Instituti
Materiali i Mësuesit për Mësimin 16: Arritja e Lumturisë në Jetën Familjare nëpërmjet Jezu Krishtit


“Materiali i Mësuesit për Mësimin 16: Arritja e Lumturisë në Jetën Familjare nëpërmjet Jezu Krishtit”, Materiali i Mësuesit – Familja e Përjetshme (2022)

“Materiali i Mësuesit për Mësimin 16”, Materiali i Mësuesit – Familja e Përjetshme

Materiali i Mësuesit për Mësimin 16

Arritja e Lumturisë në Jetën Familjare nëpërmjet Jezu Krishtit

“Lumturia në jetën familjare është e mundur të arrihet më mirë kur bazohet në mësimet e Zotit Jezu Krisht” (“Familja: Një Proklamatë drejtuar Botës”, ChurchofJesusChrist.org). Në këtë mësim, studentët do të hulumtojnë se si mund ta ndërtojnë themelin e jetës së tyre vetjake dhe familjare mbi Jezu Krishtin dhe mësimet e Tij. Ata do të ftohen të përcaktojnë pengesat që mund t’i ndalojnë ta bëjnë këtë gjë dhe mënyrat për t’i kapërcyer ato.

Sugjerime për Mësimdhënien

Ndërtimi i jetës sonë vetjake dhe familjare mbi themelin e Jezu Krishtit na mbron dhe na forcon.

Merreni parasysh të shfaqni figurën shoqëruese të Tempullit të Filadelfiës në Pensilvani. Kujtojuni studentëve qëllimin e themelit të një ndërtese (shih pjesën 1 të materialit të përgatitjes).

Tempulli i Filadelfiës në Pensilvani

Lexojeni së bashku thënien në vijim nga Plaku Donald L. Hallstrom, në të cilën ai përshkroi përpjekjet inxhinierike të bëra për të krijuar një themel të fortë për Tempullin e Filadelfiës në Pensilvani.

Plaku Donald L. Hallstrom

“Kjo strukturë … do t’u nënshtrohet erërave shkatërruese dhe ujit nëntokësor gërryes. Këto kushte të ashpra, nëse lihen të pakontrolluara, mund ta dëmtojnë tepër dhe madje ta shkatërrojnë këtë godinë fisnike.

Duke e ditur që këto forca do ta godisnin pa mëshirë tempullin, inxhinierët projektuan dhe ndërtuesit gërmuan një gropë gati 10 metra të thellë nën të gjithë “gjurmën” e strukturës. Gropa u gërmua deri në granitin vendor të Pensilvanisë për të siguruar një themel të palëvizshëm mbi të cilin të ndërtohej. Plintat dhe themelet prej betoni më pas u lidhën me shtratin shkëmbor prej graniti me anë të ankerave shkëmborë që t’u bënin ballë edhe erës së rrëmbyer dhe ujit nëntokësor të fuqishëm. Ankerat u vendosën duke shpuar 15 deri në 68 metra thellë në granit. …

Jap informacion kaq të hollësishëm për t’ju mësuar këtë gjë: Ndryshe nga ndërtimi i një strukture (që është e përkohshme), kur ndërtojmë jetën tonë të përhershme (dhe, me shpresë, të përjetshme), ne nganjëherë fatkeqësisht i kushtojmë pak vëmendje projektimit dhe ndërtimit të themeleve tona. Si pasojë, ne lihemi tepër të zbuluar, dhe goditemi lehtësisht nga forca të rrezikshme.” (“Jesus Christ: Our Firm Foundation”, Ensign, prill 2016, f. 58)

Ftojini studentët të mbajnë në mendje përshkrimin e themelit të këtij tempulli teksa shqyrtoni së bashku vargun te Helamani 5:12.

  • Çfarë na mëson ky varg rreth arsyes përse individët dhe familjet kanë nevojë të ndërtojnë një themel shpirtëror mbi Jezu Krishtin? (Ndihmojini studentët të përcaktojnë një parim si ai që vijon: Ndërsa individët dhe familjet e ndërtojnë themelin e tyre mbi Jezu Krishtin, Satani nuk do të ketë fuqi t’i shkatërrojë ata.)

  • Cilat janë disa “erëra … të fuqishme, … shigjeta … në shtjellë të erës, … breshër … dhe furtuna … [të] fuqishme” të zakonshme që kundërshtari sjell kundër familjeve në kohën tonë?

  • Cilat janë disa nga mënyrat se si individët dhe familjet mund ta ndërtojnë themelin e vet mbi Jezu Krishtin? (Si pjesë e këtij diskutimi, merreni parasysh t’i ftoni studentët të tregojnë atë që mësuan nga thëniet prej Plakut Dejvid A. Bednar dhe Plakut Hallstrom, si edhe nga veprimtaria “Shënojini Mendimet Tuaja” te pjesa 1 e materialit të përgatitjes.)

  • Çfarë përvojash keni pasur ju ose familja juaj ku ndërtimi i një themeli mbi Jezu Krishtin ndihmoi për përballimin ose kapërcimin e llojeve të ndryshme të stuhive?

Të jetuarit e mësimeve të Jezu Krishtit sjell lumturi në jetën familjare.

