Instituti
Materiali i Mësuesit për Mësimin 10: Besëlidhja e Re dhe e Përjetshme e Martesës


“Materiali i Mësuesit për Mësimin 10: Besëlidhja e Re dhe e Përjetshme e Martesës”, Materiali i Mësuesit – Familja e Përjetshme (2022)

“Materiali i Mësuesit për Mësimin 10”, Materiali i Mësuesit – Familja e Përjetshme

Materiali i Mësuesit për Mësimin 10

Besëlidhja e Re dhe e Përjetshme e Martesës

Hyrja në “besëlidhjen e re dhe të përjetshme të martesës” dhe respektimi i saj (Doktrina e Besëlidhje 131:2) janë thelbësore për ekzaltimin. Në këtë mësim, studentët do të kenë mundësinë të shpjegojnë domethënien e përjetshme të besëlidhjes së martesës dhe arsyen pse po përpiqen fort për një martesë të përjetshme. Ata do të marrin parasysh gjithashtu atë që mund të bëjnë që të përgatiten për të hyrë në besëlidhjet e martesës ose për t’i respektuar ato.

Sugjerime për Mësimdhënien

Martesa e përjetshme është një bashkëpjesëmarrje me Perëndinë.

Merreni parasysh ta filloni orën mësimore duke i ftuar disa studentë të tregojnë atë që mësuan nga bashkëbisedimi i tyre me dikë që është vulosur në tempull (shihni ftesën në pjesën 1 të materialit të përgatitjes). (Shënim: Nëse dëshironi, mund të viheni në kontakt me një ose dy studentë pak ditë përpara orës mësimore për t’i pyetur nëse do të vijnë të përgatitur për të treguar atë që kanë mësuar nga bashkëbisedimet e tyre.)

Mund t’i pyetni studentët a kanë ndonjë pyetje rreth besëlidhjes së martesës ose ordinancës së vulosjes të martesës. (Merreni parasysh përshtatjen e përmbajtjes në bazë të pyetjeve që bëjnë studentët. Sigurohuni që përgjigjet ndaj pyetjeve të studentëve e respektojnë shenjtërinë e tempullit.)

Përmirësimi i Mësimdhënies dhe i të Mësuarit Tonë

Përgjigjuni në mënyrë të matur ndaj pyetjeve të studentëve. Jini mirënjohës kur studentët janë të gatshëm të bëjnë pyetje. Gjeni kohë për t’i dëgjuar vërtet e për t’i kuptuar pyetjet e tyre dhe bëni pyetje të mëtejshme sipas nevojës. Nganjëherë mund të jetë e përshtatshme t’u përgjigjeni pyetjeve menjëherë, ndërkohë që herë të tjera mund të jetë më mirë t’i ndihmoni studentët të gjejnë përgjigje për pyetjet e tyre. Mund të ftoni edhe anëtarë të tjerë të klasës që t’u përgjigjen pyetjeve.

Lexojeni së bashku thënien vijuese nga Plaku Parli P. Prat, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, në të cilën ai përshkruan mënyrën se si u ndje ai kur mësoi për herë të parë se martesa mund të zgjatë në përjetësi.

Parli P. Prat

“Ishte prej [Profetit Jozef Smith] që mësova se bashkëshortja e gjirit tim mund të më sigurohej për kohën dhe gjithë përjetësinë. … Ishte prej tij që mësova se ne mund t’i forconim këto dhembshuri dhe të rriteshim e të zhvilloheshim në to për tërë përjetësinë; ndërsa rezultati i bashkimit tonë të pafundmë do të ishin pasardhës aq të shumtë sa yjet e qiellit ose rëra në breg të detit. … Kisha dashuruar më parë, por nuk e dija përse. Por tani dashurova – me një kthjelltësi – një intensitet të një ndjenje të lartësuar, të ekzaltuar.” (Autobiography of Parley P. Pratt, red. Parley P. Pratt Jr. [1938], f. 297–298.)

