Instituti
Materiali i Mësuesit për Mësimin 13: Dhurata Hyjnore dhe Përgjegjësia e Shenjtë për Intimitetin Seksual


“Materiali i Mësuesit për Mësimin 13: Dhurata Hyjnore dhe Përgjegjësia e Shenjtë për Intimitetin Seksual”, Materiali i Mësuesit – Familja e Përjetshme (2022)

“Materiali i Mësuesit për Mësimin 13”, Materiali i Mësuesit – Familja e Përjetshme

Materiali i Mësuesit për Mësimin 13

Dhurata Hyjnore dhe Përgjegjësia e Shenjtë për Intimitetin Seksual

Intimiteti seksual midis bashkëshortit e bashkëshortes është një dhuratë nga Perëndia, i shuguruar që të jetë një pjesë e bukur dhe e shenjtë e martesës. Në këtë mësim, studentët do të thellojnë të kuptuarit për të vërtetat e përjetshme që i përkasin kësaj dhurate hyjnore. Studentët do të vlerësojnë gjithashtu kufijtë ose caqet që kanë vendosur ose duhet të vendosin për t’i ndihmuar që të jetojnë ligjin e dëlirësisë.

Shënim: Për shkak të natyrës delikate të kësaj teme, ju lutemi, jepeni mësim doktrinën qartë, por me ndjeshmëri dhe kujdes. Mund t’ju nevojitet t’i përshtatni metodat e mësimdhënies ose situatat e përdorura në mësim që t’i shkojnë për shtat kulturës suaj.

Sugjerime për Mësimdhënien

Përmirësimi i Mësimdhënies dhe i të Mësuarit Tonë

Kultivoni një ndjesi për të shenjtën. Mënyra se si një mësues e trajton ose e strukturon një temë mund t’i ndihmojë studentët të ndiejnë natyrën e shenjtë të saj. Plaku Pol B. Pajper, i Të Shtatëdhjetëve, dha mësim: “Përmes kategorizimit të diçkaje si të shenjtë, Zoti tregon se ajo është me vlerë dhe përparësi më të madhe sesa gjërat e tjera” (“Ta Mbajmë të Shenjtë”, Liahona, maj 2012 f. 109). Ndërsa diskutoni për intimitetin seksual, përsiatni se si mund të kultivoni një diskutim të çiltër e të sinqertë ndërkohë që i ndihmoni studentët gjithashtu ta ndiejnë dhe kuptojnë natyrën e shenjtë të kësaj teme.

Intimiteti seksual midis bashkëshortit e bashkëshortes synohet që të jetë i bukur dhe i shenjtë.

Paraqiteni situatën vijuese:

Miqtë tuaj nuk mund ta kuptojnë pse mendoni se seksi përpara martesës është i gabuar. Një ditë, një mik/e ju thotë: “Çfarë ka të gabuar te seksi me dikë që e dashuron? Nëse që të dy janë dakord, si mund të jetë problem kjo? A nuk mendon se po humbet një pjesë të rëndësishme dhe zbavitëse të jetës duke pritur të kesh marrëdhënie seksuale derisa të martohesh?”

Ftojini studentët të shqyrtojnë pjesët 1 dhe 2 të materialit të përgatitjes, duke kërkuar të vërteta të cilat mund t’i ndihmojnë që t’i përgjigjen situatës nga këndvështrimi i ungjillit. Ftojini disa studentë që t’i shkruajnë të vërtetat që gjejnë në tabelë. Të vërteta të mundshme mund të përfshijnë: Perëndia ka urdhëruar që intimiteti seksual duhet të shprehet vetëm mes një burri e një gruaje që janë të martuar ligjërisht. Intimiteti seksual në martesë ka për qëllim të shprehë dashuri, të krijojë jetë dhe ta forcojë lidhjen dhe unitetin. Intimiteti seksual është simbol i një zotimi të plotë dhe i një bashkimi tërësor në martesë. Trupi ynë fizik është një pjesë thelbësore e qenies sonë dhe mënyra se si e përdorim atë, ndikon në shpirtin dhe përparimin tonë të përjetshëm.

Nuk do të keni kohë t’i eksploroni të gjitha këto të vërteta në thellësi, ndaj përqendrohuni te të vërtetat që studentët kanë më tepër interes të diskutojnë. Disa nga pyetjet vijuese mund të ndihmojnë për ta thelluar të mësuarit e studentëve:

  • Sipas vargjeve te Zanafilla 2:18, 21–24, çfarë mësuan Adami dhe Eva rreth natyrës së dashurisë martesore? Si mund të bekohen një bashkëshort dhe një bashkëshorte duke e parë intimitetin seksual si një simbol të shkrirjes “[s]ë zemrave, shpresës, jetës, dashurisë, familjes, të ardhmes së tyre, të çdo gjëje”? (Jeffrey R. Holland, “Personal Purity”, Ensign, nëntor 1998, f. 76). (Merreni parasysh t’i ftoni studentët të shqyrtojnë thënien nga Plaku Xhefri R. Holland në pjesën 1 të materialit të përgatitjes. Si pjesë e diskutimit, ndihmojini studentët ta kuptojnë se ndërsa bashkëshortët e kultivojnë intimitetin e tyre intelektual, emocional dhe shpirtëror, intimiteti i tyre seksual do të jetë më kuptimplotë.)

  • Pse është çorientuese ta shohësh intimitetin seksual si një përvojë thjesht fizike që ka për qëllim të japë kënaqësi fizike? Si mund t’i dëmtojë emocionalisht dhe shpirtërisht intimiteti seksual jashtë martesës ata që përfshihen në të? (Mund të jetë e dobishme t’i ftoni studentët të shqyrtojnë thënien nga Plaku Holland në pjesën 2 të materialit të përgatitjes.)

