Instituti
Materiali i Mësuesit për Mësimin 8: Përpjekja për të Kuptuar Tërheqjen ndaj së Njëjtës Gjini dhe Dashuria për Vëllezërit dhe Motrat Tona LGBT


Materiali i Mësuesit për Mësimin 8: Përpjekja për të Kuptuar Tërheqjen ndaj së Njëjtës Gjini dhe Dashuria për Vëllezërit dhe Motrat Tona LGBT”, Materiali i Mësuesit – Familja e Përjetshme (2022)

“Materiali i Mësuesit për Mësimin 8”, Materiali i Mësuesit – Familja e Përjetshme

Materiali i Mësuesit për Mësimin 8

Përpjekja për të Kuptuar Tërheqjen ndaj së Njëjtës Gjini dhe Dashuria për Vëllezërit dhe Motrat Tona LGBT

Si dishepuj të Jezu Krishtit, ne ftohemi të “jemi në pararojë për sa i përket shprehjes së dashurisë, dhembshurisë dhe përfshirjes” ndaj atyre që përjetojnë tërheqje ndaj së njëjtës gjini ose identifikohen si gej, lesbike ose biseksualë (Quentin L. Cook, “Let Us Be at the Forefront” [“Le të Jemi në Pararojë”], material filmik, ChurchofJesusChrist.org). Në këtë mësim studentët do të kenë mundësi përcaktojnë, diskutojnë dhe zbatojnë të vërteta të ungjillit që mund t’i ndihmojnë të përgjigjen me dashuri, përfshirje dhe respekt ndaj atyre që përjetojnë tërheqje ndaj së njëjtës gjini ose identifikohen si LGBT.

Sugjerime për Mësimdhënien

Përmirësimi i Mësimdhënies dhe i të Mësuarit Tonë

Jepni mësim duke pasur kuptueshmëri dhe dhembshuri. Teksa përgatiteni për orën mësimore, përdorni ca kohë që të reflektoni mbi të kuptuarit tuaj për tërheqjen ndaj së njëjtës gjini dhe qëndrimin tuaj ndaj atyre që identifikohen si gej, lesbike ose biseksualë. Si mund t’i ndihmoni studentët të përjetojnë ndjenja dashurie, përfshirjeje dhe respekti për të gjithë fëmijët e Perëndisë? A jeni në pajtim me atë që po japin mësim udhëheqësit e Kishës rreth tërheqjes ndaj së njëjtës gjini? Ndërkohë që përgatiteni, merrni parasysh materialin filmik “Is There a Place for Me?” [“A Ka Vend për Mua?”] (4:00), në të cilin Plaku D. Tod Kristoferson diskuton mbi rëndësinë e të ndihmuarit të çdo njeriu që të ndihet i nevojshëm dhe i përfshirë në Kishë.

Jezu Krishti i urdhëron dishepujt e Tij që ta duan njëri‑tjetrin ashtu si na do Ai ne.

Ftojini studentët të përfytyrojnë sikur një e re në moshë madhore, e quajtur Xhin, po frekuenton këtë klasë instituti për herë të parë. Kur Xhini e kupton se tema e tërheqjes ndaj së njëjtës gjini do të diskutohet në orën e sotme mësimore, ajo menjëherë bëhet nervoze dhe dëshiron të largohet, ngaqë ajo identifikohet si lesbike. Diskutoni përse Xhini mund të ndihet nervoze dhe çfarë mund të bëjnë anëtarët e klasës që ta ndihmojnë atë dhe njerëz të tjerë të ndihen të sigurt gjatë bërjes së këtij diskutimi.

Ftojini studentët të lexojnë te Mateu 22:37–39 dhe Gjoni 13:34–35, duke kërkuar për rëndësinë që Ati Qiellor dhe Jezu Krishti vënë mbi dashurinë për të tjerët. Shkruani në tabelë të vërtetën vijuese: Ne urdhërohemi ta duam njëri‑tjetrin ashtu si Jezu Krishti na do ne.

  • Përse është e rëndësishme që dishepujt e Jezu Krishtit t’i duan të tjerët ashtu siç i do Ai?

  • Në çfarë mënyrash shfaqi Jezu Krishti dashuri të përsosur gjatë shërbesës së Tij në vdekshmëri? (Si pjesë e diskutimit, kujtojini studentët se dashuria për të tjerët nuk do të thotë që ne duhet t’i miratojmë ose të biem dakord me sjelljet që janë në kundërshtim me urdhërimet e Perëndisë. Plot dashuri, Shpëtimtari dha mësim doktrinën e Atit të Tij me guxim e qartësi.)

