“Materiali i Mësuesit për Mësimin 20: Përgjegjësitë e Shenjta të Etërve”, Materiali i Mësuesit – Familja e Përjetshme (2022)
“Materiali i Mësuesit për Mësimin 20”, Materiali i Mësuesit – Familja e Përjetshme
Materiali i Mësuesit për Mësimin 20
Përgjegjësitë e Shenjta të Etërve
Ati Qiellor u ka caktuar bijve të Tij përgjegjësinë e shenjtë për t’i mbrojtur familjet e tyre. Në këtë mësim, studentët do të shpjegojnë mënyrat se si burrat mund ta përmbushin këtë përgjegjësi. Ata do të diskutojnë se si Ati Qiellor dhe Jezu Krishti e mishërojnë në mënyrë të përsosur rolin që kanë etërit për t’i mbrojtur familjet e tyre. Studentët do të përsiatin dhe planifikojnë gjithashtu se si mund të mbështeten te ndihma nga qielli ndërsa e ndajnë këtë përgjegjësi të shenjtë me bashkëshortet e tyre.
Shënim: Përgjegjësitë e burrave për të kryesuar dhe siguruar të ardhura për familjet e tyre u diskutuan në mësimet e mëparshme.
Sugjerime për Mësimdhënien
Perëndia është shembulli i përsosur i atësisë.
Si pjesë e kohës shpirtërore për këtë mësim, merreni parasysh të këndoni himnin “O Ati Im” (Himne, nr. 190) ose një himn tjetër që lidhet me Atin tonë Qiellor.
Ju mund ta filloni mësimin duke paraqitur një figurë të një babai me familjen e tij dhe duke u bërë burrave në klasë pyetjen vijuese:
-
Çfarë mendimesh, ndjenjash apo shqetësimesh keni rreth të qenit baba?
Më pas, pyeteni klasën:
-
Cilat mendoni se janë disa nga sfidat më të mëdha për të qenë një baba i drejtë në kohën tonë? (Merreni parasysh t’i ftoni studentët të shqyrtojnë thënien e Presidentes Linda K. Burton në pjesën 1 të materialit të përgatitjes.)
-
Çfarë ndryshimesh ka midis mënyrës se si disa njerëz e shohin atësinë dhe mënyrës se si e sheh Perëndia atësinë?
Kujtojuni studentëve se gjatë studimit të materialit të përgatitjes, ata mësuan se Ati Qiellor është shembulli i përsosur i atësisë së drejtë (shih thënien e Plakut D. Tod Kristoferson në pjesën 1 të materialit të përgatitjes).
Shpjegoni se ne mund të mësojmë parime të atësisë së drejtë nga studimi i shembullit të Jezu Krishtit gjithashtu. Shqyrtojini së bashku vargjet te Gjoni 10:11–15 dhe diskutoni se çfarë mësuan studentët rreth atësisë së drejtë nga roli i Shpëtimtarit si Bariu ynë i Mirë.
-
Çfarë kanë nevojë burrat të “lë[në]” (vargu 15), apo të heqin dorë, për të përmbushur përgjegjësitë e tyre të shenjta si etër? (Merreni parasysh të tregoni thënien në vijim nga Plaku Kristoferson si pjesë e diskutimit: “[Ne burrat] le t’i lëmë mënjanë idetë e tepruara të individualizmit e pavarësisë në kulturën e sotme dhe të mendojmë fillimisht për lumturinë dhe mirëqenien e të tjerëve” [“Etërit”, Liahona, maj 2016, f. 96].)
Për t’i ndihmuar studentët të përcaktojnë më shumë parime të atësisë nga shembujt e Atit Qiellor dhe të Jezu Krishtit, organizojini studentët në grupe të vogla dhe caktoni një udhëheqës për secilin grup. Ftojini studentët të flasin rreth detyrës së tyre në veprimtarinë “Shënojini Mendimet Tuaja” në pjesën 1 të materialit të përgatitjes si pjesë e diskutimit tuaj.
Pas një kohe të mjaftueshme, ftojini disa studentë që t’i tregojnë klasës atë që diskutuan në grupin e tyre. Ju mund ta ftoni një student të veprojë si shkrues dhe t’i renditë këto parime në tabelë.
Etërit kanë një përgjegjësi të shenjtë për t’i mbrojtur familjet e tyre
Ftojini studentët të punojnë në të njëjtat grupe të vogla për veprimtarinë vijuese. Jepini gjysmës së drejtuesve të grupeve një kopje të fletës “Fletushka e Grupit A” dhe gjysmës tjetër një kopje të fletës “Fletushka e Grupit B”. Ftojini studentët të ndjekin udhëzimet te fletushkat.
Pas një kohe të mjaftueshme, ftojeni një student, grupi i të cilit studioi “Fletushkën e Grupit A” dhe një student, grupi i të cilit studioi “Fletushkën e Grupit B” për t’i treguar klasës atë që mësuan nga diskutimet e tyre. Për t’i shtuar të nxënit të studentëve, merrni parasysh të tregoni një shembull se si jeni bekuar dhe mbrojtur nga dashuria, përfshirja, zbulesa hyjnore apo fuqia e priftërisë së një babai të drejtë ose figure babai të drejtë në jetën tuaj. (Ose, ju mund të tregoni një shembull nga jeta e Plakut Geri E. Stivenson, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve. Babai i Plakut Stivenson mori një paralajmërim nga Shpirti që e mbrojti Plakun Stivenson nga një gjarpër kur ai ishte një djalosh [shih Robert D. Hales, “Elder Gary E. Stevenson: An Understanding Heart”, Ensign, qershor 2016, f. 26].)
Ju mund të doni të shpjegoni se si partnerë të barabartë në martesë, bashkëshortet dhe nënat ndajnë përgjegjësinë për t’i mbrojtur familjet e tyre. Bashkëshortët dhe bashkëshortet duhet të punojnë dhe këshillohen së bashku teksa e përmbushin këtë detyrë të shenjtë.
Jepuni studentëve kohë për të përsiatur pyetjet në vijim dhe për të shënuar çdo mbresë që ata marrin (ju mund të doni të paraqitni pyetjet):
-
Çfarë mund të bëni tani për t’i dashur dhe mbrojtur më mirë familjen tuaj dhe të tjerët?
-
Si mund t’i përkrahni burrat në jetën tuaj për të qenë mbrojtës të denjë të familjeve të tyre dhe të të tjerëve?
-
Si mund t’ju ndihmojë Zoti në këto përpjekje?
Për ta përfunduar mësimin, ju ose një student mund të dëshmojë për rëndësinë e etërve dhe nevojën e tyre për të ndjekur shembujt e Atit Qiellor dhe Jezu Krishtit në përmbushjen e përgjegjësive të tyre të shenjta në familje.
Për Herën Tjetër
Merreni parasysh t’i nxitni studentët të mendojnë për fëmijët e tyre të tanishëm ose të ardhshëm ndërsa studiojnë materialin e përgatitjes për orën e ardhshme mësimore. Ju mund t’u kërkoni gjithashtu studentëve të kujtojnë raste nga fëmijëria e tyre kur ata kanë ndier se i kanë dashur, se kishin nevojë të disiplinoheshin apo të mësonin t’u shërbenin të tjerëve.