Instituti
Materiali i Mësuesit për Mësimin 23: Kur Vonon Bekimi i Martesës së Përjetshme ose Bekimi për të Pasur Fëmijë


Materiali i Mësuesit për Mësimin 23: Kur Vonon Bekimi i Martesës së Përjetshme ose Bekimi për të Pasur Fëmijë”, Materiali i Mësuesit – Familja e Përjetshme (2022)

“Materiali i Mësuesit për Mësimin 23”, Materiali i Mësuesit – Familja e Përjetshme

Materiali i Mësuesit për Mësimin 23

Kur Vonon Bekimi i Martesës së Përjetshme ose Bekimi për të Pasur Fëmijë

Shumë anëtarë të Kishës kanë dëshira të drejta për bekimet e jetës së përjetshme ose të pasjes së fëmijëve të cilat janë vonuar ose prishur. Në këtë mësim, studentët do të diskutojnë se si ata mund të veprojnë me besim te Jezu Krishti, në qoftë se përballen me këto lloje sfidash. Studentët do të përcaktojnë gjithashtu se çfarë mund të bëjnë për t’i përfshirë të tjerët në lagjet ose degët e tyre, pavarësisht nga rrethanat e tyre familjare.

Sugjerime për Mësimdhënien

Ne zgjedhim të ushtrojmë besim te Jezu Krishti kur vonohen bekimet e dëshiruara.

Paraqiteni dhe lexojeni së bashku thënien nga Plaku Nil L. Andersen, në pjesën 1 të materialit të përgatitjes. Mund t’i vini në dukje ose t’i renditni në tabelë rrethanat që ai përmendi, të cilat jo gjithmonë përputhen në mënyrë të përsosur me idealet e dhëna mësim në proklamatën mbi familjen.

  • Përse mendoni që udhëheqësit e Kishës vazhdojnë t’i japin mësim idealet e jetës familjare, në qoftë se pjesa dërrmuese e anëtarëve të Kishës nuk i përjetojnë aktualisht këto ideale? (Merrni parasysh të lexoni thënien e Motrës Sheron Iubank në pjesën 1 të materialit të përgatitjes.)

Paraqiteni figurën e Abrahamit dhe të Sarës nga pjesa 2 e materialit të përgatitjes dhe kërkojuni studentëve të përmbledhin bekimet që u vonuan ose nuk u përmbushën në jetën e Abrahamit dhe të Sarës.

Ftojini studentët të shqyrtojnë individualisht vargjet te Hebrenjve 11:8, 11–13, duke kërkuar fraza që nxjerrin në pah besimin e Abrahamit dhe të Sarës. Kërkojuni disa studentëve të tregojnë atë që zbulojnë.

  • Si mund t’i ndihmojë shembulli i Abrahamit dhe Sarës anëtarët bashkëkohorë të Kishës besimi i të cilëve sfidohet kur bekimet e premtuara vonohen ose nuk përmbushen në këtë jetë? (Pasi studentët të kenë shprehur mendimet e tyre, shkruajeni në tabelë parimin vijues: Kur jemi besnikë ndaj Zotit dhe mirëbesojmë në kohën e Tij, ne vërtet do t’i marrim bekimet e premtuara prej Tij në vdekshmëri ose në përjetësi.)

Mund t’u kujtoni studentëve se marrja e bekimeve të premtuara nuk është shpesh një çështje drejtësie, por e kohës së Zotit. Paraqiteni thënien vijuese nga Plaku Xhefri R. Holland, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve:

Plaku Xhefri R. Holland

“Disa bekime vijnë shpejt, disa vijnë vonë dhe disa nuk vijnë derisa të jemi në qiell; por për ata që e përqafojnë ungjillin e Jezu Krishtit, ato vijnë. Për këtë unë dëshmoj personalisht.” (“An High Priest of Good Things to Come”, Ensign, nëntor 1999, f. 38)

Merreni parasysh t’i diskutoni disa nga pyetjet vijuese për t’i ndihmuar studentët ta thellojnë të kuptuarit e tyre për parimin në tabelë:

  • Si mund të vazhdonin ta ushtronin besimin te Jezu Krishti dhe mësimet e Tij mbi familjen pjesëtarët e Kishës në njërën nga rrethanat e përmendura nga Plaku Andersen (në thënien e tij në pjesën 1 të materialit të përgatitjes, të përmendur më parë në këtë pjesë)?

