Instituti
Materiali i Mësuesit për Mësimin 3: Natyra Jonë Hyjnore dhe Fati Ynë Hyjnor


“Materiali i Mësuesit për Mësimin 3: Natyra Jonë Hyjnore dhe Fati Ynë Hyjnor”, Materiali i Mësuesit – Familja e Përjetshme (2022)

“Materiali i Mësuesit për Mësimin 3”, Materiali i Mësuesit – Familja e Përjetshme

Mësimi 3 Materiali i Mësuesit

Natyra Jonë Hyjnore dhe Fati Ynë Hyjnor

Ne jemi bij dhe bija të dashura të prindërve qiellorë, me potencial hyjnor. Në këtë mësim, studentët do të shqyrtojnë faktin se të kuptuarit e natyrës së tyre hyjnore mund të ndikojë te marrëdhënia e tyre me Perëndinë dhe te mënyra se si ata i shohin dhe i trajtojnë veten dhe të tjerët. Studentët do të përcaktojnë edhe mënyrën se si mund ta përdorin njohurinë për natyrën dhe fatin e tyre hyjnor për të ndikuar te zgjedhjet që bëjnë.

Sugjerime për Mësimdhënien

Ne jemi bij dhe bija të dashura shpirtërore të prindërve qiellorë.

Si pjesë e kohës shpirtërore të orës mësimore, merreni parasysh të këndoni një himn si “O Ati Im” (Himne, nr. 190) ose “Fëmi i Per’ndis’ Jam” (Himne, nr. 196).

Për të filluar orën mësimore, ju mund t’i ftoni studentët të thonë fraza nga himni i hapjes që u mësoi atyre rreth Perëndisë e rreth vetes, si dhe të tregojnë se çfarë mësuan. Ose mund t’u tregoni studentëve një fotografi të prindërve tuaj ose të dikujt tjetër që ndikoi pozitivisht te ju ndërsa rriteshit. Tregoni disa karakteristika fizike ose tipare personaliteti që ndieni se i morët prej tyre. Kërkojuni disa studentëve që të tregojnë diçka që kanë trashëguar apo mësuar nga prindërit e tyre ose dikush tjetër.

Paraqiteni në tabelë thënien vijuese nga “Familja: Një Proklamatë drejtuar Botës” (ChurchofJesusChrist.org): “Të gjitha qeniet njerëzore – meshkuj dhe femra – janë krijuar sipas shëmbëlltyrës së Perëndisë. Secili është një bir ose bijë shpirtërore e dashur e prindërve qiellorë dhe, si i tillë, secili ka një natyrë … hyjnor[e].

  • Çfarë ju bën përshtypje nga kjo thënie dhe pse? (Nëse dëshironi mund të përdorni nga pjesa 1 e materialit të përgatitjes për t’i ndihmuar studentët ta thellojnë të kuptuarit e tyre për këtë të vërtetë.)

  • Çfarë tjetër na kanë ndihmuar profetët që të dimë rreth Perëndisë dhe marrëdhënies sonë me Të dhe çfarë na mëson ai i kuptuar rreth vetes sonë? (Mund t’u jepni studentëve dy minuta për të shqyrtuar pjesën 1 të materialit të përgatitjes përpara se të japin përgjigjet e tyre për këto pyetje.)

  • Si mund të ndikojë të kuptuarit se jeni fëmijë i Perëndisë te mënyra se si e adhuroni Atë?

Përmirësimi i Mësimdhënies dhe i të Mësuarit Tonë

Mirëbesojini përgatitjes së studentëve tuaj. Gjeni mënyra për t’i nxitur studentët që ta studiojnë materialin e përgatitjes për orën mësimore përpara orës mësimore. Më pas mbështetuni te përgatitja e tyre gjatë orës mësimore. Bërja e kësaj do t’i frymëzojë studentët të marrin përgjegjësi më të madhe për të mësuarit e tyre vetjak. Gjatë kursit jepuni studentëve mundësi të tregojnë se si materiali i përgatitjes po e thellon të kuptuarit e tyre për doktrinën e familjes dhe po e përmirëson përvojën e tyre në orën mësimore.

Në varësi të numrit të personave të klasës suaj, ndajini studentët në grupe të vogla për të diskutuar përgjigjet e tyre për pyetjet vijuese (studentët patën mundësinë ndërkohë që studionin materialin e përgatitjes, që të shkruanin disa nga mendimet e tyre rreth njërës ose më shumë prej këtyre pyetjeve):

  • Si mund të ndikojë të kuptuarit e natyrës sonë hyjnore te mënyra se si e trajtojmë veten dhe të tjerët? Kur keni pasur një përvojë ku keni qenë në gjendje të shihni përtej sjelljes ose qëndrimit fyes të dikujt dhe të shihni natyrën e tyre hyjnore?

