Instituti
Materiali i Mësuesit për Mësimin 11: Zgjedhja e një Shoku/Shoqeje të Përjetshëm/me


“Materiali i Mësuesit për Mësimin 11: Zgjedhja e një Shoku/Shoqeje të Përjetshëm/me”, Materiali i Mësuesit – Familja e Përjetshme (2022)

“Materiali i Mësuesit për Mësimin 11”, Materiali i Mësuesit – Familja e Përjetshme

Materiali i Mësuesit për Mësimin 11

Zgjedhja e një Shoku/Shoqeje të Përjetshëm/me

Zoti dëshiron të na ndihmojë në përpjekjet tona për të gjetur një shok/shoqe të përjetshëm/me. Në këtë mësim, studentët do të shpjegojnë se si mund të ushtrojnë besim te Jezu Krishti ndërsa bëjnë përpjekje për të krijuar marrëdhënie me anëtarët e gjinisë së kundërt dhe për t’u martuar. Studentët do të ftohen gjithashtu për të përzgjedhur tipare si të Krishtit që mund të përpiqen fort t’i zhvillojnë, të cilat do t’i ndihmojnë ata të përgatiten për një martesë të përjetshme ose të jenë më të përshtatshëm për një martesë të përjetshme.

Sugjerime për Mësimdhënien

Zoti pret që ne të veprojmë me besim tek Ai ndërsa kërkojmë një shok ose shoqe të përjetshme.

Ndajeni klasën në grupe të vogla dhe caktoni një drejtues për çdo grup. Jepini çdo studenti pjesën 1 të situatës vijuese dhe pyetjet që vijojnë. Udhëzojini studentët ta lexojnë situatën së bashku me zë të lartë dhe t’i diskutojnë pyetjet. (Nëse është e mundur, mund të dëshironi t’ua dërgoni studentëve pjesën 1 ca kohë përpara orës mësimore që ata të mund të vijnë pasi ta kenë lexuar dhe të kenë menduar për të.)

Shënim: Merrni parasysh mënyra se si mund ta përshtatni situatën për ta bërë më domethënëse për rrethanat, pyetjet ose kulturën e studentëve.

Përmirësimi i Mësimdhënies dhe i të Mësuarit Tonë

Diskutimet në grupe të vogla mund t’i ndihmojnë studentët të mësojnë më thellësisht. Grupet e vogla lejojnë që në diskutim të marrin pjesë aktivisht më shumë studentë. Pasja e mundësisë për t’u shprehur në grupe të vogla mund të rrënjosë vetëbesim edhe te studentët më të mbyllur. Merreni parasysh të caktoni një drejtues grupi, duke i dhënë udhëzime të qarta për atë që pritet të bëjnë studentët, duke vendosur një kufi kohe, duke e ftuar çdo anëtar të marrë pjesë dhe duke i nxitur studentët të jenë të përgatitur për të treguar atë që kanë mësuar.

Situata, Pjesa 1

Materiali i Mësuesit – Familja e Përjetshme – Mësimi 11

Luisi ishte kthyer në shtëpi nga misioni i tij për pothuajse dy vjet. Për shkak se ai shqetësohet rreth sigurimit të të ardhurave për një familje të ardhshme, ai ka vendosur të punojë me kohë të pjesshme ndërkohë që vazhdon shkollën. Koha e tij është e kufizuar, por atij i pëlqen ora e përjavshme mësimore e institutit dhe e bën atë një përparësi. Luisi zakonisht kontrollon mediat shoqërore dhe luan lojëra në autobus ose përpara orëve mësimore. Ai nuk ka takuar shumë vajza qëkurse është kthyer në shtëpi. I thotë familjes se ndien që do të ishte më mirë të priste për ta ndjekur seriozisht martesën derisa të ketë përfunduar shkollën. Ai mendon që nëse është e thënë të martohet më shpejt, kjo do të ndodhë.

