Instituti
Materiali i Mësuesit për Mësimin 14: Trajtimi i Problemit të Përdorimit të Pornografisë


“Materiali i Mësuesit për Mësimin 14: Trajtimi i Problemit të Përdorimit të Pornografisë”, Materiali i Mësuesit – Familja e Përjetshme (2022)

“Materiali i Mësuesit për Mësimin 14”, Materiali i Mësuesit – Familja e Përjetshme

Materiali i Mësuesit për Mësimin 14

Trajtimi i Problemit të Përdorimit të Pornografisë

Ati Qiellor dhe Jezu Krishti mund të na ndihmojnë të mbrohemi nga ndikimi depërtues i pornografisë. Në këtë mësim, studentët do të ftohen për të përcaktuar se çfarë mund të bëjnë për ta marrë atë ndihmë hyjnore. Studentët do të marrin parasysh gjithashtu se si mund ta kërkojnë fuqinë e Zotit për t’u shëruar nga efektet e përdorimit të pornografisë.

Sugjerime për Mësimdhënien

Të kuptuarit e identitetit dhe qëllimit tonë hyjnor na ndihmon t’i bëjmë qëndresë pornografisë.

Përmirësimi i Mësimdhënies dhe i të Mësuarit Tonë

Mbani një ton pozitiv dhe shpresëdhënës në mësim. Toni në të cilin ju dhe studentët tuaj i diskutoni mësimet e ungjillit, mund të ndikojë te qëndrimet dhe përvoja e të mësuarit e studentëve të tjerë. Është e rëndësishme t’i diskutoni tema të tilla si pornografia në një mënyrë që e pranon seriozitetin e saj pa i bërë të ndiejnë turp. Toni i mësimit mund t’i ndihmojë ata, jeta e të cilëve është prekur negativisht nga pornografia, që të ndiejnë shpresë në fuqinë shëruese të Jezu Krishtit.

Paraqiteni thënien dhe pyetjen vijuese dhe ftojini studentët të përgjigjen:

Përdorimi i pornografisë po rritet. Çfarë arsyesh japin disa njerëz për të justifikuar përdorimin e pornografisë?

(Studentët mund të sugjerojnë disa nga ato që vijojnë: Më është bërë zakon; nuk e ndërpres dot; nuk lëndon askënd tjetër; është diçka e natyrshme; është thjesht argëtim; disa studime sugjerojnë se është e dobishme për zhvillimin seksual dhe për marrëdhëniet intime.)

  • Çfarë ka dhënë mësim Zoti lidhur me qëndresën ndaj pornografisë? (Nëse doni, mund t’i referoni studentët te mësimet në pjesën 1 të materialit të përgatitjes.) Si pjesë e diskutimit, mund ta ftoni një student të lexojë me zë të lartë te Mateu 5:28 ose Doktrina e Besëlidhje 63:16.)

  • Çfarë efektesh të dëmshme mund të ketë pornografia tek ata që e përdorin atë dhe te familjet e tyre?

Paraqiteni thënien vijuese nga Plaku Ted R. Kelister ndërkohë që shërbente në Presidencën e Të Shtatëdhjetëve:

Pamja
Plaku Ted R. Kelister

“Në një seancë trajnimi të kohëve të fundit për Autoritetet e Përgjithshme, u bë pyetja: ‘Si mund t’i ndihmojmë ata që po luftojnë me pornografinë?’

Plaku Rasëll M. Nelson u ngrit në këmbë dhe u përgjigj: ‘Mësojuni atyre identitetin dhe qëllimin e tyre’. (“Our Identity and Our Destiny” [takim shpirtëror nga Java e Edukimit në universitetin “Brigam Jang”, 14 gusht 2012], speeches.byu.edu.)

Shkruajeni në tabelë të vërtetën vijuese: Të kuptuarit e identitetit dhe qëllimit tonë hyjnor mund të na ndihmojë t’i bëjmë qëndresë përdorimit të pornografisë.

  • Si mund të na ndihmojnë të kuptuarit e identitetit tonë hyjnor dhe të të tjerëve për t’i bërë qëndresë përdorimit të pornografisë? Çfarë mund të bëjmë për ta kuptuar më mirë identitetin dhe qëllimin tonë?

  • Çfarë parimesh, praktikash ose burimesh të tjera ju kanë ndihmuar ta mbroni veten nga pornografia? (Si pjesë e këtij diskutimi, merreni parasysh t’i ftoni studentët të përdorin atë që mësuan te pjesa 2 e materialit të përgatitjes.)

Jezu Krishti mund t’i shërojë individët nga efektet e pornografisë.

Nëse është e mundur, paraqiteni figurën e gruas me problemin e gjakut që i afrohet Shpëtimtarit, e cila gjendet te pjesa 3 e materialit të përgatitjes. Ftojeni një student që ta ritregojë përvojën e kësaj gruaje sikurse shënohet te Lluka 8:43–48.

  • Po të ishit në situatën e kësaj gruaje, si do të ndiheshit pas viteve tuaja të shumta të vështirësisë?

