Instituti
Materiali i Përgatitjes për Orën Mësimore për Mësimin 14: Trajtimi i Problemit të Përdorimit të Pornografisë


“Materiali i Përgatitjes për Orën Mësimore për Mësimin 14: Trajtimi i Problemit të Përdorimit të Pornografisë”, Materiali i Mësuesit – Familja e Përjetshme (2022)

“Materiali i Përgatitjes për Orën Mësimore për Mësimin 14”, Materiali i Mësuesit – Familja e Përjetshme

një e re që vështron drejt liqenit

Materiali i Përgatitjes për Orën Mësimore për Mësimin 14

Trajtimi i Problemit të Përdorimit të Pornografisë

Ati ynë Qiellor na ka dhënë trupa fizikë dhe ndjenjat seksuale si dhurata të shenjta për të na ndihmuar ta përmbushim planin e Tij për lumturinë tonë. Një mënyrë se si Satani na tundon për t’i keqpërdorur këto dhurata është duke na joshur të shohim pornografi, e cila është “çdo paraqitje, me figura ose shkrim që ka për qëllim të nxitë në mënyrë të papërshtatshme ndjenja seksuale” (Gospel Topics, “Pornography”, topics.ChurchofJesusChrist.org). Teksa e studioni këtë mësim, mendoni rreth mënyrës se si Ati Qiellor dhe Jezu Krishti mund t’ju fuqizojnë që t’u bëni qëndresë ose të shëroheni nga ndikimet shkatërruese të pornografisë.

Pjesa 1

Çfarë ka dhënë mësim Zoti rreth qëndresës ndaj pornografisë?

Presidenti Dallin H. Ouks, i Presidencës së Parë, dha mësim rreth mbizotërimit në rritje të pornografisë:

Presidenti Dallin H. Ouks

“Një arsye bazë për problemin në rritje të pornografisë është se në botën e sotme, fjalët dhe pamjet me përmbajtje dhe ndikime seksuale janë kudo: ato mund të gjenden në filma, programe televizive, media shoqërore, mesazhe me tekst, programe telefoni, reklama, libra, muzikë dhe biseda të përditshme. Si rezultat, është e pashmangshme që të gjithë jemi të ekspozuar rregullisht ndaj mesazheve me seks.” (“Shpëtimi nga Kurthi i Pornografisë”, Ensign, tetor 2015, f. 32.)

Prodhimi dhe përdorimi i pornografisë e shkel shenjtërinë e natyrës sonë hyjnore, të trupave tanë fizikë dhe të seksualitetit tonë. Sikurse vë në dukje një publikim i Kishës kohët e fundit: “Pornografia e sulmon lumturinë tonë me mesazhe të rreme rreth seksit. Seksualiteti i shëndetshëm mund të na shtyjë të gjejmë gëzim dhe lidhje, por pornografia do të na izolojë dhe do të na bëjë të mjerë. Pornografia i trajton të tjerët si objekte, nxit kënaqësinë egoiste dhe e shtrembëron seksualitetin. Ajo na dëmton nga ana fizike, psikologjike, shoqërore dhe shpirtërore” (“How Does Using Pornography Affect Me?”, ChurchofJesusChrist.org).

Ndërkohë që jepte Predikimin në Mal, Shpëtimtari shpjegoi ligjin më të lartë të cilin Ai pret që ta jetojnë dishepujt e Tij. Gjatë paralajmërimit kundër mëkatit seksual, Ai dha mësim: “Kushdo që shikon një grua për ta dëshiruar, ka shkelur kurorën me të në zemrën e vet” (Mateu 5:28; shih edhe Doktrina e Besëlidhje 63:16).

Plaku Xhefri R. Holland, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, e dha si referencë këtë shkrim të shenjtë nga Mateu dhe dha mësim rreth zbatimit të tij për t’i bërë qëndresë pornografisë:

Plaku Xhefri R. Holland

“Sigurisht asnjë ‘urdhërim’, nëse mund ta përdorim atë gjuhë, nuk mund ta trajtojë dhe ndëshkojë në mënyrë më të drejtpërdrejtë mëkatin e pornografisë se sa ai fragment! Nuk mund të bëjmë gjë tjetër veçse të pyetim veten a mund ta ketë parë Krishti në meridianin e kohës një kërcënim të tillë në ditët e mëvonshme, jo ndryshe, por përtej çdo vështrimi epshor ose të pahijshëm që një burrë apo grua mund t’i ketë dhënë njëri‑tjetrit në shekujt para fotografive dhe filmave, para internetit.” (“The Plague of Pornography” [fjalim i mbajtur në Koalicionin e Jutës kundër Pornografisë, 12 mars 2016], utahcoalition.org.)