Paraqiteni thënien në vijim nga proklamata për familjen: “Lumturia në jetën familjare është e mundur të arrihet më mirë kur bazohet në mësimet e Zotit Jezu Krisht” (“Familja: Një Proklamatë drejtuar Botës”, ChurchofJesusChrist.org).

Përmirësimi i Mësimdhënies dhe i të Mësuarit Tonë

Nxiteni pjesëmarrjen e studentëve. Kërkoni mënyra për t’i nxitur të gjithë studentët të marrin pjesë në klasë. Çdo student ka rrethana, interesa, shpresë dhe sfida të pashoqe që u shtojnë vlerë ideve dhe pyetjeve të veta. Këndvështrimet e dallueshme të studentëve mund t’i bekojnë të tjerët në klasë në mënyra vetjake. Të dëgjuarit me kujdes ndërsa studentët marrin pjesë mund t’ju ndihmojë gjithashtu t’i vlerësoni nevojat dhe shqetësimet e tyre.

Ftojini studentët ta hapin fragmentin e shkrimit të shenjtë që gjetën, i cili përmban një mësim të Jezu Krishtit që u ka sjellë atyre lumturi në jetën e tyre vetjake ose familjare pasi e kanë vënë në zbatim atë. (Shih pjesën 2 të materialit të përgatitjes.) Mund t’ju nevojitet që t’u jepni studentëve disa minuta kohë për të përcaktuar një fragment.)

Ndajeni klasën në grupe të vogla. Ftojini studentët të tregojnë fragmentet e tyre të shkrimit të shenjtë, së bashku me përgjigjet e tyre për pyetjen në vijim (ju mund të doni ta paraqitni ose shkruani pyetjen në tabelë):

  • Si mundet ta bekojë një individ, një martesë ose një familje ndjekja e këtij mësimi të ungjillit?

Pas një kohe të mjaftueshme, merreni parasysh t’i ftoni disa studentë që t’ia tregojnë klasës atë që mësuan nga diskutimi i tyre në grup.

Ftojini studentët të shqyrtojnë në heshtje vargjet te 4 Nefi 1:1, 11– 13, 15–18, duke kërkuar fjalë ose fraza që vënë në dukje mësimet e Shpëtimtarit që këta njerëz zgjodhën të jetonin. Ftojini studentët të tregojnë atë që gjejnë.

  • Çfarë bekimesh mund të marrë një familje teksa ata përpiqen fort t’i jetojnë mësimet e Shpëtimtarit së bashku? Ku keni parë shembuj të këtyre lloj bekimesh?

  • Cilat janë disa nga mënyrat se si kundërshtari përpiqet të na pengojë nga marrja e këtyre bekimeve? (Nëse nevojitet, ju mund t’i ftoni studentët të shqyrtojnë shembujt në pjesën 3 të materialit të përgatitjes.)

Paraqiteni thënien në vijim nga Plaku Bredli D. Foster, i cili më parë shërbeu si anëtar i Të Shtatëdhjetëve:

Plaku Bredli D. Foster

“Një [shpërqendrim] nuk ka pse të jetë [i] ligë që të [jetë i efektshëm].” (“Nëna Ma Ka Treguar”, Liahona, maj 2010, f. 99)

  • Cilat janë disa shpërqendrime që mund të mos jenë në thelb të liga, por mund të na pengojnë nga të qenit të themeluar fort mbi Jezu Krishtin dhe mësimet e Tij? Çfarë keni bërë për ta zvogëluar ose hequr një ose më shumë prej këtyre shpërqendrimeve në jetën tuaj?

  • Çfarë bekimesh mund të humbasin njerëzit nëse themeli i tyre ndërtohet mbi diçka të tillë si tradita kulturore, argëtimi ose paratë?

Merrini parasysh mënyrat se si mund t’i ndihmoni studentët të veprojnë në mënyrë kuptimplotë sipas asaj që kanë mësuar në këtë mësim. Për shembull, ju mund t’u jepni studentëve disa minuta kohë për të shqyrtuar thënien e Plakut Geri E. Stivenson dhe veprimtarinë “Veproni” në pjesën 3 të materialit të përgatitjes. Më pas ftojini studentët të shkruajnë ndonjë mendim shtesë që do të dëshironin, i cili lidhet me synimin ose planin e tyre.

Ju mund të përfundoni duke dhënë dëshminë tuaj për lumturinë që keni përjetuar në jetën tuaj vetjake dhe familjare ndërsa e keni ndërtuar themelin tuaj mbi Jezu Krishtin dhe mësimet e Tij.

Për Herën Tjetër

Ftojini studentët të marrin parasysh kur i kanë parë një bashkëshort dhe një bashkëshorte të punojnë së bashku si partnerë të barabartë. Ata gjithashtu mund të mendojnë për raste kur mund të kenë parë çifte që për ndonjë arsye nuk punojnë si partnerë të barabartë. Nxitini studentët të studiojnë materialin për mësimin e ardhshëm me këta shembuj në mendje dhe të përcaktojnë se çfarë lloj bashkëpjesëmarrjeje do të dëshironin të kishin në martesën e tyre.