  • Në ç’mënyrë dijenia që martesa mund të jetë e përjetshme mund të ndikojë te zgjedhjet dhe ndjenjat tona në lidhje me martesën në këtë jetë?

Rishikojini së bashku vargjet te Doktrina e Besëlidhje 131:1–4, duke kërkuar të vërteta të mëtejshme që dha mësim Jozef Smithi rreth martesës së përjetshme. Më pas mund t’i pyetni studentët se çfarë u bën përshtypje në këtë fragment. Ata mund të përcaktojnë të vërteta të tilla si këto: Martesa e përjetshme kërkohet për të arritur shkallën më të lartë të mbretërisë çelestiale. Ata që hyjnë në besëlidhjen e re dhe të përjetshme të martesës mund të kenë rritje të përjetshme.

  • Nga ajo që mësuat në pjesën 1 të materialit të përgatitjes, si lidhet besëlidhja e re dhe e përjetshme e martesës me Abrahamin dhe Sarën? (Merreni parasysh t’i ndihmoni studentët të dallojnë se ishte Zoti që ua dha këtë premtim kurorëzues Abrahamit dhe Sarës, përfshirë premtimin se ata do të kishin një rritje të përjetshme [pasardhës të panumërt].)

  • Si mund të na e mundësojë besëlidhja e martesës që të bëhemi si prindërit tanë qiellorë?

Paraqiteni figurën shoqëruese që përfaqëson marrëdhënien në besëlidhjen e martesës. Kërkojuni studentëve të shpjegojnë atë që dha mësim Plaku Dejvid A. Bednar rreth këtij diagrami (shih pjesën 1 të materialit të përgatitjes).

besëlidhja e martesës e ilustruar si një trekëndësh

Paraqiteni thënien vijuese nga Presidenti Rasëll M. Nelson: “Një martesë në tempull nuk është vetëm midis [bashkëshortit] e [bashkëshortes]; ajo përfshin një bashkëpjesëmarrje me Perëndinë [shih Mateu 19:6]” (“Martesa Çelestiale”, Liahona, nëntor 2008, f. 93).

  • Si mund të ndikojë të kuptuarit e kësaj të vërtete te zgjedhjet që bëjnë një bashkëshort e një bashkëshorte?

Nëse një ose më shumë njerëz në klasën tuaj janë vulosur në tempull, merrni parasysh t’i pyetni nëse do të ishin të gatshëm t’ia tregojnë klasës disa nga ndjenjat e tyre rreth të qenit të vulosur në tempull dhe se çfarë domethënie ka ajo besëlidhje për ta. (Mund të doni t’i pyetni këta studentë përpara orës mësimore në mënyrë që të kenë kohë ta përgatitin përgjigjen e tyre.)

Paraqiteni dhe lexojeni së bashku thënien vijuese nga Presidenti Tomas S. Monson:

Presidenti Tomas S. Monson

“Do t’ju këshilloja të mbani një këndvështrim të përjetshëm. Siguroni që martesa në të ardhmen tuaj të jetë një martesë në tempull. Nuk ka skenë më të ëmbël, as kohë më të shenjtë sesa vetë dita e veçantë e martesës suaj. Në atë kohë dhe në atë vend ju shijoni një çast të gëzimit qiellor. Jini vigjilentë; mos e lejoni tundimin t’jua grabisë këtë bekim.” (“Whom Shall I Marry?”, New Era, tetor 2004, f. 6.)

  • Pse mund të sjellë doktrina rreth martesës së përjetshme ndjenja të thella gëzimi dhe dashurie?

Merreni parasysh të pyetni cilindo student që është i gatshëm të shprehë arsyen pse dhe mënyrën se si po përpiqet për një martesë të përjetshme.

Martesa mund të jetë e përjetshme për ata që janë besnikë ndaj besëlidhjeve të tyre.

Ndajeni klasën në grupe të vogla. Jepini çdo grupi një kopje të fletushkës shoqëruese. Udhëzojini grupet ta lexojnë situatën dhe t’i diskutojnë pyetjet së bashku.

