Instituti
Materiali i Mësuesit për Mësimin 24: Trajtimi i Shëndetit Mendor me Shpresë e Dhembshuri


“Materiali i Mësuesit për Mësimin 24: Trajtimi i Shëndetit Mendor me Shpresë e Dhembshuri”, Materiali i Mësuesit – Familja e Përjetshme (2022)

“Materiali i Mësuesit për Mësimin 24”, Materiali i Mësuesit – Familja e Përjetshme

Materiali i Mësuesit për Mësimin 24

Trajtimi i Shëndetit Mendor me Shpresë e Dhembshuri

Sfidat e shëndetit mendor mund të jenë një pjesë e rëndësishme e përvojës sonë në vdekshmëri. Në këtë mësim, studentët do të kenë mundësinë të përcaktojnë se si mund ta përmirësojnë shëndetin e tyre mendor dhe emocional. Studentët gjithashtu mund të marrin parasysh se si mund t’u përgjigjen me dhembshuri më të madhe pjesëtarëve të familjes dhe të tjerëve që mund të përjetojnë sfida të shëndetit mendor ose në rrethana që përfshijnë vetëvrasjen.

Sugjerime për Mësimdhënien

Ne bekojmë vetveten dhe familjet tona kur përpiqemi ta ruajmë e ta përmirësojmë shëndetin tonë mendor.

Paraqitini fragmentet vijuese të shkrimeve të shenjta: Jobit 6:1–3; 1 Nefi 18:17–18; Alma 26:26–27. Ftojini studentët ta lexojnë në heshtje njërin nga këto fragmente dhe të kërkojnë sfidat e mirëqenies mendore ose emocionale të individëve. Kërkojuni studentëve të tregojnë atë që gjejnë. Ndërsa tregojnë, ju mund të dëshironi t’i renditni përgjigjet e tyre në tabelë.

  • Çfarë lloje të tjera sfidash dhe rrethanash mund të ndikojnë negativisht në mirëqenien tonë mendore ose emocionale? (Renditini përgjigjet e studentëve në tabelë.)

  • Përse mund të jetë e dobishme të dini se përballja me sfidat ndaj shëndetit tonë mendor dhe emocional mund të jetë një pjesë e zakonshme e përvojës sonë në vdekshmëri?

Kujtojuni studentëve se Jezu Krishti ishte një “njeri i dhembjeve, njohës i vuajtjes” (Isaia 53:3). Ftojini studentët të tregojnë përvoja që i pati Shpëtimtari të cilat ilustrojnë plotësimin e profecisë së Isaias.

Paraqitini referencat vijuese të shkrimeve të shenjta: Mateu 14:22–23; Marku 1:35; 6:31, 46; Lluka 5:16. Ftojini studentët të lexojnë në heshtje njërin ose më shumë nga këto fragmente dhe të kërkojnë mësimet që mund t’i mësojmë nga veprimet e Zotit. Kërkojuni të tregojnë atë që gjejnë dhe ndihmojini të dallojnë të vërtetën vijuese: Ne ndjekim shembullin e Jezu Krishtit teksa gjejmë kohë për të pushuar, për të qëndruar pa lëvizur dhe për t’u lutur.

  • Përse është e rëndësishme që të kujdeseni aktivisht për shëndetin tuaj mendor dhe emocional? (Merreni parasysh leximin e thënies nga Presidenti M. Rasëll Ballard në pjesën 1 të materialit të përgatitjes.)

Jepuni studentëve disa minuta që të mendojnë dhe të shënojnë për një mënyrë se si mund ta forcojnë shëndetin e tyre mendor ose emocional dhe të krijojnë një plan të thjeshtë për ta bërë këtë gjë. Merreni parasysh t’i drejtoni studentët për ide te pyetjet në pjesën 1 të materialit të përgatitjes.

Ne mund të përgjigjemi me dashuri e dhembshuri si të Krishtit ndaj individëve që përjetojnë sfida të shëndetit mendor.

Paraqitini dhe lexojini tregimet vijuese për individë që kanë përjetuar sfida të shëndetit mendor, siç u treguan nga Motra Reina I. Aburto. Ose, nëse e parapëlqeni, shfaqni pjesën e parë të materialit filmik “Si një Vazo e Thyer” (kodi kohor 0:00–3:16 (ChurchofJesusChrist.org). Ftojini studentët të reflektojnë mbi mënyrën se si ndihen teksa i dëgjojnë këto tregime.

11:36
Motra Reina I. Aburto

“Ime bijë njëherë shkroi: ‘Kisha një periudhë … [kur] isha tej mase e trishtuar gjatë gjithë kohës. Mendoja gjithmonë që trishtimi ishte si diçka e turpshme dhe kjo ishte një shenjë dobësie. Kështu që e mbajta trishtimin për vete. … U ndjeva tërësisht pa vlerë’” [Blogu [faqja vetjake e internetit] i Hermana Elena Aburtos, hermanaelenaaburto.blogspot.com/2015/08].

