“Materiali i Mësuesit për Mësimin 25: Pendimi dhe Falja në Jetën Familjare”, Materiali i Mësuesit – Familja e Përjetshme (2022)
“Materiali i Mësuesit për Mësimin 25”, Materiali i Mësuesit – Familja e Përjetshme
Materiali i Mësuesit për Mësimin 25
Pendimi dhe Falja në Jetën Familjare
Ne mund ta ftojmë fuqinë e Zotit për të shëruar e forcuar marrëdhëniet tona familjare duke vënë në jetë parimet e pendimit dhe faljes. Ky mësim do t’i ndihmojë studentët të kuptojnë se si falja nga ana e tyre mund t’i përmirësojë marrëdhëniet familjare. Studentët gjithashtu mund të marrin parasysh se si mund ta përdorin ndihmën e Zotit për të falur pjesëtarë të familjes që mund t’i kenë fyer ose lënduar.
Shënim: Nganjëherë lëndimi i shkaktuar nga pjesëtarë të familjes është në formën e keqtrajtimit. Shërimi nga keqtrajtimi do të diskutohet në mësimin e ardhshëm.
Sugjerime për Mësimdhënien
Pendimi ynë vetjak mund t’i përmirësojë marrëdhëniet familjare.
Shkruajini thëniet vijuese në tabelë (merrni parasysh t’i përshtatni këto thënie për të plotësuar më mirë nevojat e studentëve tuaj):
-
Është me rëndësi të përqendrohemi që të sigurohemi se pjesëtarët e tjerë të familjes pendohen shpesh.
-
Nëse një pjesëtar i familjes është më në faj se sa jemi ne, ne duhet të presim që ai pjesëtar i familjes të kërkojë falje dhe të ndryshojë përpara se ta bëjnë ne.
-
Është gjithmonë e lehtë të pendohemi për mënyrat se si ne mund t’i dëmtojmë pjesëtarët e familjes.
-
Është në rregull të trajtojmë keq njerëz në familjen tonë nëse ata po përpiqen të na mërzitin.
Fillojeni mësimin duke e ftuar një student/e të lexojë me zë të lartë thëniet në tabelë. Kërkojuni studentëve që në heshtje të marrin parasysh nëse secila thënie është e vërtetë apo e rreme (mos u kërkoni studentëve të japin përgjigjet e tyre). Pas një kohe të mjaftueshme, shpjegoni se të gjitha thëniet janë të rreme.
-
Si do ta korrigjonit secilën prej këtyre thënieve që t’i bëni të vërteta?
-
Përse mund të jetë sfiduese që të pendohemi kur i lëndojmë pjesëtarët e familjes? Si mund të na ndihmojë Zoti në përpjekjet tona për t’u penduar?
Mund të paraqitni një nga përshkrimet e shëmbëlltyrës së djalit plangprishës nga materiali i përgatitjes dhe kërkojini një studenti të përmbledhë shëmbëlltyrën. Merreni parasysh t’i shqyrtoni vargjet te Lluka 15:17–24 dhe t’i pyetni studentët se cilat parime përcaktuan nga kjo shëmbëlltyrë rreth pendimit në jetën familjare.
-
Çfarë mund të mësojmë rreth Atit Qiellor nga babai në këtë shëmbëlltyrë? Si mund të ndikojë kjo njohuri në mënyrën se si e shohim pendimin?
-
Kur e keni parë një martesë ose familje të bekohet për shkak të pendimit të njërit prej pjesëtarëve të saj? (Kujtojuni studentëve të mos tregojnë asgjë që është tepër vetjake ose private).
Zoti mund të na ndihmojë t’i falim pjesëtarët e familjes që na kanë fyer ose lënduar.
Ftojini studentët të mendojnë për raste kur mund të jenë fyer ose lënduar nga një pjesëtar i familjes. Gjithashtu mund t’u kërkoni të përsiatin se sa mirë kanë qenë në gjendje ta falin atë person.
-
Përse nganjëherë mund të jetë e vështirë t’i falim pjesëtarët e familjes që kanë qenë të padrejtë ndaj nesh?
Shqyrtojini së bashku vargjet te Doktrina e Besëlidhje 64:8–11 dhe pyeteni klasën se çfarë të vërtetash mësojnë nga mësimet e Zotit rreth faljes. Mes të vërtetave që përcaktojnë studentët, mund të jetë një e vërtetë si ajo që vijon: Zoti na kërkon t’i falim të gjithë njerëzit.
