“Materiali i Mësuesit për Mësimin 28: Të Ndiejmë Shpresë për Ndërtimin e një Familjeje të Përjetshme”, Materiali i Mësuesit – Familja e Përjetshme (2022)
“Materiali i Mësuesit për Mësimin 28”, Materiali i Mësuesit – Familja e Përjetshme
Materiali i Mësuesit për Mësimin 28
Të Ndiejmë Shpresë për Ndërtimin e një Familjeje të Përjetshme
Ne të gjithë kemi shpresë se mund të ndërtojmë një familje të përjetshme, pavarësisht se cilat kanë qenë rrethanat tona familjare. Ky mësim do t’i ndihmojë studentët të kuptojnë më mirë se si mund t’i ndihmojë Zoti që t’ia dalin me sukses në ndërtimin e një familjeje të përjetshme. Studentët gjithashtu do të kenë mundësinë të tregojnë dhe përcaktojnë se si ta zbatojnë më tej atë që kanë mësuar dhe përjetuar në kursin Familja e Përjetshme.
Sugjerime për Mësimdhënien
Zoti dëshiron të na ndihmojë që t’ia dalim me sukses në ndërtimin e familjeve të përjetshme.
Shënim: Me kujdes përzgjidheni alternativën e mësimdhënies për pjesën e parë të mësimit që do t’i bekojë më shumë studentët tuaj. Sigurohuni që të lini rreth 20 minuta për pjesën përfundimtare të mësimit.
Fillojeni mësimin duke i ftuar studentët që të përsiatin dhe t’i shënojnë mendimet e tyre rreth pyetjes vijuese:
-
Çfarë shpresash keni ju për ndërtimin e një familjeje të përjetshme?
Pas një kohe të mjaftueshme, ftojini disa studentë të japin mendimet e tyre nëse ndihen rehat.
Paraqitni të vërtetën vijuese nga citimi i Plakut Dejvid A. Bednar në pjesën 2 të materialit të përgatitjes: “Me ndihmën e Zotit, ju mund të krijoni një familje të përjetshme” (“Një Lidhje Bashkëngjitëse” [takim shpirtëror mbarëbotëror për të rinjtë e të rejat në moshë madhore, 10 shtator 2017], broadcasts.ChurchofJesusChrist.org).
Zgjidhni njërën prej veprimtarive në vijim për t’i ndihmuar studentët që të thellojnë të kuptuarit e tyre për këtë të vërtetë dhe për t’i lejuar të tregojnë atë që mësuan ndërkohë që përgatiteshin për orën mësimore:
Ne bekohemi duke reflektuar mbi atë që kemi mësuar dhe duke planifikuar mënyra për ta vënë atë në jetë.
Merreni parasysh të paraqitni një kopje të proklamatës “Familja: Një Proklamatë drejtuar Botës” (ChurchofJesusChrist.org). Kujtojuani studentëve mundësinë që kanë pasur gjatë gjithë këtij kursi për t’i studiuar mësimet mbi familjen nga një këndvështrim i përjetshëm.
Paraqitini titujt e mësimeve nga ky kurs ose ftojini studentët t’u referohen atyre në pajisjet e tyre elektronike. Lejojuni studentëve kohë që të rishikojnë titujt e mësimeve për t’i ndihmuar të reflektojnë për atë që kanë mësuar, ndier dhe përjetuar gjatë këtij kursi. Më pas ftojini studentët të japin mendimet e tyre. Ju mund të doni të bëni pyetje si ato që vijojnë për të ndihmuar që të çohet më tej diskutimi:
-
Si ka ndikuar ky kurs te të kuptuarit dhe dëshmia juaj për mësimet e Zotit mbi martesën dhe familjen?
-
Cila ka qenë njëra nga idetë më të rëndësishme që nxorët nga ky kurs?
-
Çfarë keni mësuar rreth Atit Qiellor dhe Jezu Krishtit gjatë gjithë këtij kursi? Si është forcuar marrëdhënia juaj me Ta?
Për ta përfunduar këtë mësim ju mund të ftoni një student/e që të lexojë me zë të lartë thënien nga Presidenti M. Rasëll Ballard në pjesën 3 të materialit të përgatitjes. Mund të jetë e dobishme të paraqitni pyetjet vijuese dhe t’u jepni studentëve disa minuta kohë për të shënuar mendimet ose mbresat e tyre rreth tyre:
-
Si do të jetë jeta juaj e ndryshme si rezultat i asaj që keni mësuar dhe përjetuar në këtë kurs? Si do të jeni më shumë si Jezu Krishti?
Merreni parasysh të ftoni ndonjë student që dëshiron të japë dëshminë e vet rreth rëndësisë së familjes në planin e Atit Qiellor për lumturinë, që ta bëjë këtë gjë siç ua lejon koha. Merreni parasysh të jepni edhe vetë dëshminë tuaj. Dhe nxitini studentët të vazhdojnë të regjistrohen në institut.