“Materiali i Mësuesit për Mësimin 2: Roli i Profetëve në Shpalljen e Doktrinës së Familjes së Përjetshme”, Materiali i Mësuesit – Familja e Përjetshme (2022)
“Materiali i Mësuesit për Mësimin 2”, Materiali i Mësuesit – Familja e Përjetshme
Mësimi 2 Materiali i Mësuesit
Roli i Profetëve në Shpalljen e Doktrinës së Familjes së Përjetshme
“Familja: Një Proklamatë drejtuar Botës” fillon kështu: “Ne, Presidencia e Parë dhe Këshilli i Dymbëdhjetë Apostujve të Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, solemnisht shpallim …” (ChurchofJesusChrist.org). Ky mësim do t’i ndihmojë studentët të kuptojnë përgjegjësinë e shenjtë të profetëve si roja për të shpallur vullnetin e Zotit dhe për të paralajmëruar rreth kërcënimeve ndaj mirëqenies sonë shpirtërore. Studentët do të kenë mundësi të vendosin se si mund të ushtrojnë durim e besim më të madh te Zoti teksa përpiqen t’ua vënë veshin mësimeve të profetëve të Tij të gjallë mbi martesën dhe familjen.
Sugjerime për Mësimdhënien
Zoti thërret profetë që të veprojnë si roja në kullë.
Paraqiteni pyetjen vijuese përpara klasës:
-
Pse zgjedhin profetët të trajtojnë tema të vështira dhe të flasin kundër praktikave të pranuara nga shoqëria, duke e ditur se fjalët e tyre do t’i zemërojnë disa njerëz?
Fillojeni orën mësimore duke u kërkuar studentëve mendimet e tyre rreth pyetjes. Si pjesë e diskutimit tuaj, mund të lexoni me studentët thënien e Presidentit Rasëll M. Nelson nga pjesa 1 e materialit të përgatitjes.
-
Si do ta përmblidhnit atë që po jepte mësim Presidenti Nelson? (Ndihmojini studentët të përcaktojnë të vërteta si ato që vijojnë: Perëndia e tregon dashurinë e Tij duke thirrur profetë që të na paralajmërojnë e të na mbrojnë. Profetët tregojnë se interesohen për të gjithë njerëzit duke e dhënë mësim të vërtetën.)
-
Si e keni ndier dashurinë e Perëndisë nëpërmjet paralajmërimeve, korrigjimit dhe këshillës së profetëve të gjallë? (Merreni parasysh që të jepni dëshminë tuaj edhe për këtë.)
Paraqitni njërën prej figurave të një roje, që gjendet te materiali i përgatitjes, dhe jepuni studentëve kohë për të shqyrtuar vargjet tek Ezekieli 3:17–19.
-
Si janë profetët të ngjashëm me rojat në kullë?
Mund të ngrini lart një kopje të proklamatës mbi familjen dhe të pyetni:
-
Si i ilustron shpallja e proklamatës mbi familjen rolet e profetëve si roja në kullë? (Mund t’i ftoni studentët të shqyrtojnë thënien e Presidentit Gordon B. Hinkli dhe fragmentin e shkëputur nga biografia e Presidentit Rasëll M. Nelson në pjesën 2 të materialit të përgatitjes.)
Zoti na urdhëron që t’i ndjekim profetët me durim e besim.
Ju mund t’i ftoni studentët të renditin disa arsye pse njerëzit në kohët e lashta mund të kishin zgjedhur të mos i përgjigjeshin paralajmërimit të një rojeje.
Merreni parasysh të tregoni skenarin vijues (ose të krijoni një skenar më domethënës për studentët tuaj) dhe ftojini studentët t’u përgjigjen pyetjeve që vijojnë:
-
Cilat janë mendimet tuaja për situatën e Horhes?
-
Cilat ndikime mund t’ua bëjnë të vështirë njerëzve që t’i pranojnë disa nga mësimet në proklamatën mbi familjen?
Ftojini studentët të lexojnë ose shqyrtojnë vargjet te Doktrina e Besëlidhje 21:4–6. Kujtojuni atyre se këto vargje i drejtohen Profetit Jozef Smith dhe, rrjedhimisht, mund të gjejnë zbatim për Presidentin e tanishëm të Kishës së Zotit.
-
Si mendoni, çfarë do të thotë t’i pranoni fjalët e profetit “plot durim e besim” (vargu 5)?
-
Si do t’i përmblidhnit premtimet e Zotit ndaj atyre që i pranojnë dhe ua vënë veshin fjalëve të profetit të Tij me durim e besim? (Mund t’i ndihmoni studentët të përcaktojnë një parim të ngjashëm me sa vijon: Nëse ua vëmë veshin fjalëve të profetit, Zoti do të na bekojë dhe do t’i shpërndajë fuqitë e errësirës.)
Për t’i ndihmuar studentët që të marrin parasysh shembujt e këtij parimi, jepuni atyre pak minuta për ta lexuar ose rishikuar tregimin nga shkrimet e shenjta që e zgjodhën nga pjesa 3 e materialit të përgatitjes. Mund ta ndani klasën në grupe të vogla dhe t’i ftoni studentët të diskutojnë përgjigjet e tyre për pyetjet te veprimtaria “Shënojini Mendimet Tuaja” në pjesën 3. Përndryshe, ftojini studentët t’i diskutojnë përgjigjet e tyre si klasë.
Gjithashtu mund t’i ftoni grupet që të flasin rreth njërës ose disa prej pyetjeve vijuese (ose mund t’i diskutoni ato si klasë):
-
Në vetë jetën tuaj, çfarë ju ka ndihmuar për t’ua vënë veshin fjalëve të profetëve të Zotit me durim e besim? Çfarë dini rreth Zotit që mund t’ju ndihmojë për t’iu përgjigjur në këtë mënyrë fjalëve të profetëve të Tij?
-
Kur jeni ndier të bekuar ose se ju është larguar errësira për shkak se patët durim e besim për t’ua vënë veshin fjalëve të profetëve?
-
Çfarë këshille ka dhënë Zoti kohët e fundit nëpërmjet profetëve të Tij, për të cilën mund të kërkohet pak durim e besim që ta pranojmë e t’ia vëmë veshin?
Paraqitini pyetjet vijuese dhe sigurojuni studentëve kohë të mjaftueshme për të reflektuar mbi ato që gjejnë më tepër zbatim për ta. Nxitini studentët ta mbajnë shënim e të veprojnë sipas ndonjë mbrese që marrin.
-
Nëse e kam të vështirë ta pranoj diçka që një profet ka dhënë mësim rreth martesës ose familjes, si të përgjigjem? Çfarë mund të dëshirojë Zoti që unë të bëj në këtë situatë?
-
Sa i qëllimtë dhe i qëndrueshëm jam në përpjekjet e mia për t’ia vënë veshin këshillës të profetëve të Zotit në lidhje me martesën dhe familjen? Si mund të dëshirojë Zoti që unë të përmirësohem?
Dëshmoni për të vërtetat e dhëna në këtë mësim. Sigurojini studentët që Zoti është i gatshëm t’i ndihmojë teksa përpiqen gjithë durim e besim t’ua vënë veshin fjalëve të profetëve.
Për Herën Tjetër
Mund t’i ftoni studentët të marrin parasysh a e kanë pyetur veten se kush do të bëhen një ditë ose se çfarë supozohet të bëjnë në këtë jetë. Nxitini studentët ta studiojnë plot lutje materialin e përgatitjes për mësimin e ardhshëm me këto mendime në mendje.