  • Si mund të na udhërrëfejë shembulli i Shpëtimtarit për dashurinë gjatë diskutimit tonë rreth tërheqjes ndaj së njëjtës gjini?

Ne mund t’u përgjigjemi atyre që përjetojnë tërheqje ndaj së njëjtës gjini me mirësi, përfshirje dhe respekt.

Ndajeni klasën në grupe të vogla. Shpjegoni se për pak minuta secili grup do të diskutojë një skenar që përfshin dikë që përjeton tërheqje ndaj së njëjtës gjini. Vini në dukje se ky skenar është i ngjashëm me përvojat reale të jetës së disa anëtarëve të Kishës. Për t’i ndihmuar studentët që t’i zbatojnë diskutimet e tyre te parimet e ungjillit, ju mund ta ftoni secilin pjesëtar të grupit që të rishikojë fillimisht një nga pjesët në materialin e përgatitjes.

Pasi studentët të kenë pasur kohë për t’i shqyrtuar pjesët e tyre, jepini secilit student një kopje të fletushkës që gjendet në fund të këtij mësimi. Udhëzojini studentët të lexojnë në heshtje dhe më pas të diskutojnë si grup pyetjet që vijojnë.

Pasi studentët të kenë pasur mjaft kohë për të diskutuar skenarin dhe pyetjet, ftojini disa prej tyre të tregojnë atë që mësuan ose ndien gjatë diskutimit të tyre. Teksa studentët japin mendimet e tyre, merreni parasysh të bëni pyetje që ndjekin ecurinë për t’i ndihmuar që ta thellojnë të kuptuarit e tyre për këtë temë. Këtu janë disa shembuj të mënyrave për t’u dhënë formë pyetjeve që ndjekin ecurinë:

  • Si ka ndikuar ajo ide/e vërtetë ose ai parim …

  • Kur keni ndier/parë/përjetuar …

  • Çfarë është një shembull i …

  • Si mund të veproni me besim që të …

Pas diskutimit pyetini studentët a kanë ndonjë pyetje ose shqetësim rreth tërheqjes ndaj së njëjtës gjini që nuk e keni diskutuar.

Për t’i ndihmuar studentët që ta vënë në zbatim atë që kanë mësuar, merrni parasysh të paraqitni pyetjet vijuese dhe t’i ftoni studentët të përzgjedhin një ose më shumë që janë domethënëse për ta. Nxitini studentët të përsiatin pyetjen (ose pyetjet) e tyre dhe të shënojnë ndonjë përshtypje që mund të kenë.

  • Çfarë kam nevojë të ndryshoj rreth mënyrës se si mendoj dhe veproj me qëllim që t’i trajtoj të gjithë njerëzit, përfshirë ata që përjetojnë tërheqje ndaj së njëjtës gjini, me më shumë dashuri, përfshirje dhe respekt? Si mund të mbështetem te Shpëtimtari ndërkohë që i bëj këto ndryshime?

  • Si një person që përjeton tërheqje ndaj së njëjtës gjini, në ç’mënyrë mund të më ndihmojë përqendrimi te Shpëtimtari dhe ungjilli i Tij që të jetoj me shpresë dhe lumturi më të madhe? Nëse nuk ia kam treguar askujt përvojën time, kujt mund t’i drejtohem për përkrahje? (Shënim: Nëse vendosni t’i diskutoni ndjenjat tuaja të tërheqjes ndaj së njëjtës gjini, merrni parasysh me lutje se kujt t’i tregoni dhe se si ta tregoni këtë aspekt të përvojës suaj në vdekshmëri.)

Historia e Xheksonit

Materiali i Mësuesit – Familja e Përjetshme – Mësimi 8

Xheksoni u rrit në një familje ku pjesëtarët janë anëtarë të Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme. Ai ka prindër të dashur dhe ka marrëdhënie veçanërisht të ngushtë me motrën e tij, Selenën.

Xheksoni e do ungjillin dhe ka dëshmi për Jezu Krishtin dhe Rivendosjen. Ai njihet për personalitetin e tij gazmor dhe miqësor. Gjithsesi, kohët e fundit, hareja e tij është zëvendësuar me trishtim dhe gjithnjë e më shumë rri vetëm. Xheksoni ka një të fshehtë dhe nuk di se çfarë të bëjë me të.

