“Materiali i Mësuesit për Mësimin 21: Rritja e Fëmijëve me Dashuri”, Materiali i Mësuesit – Familja e Përjetshme (2022)
“Materiali i Mësuesit për Mësimin 21”, Materiali i Mësuesit – Familja e Përjetshme
Materiali i Mësuesit për Mësimin 21
Rritja e Fëmijëve me Dashuri
“Prindërit kanë një detyrë të shenjtë për të rritur fëmijët e tyre me dashuri dhe drejtësi” (“Familja: Një Proklamatë drejtuar Botës”, ChurchofJesusChrist.org). Në këtë mësim studentët do të diskutojnë të vërteta që mund t’i ndihmojnë ata të përmbushin detyrën e tyre të shenjtë si prindër për t’i dashur fëmijët e tyre. (Mësimi i ardhshëm do të përqendrohet te rritja e fëmijëve me drejtësi.) Studentët do të marrin ftesë që të përcaktojnë gjithashtu se si mund t’i duan dhe t’u shërbejnë familjeve të tyre në një mënyrë më të ngjashme me Krishtin.
Sugjerime për Mësimdhënien
Prindërit duhet t’i rritin fëmijët e tyre me dashuri.
Merreni parasysh ta filloni orën mësimore duke i pyetur studentët se çfarë gjërash i kanë parë prindërit e tyre ose prindër të tjerë të bëjnë të cilat duan t’i bëjnë kur të rritin fëmijët e tyre. Pasi disa studentë të shprehen, nxiteni klasën të kërkojë të vërteta në këtë mësim dhe në mësimin e ardhshëm, të cilat ata mund t’i zbatojnë ndërsa bëhen prindër.
Paraqiteni thënien në vijim nga proklamata për familjen: Prindërit kanë një detyrë të shenjtë për t’i rritur fëmijët e tyre me dashuri.
Ju mund të bëni disa nga pyetjet në vijim për t’i ndihmuar studentët të thellojnë të kuptuarit e tyre për këtë të vërtetë:
-
Cilat janë disa mënyra se si mund të tregoni dashuri për fëmijët tuaj? (Merreni parasysh t’i rishikoni thëniet e udhëheqësve të Kishës rreth kohës dhe veprimtarive zbavitëse të shëndetshme në pjesën 1 të materialit të përgatitjes.)
-
Si jeni bekuar nga kalimi i kohës, të punuarit dhe angazhimi në veprimtari zbavitëse të shëndetshme me prindërit tuaj?
Shpjegoni se rritja e fëmijëve me dashuri përfshin disiplinimin e duhur të tyre kur është e nevojshme. Ndajeni klasën në grupe të vogla dhe caktoni një udhëheqës për çdo grup. Jepuni drejtuesve të grupeve kopje të fletushkës në vijim dhe informojini që t’i ndjekin udhëzimet siç janë dhënë. (Mund të doni t’i përshtatni skenarët për t’i bërë ato që të kenë lidhje me studentët tuaj.)
Pasi studentët ta kenë përfunduar veprimtarinë, ftojini disa studentë të tregojnë atë që diskutuan në grupet e tyre. Si pjesë e diskutimit, theksoni të vërtetën vijuese: Për të ndjekur modelin hyjnor të disiplinës, ne duhet të shtyhemi nga dashuria (shih thënien nga Plaku D. Tod Kristoferson në pjesën 2 të materialit të përgatitjes).
Nëse është e nevojshme, pyeteni klasën se si mund të jetë e ndryshme mënyra e Zotit për të disiplinuar nga mënyrat për t’i disiplinuar fëmijët që pranohen në disa kultura ose familje.
-
Kur e keni parë dikë të disiplinojë një fëmijë në mënyrë të dashur? Çfarë mësuat nga ajo përvojë?
Paraqitni udhëzimet dhe pyetjet në vijim dhe jepuni studentëve disa minuta kohë për t’i përsiatur ato (ata gjithashtu mund të duan të shënojnë disa nga mendimet e tyre):
-
Mendoni për rastet kur jeni korrigjuar nga Zoti ose Fryma e Shenjtë ju ka nxitur të ndryshoni në njëfarë mënyre. Çfarë mund të mësoni për disiplinimin e fëmijëve nga ato përvoja? Kur mund ta kujtoni Atin Qiellor të shprehte dashurinë e Tij për ju në një rast kur kishit nevojë për të?
Ftojini disa studentë që t’ia tregojnë mendimet e tyre klasës.
Prindërit duhet t’u mësojnë fëmijëve ta duan dhe t’i shërbejnë njëri‑tjetrit.
Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë te Mosia 4:14–15.
-
Cilat detyra të shenjta të prindërve theksoi mbreti Beniamin? (Pasi studentët të përgjigjen, paraqitni thënien në vijim nga proklamata për familjen: Prindërit kanë një detyrë të shenjtë për t’i mësuar fëmijët e tyre ta duan e t’i shërbejnë njëri‑tjetrit.)
-
Si ju mësuan prindërit që t’i doni dhe t’u shërbeni vëllezërve e motrave ose pjesëtarëve të tjerë të familjes?
Kujtojuni studentëve se ata u ftuan të mendonin për një rast kur Shpëtimtari i shërbeu me dashuri dikujt dhe më pas të shkruajnë se si mund ta duan dhe t’i shërbejnë një pjesëtari të familjes në këtë mënyrë ose në një mënyrë tjetër si të Krishtit (shih pjesën 3 të materialit të përgatitjes). Ftojini disa studentë të tregojnë atë që shkruan. (Gjithashtu merrni parasysh të tregoni një shembull nga vetja juaj.)
Paraqitini pyetjet në vijim dhe ftojini studentët të shënojnë mendimet e tyre në lidhje me pyetjen që ata mendojnë se lidhet më shumë me ta:
-
Si do ta ndiqni shembullin dhe mësimet e Atit Qiellor për rritjen e fëmijëve tuaj të tanishëm ose të ardhshëm me dashuri?
-
Cila është një mënyrë si e Krishtit me të cilën mund ta doni dhe t’i shërbeni një vëllai apo motre, prindërve tuaj ose një pjesëtari tjetër të familjes këtë javë?
Merreni parasysh ta përfundoni orën e mësimit duke e ftuar një student/e të japë dëshminë e tij ose të saj për rëndësinë e dashurisë për pjesëtarët e familjes sonë ose duke dhënë vetë dëshminë tuaj për këtë parim të ungjillit. Kujtojuni studentëve se pavarësisht nga mënyra se si janë rritur, ata mund të zgjedhin t’i rritin fëmijët e tyre me dashuri dhe t’u mësojnë atyre që ta duan dhe t’i shërbejnë njëri‑tjetrit.
Për Herën Tjetër
Në fund të orës së mësimit ose pas një mesazhi ju mund t’u bëni studentëve pyetjet në vijim që t’i marrin parasysh ndërsa përgatiten për orën e ardhshme mësimore:
-
Çfarë përvojash shpirtërore ju ndihmuan prindërit që të keni gjatë kohës që rriteshit? Çfarë përvojash shpirtërore shpresoni të keni me fëmijët tuaj në të ardhmen?