  • Çfarë përvojash ose mësimesh i kanë dhënë formë vetëbesimit tuaj se Zoti do t’i plotësojë premtimet e Tij edhe nëse bekimet e dëshiruara vonohen? (Ftojini studentët të shqyrtojnë atë që shkruan në përgjigje të veprimtarisë “Shënojini Mendimet Tuaja” në pjesën 2 të materialit të përgatitjes.)

  • Kur keni shkuar përpara me besim te Zoti ju ose dikush që e njihni, kur u vonua një bekim që lidhej me martesën ose me pasjen e fëmijëve? Çfarë mësuat për Zotin nga ajo përvojë?

Si pjesë e diskutimit, merreni parasysh të ndiqni tregimin për një të re në moshë madhore beqare që u tregua nga Presidenti Dallin H. Ouks, i Presidencës së Parë:

Presidenti Dallin H. Ouks

“Mora një letër nga një grua që po studionte në Universitetin e Harvardit. Më bëri përshtypje përmbajtja e saj.

Ajo tha: ‘Jam vetëm 26 vjeçe dhe e kam ndier të më pushtojë sprova e të qenit e pamartuar’.

Pasi tregoi më shumë në letrën e vet, ajo përfundoi: ‘Po kthehesha më këmbë nga puna një pasdite një vit më parë, duke ia hapur zemrën time Perëndisë, duke i thënë Atij se dëshira ime më e thellë ishte të isha bashkëshorte dhe nënë. M’u ndalën hapat kur një mendim dhe ndjenjë e fuqishme më erdhën në zemrën dhe mendjen time. Mendimi ishte që unë e kisha gabim. Dëshira më e thellë e zemrës sime duhet të jetë të qenit dishepulle e Jezu Krishtit dhe më pas e dyta mund të jetë të qenit bashkëshorte dhe nënë. Këndvështrimi im për jetën ime ka ndryshuar qysh atëherë. Ua ndërrova vendin dëshirave. E di se të gjitha bekimet e premtuara do të jenë të miat, por ko do të ndodhë në kohën e Zotit dhe jo timen.’ Ç’mendim i fuqishëm!” (Facebook, 11 korrik 2016, facebook.com/dallin.h.oaks)

Ftojini studentët të shënojnë se çfarë mund të bëjnë për të vazhduar që të ushtrojnë besimin te Jezu Krishti ndërkohë që presin për të marrë bekimet familjare që dëshirojnë.

Mund t’i nxitni studentët të kërkojnë udhërrëfimin dhe përkrahjen e Zotit që të mësojnë se si të fitojnë gëzim, përmbushje dhe rritje tani, cilatdo qofshin rrethanat e tyre familjare.

Çdo anëtar i Kishës është një pjesë e rëndësishme e trupit të Krishtit.

Ftojini studentët të shqyrtojnë vargjet te 1 Korintasve 12:12–27, duke kërkuar atë që na mëson analogjia e Apostullit Pal rreth Kishës dhe anëtarëve të saj.

  • Çfarë të vërtetash mund të mësojmë nga kjo analogji? (Mes të vërtetave që mund të përcaktojnë studentët, sigurohuni që të theksojnë të vërtetën vijuese: Çdo anëtar i Kishës është i domosdoshëm dhe mund t’i japë Kishës një ndihmesë të rëndësishme.)