Për aq kohë sa mund të mbajë mend, Xheksoni ka qenë më i tërhequr ndaj burrave sesa grave. Për vite u përpoq të mos i merrte parasysh këto ndjenja ose të shtirej sikur nuk ekzistonin. Ngaqë për këtë temë nuk ishte folur kurrë në shtëpinë e tij, ai e ndjente se ishte një bashkëbisedim i ndaluar. Nganjëherë shokët e tij bënë komente nënçmuese rreth njerëzve gej. Gjithçka që mban mend se dëgjoi nga mësuesit dhe udhëheqësit në kishë, është që homoseksualiteti është një mëkat i rëndë.

Përpara misionit të tij, Xheksoni në mënyrë të përsëritur iu përgjërua Perëndisë që t’ia largonte tërheqjen e tij ndaj meshkujve. Ndihej vetëbesues se po të shërbente në mision, ndjenjat e tij do të ndryshonin. Sidoqoftë, që kur Xheksoni e përfundoi misionin, tërheqja e tij ndaj meshkujve ka vazhduar. Xheksoni dëshpërimisht dëshiron të flasë me dikë, por frika e ka mbajtur të heshtur.

Selena e ka vënë re tërheqjen e tij emocionale prej familjes së vet. Ajo mund ta shohë dhembjen në sytë e tij. Ajo është lutur për Xheksonin dhe është lutur që të dijë se si ta ndihmojë atë.

Këtë mëngjes Selena e pyeti Xheksonin nëse mund të shkonin për një ecje së bashku. Ai pranoi me ngurrim. Teksa ecën, folën për gjëra të përditshme. Selena madje e bëri Xheksonin të buzëqeshë. Më së fundi Selena tha: “Xhekson, e di që diçka nuk shkon. Mund ta shoh në sytë e tu. Të lutem, më trego. Jam kaq e shqetësuar për ty.”

Xheksoni qëndroi pa lëvizur për një kohë të gjatë. Lotët filluan t’i rridhnin në fytyrë. Së fundi, një përmbytje emocioni i shpërtheu nga brenda dhe me një zë që dridhej, ai tha: “Selena, unë jam gej dhe kam qenë për aq kohë sa mund ta mbaj mend. Nuk di se çfarë të bëj. Kam frikë se çfarë do të thonë mami dhe babi nëse e marrin vesh. A do të kenë turp për mua pjesa tjetër e familjes? A do të duan ende miqtë e mi që të shoqërohen me mua nëse e dinë se jam gej? Çfarë do të ndodhë me anëtarësinë time në Kishë nëse i them peshkopit? Nuk e shoh se si mund të jem ndonjëherë i lumtur dhe të kem një familje. Ndihem sikur Perëndia më ka braktisur.”

Xheksoni uli kokën dhe i nguli sytë përtokë. Pas një heshtjeje të gjatë, ai tha me qetësi: “Selena, më vjen keq nëse të kam zhgënjyer. Të lutem mos i trego askujt. Ndihem kaq i humbur dhe i pështjelluar.”

Pyetje për Diskutim

  1. Çfarë ndjenjash keni teksa mendoni rreth përvojës së Xheksonit? Përse mund të jetë e vështirë që të flasim rreth ndjenjave të tërheqjes ndaj së njëjtës gjini me një pjesëtar të familjes, një mik/e të ngushtë ose një udhëheqës të Kishës?

  2. Si mund të ndiheshit po të ishit Selena? Çfarë mund të bënte Selena që të përgjigjej me mirëkuptim e dhembshuri?

  3. Si mund ta ndihmonte si Selenën ashtu edhe Xheksonin një i kuptuar i saktë i mësimeve të Zotit mbi tërheqjen ndaj së njëjtës gjini? Përse këto mësime nganjëherë mund të jenë të vështira për t’u pranuar?

  4. Si mund ta shihnin Xheksoni dhe Selena tërheqjen ndaj së njëjtës gjini me një këndvështrim të përjetshëm?

  5. Ku mund të drejtohej Xheksoni për të marrë udhërrëfim, inkurajim dhe ndihmë shtesë?

Historia e Xheksonit

fletushka e mësuesit

Për Herën Tjetër

Ftojini studentët, ndërsa e studiojnë materialin e përgatitjes për mësimin 9 që gjithashtu të shpenzojnë pak kohë për të mësuar rreth paraardhësve të tyre në FamilySearch.org ose në programin kompjuterik Pema Familjare. Nxitini të marrin parasysh bekimet që u janë premtuar atyre të cilët i ndihmojnë paraardhësit e tyre të marrin ordinancat shpëtuese në tempull.