Ema ndjek të njëjtën orë mësimore të institutit si Luisi, por nuk e ka takuar kurrë atë. Ajo zakonisht ulet me shoqet e saj dhe rrallëherë i flet dikujt tjetër. Atë e vënë në siklet takimi me burrat dhe dalja në takime në përgjithësi. Ajo shqetësohet se po të fillojë një marrëdhënie tjetër, do të përfundojë, si gjithë të tjera në të shkuarën. Është e lodhur emocionalisht dhe nuk ndien se ka energji të mjaftueshme që të nisë një marrëdhënie tjetër. Ajo e mbaroi shkollën para një viti dhe ka një punë me kohë të plotë. Shqetësohet se mund të mos e takojë kurrë të dashurin e saj të vërtetë ose të vuloset në tempull dhe vret mendjen nëse duhet të takohet me dikë tjetër jashtë Kishës.

Pasi ta lexoni situatën së bashku, diskutoni për pyetjet në vijim:

  • Çfarë mendoni për shqetësimet e Luisit dhe të Emës?

  • Duke marrë parasysh atë që mësuam nga pjesa 1 e materialit të përgatitjes, çfarë këshille mund të jetë e dobishme për Luisin? Çfarë këshille mund të jetë e dobishme për Emën?

  • Nëse nuk keni folur tashmë rreth fragmenteve vijuese në diskutimin tuaj në grup, lexojini ato së bashku dhe diskutoni se si mund të lidhen ato me Luisin dhe Emën: Fjalët e Urta 3:5–6; 2 Nefi 22:2; Doktrina e Besëlidhje 58:26–28. Si e keni ushtruar ose si mund ta ushtroni besimin te Zoti në përpjekjet tuaja për të gjetur një shok ose shoqe të përjetshme?

Situata, Pjesa 1

Pamja
fletushka e mësuesit

Pasi studentët të kenë pasur kohë të mjaftueshme për të diskutuar situatën dhe pyetjet, ftojini disa prej tyre të tregojnë atë që mësuan ose ndien gjatë diskutimeve të tyre. Ndërkohë që studentët flasin, ju mund t’i ndihmoni ata të përcaktojnë të vërteta të ngjashme me sa vijon: Besimi te Jezu Krishti do të na ndihmojë të kemi guxim dhe durim në përpjekjet tona për të gjetur një shok ose shoqe të përjetshme. Perëndia pret që ne ta përdorim lirinë tonë të zgjedhjes për ta çuar përpara planin e Tij. Merreni parasysh t’i shkruani në tabelë të vërtetat që përcaktojnë studentët.

Zhvillimi i cilësive të ngjashme me të Krishtit dhe kërkimi i zbulesës do të na ndihmojnë të përgatitemi për t’u martuar.

Jepini çdo studenti pjesën 2 të situatës. Udhëzojini ata ta lexojnë atë dhe t’i diskutojnë në grupet e tyre pyetjet që vijojnë.

Situata, Pjesa 2

Materiali i Mësuesit – Familja e Përjetshme – Mësimi 11

Pas një mësimi në institut mbi martesën e përjetshme, Luisi dhe Ema të dy ndiejnë mbresën se duhej të bënin disa ndryshime dhe t’i mirëbesonin Zotit më shumë. Kur Luisi mbërrin në orën mësimore të institutit javën e ardhshme, ai ulet pranë Emës dhe prezanton veten e tij. Me kalimin e kohës, ata bëhen miq të mirë. Ata planifikojnë shumë veprimtari që u lejojnë atyre të kalojnë kohë së bashku e të mësojnë rreth njëri-tjetrit. Me kalimin e kohës, ata zhvillojnë ndjenja të forta për njëri-tjetrin.

Megjithatë, Ema ka disa shqetësime. Ajo ka një listë cilësish që dëshiron t’i ketë bashkëshorti. Luisi ka shumë prej këtyre cilësive, por jo të gjitha.

