“Materiali i Përgatitjes për Orën Mësimore për Mësimin 16: Arritja e Lumturisë në Jetën Familjare nëpërmjet Jezu Krishtit”, Materiali i Mësuesit – Familja e Përjetshme (2022)
“Materiali i Përgatitjes për Orën Mësimore për Mësimin 16”, Materiali i Mësuesit – Familja e Përjetshme
Materiali i Përgatitjes për Orën Mësimore për Mësimin 16
Arritja e Lumturisë në Jetën Familjare nëpërmjet Jezu Krishtit
Reflektoni për një minutë rreth rasteve kur keni ndier lumturi dhe paqe në jetën tuaj. Ndërkohë që shërbente si anëtar i Presidencës së Të Shtatëdhjetëve, Plaku Riçard J. Meinis dha mësim: “Gëzimi që ne përjetojmë në këtë jetë do të jetë në përpjesëtim të drejtë me mënyrën se sa mirë është e përqendruar jeta jonë te mësimet, shembulli dhe sakrifica shlyese e Jezu Krishtit” (“Gëzimi i të Jetuarit të një Jete të Përqendruar te Krishti”, Liahona, nëntor 2015, f. 28). Ndërsa studioni në përgatitje për orën mësimore, merrni parasysh se si ngritja e jetës suaj vetjake dhe familjare mbi Jezu Krishtin dhe mësimet e Tij mund t’ju sjellë lumturi, paqe dhe qëndrueshmëri më të madhe, pavarësisht nga rrethanat tuaja.
Pjesa 1
Si mund të ndërtojmë unë dhe familja ime një themel shpirtëror mbi Jezu Krishtin?
Kur ndërtohet një ndërtesë, i kushtohet vëmendje e veçantë themelit të saj dhe llojit të tokës ku do të qëndrojë. Një themel i sigurt do ta stabilizojë ndërtesën dhe do ta mbrojë atë kundër forcave të natyrës dhe trysnisë së përdorimit të përditshëm. Si mund të lidhet ky koncept me ju ndërsa ndërtoni jetën tuaj vetjake dhe familjare?
Profeti Helaman u mësoi bijve të tij rreth nevojës për ta ndërtuar themelin e tyre shpirtëror mbi Jezu Krishtin.
Ndërsa e lexoni thënien në vijim nga Plaku Dejvid A. Bednar, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, kërkoni se si mund të ndërtojmë themelin e jetës sonë vetjake dhe familjare mbi Jezu Krishtin:
“Ordinancat dhe besëlidhjet janë blloqet ndërtues që i përdorim për ta ngritur jetën tonë mbi themelin e Krishtit dhe të Shlyerjes së Tij. Ne lidhemi në mënyrë të sigurt te Shpëtimtari dhe së bashku me Të, ndërkohë që i marrim me denjësi ordinancat e hyjmë në besëlidhje, i kujtojmë e i nderojmë me besnikëri ato zotime të shenjta dhe bëjmë gjithçka mundemi për të jetuar në përputhje me detyrimet që kemi pranuar. Dhe ajo lidhje është burimi i forcës dhe qëndrueshmërisë shpirtërore në të gjitha stinët e jetës sonë. (“Prandaj, Ata e Përmbajtën Frikën”, Liahona, maj 2015, f. 48)
Ndërsa shërbente në Presidencën e Të Shtatëdhjetëve, Plaku Donald L. Hallstrom dha mësim sa vijon rreth ndërtimit mbi themelin e Jezu Krishtit:
“Të gjitha mjetet që ju nevojiten, janë në dispozicionin tuaj. … Ato përfshijnë lutje të vazhdueshme e cilësore; studim të përditshëm të ungjillit nëpërmjet shkrimeve të shenjta; pjesëmarrje aktive në mbledhjet e Kishës, veçanërisht duke marrë pjesë në mbledhjen e sakramentit me qëllim të vërtetë; shërbim të vazhdueshëm vetëmohues; dhe mbajtje të zellshme të besëlidhjeve.
Një mjet tjetër themelor është këshilla e profetëve të gjallë. (“Jesus Christ: Our Firm Foundation”, Ensign, prill 2016, f. 61)
Pjesa 2
Çfarë bekimesh janë në dispozicionin tim dhe të familjes sime nëse zgjedhim ta ndërtojmë themelin tonë mbi Jezu Krishtin dhe mësimet e Tij?
