Instituti
Materiali i Mësuesit për Mësimin 27: Nxitja dhe Mbrojtja e Familjes si Njësia Themelore e Shoqërisë


“Materiali i Mësuesit për Mësimin 27: Nxitja dhe Mbrojtja e Familjes si Njësia Themelore e Shoqërisë”, Materiali i Mësuesit – Familja e Përjetshme (2022)

“Materiali i Mësuesit për Mësimin 27”, Materiali i Mësuesit – Familja e Përjetshme

Materiali i Mësuesit për Mësimin 27

Nxitja dhe Mbrojtja e Familjes si Njësia Themelore e Shoqërisë

Profetët dhe apostujt na kanë bërë thirrje “të nxisi[m] ato masa të krijuara për të ruajtur dhe forcuar familjen si njësia themelore e shoqërisë” (“Familja: Një Proklamatë drejtuar Botës”, ChurchofJesusChrist.org). Në këtë mësim, studentët do të identifikojnë ndikimet që po kontribuojnë në shpërbërjen e familjes. Studentët gjithashtu do të kenë parasysh se çfarë mund të bëjnë për ta nxitur dhe mbrojtur familjen si njësia themelore e shoqërisë.

Sugjerime për Mësimdhënien

Kundërshtari përpiqet të shkatërrojë familjen.

Nëse është e mundur, paraqitni thënien vijuese nga Presidentja Xhuli B. Bek, ish‑Presidente e Përgjithshme e Shoqatës së Ndihmës, dhe lexojeni atë së bashku:

Presidentja Xhuli B. Bek

“Këtij brezi do t’i bëhet thirrje që ta mbrojë doktrinën e familjes si kurrë më parë. Nëse nuk e dinë, ata nuk mund ta mbrojnë atë. …

Përveç të kuptuarit të teologjisë së familjes, ne të gjithë kemi nevojë të kuptojmë kërcënimet ndaj familjes. Nëse nuk i kuptojmë, nuk mund të përgatitemi për betejën.” (“Teaching the Doctrine of the Family”, Ensign, mars 2011, f. 14, 17)

  • Përse ka nevojë për mbrojtje doktrina e Zotit mbi familjen?

Paraqiteni thënien vijuese nga proklamata mbi familjen: Shpërbërja e familjes do të sjellë mbi individët, komunitetet dhe kombet fatkeqësitë e parashikuara nga profetët e lashtë dhe modernë.

Bëni dy kolona në tabelë. Shkruajeni kreun vijues mbi kolonën e parë: Ndikime që kontribuojnë në shpërbërjen e familjes. Ftojini studentët të renditin ide që u vijnë në mendje dhe kërkojini një studenti të shkruajë në tabelë përgjigjet e anëtarëve të klasës. (Mund t’i nxitni studentët të shqyrtojnë pjesën 1 të materialit të përgatitjes, përfshirë studimin e vargjeve te 2 Timoteu 3:1–6, 13, nëse kanë nevojë për ndihmë.) Ndërkohë që studentët i renditin idetë e tyre, nxitini të shpjegojnë se si kontribuojnë këto ndikime në shpërbërjen e familjes.

Shkruajeni kreun vijues mbi kolonën e dytë në tabelë: Doktrina e shpallur në proklamatën mbi familjen mund të kundërveprojë ndaj këtyre ndikimeve. Ftojini studentët t’i drejtohen proklamatës mbi familjen që të renditin në tabelë doktrinën domethënëse.

  • Si ju ka përgatitur studimi i doktrinës së Zotit mbi familjen në këtë kurs që ta mbroni më mirë familjen?

Ne kemi përgjegjësi të mbrojmë dhe nxitim familjen.

Paraqiteni thënien vijuese nga proklamata mbi familjen: Ne u bëjmë thirrje qytetarëve dhe zyrtarëve të përgjegjshëm të qeverive kudo që janë të nxisin ato masa të krijuara për të ruajtur dhe forcuar familjen si njësia themelore e shoqërisë.

Përmirësimi i Mësimdhënies dhe i të Mësuarit Tonë

Ndihmojini studentët ta ndiejnë të vërtetën dhe rëndësinë e doktrinës dhe parimeve. Studentët ka më shumë të ngjarë t’i zbatojnë doktrinën dhe parimet, kur e ndiejnë të vërtetën dhe rëndësinë e tyre nëpërmjet Shpirtit dhe kur ndiejnë njëfarë ngutjeje për t’i përfshirë ato në jetën e tyre. Një mënyrë e efektshme për t’i ndihmuar studentët ta ndiejnë të vërtetën dhe rëndësinë e doktrinës dhe të parimeve, është që t’i nxitni ata të reflektojnë mbi përvojat vetjake që lidhen me këto të vërteta dhe t’i tregojnë ato.

Kujtojuni studentëve se ata u ftuan të bënin një plan të thjeshtë veprimesh që mund t’i ndërmarrin për ta nxitur ose mbrojtur familjen (shih pjesën 3 të materialit të përgatitjes).

  • Cilat janë disa mënyra se si mund ta nxitim familjen si njësia themelore e shoqërisë? (Renditini përgjigjet e studentëve në tabelë. Më pas ftojini disa studentë të japin përvoja vetjake që lidhen me idetë në tabelë.)

  • Cilat mund të jenë pasojat nëse nuk ia dalim mbanë të flasim në nxitje ose mbrojtje të bindjeve tona rreth martesës dhe familjes?