Luisi fillon të ndihet nervoz gjithashtu. Ai e do Emën, por ngaqë e ka parë se si është shpërbërë martesa e prindërve të tij, ai druhet se do të gabojë në zgjedhjen e personit me të cilën do të martohet. Ai e merr në shqyrtim me kujdes gjithçka që ka mësuar rreth Emës nga bashkëbisedimet dhe përvojat e tyre të shumta së bashku. Ai ndien se synimet e tyre përputhen dhe dëshiron që t’i kërkojë Emës të martohet me të, por ka ende kaq shumë faktorë të panjohur. Luisi lutet për një shenjë që Ema është zgjedhja e duhur. Deri tani, asgjë nuk ka ndodhur.

  • Reflektoni mbi ato që mësuat nga pjesa 2 e materialit të përgatitjes. Çfarë mund ta ndihmonte Emën në lidhje me atë që po kërkon te një bashkëshort i mundshëm? Me çfarë problemesh mund të përballemi nëse pritshmëritë për një bashkëshort/e të mundshëm/me janë tepër të ulëta ose tepër të larta?

  • Çfarë mund të jetë e dobishme për t’u kuptuar nga Luisi për gjërat që e frikësojnë atë? Çfarë mund të jetë e dobishme për t’u kuptuar prej tij rreth marrjes së zbulesës? (Nëse doni, mund të shqyrtoni pjesën 3 të materialit të përgatitjes.)

  • Çfarë veprimtarish ose përvojash mund t’i ndihmojnë dy njerëz të zhvillojnë një miqësi e të mësojnë më tepër rreth cilësive, personaliteteve dhe vlerave të njëri-tjetrit? Cilat janë një ose dy cilësi të Shpëtimtarit që ju shpresoni t’i zhvilloni në përgatitje për martesën ose ndërsa vazhdoni në martesën tuaj?

Situata, Pjesa 2

Pamja
fletushka e mësuesit

Pas një kohe të mjaftueshme, ftojini disa studentë të tregojnë atë që mësuan ose ndien në diskutimet e tyre.

(Rishikojeni çdonjërin nga materialet në pjesën 2 dhe 3 të materialit të përgatitjes prej të cilave studentët mund të përfitojnë. Ju mund të përcaktoni veçanërisht të vërtetat vijuese: Ne martohemi me potencialin, jo me përsosurinë. Nëse shpresoni që një shok ose shoqe e përjetshme të zotërojë cilësi të caktuara shpirtërore, përpiquni që t’i zhvilloni ato vetë. Nëse kërkojmë udhërrëfimin e Zotit në vendimet tona, Ai do t’i flasë paqe mendjes sonë dhe ne do ta ndiejmë kur zgjedhjet tona janë të drejta.

Nëse ka studentë të martuar në klasën tuaj, mund të ftoni një ose dy prej tyre për të treguar përvojat e veta me cilëndo nga këto të vërteta. Nëse jeni i/e martuar, merreni parasysh të tregoni edhe vetë përvojën tuaj. Dëshmoni për dëshirën e Zotit për t’i ndihmuar studentët në udhëtimin e tyre për të gjetur një shok ose shoqe të përjetshme.

Ju mund t’i pyetni studentët nëse kanë ndonjë pyetje lidhur me mësimin e sotëm. Nëse kanë, shpenzoni ca kohë duke i diskutuar pyetjet e tyre si klasë. Pastaj jepuni studentëve pak minuta në fund të orës mësimore për të mbajtur shënim çfarëdo përshtypjesh që mund të kenë ndier rreth situatave të tyre vetjake. Ftojini ata të përcaktojnë se si mund të vazhdojnë ta ushtrojnë besimin e tyre te Zoti në përpjekjet e tyre për të dalë në takime ose se çfarë mund të nevojitet të bëjnë për të ushtruar më tepër besim tek Ai.

Për Herën Tjetër

Ftojini studentët të përgatiten për orën tjetër mësimore duke studiuar materialin e përgatitjes dhe duke e pyetur një çift lumturisht të martuar se si e kultivojnë martesën e tyre dhe si e mbajnë të fortë marrëdhënien e tyre.

Shtyp në Letër