Ju mund t’i ftoni studentët të zgjedhin disa paragrafë ose thënie nga udhëheqësit e Kishës te pjesa 2 e materialit të përgatitjes për ta shqyrtuar shkurtimisht. Më pas pyetni:
-
Si mund ta ndihmojnë këto mësime dikë që të falë një pjesëtar të familjes që ka qenë i padrejtë me të?
Si pjesë e diskutimit, merrni parasysh të paraqitni thënien e Plakut Masimo De Feo nga pjesa 2 e materialit të përgatitjes dhe lexojeni së bashku me studentët. Ju mund t’u jepni studentëve disa minuta që të përsiatin atë që ka bërë Shpëtimtari për ta.
-
Si mund të na ndihmojë të kujtuarit e flijimit të Shpëtimtarit për t’i falur të tjerët?
Merreni parasysh të përdorni historinë e Jakobit dhe Esaut për t’i ndihmuar studentët të thellojnë kuptueshmërinë e tyre për faljen në jetën familjare ose krijoni vetë skenarin tuaj që mund t’i ndihmojë studentët të marrin parasysh ndjenjat, shqetësimet dhe zgjedhjet që lidhen me pajtimin me një pjesëtar të familjes që e kemi fyer ose që na ka fyer ne.
Po të jetë e mundur, paraqiteni figurën vijuese:
Kërkojuni studentëve të shpjegojnë atë që dinë rreth këtij tregimi për Jakobin dhe Esaun dhe atë që e ndikoi marrëdhënien midis këtyre vëllezërve. Sipas nevojës, ju mund ta shtoni kuptueshmërinë e studentëve duke treguar disa nga hollësitë vijuese:
Merreni parasysh ta ndani klasën në dyshe ose grupe të vogla. Ftojini studentët të lexojnë në heshtje vargjet te Zanafilla 33:1–11, duke kërkuar atë që ndodhi kur u takuan Jakobi dhe Esau. Kërkojini secilit student që të zgjedhë këndvështrimin ose të Jakobit ose të Esaut dhe të përfytyrojnë sikur po përjeton ngjarjet e shënuara në këto vargje nga ai këndvështrim.
Pas një kohe të mjaftueshme kërkojuni studentëve t’i diskutojnë pyetjet vijuese me shokun ose shoqen në dyshe apo grupin, duke përdorur ato që mësuan nga përfytyrimi i këtij ritakimi nga këndvështrimi qoftë i Jakobit apo Esaut:
-
Çfarë mendimesh ose ndjenjash mund të kishit pasur teksa i afroheshit vëllait tuaj dhe flisnit me të?
-
Çfarë bëtë që të pajtoheshit me vëllanë tuaj? Çfarë parimi mund të mësoni nga kjo?
Pasi studentët ta kenë përfunduar këtë veprimtari, merreni parasysh të diskutoni disa nga pyetjet vijuese së bashku si klasë:
-
Çfarë parimesh shihni te shembujt e Jakobit dhe Esaut? Në çfarë mënyrash e shihni dorën e Zotit në këtë rrëfim?
-
Si ju ka ndihmuar Perëndia që të merrni iniciativën për ta zgjidhur një konflikt ose për ta falur dikë në familjen tuaj? (Kujtojuni studentëve të mos tregojnë asgjë që është tepër vetjake.)
Ftojini studentët të marrin parasysh në heshtje mënyrën se si Ati Qiellor mund të dojë që ata t’i zbatojnë parimet e pendimit ose të faljes në marrëdhëniet e tyre familjare në këtë kohë. Nxitini ata të veprojnë ndaj çdo mbrese që marrin. Mund t’u jepni studentëve kohë që të dëshmojnë për vlerën e pendimit dhe të faljes në familje.
Për Herën Tjetër
Shpjegoni se disa njerëz, tragjikisht, zgjedhin t’i keqtrajtojnë të tjerët. Nxitini studentët të studiojnë me kujdes materialin e përgatitjes për mësimin e ardhshëm. Ftojini të marrin parasysh se si, me ndihmën e Shpëtimtarit, ata mund të shërohen dhe t’i ndihmojnë të tjerët nga efektet e keqtrajtimit.