Mund të lexoni thënien vijuese nga Presidenti M. Rasëll Ballard, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve: “Ne duhet të kujtojmë thënien e Edmund Bërkut: ‘E vetmja gjë e nevojshme për triumfin e së ligës është që njerëzit e mirë të mos bëjnë asgjë’ [i atribuohet John Bartlett, përz., Familiar Quotations, bot. i 15-të (1980), f. ix]” (“Let Our Voices Be Heard”, Liahona, nëntor 2003, f. 18).

  • Si mund të na ndihmojë Zoti që të mposhtim ndonjë ngurrim ose frikë që mund ta kemi kur nxitim ose mbrojmë martesën dhe familjen?

Përzgjidhni njërën nga alternativat vijuese për t’i ndihmuar studentët ta përmirësojnë aftësinë e tyre për të nxitur dhe mbrojtur martesën dhe familjen:

Alternativa 1

Shfaqni segmentin “Samantha in Class” [“Samanta në Klasë”] nga materiali filmik “Everyday Example: When Beliefs Are Questioned” [“Shembuj nga Jeta e Përditshme: Kur Bindjet Fetare Vihen në Dyshim”] (kodi kohor 0:00–3:06). Ky material filmik paraqet një shkëmbim idesh midis dy të rejave në moshë madhore të quajtura Samanta dhe Miki.

12:48

Pasi ta shfaqni materialin filmik, bëni pyetjet vijuese:

  • Si do ta përshkruanit përgjigjen e Samantës ndaj sulmit të Mikit? A keni pasur ndonjëherë një përvojë të ngjashme? Nëse po, si ishte ajo?

  • Çfarë mund të kishte bërë Samanta ndryshe që t’i përgjigjej kritikës së Mikit në një mënyrë më shumë si e Krishtit? (Si pjesë e diskutimit, merreni parasysh të lexoni së bashku vargjet te Moroni 7:3–5 dhe Doktrina e Besëlidhje 19:30. Ju gjithashtu mund të shqyrtoni së bashku listën e parimeve që gjenden në pjesën 3 të materialit të përgatitjes.)

Shfaqni segmentin “Samantha in Class” [“Samanta në Klasë”] nga materiali filmik “Everyday Example: When Beliefs Are Questioned” [“Shembuj nga Jeta e Përditshme: Kur Bindjet Fetare Vihen në Dyshim”] (kodi kohor 7:28–12:48).

12:48

Pasi ta shfaqni materialin filmik, bëni pyetjen vijuese:

  • Çfarë mësuat nga ky bashkëbisedim midis Samantës dhe Mikit?

Alternativa 2

Lexoni së bashku te Moroni 7:3–5 dhe Doktrina e Besëlidhje19:30 dhe shqyrtoni listën e parimeve te pjesa 3 e materialit të përgatitjes. Ftojini studentët t’i ushtrojnë këto parime në veprimtarinë vijuese:

Ftojini studentët të punojnë me një partner. Shpjegoni se ju do të paraqitni disa skenarë të ndryshëm në formë pyetjesh (shih më poshtë). Njëri partner më pas do të japë një përgjigje njëminutëshe që është e thjeshtë, e qartë dhe pa krijuar grindje, ndërkohë që partneri tjetër dëgjon. Pas çdo përgjigjeje, lejojini partnerët të diskutojnë shkurtimisht me njëri‑tjetrin rreth asaj që shkoi mirë ose asaj që mund të përmirësohej. Ftojini partnerët t’i këmbejnë rolet për pyetjen vijuese.

Përdorni pyetjet vijuese ose disa prej pyetjeve tuaja që plotësojnë nevojat e studentëve:

  1. Përse kisha juaj është kundër abortit? A nuk besoni në të drejtën e një gruaje që të zgjedhë se çfarë i ndodh trupit të saj?

  2. Përse nxiten anëtarët e martuar të kishës suaj që të kenë fëmijë? A nuk shqetësoheni rreth mbipopullimit?

  3. Përse kisha juaj është kundër martesës mes të njëjtës gjini? A nuk doni që çdo njeri të ketë të njëjtat të drejta dhe të jetë i lumtur?

  4. Çfarë nuk shkon nëse jetojmë me dikë përpara se të martoheni? A nuk siguron kjo një “vënie në provë” që të siguroheni se jeni të pajtueshëm?

Pas veprimtarisë, ftojini disa studentë të tregojnë atë që mësuan nga diskutimet e tyre.

Për ta përfunduar mësimin, ftojini studentët të marrin parasysh një gjë që mund ta bëjnë për të përmirësuar aftësinë e tyre që të kenë bashkëbisedime si të Krishtit rreth martesës dhe familjes me të tjerët. Nxitini studentët të marrin parasysh gjetjen e mënyrave për të ushtruar zbatimin e parimeve në pjesën 3 të materialit të përgatitjes duke diskutuar pyetjet sfiduese rreth martesës dhe familjes me një mik/e ose pjesëtar/e të familjes.

Për Herën Tjetër

Ftojini studentët të marrin parasysh se cilat të vërteta që i kanë mësuar e diskutuar gjatë këtij kursi të Familjes së Përjetshme, i kanë ndihmuar të ndihen plot shpresë dhe gëzim rreth familjes së tyre të tanishme ose të ardhshme. Nxitini që të studiojnë materialin e përgatitjes për mësimin e ardhshëm dhe të jenë gati për të treguar një ose më shumë prej gjërave më ndikuese që kanë mësuar gjatë këtij kursi.