Instituti
Materiali i Mësuesit për Mësimin 6: Martesa midis një Burri dhe një Gruaje Shugurohet nga Perëndia


“Materiali i Mësuesit për Mësimin 6: Martesa midis një Burri dhe një Gruaje Shugurohet nga Perëndia”, Materiali i Mësuesit – Familja e Përjetshme (2022)

“Materiali i Mësuesit për Mësimin 6”, Materiali i Mësuesit – Familja e Përjetshme

Mësimi 6 Materiali i Mësuesit

Martesa midis një Burri dhe një Gruaje Shugurohet nga Perëndia

Profetët, apostujt dhe udhëheqës të tjerë të Kishës shpallin solemnisht se “martesa midis një burri dhe një gruaje shugurohet nga Perëndia” (“Familja: Një Proklamatë drejtuar Botës”, ChurchofJesusChrist.org). Në këtë mësim, studentët do të marrin ftesë që të shpjegojnë përse martesa është një pjesë thelbësore e planit të Perëndisë. Studentët do të përcaktojnë gjithashtu se çfarë mund të bëjnë për të ushtruar besim tek Ati Qiellor dhe Jezu Krishti në qëndrimin e tyre kundrejt martesës.

Sugjerime për Mësimdhënien

Martesa midis një burri dhe një gruaje është një hap i domosdoshëm drejt bërjes si Perëndia.

Për ta filluar orën mësimore, mund t’i pyetni studentët për bindjet që kanë njerëzit në shoqëri rreth martesës, ose mund të përdorni skenarin vijues:

Një mik i mirë ju thotë: “Nuk e kuptoj se pse disa njerëz janë kaq të shqetësuar për martesën. Ajo është thjeshtë një zakon shoqëror me një copë letre. Pse dy njerëz që e dashurojnë njëri-tjetrin nuk munden thjesht të bëjnë marrëveshjen e tyre vetjake?”

  • Cilat janë disa mënyra se si mund t’u përgjigjeni këtyre ideve?

Përmblidheni shkurtimisht kontekstin për seksionin Doktrina e Besëlidhje 49. Kërkojini një studenti të lexojë me zë të lartë te Doktrina e Besëlidhje 49:15–16. Ftojeni klasën ta ndjekë, duke kërkuar mënyrën se si Zoti e sheh martesën.

Shkruajeni doktrinën vijuese nga proklamata mbi familjen në tabelë: “Martesa midis një burri dhe një gruaje shugurohet nga Perëndia … [dhe] është thelbësore për planin e Tij të përjetshëm” (“Familja: Një Proklamatë drejtuar Botës”).

  • Si do ta shpjegonit arsyen përse martesa midis një burri dhe një gruaje shugurohet nga Perëndia dhe është thelbësore në planin e Tij të përjetshëm? (Nëse nevojitet, referojuni shpjegimeve të kësaj doktrine në pjesën 1 të materialit të përgatitjes.)

Pranojeni që disa njerëz të cilët e dëshirojnë martesën, mund të mos e kenë mundësinë të martohen në këtë jetë. Të tjerë mund të përjetojnë një martesë që nuk zgjat.

  • Çfarë do t’u thoshit atyre që ndiejnë sikur i kanë humbur mundësitë e tyre për lumturi dhe jetë të përjetshme për shkak se nuk janë të martuar? (Nëse nevojitet, ftojini studentët të shqyrtojnë pjesën 2 të materialit të përgatitjes.)

Jepuni studentëve kohë që t’i shënojnë mendimet e tyre rreth pyetjes vijuese:

  • Çfarë mendimesh dhe ndjenjash keni teksa përsiatni të vërtetën që martesa është pjesë thelbësore e planit të Perëndisë për ju personalisht?

Duke u nisur nga vetë përvoja juaj, mund të dëshmoni për ndikimin që ka pasur te ju doktrina e Zotit për martesën.

Ati Qiellor dhe Jezu Krishti mund të na ndihmojnë ta kapërcejmë frikën dhe të gjejmë lumturi në martesat tona.

Paraqiteni pohimin vijues: Unë besoj se martesa ime do të jetë me dashuri dhe jetëgjatë. Ftojini studentët që në heshtje ta renditin veten në një shkallë nga 1 te 4 (1=nuk jam dakord; 4=jam dakord) për të treguar shkallën në të cilën ata personalisht e besojnë këtë pohim. Ftojini studentët të reflektojnë mbi arsyen pse ndihen ashtu.

  • Çfarë shqetësimesh apo frike keni ju, ose njerëz të tjerë që i njihni, rreth martesës dhe përse?

  • Cilat janë arsyet e zakonshme që të rinjtë dhe të rejat në moshë madhore kanë për shtyrjen e martesës?

Përmirësimi i Mësimdhënies dhe i të Mësuarit Tonë

Quajini të vlefshme shqetësimet e studentëve. Mësuesit mund të ushqejnë një mjedis respekti dhe çiltërsie teksa i quajnë të vlefshme shqetësimet e studentëve në vend që t’i sfidojnë ose largojnë ato menjëherë. Përpiquni të kuptoni përse studentët ndihen ashtu si ndihen, duke bërë pyetje të mëtejshme dhe duke dëgjuar me vëmendje. Falënderojini që janë të gatshëm t’i shprehin ndjenjat e tyre. Kur studentët e ndiejnë se shqetësimet e tyre janë dëgjuar dhe kuptuar, ata përgjithësisht kanë më shumë mundësi që t’i pranojnë këshillat që Zoti ka dhënë për t’i ndihmuar me shqetësimet e tyre.

