“Materiali i Mësuesit për Mësimin 4: Familja Është Qendrore në Planin e Atit Qiellor”, Materiali i Mësuesit – Familja e Përjetshme (2022)
“Materiali i Mësuesit për Mësimin 4”, Materiali i Mësuesit – Familja e Përjetshme
Materiali i Mësuesit për Mësimin 4
Familja Është Qendrore në Planin e Atit Qiellor
Familja është qendrore në planin e Atit Qiellor për fatin tonë hyjnor. Në këtë mësim, studentët do të kenë mundësinë të shpjegojnë se si Krijimi i tokës, Rënia e Adamit dhe Evës, si dhe Shlyerja e Jezu Krishtit lejojnë që familjet e përjetshme të formohen dhe të përparojnë. Studentët do të marrin ftesë për t’i vlerësuar përpjekjet e tyre vetjake në krijimin dhe forcimin e vetë familjes së tyre të përjetshme.
Sugjerime për Mësimdhënien
Krijimi i tokës dhe Rënia e Adamit dhe Evës lejuan që familjet të formoheshin e të rriteshin.
Ndajini studentët në grupe të vogla dhe caktoni një udhëheqës/e për secilin grup. Paraqitni ose sigurojini secilit grup një kopje të skenarit dhe pyetjeve vijuese. (Merreni parasysh se si mund ta përshtatni këtë skenar sipas nevojës, që të jetë më domethënës për kulturën tuaj dhe jetën e studentëve tuaj.)
Pasi studentët të kenë pasur kohë të mjaftueshme për ta diskutuar skenarin, ftojini ata të renditin në tabelë disa nga të vërtetat për të cilat biseduan. Ndërtoni mbi këto të vërteta gjatë gjithë mësimit.
Mund ta ftoni një student/e që ta recitojë ose ta lexojë vargun te Moisiu 1:39 dhe më pas kërkojini klasës të shpjegojë se çfarë na mëson ky varg rreth qëllimeve të planit të Atit Qiellor. Nëse nevojitet, pyetini studentët se si do ta përkufizonin “jetën e përjetshme” dhe mënyrën se si ai qëllim lidhet me familjen. (Shihni pjesën e parë në materialin e përgatitjes si ndihmë për një përkufizim.)
Merreni parasysh të shfaqni figura që përfaqësojnë Krijimin dhe Rënien e Adamit dhe të Evës. Ftojini studentët të rishikojnë vargjet te Doktrina e Besëlidhje 49:15–17 dhe 2 Nefi 2:22–23. Pastaj bëni pyetjet vijuese:
-
Si ndihmoi Krijimi i tokës për t’i përmbushur qëllimet e përjetshme të Atit Qiellor për fëmijët e Tij? (Përgjigjet e studentëve mund të jenë të ngjashme me sa vijon: Toka u krijua që të sigurohej një vend ku fëmijët e Perëndisë të mund të lindeshin në familje dhe të përparonin së bashku.)
-
Si ndihmoi Rënia e Adamit dhe Evës për t’i çuar përpara qëllimet e Atit dhe për ta lejuar tokën “të përmbushë qëllimin e krijimit të saj”? (Doktrina e Besëlidhje 49:16). (Studentët mund të japin përgjigje të ndryshme, përfshirë pohimin e një të vërtete të ngjashme me këtë: Për shkak të Rënies, Adami dhe Eva mund të lindnin fëmijë dhe pasardhësit e tyre mund të përparonin drejt jetës së përjetshme.)
-
Si mund të ndikojë të kuptuarit e këtyre qëllimeve të Krijimit dhe Rënies te përpjekjet tona për t’u dhënë përparësi e për të krijuar vetë familjet tona të përjetshme?
Nëpërmjet Shlyerjes së Tij, Jezu Krishti i ka bërë të mundura familjet e përjetshme.
Merreni parasysh diskutimin e pyetjes vijuese si klasë:
-
Cili është roli i Shpëtimtarit dhe i Shlyerjes së Tij në bërjen të mundur të familjeve të përjetshme? (Merreni parasysh të rishikoni vargjet te 2 Nefi 9:6–8, 10, 18 për t’i ndihmuar studentët të përcaktojnë se nëpërmjet Shlyerjes së Tij, Jezu Krishti siguron një mënyrë që të gjithë fëmijët e Atit Qiellor ta mposhtin mëkatin dhe vdekjen.)
Paraqiteni thënien e mëposhtme nga Plaku M. Rasëll Ballard, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve:
Faktori përcaktues që i lidh të gjitha – nga i cili varet plani i Perëndisë dhe fati ynë i përjetshëm dhe rreth të cilit rrotullohet gjithçka tjetër – është Shpëtimtari ynë, Jezu Krishti. Flijimi i Tij shlyes i bën të gjitha gjërat të mundura, përfshirë, por jo vetëm i kufizuar te një martesë dhe familje të dashur, përkujdesëse dhe të përjetshme. (M. Rasëll Ballard, “Mundësitë dhe Përgjegjësitë e Mësuesve të SAK-ut në Shekullin e 21-të” [mbrëmje me një Autoritet të Përgjithshëm, 26 shkurt 2016], ChurchofJesusChrist.org).
Ftojini studentët të shqyrtojnë atë që shkruan në përgjigje të pyetjeve në fund të pjesës 2 të materialit të përgatitjes. (Nëse është e nevojshme, jepuni studentëve kohë për t’i mbajtur shënim përgjigjet e tyre ose për të shtuar diçka në to.) Ftojini disa studentë të tregojnë atë që shkruan. Merreni parasysh të shprehni edhe ndjenjat tuaja.
Për t’i ndihmuar studentët të veprojnë sipas asaj që mësuan sot, zgjidhni njërën ose të dyja idetë vijuese – cilado që të jetë më e dobishme për studentët tuaj.
Për Herën Tjetër
Merreni parasysh ta rishikoni shkurtimisht me studentët atë që kanë mësuar në katër mësimet e para të kursit. Mund të sugjeroni se herën tjetër që do të mblidheni, do t’u jepni atyre mundësi për të treguar atë që kanë qenë duke e vënë në zbatim deri tani me familjen e tyre ose me njerëz të tjerë. Ftojini studentët teksa përgatiten për orën e ardhshme mësimore që të mendojnë me kujdes rreth mënyrës se si zgjedhjet që bëjnë me trupat e tyre fizikë mund të ndikojnë te familjet e tyre dhe te plani i Perëndisë për ta.