë të vështirë rritjen e fëmijëve për të qenë të fortë shpirtërisht. Kërkojuni disa studentëve të shprehin mendimet e tyre.

Ftojini studentët të shqyrtojnë vargjet te Doktrina e Besëlidhje 68:25, 28 dhe 93:40 dhe të shkruajnë një fjali duke përmbledhur, me fjalët e tyre, atë që Ati Qiellor pret nga prindërit. Ftojini disa studentë të tregojnë atë që shkruan. Pasi studentët të kenë treguar përmbledhjet e tyre, paraqitni të vërtetën në vijim nga proklamata për familjen: Prindërit kanë një detyrë të shenjtë për t’i rritur fëmijët e tyre me drejtësi.

  • Përse është e rëndësishme që prindërit të jenë “mësuesit dhe shembujt kryesorë të ungjillit” për fëmijët e tyre? (Ted R. Kelister, “Prindërit: Mësuesit Kryesorë të Ungjillit për Fëmijët e Tyre”, Liahona, nëntor 2014, f. 32). (Ju mund të doni t’i ftoni studentët të shqyrtojnë thëniet nga Presidenti Ted R. Kelister dhe Presidentja Xhoi D. Xhons në pjesën 1 të materialit të përgatitjes.)

  • Në çfarë mënyrash Satani përpiqet t’i shpërqendrojë prindërit nga kjo detyrë e shenjtë? (Ju mund të doni të përmendni disa nga mënyrat e renditura në dy paragrafët e fundit të pjesës “Sulmet e Kundërshtarit ndaj Familjes” në artikullin “The Sacred Responsibilities of Parenthood” nga Presidenti M. Rasëll Ballard i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve [Ensign, mars 2006, f. 26–33].)

  • Çfarë mund të bëjnë familjet që të kenë sukses në mbajtjen e vazhdueshme të lutjes familjare, studimit familjar të shkrimeve të shenjta dhe mbrëmjes së shtëpisë?

Shqyrtoni së bashku thënien nga Motra Sheril A. Esplin në pjesën 1 të materialit të përgatitjes.

  • Si mund t’i ndihmojnë prindërit fëmijët e tyre që ta “fusin doktrinën në zemrat e tyre në një mënyrë që bëhet pjesë e vetë qenies së tyre”? (“Të Mësojmë Fëmijët Tanë të Kuptojnë”, Liahona”, maj 2012, f. 10). Si mund t’i ndihmojnë prindërit fëmijët e tyre që ta ndiejnë dhe të mësojnë nga Fryma e Shenjtë? (Si pjesë e këtij diskutimi, ju mund të merrni parasysh të shfaqni dhe të diskutoni materialin filmik “The Music of the Gospel [Muzika e Ungjillit]” [05:43], i cili përfshihet te pjesa “Doni më Shumë?” i materialit të përgatitjes.)

  • Si ju ka ndihmuar një prind ose figurë prindi, me fjalë ose shembull, të arrini ta njihni dhe ndiqni Shpëtimtarin? (Merreni parasysh të shqyrtoni së bashku vargun te 2 Nefi 25:26 dhe thëniet nga Plaku Nil L. Andersen dhe Presidentja Xhoi D. Xhons në pjesën 2 të materialit të përgatitjes.)

Ftojini studentët të shqyrtojnë atë që shkruan në përgjigje të pyetjeve te Shënojini Mendimet Tuaja në pjesën 2 të materialit të përgatitjes. Kërkojuni disa studentëve të cilët ndihen rehat të tregojnë atë që kanë shkruar që ta bëjnë këtë. Nxitini studentët të shënojnë çdo mendim ose mbresë tjetër që kanë pasur deri tani në klasë, të cilat kanë lidhje me këto gjëra.

Ne duhet t’i duam dhe të lutemi për pjesëtarët e familjes që e lënë shtegun e ungjillit.