Shpjegoni se veprimtaritë vijuese të të mësuarit kanë për qëllim të ndihmojnë që të trajtohen disa nga këto gjëra të cilat shkaktojnë frikë, shqetësime dhe pyetje. Ndajini studentët në grupe të vogla. Caktoni një udhëheqës/e për secilin grup dhe jepini atij ose asaj fletushkën vijuese (ose krijoni një tuajën që gjen më tepër zbatim posaçërisht për studentët tuaj.) Jepuni studentëve kohë të mjaftueshme që të bëjnë një diskutim kuptimplotë.

Kapërcimi i Frikës dhe Rritja e Mirëbesimit te Perëndia

Materiali i Mësuesit – Familja e Përjetshme – Mësimi 6

Shënim për udhëheqësin e diskutimit: Ju lutemi, përdorini udhëzimet më poshtë që të ndërmjetësoni një diskutim me anëtarët e grupit tuaj. Nxitini të gjithë anëtarët e grupit tuaj që të marrin pjesë. Megjithatë, askush nuk duhet të ndihet i shtyrë për të folur.

Ftojini anëtarët e grupit të përzgjedhin njërin nga fragmentet e shkrimeve të shenjta ose nga citimet në pjesën 3 të materialit të përgatitjes që është veçanërisht domethënës për ta. Ftojini disa prej tyre ta lexojnë citimin ose fragmentin e vet. Pasi çdo individ tregon, mund të pyetni:

  • Si mund ta zbatojmë këtë mësim për të mposhtur frikën për t’u martuar ose frikën që dikush mund të ketë gjatë martesës?

Më pas, diskutojini si grup pyetjet në vijim:

  • Si e keni kapërcyer frikën në të shkuarën dhe si e keni rritur mirëbesimin tuaj te Perëndia?

  • Çfarë besoni ose dini rreth Atit Qiellor dhe Jezu Krishtit që ju mundëson ta mposhtni frikën dhe t’i mirëbesoni drejtimit që japin Ata?

Materiali i Mësuesit – Familja e Përjetshme – Mësimi 6

fletushka e mësuesit

Pas një kohe të mjaftueshme, ftojini disa udhëheqës grupesh që të tregojnë një të vërtetë ose ide që e morën nga diskutimi i tyre në grup. Mund t’i shkruani në tabelë të vërtetat që ata përcaktojnë, të cilat mund të përfshijnë një të vërtetë si ajo që vijon: Teksa shohim drejt Atit Qiellor dhe Jezu Krishtit me besim, ne mund ta mposhtim frikën dhe Ata do ta drejtojnë shtegun tonë.

Si dëshmi shtesë për këtë të vërtetë, merreni parasysh të tregoni përvojën e Plakut dhe Motrës Holland që zgjodhën të martoheshin, e cila gjendet te pjesa “Doni më Shumë?” e materialit të përgatitjes, ose mund të tregoni përvojën vijuese, të rrëfyer nga Plaku Karl B. Kuk, i Të Shtatëdhjetëve:

Plaku Karl B. Kuk

Një i ri besnik na tha në mirëbesim se ishte i shkurajuar për mundësinë e një martese të lumtur. Jo vetëm që prindërit e tij ishin shkurorëzuar, por kështu kishte ndodhur edhe me çdo hallë, teze, xhaxha dhe dajë në familjen e tij. Ai tha se kurrë nuk kishte parë nga afër një martesë të lumtur. Sidoqoftë, me ndihmën e Zotit, ai u ngrit mbi frikën e vet dhe u martua në tempull. Ai dhe bashkëshortja e tij po gjejnë gëzim në martesën e tyre dhe kanë pesë fëmijë të bukur. (Carl B. Cook, “Continually Progressing toward Eternal Marriage” [takim shpirtëror mbarëbotëror për të rinjtë dhe të rejat në moshë madhore, 5 maj 2019], ChurchofJesusChrist.org)

Jepuni studentëve pak minuta për të shënuar ndonjë gjë që e kanë ndier ta bëjnë për të ushtruar më tepër besim tek Ati Qiellor dhe Jezu Krishti në lidhje me martesën.

Shpjegoni se gjatë gjithë këtij kursi, studentët do të mësojnë më shumë rreth mënyrës se si Ati Qiellor dhe Jezu Krishti mund t’i ndihmojnë ata t’ia dalin mbanë në krijimin e martesave të forta e të përjetshme. Sigurojini studentët se Ati Qiellor dhe Jezu Krishti i duan dhe janë të etur e të zotuar për t’i ndihmuar.

Për Herën Tjetër

Nxitini studentët në studimin e materialit të përgatitjes për mësimin 7 që të përsiatin me lutje mënyrën se si “gjinia është një karakteristikë thelbësore e identitetit dhe qëllimit [tonë] të jetës para lindjes, të jetës së vdekshme dhe asaj të përjetshme” (“Familja: Një Proklamatë drejtuar Botës”). Ftojini ata të marrin parasysh se si mund t’u përgjigjen me dashuri si të Krishtit atyre që kanë pyetje në lidhje me gjininë.