një e ri që vështron celularin

Teksa e lexoni thënien vijuese nga Presidenti Rasëll M. Nelson, kërkoni atë që ai na ftoi të kuptojmë në përpjekjet tona për të luftuar kundër tundimit të pornografisë:

Presidenti Rasëll M. Nelson

“Kur e kuptojmë natyrën tonë dhe qëllimin tonë në tokë dhe se trupat tanë janë tempuj fizikë të Perëndisë, ne do të kuptojmë se është sakrilegj të lëmë të hyjë çfarëdo gjëje që mund ta ndotë trupin. Është vërtet diçka që nuk tregon nderim që të lëmë madje shikimin e syve tanë të çmuar ose receptorët e prekjes ose të dëgjimit tonë ta furnizojnë trurin me kujtime që janë të papastra ose të padenja. Ne do ta duam fort si thesar dëlirësinë tonë dhe do të shmangim ‘pasione të paarsyeshme dhe të dëmshme, që i plandosin njerëzit në rrënim dhe shkatërrim’ [1 Timoteut 6:9]. Ne do të ‘h[eqim] dorë nga këto dhe [do të ndjekim] drejtësinë, perëndishmërinë, besimin, dashurinë, zemërgjerësinë dhe zemërbutësinë’ [1 Timoteut 6:11] – tipare që e lartësojnë të gjithë qenien.” (“Your Body: A Magnificent Gift to Cherish”, New Era, gusht 2019, f. 5–6.)

ikonë, përsiatni

Përsiatni në Përgatitje për Orën Mësimore

Si mund të na ndihmojnë të kuptuarit e natyrës sonë hyjnore dhe e të tjerëve për t’i bërë qëndresë pornografisë?

Pjesa 2

Si mund t’i bëj qëndresë tundimit për të përdorur pornografi?

Të gjithë ne përballemi me tundim ndërsa përpiqemi fort të bëjmë jetë të virtytshme. Mbajeni mend se Jezu Krishti “u tundua në të gjitha ashtu si ne, por pa mëkatuar” (Hebrenjve 4:15). Ai na kupton dhe mund të na ndihmojë t’i bëjmë qëndresë tundimit.

grua duke u lutur
ikonë, studioni

Studioni në Përgatitje për Orën Mësimore

Në shkrimet e shenjta, Zoti ka dhënë parime që mund t’i vëmë në jetë për të mbrojtur veten dhe familjet tona ndaj të këqijave si pornografia (shih Alma 39:8–10; Doktrina e Besëlidhje 121:45–46). Për shembull, Jozefi në Egjipt dhe mbreti David u ballafaquan të dy me tundimin për t’u përfshirë në mëkat seksual. Lexojeni njërin ose të dy fragmentet në vijim dhe merreni parasysh atë që mund të mësoni nga përvojat e këtyre dy burrave: Zanafilla 39:7–12; 2 Samuelit 11:1–5 (ose mund të shihni materialin filmik “To Look Upon” [4:15], i cili paraqet përvojën e mbretit David). Merreni parasysh ta lexoni të gjithë kapitullin te 2 Samuelit 11 dhe 2 Samuelit 12:1–10, dhe mendoni rreth asaj që mund të mësoni nga orvatja e dështuar e mbretit David për ta mbuluar mëkatin e tij.

2:3

Presidenti Ouks këshilloi:

Presidenti Dallin H. Ouks

“Bëni gjithçka që mundeni për ta shmangur pornografinë. …

Mos e mirëpritni asnjë shkallë të tundimit. Parandalojeni mëkatin dhe mënjanojeni nevojën që t’ju duhet të ndesheni me shkatërrimin e tij të pashmangshëm. Prandaj fikeni! Hiqeni vështrimin! Shmangeni atë me çdo kusht. Drejtojini mendimet tuaja nëpër shtigje të shëndosha.” (“Pornografia”, Ensign ose Liahona, maj 2005, f. 90.)

Merreni parasysh të shihni materialin filmik “Watch Your Step” (2:35). Mendoni rreth faktit që vendimet tuaja të vogla kanë fuqinë ose për t’ju bërë më të prekshëm ndaj tundimit ose t’ju ndihmojnë ta shmangni atë.

2:35

Disa njerëz përdorin me mençuri filtra ose burime të tjera të jashtme për t’i ndihmuar ata që ta shmangin pornografinë. Motra Linda S. Rivs, dikur në Presidencën e Përgjithshme të Shoqatës së Ndihmës, dha mësim rreth filtrit tonë më të madh:

Motra Linda S. Rivs

“Filtrat janë mjete të dobishme, por filtri më i mirë në botë, i vetmi që përfundimisht do të funksionojë, është filtri i brendshëm vetjak që vjen nga një dëshmi e thellë dhe e qëndrueshme për dashurinë e Atit tonë Qiellor dhe sakrificën shlyese të Shpëtimtarit tonë për secilin prej nesh.” (“Mbrojtja nga Pornografia – një Shtëpi e Përqendruar te Krishti”, Ensign ose Liahona, maj 2014, f. 16.)

ikonë, përsiatni

Përsiatni në Përgatitje për Orën Mësimore

Merreni parasysh me lutje se cilët hapa mund të ndërmerrni për ta forcuar qëndresën tuaj ndaj pornografisë.

