“Materiali i Përgatitjes për Orën Mësimore për Mësimin 19: Përgjegjësitë e Shenjta të Nënave”, Materiali i Mësuesit – Familja e Përjetshme (2022)
“Materiali i Përgatitjes për Orën Mësimore për Mësimin 19”, Materiali i Mësuesit – Familja e Përjetshme
Materiali i Përgatitjes për Orën Mësimore për Mësimin 19
Përgjegjësitë e Shenjta të Nënave
Presidenti Rasëll M. Nelson vërejti: “Do të ishte e pamundur të matej ndikimi që kanë gra[të që i mbajnë besëlidhjet] … jo vetëm mbi familjet, por gjithashtu mbi Kishën e Zotit, si bashkëshorte, nëna dhe gjyshe; si motra dhe si teto; si mësuese dhe udhëheqëse; dhe veçanërisht si shembuj dhe si mbrojtëse të devotshme të besimit” (“Një Lutje drejtuar Motrave të Mia”, Liahona, nëntor 2015, f. 95). Ndërsa e studioni këtë material, mendoni për ndikimin që kanë pasur gratë e drejta në jetën tuaj.
Pjesa 1
Si vihet në zbatim roli i mëmësisë për të gjitha gratë?
Mëmësia është e përjetshme në natyrë. Në tokë, mëmësia është lidhur me të qenit grua që nga krijimi i Evës: “Adami e quajti gruan e tij Evë, sepse ajo ishte nëna e tërë të gjallëve; sepse kështu unë, Zoti Perëndi, e kam thirrur të parën e të gjitha grave, të cilat janë shumë” (Moisiu 4:26).
Mendoni se si roli i mëmësisë gjen zbatim për të gjitha gratë ndërsa e lexoni thënien vijuese nga Motra Sheri L. Dju, ish‑këshilltare në Presidencën e Përgjithshme të Shoqatës së Ndihmës:
“Ndërkohë që ne priremi ta barazojmë mëmësinë vetëm me amësinë, në gjuhën e Zotit, fjala nënë ka shtresa kuptimi. Nga të gjitha fjalët që mund të kishin zgjedhur për të përcaktuar rolin dhe thelbin e saj, si Perëndia Ati ashtu edhe Adami e quajtën Evën “nëna e tërë të gjallëve” [Moisiu 4:26] – dhe e bënë këtë përpara se ajo të lindte ndonjëherë fëmijë. … Mëmësia është më shumë sesa lindja e fëmijëve, ndonëse është sigurisht ajo gjë. Mëmësia është thelbi i asaj se kush jemi ne si gra. Ajo përcakton vetë identitetin tonë, kalibrin dhe natyrën tonë hyjnore dhe tiparet e pashoqe që na dha Ati ynë. …
Si bija të Atit tonë Qiellor dhe si bija të Evës, ne të gjitha jemi nëna dhe kemi qenë gjithmonë nëna. (“Are We Not All Mothers?”, Ensign, nëntor 2001, f. 96, 97)
Pjesa 2
Si i ndihmon Ati Qiellor gratë që ta përmbushin përgjegjësinë e tyre të shenjtë të edukimit?
Ati ynë Qiellor i ka caktuar nënat që të jenë “kryesisht përgjegjëse për edukimin e fëmijëve të tyre” (“Familja: Një Proklamatë drejtuar Botës”, ChurchofJesusChrist.org). Presidentja Suzan W. Taner, ish‑Presidente e Përgjithshme e Të Rejave, përkufizoi se çfarë do të thotë të edukosh:
“Të edukosh, do të thotë të japësh mësim, të kujdesesh për zhvillimin, të nxisësh rritjen, të ushqesh fizikisht dhe shpirtërisht. Kush nuk do të bërtiste nga gëzimi që i është dhënë një rol i tillë kaq i bekuar?” (“Shpirti im Kënaqet pa Masë në Gjërat e Zotit”, Liahona, maj 2008, f. 82)
Ati Qiellor i ka bekuar bijat e Tij “me një aftësi të lindur për të dashur dhe edukuar”, gjë që mund t’i ndihmojë gratë ta përmbushin këtë përgjegjësi ndikuese dhe të shenjtë” (Daughters in My Kingdom: The History and Work of Relief Society [2011], f. 171).
Motra Nill F. Mariot, ish‑këshilltare në Presidencën e Përgjithshme të Të Rejave, dha mësim se Ati Qiellor do t’i ndihmojë bijat e Tij në përpjekjet e tyre për t’i edukuar të tjerët:
“Motra, të gjitha ne erdhëm në tokë me këto dhurata jetëdhënëse, ushqyese, amësie, sepse ky është plani i Perëndisë. …
Kur e pyetim veten: ‘Ç’duhet të bëjmë?’ le ta përsiatim këtë pyetje: ‘Çfarë bën vazhdimisht Shpëtimtari?’ Ai na rrit shpirtërisht. Ai krijon. Ai nxit rritjen shpirtërore dhe mirësinë. …
… Kur i kërkojmë Atit në Qiell që të na bëjë ndërtuese të mbretërisë së Tij, fuqia e Tij do të burojë mbi ne dhe ne do ta dimë se si të ushqejmë shpirtërisht, duke u bërë më në fund si prindërit tanë qiellorë.” (“Ç’duhet të Bëjmë?”, Liahona, maj 2016, f. 11, 12)
Presidenti Henri B. Ajring, i Presidencës së Parë, dha mësim për dhuratat e shtuara që Ati Qiellor u ka dhënë grave për t’i ndihmuar ato ta përmbushin thirrjen e tyre të shenjtë për të edukuar:
“Si bija të Perëndisë, ju keni një aftësi të lindur dhe të madhe për t’i kuptuar nevojat e të tjerëve dhe për t’i dashur ata. Kjo, nga ana tjetër, ju bën më të ndjeshme ndaj pëshpëritjeve të Shpirtit. Atëherë Shpirti mund ta udhëheqë atë që mendoni, atë që thoni dhe atë që bëni për t’i edukuar njerëzit në mënyrë që Zoti të mund të derdhë mbi ta njohuri, vërtetësi dhe guxim.” (Gratë dhe të Mësuarit e Ungjillit në Shtëpi”, Liahona, nëntor 2018, f. 59)
Disa gra mund të shqetësohen se nuk janë të prirura të jenë shumë edukuese. Ashtu si të gjitha dhuratat e Perëndisë, edukimi kërkon praktikë dhe ndihmë nga qielli për t’u zhvilluar dhe zbatuar siç duhet. Jezu Krishti është shembulli i përkryer i edukimit. Siç ka treguar Ai, edukimi nuk duket gjithmonë i njëjtë në çdo situatë. Ai është si i mëshirshëm edhe i vendosur teksa i ndihmon të tjerët të rriten.