Martesa e Përjetshme

Materiali i Mësuesit – Familja e Përjetshme – Mësimi 10

Ju keni miqësi me një çift në lagjen tuaj që nuk ka qenë i pranishëm në mbledhjet e Kishës. Gjatë një bashkëbisedimi me ta, bashkëshorti thotë: “Mos u shqetëso ngaqë ne nuk po vijmë në kishë tani. Ne jemi vulosur në tempull, kështu që jemi në rregull. Do të jemi bashkë përgjithmonë.”

  • Duke menduar rreth asaj që mësuat nga pjesa 2 e materialit të përgatitjes, çfarë nuk kupton ky çift rreth asaj që kërkohet në mënyrë që martesa e tyre të jetë e përjetshme? (Nëse doni, mund ta rishikoni shkurtimisht pjesën 2.)

  • Çfarë cilësish ose zgjedhjesh e bëjnë të aftë një person që ta “duro[jë] besëlidhjen”? (Doktrina e Besëlidhje 132:19.)

  • Si mund të jemi më shumë si Shpëtimtari në mbajtjen e besëlidhjeve të shenjta dhe të premtimeve që ia kemi bërë Perëndisë?

Martesa e Përjetshme

fletushka e mësuesit

Pas një kohe të mjaftueshme, ftojini disa studentë të tregojnë atë që mësuan në grupet e tyre të diskutimit. Teksa studentët bëjnë komentet e tyre, nëse dëshironi, mund t’i renditni në tabelë disa nga të vërtetat që ata përmendin. Këto të vërteta mund të përfshijnë ide të ngjashme me sa vijon: Martesat tona mund të jenë të përjetshme vetëm nëse kryhen me anë të autoritetit të Perëndisë dhe nëse durojmë në besëlidhjen e martesës. Fryma e Shenjtë (Shpirti i Shenjtë i Premtimit) do t’i dëshmojë Atit për besnikërinë tonë ndaj besëlidhjeve tona të martesës. Shpëtimtari është shembulli i përsosur i mbajtjes së premtimeve dhe të besëlidhjeve.

Dëshmoni se ka shpresë për këdo për të pasur një martesë të përjetshme. Shpëtimtari na e ka bërë të mundur të gjithëve që të pendohemi, të marrim falje dhe të bëjmë e t’i mbajmë besëlidhjet e shenjta me Të. Kujtojuni studentëve që edhe ata që nuk e kanë mundësinë të martohen në këtë jetë, mund të vulosen me një bashkëshort/e për përjetësinë nëse janë besnikë.

Mund t’i paraqitni pyetjet vijuese dhe t’i ftoni studentët të zgjedhin njërën dhe t’i mbajnë shënim përshtypjet e tyre rreth saj:

  • Sa i/e zotuar jam për t’u martuar në tempull? Çfarë zgjedhjesh mund të bëj tani për ta përkrahur atë zotim?

  • Si mund ta ndjek më mirë shembullin e Shpëtimtarit për mbajtjen e besëlidhjeve të mia? Si do ta përdor fuqinë e Tij për të më ndihmuar t’i bëj dhe mbaj besëlidhjet e mia?

Mbylleni me dëshminë tuaj për të vërtetat e diskutuara në këtë mësim dhe nxitini studentët ta vënë në jetë atë që ndien ose mësuan.

Për Herën Tjetër

Nxitini studentët të studiojnë materialin e përgatitjes për mësimin e ardhshëm. Mund t’u jepni studentëve pyetjet vijuese që ata t’i përsiatin ndërsa e bëjnë këtë:

  • Në çfarë mënyrash po më ndihmon Zoti në përpjekjet e mia për të gjetur një shok/shoqe të përjetshëm/me (ose për ata që janë të martuar, për të ndërtuar një marrëdhënie të përjetshme)?

  • Çfarë cilësish si të Krishtit kanë më tepër domethënie për mua te një bashkëshort/e dhe te vetja ime?