  • Çfarë mund të mësojnë nga shembulli i kësaj gruaje ata që po përpiqen të shërohen nga efektet e pornografisë? (Studentët mund të përcaktojnë një parim të ngjashëm me sa vijon: Teksa plot zell shkojmë drejt Zotit me besim, Ai mund të na ndihmojë të shërohemi nga efektet e përdorimit të pornografisë.)

  • Pse është thelbësore të shkojmë drejt Jezu Krishtit në përpjekjet tona për ta mposhtur përdorimin e pornografisë ose lëndimin e shkaktuar nga përdorimi i pornografisë prej dikujt tjetër?

Merreni parasysh ta ftoni një student të lexojë me zë të lartë thënien nga Presidenti Rasëll M. Nelson që gjendet në pjesën 3 të materialit të përgatitjes.

  • Çfarë ndryshimi sjell kur një person është i gatshëm të bëjë çfarëdo gjëje që është e nevojshme për t’u shëruar nga Zoti?

Mund të shpjegoni se ne mund të kërkojmë me durim t’i ndihmojmë të tjerët që po përballen me efektet e pornografisë dhe ta shohim udhëtimin e tyre në mënyra sikurse do ta shihte Krishti. Lexojeni thënien e mëposhtme nga Presidenti Dallin H. Ouks, i Presidencës së Parë:

Pamja
Presidenti Dallin H. Ouks

“Tani një fjalë lidhur me mënyrën si i trajtojmë ata që kanë rënë në kurthin e pornografisë. Të gjithë ne kemi nevojë për Shlyerjen e Jezu Krishtit. Ata që luftojnë me pornografinë, kanë nevojë për dhembshurinë dhe dashurinë tonë ndërsa zbatojnë parimet dhe hapat e shërimit. Ju lutemi mos i ndëshkoni ata. Ata nuk janë të ligj apo pa shpresë. Ata janë bij dhe bija të Atit tonë Qiellor. Nëpërmjet pendimit të duhur dhe të plotë, ata mund të bëhen të pastër, të dëlirë dhe të denjë për çdo besëlidhje dhe bekim të tempullit të premtuar nga Perëndia.” (“Shpëtimi nga Kurthi i Pornografisë”, Ensign, tetor 2015, f. 37.)

Organizojini studentët në grupe të vogla. Përzgjidhni një drejtues për secilin grup dhe jepini çdo drejtuesi një kopje të fletushkës vijuese. Udhëzojini studentët t’i ndjekin udhëzimet në fletushkë.

Ndihma ndaj Dikujt që të Shërohet nga Efektet e Pornografisë

Materiali i Mësuesit – Familja e Përjetshme – Mësimi 14

Shqyrtojini së bashku situatat vijuese dhe përzgjidhni njërën për ta diskutuar:

  1. Një mik/e të rrëfen se sapo pa pornografi për herë të parë.

  2. I dashuri i një shoqeje i tha asaj mbrëmë se po lufton me përdorimin e pornografisë.

  3. Një shoqe sheh pornografi rregullisht dhe është përpjekur të heqë dorë vetë shumë herë, por nuk ia ka dalë mbanë pavarësisht se ndien që ka bërë pothuajse gjithçka që mundet që të heqë dorë.

  4. Një shoqe të tregon se bashkëshorti i saj lufton me pornografinë dhe ajo nuk di se si ta ndihmojë. Kjo po e dëmton martesën e tyre dhe ajo ndihet e shkatërruar.

Diskutojini pyetjet vijuese:

  • Përfytyroni se ky person vjen te ju për ndihmë. Duke e përdorur atë që mësuat nga studimi i materialit të përgatitjes dhe pjesa “Doni më Shumë?”, çfarë këshille do t’i jepnit këtij personi?

  • Si mundet ky person të ketë mundësi të përdorë ndihmën e Zotit në këtë rrethanë?

Ndihma ndaj Dikujt që të Shërohet nga Efektet e Pornografisë

Pamja
fletushka e mësuesit

Pas një kohe të mjaftueshme, ftoni një ose dy studentë të tregojnë atë që mësuan ose ndien gjatë diskutimit të tyre në grup.

Merreni parasysh t’u jepni studentëve pak kohë që të reflektojnë mbi përgjigjet e tyre për njërën nga pyetjet vijuese:

  • Çfarë mund të bëj unë që të arrij të marr fuqinë e Zotit për mbrojtje nga pornografia dhe që të marr ndihmën e Tij për t’u shëruar nga efektet e saj?

  • Si mund ta ndihmoj me dashuri dikë që po has vështirësi nga efektet e pornografisë?

Mbylleni mësimin duke i siguruar studentët për vërtetësinë e parimeve të përcaktuara në mësim.

Për Herën Tjetër

Mund t’u tregoni studentëve veprimtarinë e diskutimit në fund të pjesës 1 të materialit të përgatitjes për mësimin e ardhshëm dhe nxitini ata të fillojnë të mendojnë se me kë mund të flasin për këtë veprimtari.

Shtyp në Letër