Ftojini studentët të marrin në konsideratë se si do të ndiheshin nëse një nga fëmijët e tyre do të zgjidhte ta linte shtegun e ungjillit. Nëse është e mundur, shfaqeni materialin filmik nga Libri i Mormonit “Lehi Invites His Family to Partake of the Fruit of the Tree [Lehi e Fton Familjen e Tij të Hajë Frutën e Pemës] (1 Nefi 8:12–18)” (03:23). (Nëse nuk jeni në gjendje ta shfaqni materialin filmik, paraqiteni foton shoqëruese dhe lexoni së bashku te 1 Nefi 8:12–18.) Ftojini studentët të mendojnë rreth asaj se si mund të jetë ndier Lehi për përgjigjet e ndryshme të pjesëtarëve të familjes së tij ndaj ftesës së tij për të ngrënë frutat e pemës së jetës. Kërkojuni disa studentëve të shprehin mendimet e tyre.

Lehi duke ngrënë frutën e pemës së jetës
  • Çfarë shembujsh të tjerë ka nga shkrimet e shenjta të prindërve të drejtë, fëmija ose fëmijët e të cilëve u larguan nga shtegu i ungjillit? Çfarë mund të mësoni nga përgjigjet e këtyre prindërve që mund t’ju udhëheqin në përgjigjen ndaj pjesëtarëve të familjes që mund të largohen?

Shqyrtojeni së bashku thënien nga Plaku Ulises Soares, në pjesën 3 të materialit të përgatitjes.

  • Çfarë mund të mësojmë nga Plaku Soares rreth mënyrës se si të përgjigjemi kur një pjesëtar i familjes largohet nga shtegu i ungjillit? (Studentët duhet të përcaktojnë një parim të ngjashëm me sa vijon: Nëse një pjesëtar i familjes largohet nga shtegu i ungjillit, ne duhet të vazhdojmë ta duam dhe të lutemi për të dhe të kërkojmë ndihmën e Zotit.)

  • Kur i keni parë pjesëtarët e familjes t’i vënë në zbatim mësimet e Plakut Soares? Çfarë ndikimi patën veprimet e tyre?

Merreni parasysh të lexoni thënien në vijim nga Presidenti Henri B. Ajring, i Presidencës së Parë:

Presidenti Henri B. Ajring

“Për disa, … gëzimi i përjetshëm mund të duket si një shpresë e mekur apo madje që po venitet. Prindërit, fëmijët, vëllezërit dhe motrat mund të kenë bërë zgjedhje që duket se i shkualifikojnë nga jeta e përjetshme. …

Njëherë, një profet i Perëndisë më dha një këshillë që më jep paqe. Isha i shqetësuar se zgjedhjet e të tjerëve mund ta bënin të pamundur që familja jonë të ishte bashkë përgjithmonë. Ai tha: ‘Po shqetësohesh për problemin e gabuar. Ti thjesht jeto i denjë për mbretërinë çelestiale dhe situata në familje do të jetë më e mrekullueshme nga sa mund ta përfytyrosh.’” (“The Hope of Eternal Family Love”, Ensign, gusht 2016, f. 4, 5)

  • Si mundet ky mësim t’u japë shpresë dhe ngushëllim atyre, njerëzit e dashur të të cilëve janë larguar nga shtegu i ungjillit?

Merreni parasysh ta mbyllni mësimin duke dëshmuar se Zoti është i gatshëm të na ndihmojë ndërsa përpiqemi fort t’i rritim fëmijët tanë me drejtësi.

Për Herën Tjetër

Merreni parasysh të paraqitni thënien në vijim nga Plaku Andersen:

Plaku Nil L. Andersen

“Ka kaq shumë njerëz, të rinj e të moshuar, të cilët janë besnikë dhe të vërtetë ndaj ungjillit të Jezu Krishtit, edhe pse përvoja e tyre e tanishme nuk përshtatet mirë me brendinë e proklamatës për familjen.” (“Syri i Besimit”, Liahona, maj 2019, f. 36)

Ftojini studentët, ndërsa studiojnë materialin për mësimin e ardhshëm, të kërkojnë mësime që mund t’i bekojnë familjet ose individët që ata njohin, përvojat e tanishme familjare të të cilëve mund të mos jenë ato të cilat i kanë shpresuar.