  • Cilët janë disa shembuj nga jeta e Shpëtimtarit që tregojnë se Ai e kuptonte natyrën hyjnore të të tjerëve? Në çfarë mënyrash mund ta imitoni Atë më mirë në mënyrën se si i trajtoni të tjerët?

Rishikojini së bashku ose vëreni një student të tregojë përvojën e ndërveprimit të Moisiut me Perëndinë dhe më pas me Satanin sikurse shënohet te Moisiu 1:4–6, 12–16 (shih pjesën 2 të materialit të përgatitjes).

  • Çfarë mund të mësojmë nga përvoja e Moisiut? (Mes të vërtetave të tjera, studentët mund të përcaktojnë sa vijon: Të kuptuarit e natyrës sonë hyjnore mund të na fuqizojë e të na mbrojë nga kundërshtari.)

  • Si mendoni, pse të kuptuarit e natyrës sonë hyjnore mund të na fuqizojë kundër kundërshtarit?

  • Si mund ta ndihmoni veten për të kujtuar se kush jeni, kur Satani përpiqet t’ju bindë për të kundërtën? (Mund t’i ftoni studentët të shohin te tregimi i Plakut Brajën K. Tejlor që jepet si referencë te pjesa Doni më Shumë? e materialit të përgatitjes për të gjetur një shembull.)

Paraqiteni thënien vijuese nga Presidenti Rasëll M. Nelson:

Presidenti Rasëll M. Nelson

Rekomandimi im i parë është ta mësoni vetë se kush jeni në të vërtetë. Pyeteni Atin tuaj Qiellor, në emrin e Jezu Krishtit, se si ndihet Ai rreth jush dhe misionit tuaj këtu në tokë. Nëse pyetni me qëllim të vërtetë, me kalimin e kohës, Shpirti do t’ju pëshpëritë të vërtetën që ju ndryshon jetën. Shënojini ato mbresa, rishikojini ato shpesh dhe ndiqini ato me saktësi. (“Qëndroni si Mijëvjeçaristë të Vërtetë”, Liahona, tetor 2016, f. 49)

Jepuni studentëve disa minuta për të përsiatur në heshtje dhe për të reflektuar mbi atë që Zoti do të donte që ata të bënin për ta kuptuar më tej natyrën hyjnore të tyre dhe të të tjerëve. Mund t’i nxitini ata të luten privatisht sikurse rekomandoi Presidenti Nelson dhe ta mbajnë shënim, tani dhe me kalimin e kohës, çfarëdo përshtypjeje që marrin.

Secili prej nesh ka një fat hyjnor.

Shtojini frazën vijuese të thënies nga proklamata mbi familjen që paraqitët në tabelë: “dhe destinacion [fat] hyjnor.

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë vargjet te Romakëve 8:16–17. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar atë që dha mësim Apostulli Pal rreth fatit tonë hyjnor.

  • Çfarë ju mëson ky shkrim i shenjtë rreth asaj që Ati juaj në Qiell dhe Shpëtimtari dëshirojnë për ju? (Nëse nevojitet, ndihmojini studentët ta kuptojnë se çfarë do të thotë të jemi “bashkëtrashëgimtarë të Krishtit”. Shihni pjesën 3 të materialit të përgatitjes për një shpjegim.)

Mund t’i kërkoni një studenti/eje përpara orës mësimore që të përmbledhë dhe të shprehë ndjenjat e veta rreth thënies së Presidentit Diter F. Uhtdorf në pjesën 3 të materialit të përgatitjes.

Jepuni studentëve kohë për të reflektuar mbi pyetjet vijuese dhe nxitini ata të mbajnë shënim çfarëdo përshtypjeje që marrin:

  • Si mund t’u japë trajtë zgjedhjeve që bëni sot njohuria për natyrën tuaj hyjnore dhe fatin tuaj hyjnor?

  • Si e ndryshon thënia e Presidentit Uhtdorf mënyrën se si i shihni hapat tuaj ngurrues, të ngjashëm me të foshnjave? Në çfarë mënyrash mund ta ftoni Zotin t’ju ndihmojë që të vazhdoni të ecni përpara?

Ftojini disa studentë të japin mendimet ose dëshmitë e tyre rreth asaj që mësuan në këtë mësim.

Mund ta mbyllni duke treguar ndryshimin që ka sjellë në jetën tuaj njohuria për natyrën tuaj hyjnore dhe fatin tuaj hyjnor. Nxitini studentët të gjejnë mënyra për të kujtuar se kush janë ata dhe të tjerët, si dhe t’i trajtojnë veten dhe të tjerët në përputhje me atë njohuri.

Për Herën Tjetër

Merreni parasysh t’u kërkoni studentëve të mendojnë rreth vendit që zë familja në planin e Atit Qiellor. Teksa e studiojnë planin e madhërishëm që Perëndia ka për familjet, nxitini studentët të marrin parasysh se sa qendrore është familja në vetë planet e tyre për jetën e tyre.