“Materiali i Përgatitjes së Orës Mësimore për Mësimin 1: Studimi i Doktrinës së Familjes së Përjetshme”, Materiali i Mësuesit – Familja e Përjetshme (2022)
“Materiali i Përgatitjes së Orës Mësimore për Mësimin 1”, Materiali i Mësuesit – Familja e Përjetshme
Materiali i Përgatitjes së Orës Mësimore për Mësimin 1
Studimi i Doktrinës së Familjes së Përjetshme
Mirë se vini në kursin Familja e Përjetshme! Të vërtetat që do të mësoni gjatë gjithë këtij kursi, të ndërthurura me veprimin sipas nxitjeve që ndieni, mund t’ju ndihmojnë ju dhe familjen tuaj të afroheni më shumë me Perëndinë dhe të merrni të gjitha bekimet që Ai dëshiron për ju. Ju do të jeni gjithashtu më në gjendje t’i ndihmoni të tjerët për të bërë të njëjtën gjë.
Teksa e studioni materialin vijues të përgatitjes për mësimin 1, merrini parasysh bekimet dhe gëzimin që Ati Qiellor dëshiron që të përjetojnë të gjithë fëmijët e Tij dhe mënyrën se si lidhet ai me familjet.
Shënim: Materiali i përgatitjes do të sigurojë një bazë për përvojën tuaj në klasë. Studimi përpara orës mësimore i materialit të përgatitjes së çdo mësimi, do t’ju ndihmojë të keni një përvojë më të thellë, më domethënëse të të mësuarit kur të frekuentoni orën mësimore.
Pjesa 1
Çfarë ndryshimi mund të sjellë në jetën time vetjake dhe familjare mirëbesimi te dashuria dhe urtësia e përsosur e Atit Qiellor dhe Jezu Krishtit?
Ne rrethohemi nga opinione dhe informacione të ndryshueshme rreth temës së familjes. Nganjëherë pikëpamja e pranuar nga shoqëria rreth familjes është në kundërshtim të drejtpërdrejtë me planin e Atit Qiellor. Sa më shumë që i njohim dhe i kuptojmë Atin Qiellor, Jezu Krishtin dhe karakterin e Tyre, aq më shumë mund t’u mirëbesojmë mësimeve dhe këshillave të Tyre, përfshirë ato për çështjet familjare. Teksa e bëjmë këtë, ne mund të mësojmë t’i shohim gjërat sikurse i shohin Ata – nga një këndvështrim i përjetshëm.
Mendoni rreth mënyrës se si përshkrimet e Atit Qiellor dhe Jezu Krishtit në këto fragmente të shkrimeve të shenjta mund të ndikojnë te mënyra se si zgjidhni t’i shihni çështjet dhe pyetjet delikate për sa i përket familjes. Plaku Riçard G. Skot, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dha mësim:
Si Ati juaj, qëllimi i Tij është lumturia juaj e përjetshme, zhvillimi juaj i vazhdueshëm, kapaciteti juaj në rritje. Dëshira e Tij është që ta ndajë me ju gjithçka që Ai ka. (“Obtaining Help from the Lord”, Ensign, nëntor 1991, f. 86)
Pjesa 2
Si mund të krijojmë një mjedis të sigurt për të diskutuar çështje delikate?
Mendoni rreth situatës, dinamikave dhe sfidave tuaja familjare. Si ndryshon familja juaj nga familjet e tjera që njihni? Disa nga ndjenjat më të forta janë të lidhura me familjet tona. Kur e diskutojmë doktrinën e familjes, ne duhet të mbajmë mend që situatat dhe përvojat familjare të të tjerëve mund të jenë të ndryshme nga tonat. Mbajtja mend e këtij fakti mund të na ndihmojë të jemi më të dashur, më të ndjeshëm dhe më respektues në mënyrën se si e diskutojmë doktrinën për familjen. Duke e bërë këtë, ne përgatitemi më mirë që Fryma e Shenjtë të na japë mësim më thellësisht rreth familjeve dhe qëllimeve të Atit tonë Qiellor.
Si dishepuj të Jezu Krishtit, ne po përpiqemi të bëhemi më tepër si Ai në gjithçka që themi dhe bëjmë. Kërkohet ushtrim për t’i dëgjuar të tjerët, për ta mësuar dhe shpërndarë të vërtetën në mënyra të dashura, delikate dhe të respektueshme. Kur i trajtojmë me dashuri hyjnore bisedat delikate mbi temat e lidhura me familjen, ne po sillemi si Shpëtimtari. Nëse jemi të gatshëm, Fryma e Shenjtë mund të na ndihmojë ta dimë rolin tonë në krijimin dhe ruajtjen e një mjedisi plot dashuri, respekt dhe përfshirës në klasë për të mësuar të vërtetën.
Plaku Nil L. Andersen, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dha mësim:
Lutja ime sot është për qindra mijëra fëmijë, të rinj dhe të rinj në moshë madhore, të cilët nuk vijnë, prej këtyre familjeve, le të themi, “ideale”. Nuk flas vetëm për të rinjtë që kanë përjetuar vdekjen, divorcin apo besimin e pakësuar të prindërve të tyre, por edhe për dhjetëra mijëra të rinj dhe të reja prej ngado në botë që e përqafojnë ungjillin pa një nënë ose baba që vjen në Kishë me ta.
Këta shenjtorë të rinj të ditëve të mëvonshme hyjnë në Kishë me besim të madh. Ata shpresojnë që në të ardhmen të krijojnë familjen ideale në vetë jetën e tyre. Me kalimin e kohës, ata bëhen një pjesë e rëndësishme e forcës sonë misionare, e të rinjve të drejtë dhe e atyre që gjunjëzohen në një altar për të filluar vetë familjen e tyre.
Ne do të vazhdojmë të japim mësim modelin e Zotit për familjen, por tani me milionat e anëtarëve dhe shumëllojshmërinë që kemi … , ne duhet të jemi edhe më të kujdesshëm e më të ndjeshëm. …
… Le të mendojmë për ta, le t’i mirëpresim ata, le t’i përqafojmë ata dhe të bëjmë gjithçka që mundemi për ta forcuar dashurinë e tyre për Shpëtimtarin. (“Kushdo që i Pranon Ata, më Pranon Mua”, Liahona, maj 2016, f. 49–50, 52)