Profetët e ditëve të mëvonshme kanë shpallur: “Lumturia në jetën familjare është e mundur të arrihet më mirë kur bazohet në mësimet e Zotit Jezu Krisht” (“Familja: Një Proklamatë drejtuar Botës”, ChurchofJesusChrist.org).
Kur një grup njerëzish, të tillë si një familje, vendosin ta ndërtojnë jetën e tyre mbi Shpëtimtarin dhe mësimet e Tij, ata mund të përjetojnë bekime të mëdha. Kjo është një arsye përse koncepti i Sionit, një popull që janë “të një zemre dhe të një mendjeje dhe ban[ojnë] në drejtësi (Moisiu 7:18), është kaq i bukur dhe i fuqishëm. Një shembull i këtyre lloj njerëzish mund të gjendet në Librin e Mormonit. Pasi Shpëtimtari i vizitoi banorët e kontinentit amerikan, njerëzit u zotuan kolektivisht për t’i jetuar mësimet e Tij.
Pjesa 3
Çfarë pengesash mund të më pengojnë mua dhe familjen time që të ndërtojmë një themel mbi Jezu Krishtin?
Plaku Riçard G. Skot, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, foli për mënyrat se si kundërshtari orvatet të na pengojë që ta ndërtojmë jetën tonë mbi Shpëtimtarin dhe mësimet e Tij:
“Satani dhe ushtritë e tij do të bëjnë gjithçka që kanë në fuqinë e tyre për t’ju penguar nga marrja e ordinancave të kërkuara për familjen ideale. Ai do të orvatet t’ju shpërqendrojë nga përqendrimi i mendjes dhe zemrës suaj te rritja e një familjeje të fortë, duke i ushqyer fëmijët tuaj ashtu siç kërkon Zoti.
… Satani ka një mjet të fuqishëm që e përdor kundër njerëzve të mirë. Ai është shpërqendrimi. Ai do të donte që njerëzit e mirë ta mbushnin jetën me ‘gjëra të mira’, kështu që të mos ketë vend për gjërat thelbësore.” (“First Things First”, Ensign, maj 2001, f. 7)
Mendoni për disa “gjëra të mira” që i keni parë, të cilat i shpërqendrojnë njerëzit nga përqendrimi tek ajo që është thelbësore në jetën e tyre vetjake ose familjare.
Disa prej nesh mund të kenë tradita ose praktika kulturore apo familjare të cilat na pengojnë për ta ndërtuar themelin tonë fort mbi Jezu Krishtin dhe ungjillin e Tij (shihni Doktrina e Besëlidhje 93:39). Presidenti Dallin H. Ouks, i Presidencës së Parë, dha mësim:
“Për t’i ndihmuar anëtarët e saj në mbarë botën, Kisha na mëson të heqim dorë nga çdo traditë ose praktikë vetjake apo familjare që është në kundërshtim me mësimet e Kishës së Jezu Krishtit dhe me këtë kulturë ungjillore.” (“The Gospel Culture”, Ensign, mars 2012, f. 42)
Merrni në shqyrtim se çfarë pengesash të tjera mund t’ju pengojnë ju apo familjen tuaj që ta ndërtoni më plotësisht themelin tuaj mbi Shpëtimtarin.
Pas diskutimit për punën që po bëhej nga ekipi i ndërtimit për të forcuar dhe ripërtërirë themelin dhe strukturën e Tempullit të Solt-Lejkut, Plaku Geri E. Stivenson, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, sugjeroi sa vijon:
“Një vështrim reflektues mund të zbulojë se ne dhe familjet tona mund të përfitojmë nga bërja e njëfarë pune të nevojshme mirëmbajtjeje dhe restaurimi, madje një përmirësim sizmik! Ne mund ta fillojmë një proces të tillë duke bërë pyetjen:
‘Në ç’gjendje është themeli im?’
‘Cilat gjëra përbëjnë gurët e mëdhenj, të qëndrueshëm, të fortë të qosheve, që janë pjesë e themelit tim vetjak mbi të cilin mbështetet dëshmia ime?’
‘Cilët janë elementet themelore të karakterit tim shpirtëror dhe emocional, që do të më lejonin mua dhe familjen time që të mbetemi të palëkundur dhe të qëndrueshëm, madje që t’u bëjmë ballë ngjarjeve tronditëse dhe të trazuara sizmike, të cilat sigurisht do të ndodhin në jetën tonë?’” (“Një Themel të Mirë për të Ardhmen”, Liahona, maj 2020, f. 50)