Pjesa 3

Si mund ta marr fuqinë e Shpëtimtarit për t’u shëruar nga efektet shkatërruese të pornografisë?

Si burrat edhe gratë po zihen në grackë nga pornografia. Për shumë njerëz, përdorimi i pornografisë nuk ka të bëjë vetëm me kënaqjen e dëshirave seksuale. Në vend të kësaj, ata e përdorin pornografinë për t’iu përgjigjur nevojave më të thella, të nëndheshme. Ata mund ta përdorin atë si një mënyrë për të përballuar stresin, sikletin, vetminë, mërzinë, lodhjen, ankthin, depresionin ose ndjesinë se janë të padëshiruar ose të parëndësishëm.

një burrë në mendime të thella

Kur ngecin në një cikël shkatërrues të përdorimit të pornografisë, disa njerëz fillojnë të ndiejnë turp ose ta humbasin shpresën në aftësinë e tyre për të ndryshuar e për t’u shëruar. Ata mund të ndiejnë se janë zënë në kurth. Disa njerëz përpiqen t’i fshehin mëkatet e tyre. Atyre që janë lënduar nga përdorimi i pornografisë prej dikujt tjetër, ndjenjat e tradhtisë, fajit ose zemërimit mund t’ju duken dërrmuese.

Duke na dhënë siguri, Motra Rivs dha mësim rreth fuqisë së Zotit për të shëruar:

Motra Linda S. Rivs

“Nëse bini në kurthin e Satanit, të pornografisë, mbani mend sa i mëshirshëm është Shpëtimtari ynë i dashur. A e kuptoni se sa fort ju do dhe ju ka për zemër Zoti, madje edhe tani? Shpëtimtari ynë ka fuqinë për t’ju pastruar e shëruar.” (“Mbrojtja nga Pornografia - një Shtëpi e Përqendruar te Krishti”, f. 16.)

Prekja e Besimit, nga Simon Dewey
ikonë, studioni

Studioni në Përgatitje për Orën Mësimore

Në librin e Llukës ne mësojmë për një grua që kishte vuajtur 12 vjet nga “një fluks gjaku” (Lluka 8:43), të cilin ajo dhe të gjithë mjekët që kishte takuar, nuk mund ta shëronin. Lexoni te Lluka 8:43–48 dhe merreni parasysh atë që mund të mësojmë nga shembulli i kësaj gruaje rreth përpjekjes për t’u shëruar nga Shpëtimtari.

Duke e përmendur këtë ndodhi, Presidenti Nelson dha mësim:

Presidenti Rasëll M. Nelson

“Kjo grua besnike dhe e përqendruar, duhej të zgjatej aq sa mundej për ta përdorur fuqinë e Tij. …

Kur ju zgjateni për [ta marrë] fuqinë e Zotit në jetën tuaj me të njëjtin intensitet që ka një njeri që po mbytet, kur kapet dhe gulçon për ajër, fuqi[a] nga Jezu Krishti do të je[t]ë [e juaja]. Kur Shpëtimtari e di se ju me të vërtetë doni të zgjateni drejt Tij – kur Ai mund ta ndiejë se dëshira më e madhe e zemrës suaj është që ta merrni fuqinë e Tij në jetën tuaj – ju do të udhëhiqeni nga Fryma e Shenjtë për të ditur saktësisht atë që duhet të bëni [shih Doktrina e Besëlidhje 88:63].

Kur ju zgjateni shpirtërisht përtej çdo gjëje që keni bërë ndonjëherë më parë, atëherë fuqia e Tij do të vërshojë brenda jush.” (“Marrja e Fuqisë së Jezu Krishtit në Jetën Tonë”, Ensign ose Liahona, maj 2017, f. 41–42.)

Nëse keni luftuar me përdorimin e pornografisë ose jeni lënduar nga përdorimi i pornografisë prej dikujt tjetër, do t’ju nevojitet më shumë sesa vetë fuqia juaj për ta marrë veten nga efektet e saj. Keni nevojë për fuqinë e Zotit.

ikonë, studioni

Studioni në Përgatitje për Orën Mësimore

Gjeni pak kohë për të studiuar një burim që ju intereson në pjesën “Doni më Shumë?” të këtij materiali përgatitjeje. Jini të përgatitur të tregoni atë që mësuat në orën mësimore.