“Një mikeshë e përshkroi në këtë mënyrë: ‘Që në fëmijërinë time të hershme, jam përballur me një betejë të vazhdueshme ndjenjash si humbja e shpresës, errësira, vetmia e frika dhe ndjenjën se jam e rrënuar dhe e dobët mendërisht. Bëra gjithçka për ta fshehur dhembjen time dhe të mos bija asnjëherë në sy, por të [dukesha] si e gjallëruar dhe e fortë’ [letërkëmbim vetjak].” (“N’Qoft Shi a Diell, Zot, me Mua Rri!”, Liahona, nëntor 2019, f. 57)

  • Çfarë mendimesh dhe ndjenjash patët kur i dëgjuat këto tregime?

Sigurojini çdo studenti një kopje të fletushkës shoqëruese ose paraqitini pyetjet që t’i shohin të gjithë. Ftojini studentët t’i lexojnë dhe përsiatin pyetjet vetë. Pas një kohe të mjaftueshme ndajini studentët në grupe të vogla dhe kërkojuni studentëve të shprehin mendimet e tyre rreth një ose dy pyetjeve që kanë lidhje me ta.

Sfidat e Shëndetit Mendor

Materiali i Mësuesit – Familja e Përjetshme – Mësimi 24

  • Si mund të bekohen individët që përjetojnë sfida të shëndetit mendor duke i pranuar ato dhe duke folur për to? Pse mund të jetë e rëndësishme për këta individë që të kërkojnë ndihmë nga një udhëheqës i Kishës ose një profesionist i përshtatshëm mjekësor?

  • Nëse një pjesëtar i familjes ose një mik ju tregon se ai ose ajo po përjeton një sfidë të shëndetit mendor, cila mund të jetë gjëja më e rëndësishme (ose gjërat më të rëndësishme) që mund të thoni ose bëni? (Merreni parasysh ta shqyrtoni së bashku thënien nga Motra Reina I. Aburto në pjesën 2 të materialit të përgatitjes.) Cilat janë disa gjëra që nuk do të ishin të dobishme t’i thoshit ose bënit? Kur e keni parë dikë të përgjigjet në një mënyrë si Krishti ndaj një sfide të shëndetit mendor të një personi tjetër?

  • Mendoni për atë që kupton Jezu Krishti rreth sfidave tona të shëndetit mendor. (Mund të doni të lexoni vargjet tek Alma 7:11–12.) Si mund të kërkoni ndihmën e tij nëse vuani nga një sfidë e shëndetit mendor apo nëse po përkrahni dikë që vuan nga një sfidë e tillë?

Sfidat e Shëndetit Mendor

fletushka e mësuesit

Pas një kohe të mjaftueshme, ftojini disa studentë të tregojnë atë që mësuan në grupin e tyre.

Ne mund të ndihmojmë për ta parandaluar vetëvrasjen ose për t’i ndihmuar ata që kanë humbur një njeri të dashur për shkak të vetëvrasjes.

Kujtojuni studentëve se sfidat e rënda të shëndetit mendor mund të jenë faktorët e rrezikut për vetëvrasje. Ftojini studentët të shqyrtojnë vargjet te Mosia 18:8–9 dhe të tregojnë për mënyrën se si mësimet në këtë fragment mund të na udhërrëfejnë që të ndihmojmë njerëzit që po përballen me mendime për vetëvrasje. (Teksa studentët flasin, ata mund të përcaktojnë një të vërtetë të ngjashme me sa vijon: Si dishepuj të Jezu Krishtit, ne thirremi që të mbajmë barrët e njëri‑tjetrit dhe të vajtojmë me ata që vajtojnë.)

  • Në çfarë mënyrash e keni parë këtë parim në veprim? Çfarë veprimesh të tjera të veçanta mund të ndërmerrni si dishepull i Jezu Krishtit që të ndihmoni për ta parandaluar vetëvrasjen? (Mund të doni të shfaqni materialin filmik “Preventing Suicide” [“Parandalimi i Vetëvrasjes”] [1:43], duke shfaqur Motrën Karol F. Mek‑Konki, që përmendet në pjesën 3 të materialit të përgatitjes.)

    1:43
  • Si mund t’i ndihmojnë Ati Qiellor dhe Jezu Krishti ata që po ndeshen me mendime për vetëvrasje? Si mund t’i ndihmojnë Ata individët që kanë humbur një njeri të dashur për shkak të vetëvrasjes?

Jepuni studentëve disa minuta që të shënojnë atë që mund të bëjnë për t’u përgjigjur me dashuri e dhembshuri si të Krishtit ndaj sfidës së shëndetit mendor të dikujt tjetër ose në rrethana që përfshijnë vetëvrasjen.

Për Herën Tjetër

Merreni parasysh të bëni pyetjet vijuese në fund të orës mësimore ose në një mesazh gjatë javës. Nxitini studentët të studiojnë materialin e përgatitjes për orën e ardhshme mësimore me këto pyetje në mendje.

  1. Në çfarë mënyrash mund të ndikojë pendimi te mirëqenia e familjes suaj?

  2. Si mund të merrni ndihmë për ta falur një pjesëtar të familjes që ju ka fyer ose lënduar?