Për të treguar se të gjithë anëtarët e Kishës kanë vlerë për të kontribuar, ju mund të shfaqni materialin filmik “Songs Sung and Unsung” [“Këngë të Kënduara e të Pakënduara”] (2:56), që gjendet në pjesën “Doni më Shumë?” të materialit të përgatitjes.

2:56

Për t’i ndihmuar studentët që të marrin parasysh se si t’i përfshijnë të tjerët dhe të zgjedhin që të përfshihen edhe vetë në mjediset e Kishës, ju mund të shpërndani skenarin vijues (ose përshtateni skenarin sipas nevojës për të qenë më domethënës për studentët tuaj):

Kohët e fundit Viktoria kaloi përmes një shkurorëzimi. Ajo ju thotë në mirëbesim se nuk e ndien sikur ka më vend në Kishë. Ulet vetëm në mbledhjet e kishës dhe nuk ndihet në vendin e duhur gjatë mbledhjeve të Shoqatës së Ndihmës që kanë lidhje me martesën dhe familjen. Ajo e pyet veten nëse ka ndonjë gjë për të kontribuar në lagjen e vet në gjendjen e saj të tanishme.

Merreni parasysh t’i ndani studentët në dyshe dhe të paraqitni pyetjet vijuese. Ftojeni një student/e nga secila dyshe që të përsiatë se si ai ose ajo do t’u përgjigjej pyetjeve të Viktorias nga këndvështrimi i Viktorias. Ftojeni studentin tjetër të përsiatë grupin tjetër të pyetjeve nga këndvështrimi i dikujt në lagjen e Viktorias. Pas disa minutash, ftojini studentët t’i diskutojnë përgjigjet e tyre me njëri‑tjetrin.

Viktoria

Anëtari i lagjes

Nuk ndihem se përkas. Çfarë mund të bëj që të ndihem më e përfshirë?

Si mund ta përkrah Viktorian në situatën e saj të tanishme?

Cilat janë disa këndvështrime dhe ndihmesa të pashoqe që mund t’ia shtoj lagjes sime?

Çfarë mund të bëj për ta kuptuar më mirë Viktorian dhe për ta ndihmuar të ndihet e vlerësuar dhe e përfshirë në lagjen tonë?

Çfarë mund të bëj për ta lejuar Shpëtimtarin të më ndihmojë që të kuptoj e ndiej vlerën time dhe vendin tim në Kishën e Tij?

Si mund të jem më përfshirës/e me anëtarët e lagjes që po përjetojnë rrethana të tilla si të qenit në moshë madhore i/e pamartuar, të qenit një prind i vetëm ose të qenit të martuar por pa fëmijë?

Pas një kohe të mjaftueshme, ftojini disa studentë që t’i tregojnë klasës atë që mësuan nga kjo veprimtari.

Jepuni studentëve kohë që të shënojnë dhe planifikojnë se si do të veprojnë ata me mbresat e tyre për të përkrahur anëtarë të tjerë të Kishës, pavarësisht nga rrethanat e tyre familjare. Ju mund t’i ftoni studentët të mendojnë për anëtarë të caktuar në lagjen ose degën e tyre të cilët mund t’i përkrahin.

Merrni parasysh ta përfundoni mësimin duke dëshmuar për dashurinë dhe përkrahjen e pashtershme të Atit Qiellor për njerëzit rrethanat familjare të të cilëve janë sfiduese. Gjithashtu dëshmoni se çdo anëtar i Kishës së Zotit është i nevojshëm dhe mund të japë ndihmesë kuptimplote.

Për Herën Tjetër

Ftojini studentët të mendojnë rreth njerëzve që njohin, të cilët përjetojnë sfida të shëndetit mendor ose emocional. Nxitini studentët ta lexojnë materialin e përgatitjes për mësimin e ardhshëm me këta individë në mendje. Ju gjithashtu mund t’i nxitni studentët që të gjejnë pak kohë kur të jenë vetëm për të vlerësuar shëndetin e tyre mendor.