  • Si mund të ndikojë një dëshmi për Jezu Krishtin dhe Shlyerjen e Tij dhe për qëllimet hyjnore të trupit fizik te mënyra se si i drejtohemi intimitetit seksual? (Merreni parasysh ta ftoni një student të lexojë te 1 Korintasve 6:19–20 me zë të lartë përpara se ta bëni këtë pyetje.)

  • Si mund t’i prapësojë të kuptuarit e këtyre të vërtetave të renditura në tabelë qëndrimet negative ose të menduarin e bazuar te frika rreth intimitetit seksual?

Me ndihmën e Zotit ne mund ta shtojmë pastërtinë tonë vetjake dhe ta jetojmë gëzueshëm ligjin e dëlirësisë.

Ftojini studentët të përfytyrojnë se janë prindërit e një djali ose vajze që është 13-vjeç. Ata ndiejnë se është koha e duhur për të bërë një bisedë tjetër me fëmijën e tyre rreth ligjit të dëlirësisë. Jepuni studentëve pak minuta për të folur në grupe të vogla për mënyrën se si do t’ia mësonin ose ripohonin ligjin e dëlirësisë fëmijës së tyre 13-vjeçar. Paralajmërojini studentët që të mos përdorin gjuhë ose metafora që mund të rrënjosin turp, frikë ose pështjellim. Pas një kohe të mjaftueshme, pyeteni klasën:

  • Si do të jepnit mësim në një mënyrë që mund ta ndihmojë një adoleshent të ketë ndjenja pozitive rreth dhuratës hyjnore të intimitetit seksual dhe ligjit të dëlirësisë?

  • Cilat janë disa mësime që keni marrë ndërsa rriteshit, të cilat ju kanë ndihmuar ta shihnit intimitetin seksual si diçka që është një pjesë e bukur dhe e duhur e martesës?

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë tek Alma 38:12. Nxitini studentët ta marrim parasysh shenjimin e mësimeve të Almës që pasqyrojnë parimin vijues: Nëse i frenojmë pasionet tona, ne mund të mbushemi me dashuri.

Paraqiteni kreun dhe pyetjet vijuese. (Nëse e parapëlqeni, mund të shtypni në letër kopje të tyre dhe t’i shpërndani ato.) Ftojini studentët të punojnë në po të njëjtat grupe të vogla dhe të zgjedhin dy ose tri pyetje që e ndiejnë se kanë domethënie për ta dhe t’i diskutojnë ato.

Vendosja e Kufijve dhe Kërkimi i Ndihmës Hyjnore për të Jetuar Ligjin e Dëlirësisë

Materiali i Mësuesit – Familja e Përjetshme – Mësimi 13

  • Cilat janë disa nga sfidat më të mëdha për të jetuar ligjin e dëlirësisë? Si mund t’i kapërcejmë këto sfida?

  • Si ju kanë ndihmuar ushtrimi i besimit te Jezu Krishti dhe kërkimi i hirit të Tij për ta mbajtur ligjin e dëlirësisë? (Merreni parasysh të shqyrtoni vargjet te 1 Korintasve 10:13; Alma 13:28; Doktrina e Besëlidhje 62:1.)

  • Përse është e rëndësishme t’i vendosni kufijtë tuaj përpara martesës dhe gjatë martesës kur vjen fjala për mbajtjen e ligjit të dëlirësisë? Si mund të bekohet një çift që del në takime nga zhvillimi i një diskutimi rreth caqeve të tyre për ngrohtësi fizike? (Ju mund të doni të shqyrtoni thënien e Plakut Nil L. Andersen në pjesën 3 të materialit të përgatitjes.)

  • Qoftë nëse jeni beqar/e ose i/e martuar, cilat strategji, praktika dhe caqe keni zbuluar që janë më të dobishme për mbajtjen e ligjit të dëlirësisë?

  • Si e nderojmë Atin Qiellor dhe Jezu Krishtin me anë të mbajtjes së ligjit të dëlirësisë?

Vendosja e Kufijve dhe Kërkimi i Ndihmës Hyjnore për të Jetuar Ligjin e Dëlirësisë

fletushka e mësuesit

Për ta mbyllur orën mësimore, ftojini studentët të tregojnë se si të kuptuarit e intimitetit seksual dhe ligjit të dëlirësisë nga ana e tyre është forcuar nga materiali i përgatitjes dhe diskutimi në orën mësimore.

Ftojini studentët ta rishikojnë atë që shkruan në përgjigje të nxitjes “Shënojini Mendimet Tuaja” në pjesën 3 të materialit të përgatitjes dhe të shtojnë çfarëdo ideje shtesë që kanë pasur ose përshtypjeje që kanë marrë. Mund t’i ftoni ata gjithashtu të mendojnë rreth mënyrës se si Shpëtimtari e ka bërë të mundur që ne ta mposhtim tundimin dhe mëkatin seksual e të kemi marrëdhënie të shëndetshme.

Jepni dëshminë tuaj rreth të vërtetave të dhëna mësim sot dhe nxitini studentët të kërkojnë ndihmë hyjnore teksa përpiqen ta jetojnë ligjin e dëlirësisë.

Për Herën Tjetër

Vërjuani në dukje studentëve që njëri nga kërcënimet më të rrezikshme ndaj pastërtisë sonë vetjake është pornografia. Ftojini studentët ta studiojnë me kujdes materialin e përgatitjes për mësimin e ardhshëm, duke kërkuar mënyrën se si mund ta shmangin këtë kërcënim dhe t’i ndihmojnë të tjerët ta shmangin atë.