Pjesa 3
Çfarë ndryshimi bëjnë nënat në planin e Atit Qiellor?
Disa gra mund të ngurrojnë për të pasur fëmijë. Ngurrimi i tyre mund të shtohet nga zërat në shoqëri që e nënvlerësojnë apo edhe tallen me rëndësinë e mëmësisë. Mendoni se si të kuptuarit e rëndësisë së nënave në planin e Atit Qiellor mund t’ju ndihmojë t’i refuzoni këto qëndrime dhe sjellje ose ato që janë të ngjashme me to.
Presidenti Nelson shpjegoi: “Ju motra, u zgjodhët përpara themelimit të botës për të lindur fëmijët e Perëndisë dhe për t’u kujdesur për ta; duke e bërë këtë, ju e përlëvdoni Perëndinë” (“What Will You Choose?”, Ensign, janar 2015, f. 31).
Plaku D. Tod Kristoferson, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dha mësim rreth mënyrës se si lindja e fëmijëve e çon përpara planin e Atit tonë Qiellor:
“Më i shenjti është roli i gruas në krijimin e jetës. Ne e dimë se trupat tanë fizikë kanë një prejardhje hyjnore [shih Moisiu 2:27] dhe se duhet të përjetojmë si një lindje fizike ashtu edhe një rilindje shpirtërore që të arrijmë kupolat më të larta në mbretërinë çelestiale të Perëndisë [shih Moisiu 6:57–60]. Kështu që, gratë luajnë një rol të nevojshëm (ndonjëherë duke vënë në rrezik jetën e tyre) në veprën dhe lavdinë e Perëndisë për “të bë[rë] të ndodhë pavdekësia dhe jeta e përjetshme e njeriut” [Moisiu 1:39]. (“Forca Morale e Grave”, Liahona, nëntor 2013, f. 30)
Në lidhje me mënyrat se si gratë bekojnë jetë në përmbushjen e rolit të tyre të amësisë, Plaku Kristoferson dha mësim:
“Në çdo rast, një nënë mund të shfaqë një ndikim të pakrahasueshëm me atë të çfarëdo personi tjetër në çfarëdo marrëdhënie tjetër. Me anë të fuqisë së shembullit dhe mësimdhënies së saj, bijtë e saj mësojnë të respektojnë të qenit grua dhe t’i mishërojnë disiplinën dhe standardet e larta morale në vetë jetën e tyre. Bijat e saj mësojnë të kultivojnë vetë virtytin e tyre dhe të luftojnë për atë që është e drejtë, pa reshtur, sado demode të jetë. Dashuria dhe pritshmëritë e larta të një nëne i bëjnë fëmijët e saj të veprojnë me përgjegjshmëri pa shfajësime, ta marrin seriozisht arsimimin e zhvillimin vetjak dhe të japin ndihmesa të vazhdueshme për mirëqenien e të gjithë njerëzve rreth tyre.” (“Forca Morale e Grave”, f. 30)
Motra Mariot dha gjithashtu mësim rreth ndikimit të fuqishëm të nënave:
“Unë besoj se ‘amësi’ do të thotë ‘të japësh jetë’. Mendoni për mënyrat e shumta nëpërmjet të cilave jepni jetë. Mund të nënkuptojë t’u jepni jetë të pashpresëve ose jetë shpirtërore skeptikut. Me ndihmën e Frymës së Shenjtë, ne mund të krijojmë një vend shërimi emocional për ata që diskriminohen, refuzohen dhe për të huajin. Në këto mënyra të brishta e prapë të fuqishme, ne ndërtojmë mbretërinë e Perëndisë.” (“Ç’duhet të Bëjmë?”, f. 11)
Ndërsa e lexoni dëshminë vijuese të dhënë nga Presidentja Xhuli B. Bek, ish‑Presidente e Përgjithshme e Shoqatës së Ndihmës, merrni parasysh ndikimin e grave që njihni, të cilat e nderojnë misionin e tyre hyjnor ndaj nënës:
“Nuk ka kufi për të mirën që gratë me një zemër nëne mund të përmbushin. Gratë e drejta kanë ndryshuar rrjedhën e historisë dhe do të vazhdojnë ta bëjnë këtë, dhe ndikimi i tyre do të përhapet dhe rritet në mënyrë tepër të shpejtë përgjatë përjetësive. Sa mirënjohëse i jam Zotit që u mirëbesoi grave misionin hyjnor të mëmësisë! (“A ‘Mother Heart’”, Liahona, maj 2004, f. 77)