Instituti
Materiali i Mësuesit për Mësimin 15: Urdhërimi për t’u Shumuar dhe për të Mbushur Tokën


“Materiali i Mësuesit për Mësimin 15: Urdhërimi për t’u Shumuar dhe për të Mbushur Tokën”, Materiali i Mësuesit – Familja e Përjetshme (2022)

“Materiali i Mësuesit për Mësimin 15”, Materiali i Mësuesit – Familja e Përjetshme

Materiali i Mësuesit për Mësimin 15

Urdhërimi për t’u Shumuar dhe për të Mbushur Tokën

Profetët kanë deklaruar se urdhërimi i Atit Qiellor për t’u shumuar dhe për të mbushur tokën mbetet në fuqi sot. Në këtë mësim, studentët do të diskutojnë për rëndësinë dhe gëzimin e pasjes së fëmijëve. Ata do të diskutojnë gjithashtu se si të marrin vendime të bazuara te besimi rreth kohës kur të kenë fëmijë dhe sa fëmijë të kenë. Studentët do të kenë mundësinë të vlerësojnë besimin e tyre te Perëndia dhe përputhjen e tyre me vullnetin e Tij lidhur me këtë urdhërim.

Shënim: Përpara orës së mësimit, merreni parasysh t’i ftoni studentët të dorëzojnë pyetjet që kanë në lidhje me temën e këtij mësimi nëpërmjet mesazheve në celular, postës elektronike, një ankete në internet apo një metode tjetër. Përdorini pyetjet e studentëve dhe udhërrëfimin e Shpirtit për të përcaktuar se ku të përqendroheni më shumë në këtë mësim. Merrini parasysh mënyrat se si mund t’i përfshini pyetjet e studentëve në përvojën e tyre mësimore. Për shembull, ju mund të jeni në gjendje t’i zëvendësoni disa prej pyetjeve të përdorura në diskutimin në grup (shih fletushkën më poshtë) me pyetje të ngjashme të dorëzuara nga studentët tuaj.

Sugjerime për Mësimdhënien

Urdhërimi i Perëndisë për t’u shumuar dhe për të mbushur tokën mbetet në fuqi.

Merrni parasysh të shfaqni një fotografi të një foshnjëje. Kërkojuni studentëve të thonë një fjalë që dikush mund ta përdorë për të përshkruar se çfarë ndiejnë njerëzit për foshnjat dhe renditini në tabelë fjalët që studentët i përmendin. (Ose, për ta shtuar sfidën, merrni parasysh t’i ftoni studentët të shkruajnë sa më shumë fjalë përshkruese në 30 sekonda që munden dhe më pas kërkojuni disa studentëve t’ia tregojnë listat e tyre klasës.) Ftojini disa studentë të tregojnë mendimet pas fjalëve që përmendin.

  • Çfarë përparësish vendosin disa çifte të martuara përpara se të kenë fëmijë? (Nëse nevojitet, merrni parasysh ta ftoni një student/e të lexojë me zë të lartë thënien e parë nga Plaku Nil L. Andersen te pjesa 1 e materialit të përgatitjes.)

Lexoni së bashku te Zanafilla 1:27–28 dhe ftojini studentët të marrin parasysh që të shenjojnë urdhërimin e parë që Ati Qiellor i dha Adamit dhe Evës. Më pas lexoni së bashku paragrafin e katërt të dokumentit “Familja: Një Proklamatë drejtuar Botës” (ChurchofJesusChrist.org) dhe vini re se si gjen zbatim sot ky urdhërim i parë.

  • Si do t’i shpjegonit qëllimet që përmbushen në planin e Atit Qiellor nga bashkëshortët dhe bashkëshortet që kanë fëmijë? (Nëse nevojitet, ftojini studentët të shqyrtojnë thënien e dytë nga Plaku Andersen dhe thënien nga Presidenti M. Rasëll Ballard në pjesën 1 të materialit të përgatitjes. Si pjesë e diskutimit, theksoni të vërtetën në vijim: Kur një bashkëshort dhe një bashkëshorte sjellin një fëmijë në botë, ata po përmbushin pjesë të planit të Atit Qiellor për lumturinë.)

Ju mund t’u kujtoni studentëve për diskutimin të cilin ata u ftuan ta bëjnë me dikë që ka fëmijë (shih pjesën 1 të materialit të përgatitjes). Ftojini disa studentë të tregojnë atë që mësuan. (Nëse dëshironi, mund të viheni në kontakt me një ose dy studentë pak ditë përpara orës mësimore për t’i ftuar ata të vijnë të përgatitur për t’i treguar klasës mendimet e tyre.)

Organizojini studentët në grupe të vogla dhe caktoni një udhëheqës për secilin grup. Jepini secilit grup një kopje të fletushkës vijuese dhe ftojini studentët të ndjekin udhëzimet në fletushkë.

Marrja e Vendimeve të Bazuara në Besim për të Pasur Fëmijë

Materiali i Mësuesit – Familja e Përjetshme – Mësimi 15

Lexojini shqetësimet në vijim që janë shprehur nga disa të rinj në moshë madhore:

  1. Në shtatzëninë tonë të fundit, kam përjetuar disa probleme mjekësore që mund të ndodhin përsëri me një shtatzëni tjetër. Kështu që unë dhe bashkëshorti im vendosëm të mos kishim më fëmijë. Ndihem fajtore sepse kemi vetëm dy fëmijë, por të gjithë vëllezërit e motrat e mia kanë familje më të mëdha.

  2. Unë dhe bashkëshortja ime planifikojmë që përfundimisht të kemi fëmijë, por duam të udhëtojmë dhe të kemi disa përvoja të tjera përpara se ta bëjmë këtë. A është në rregull të presim?

  3. Unë dhe bashkëshorti im duam të fillojmë të kemi fëmijë. Thjesht nuk e dimë a jemi gati. Nuk ndihemi të qëndrueshëm financiarisht tani. Si do ta dimë se kur është koha e duhur?

Përzgjidhni një nga këto shqetësime për t’u përqendruar si grup dhe diskutoni pyetjet që vijojnë:

  • Në çfarë mënyrash është i vlefshëm ky shqetësim?

  • Si mund ta përdorni atë që mësuat nga pjesa 2 e materialit të përgatitjes për ta ndihmuar dikë për këtë shqetësim?

  • Çfarë rrëfimesh të tjera nga shkrimet e shenjta ose mësime nga udhëheqës të Kishës mund ta ndihmojnë dikë për këtë shqetësim në përpjekjet e veta për të shkuar përpara me besim te Perëndia?

Marrja e Vendimeve të Bazuara në Besim për të Pasur Fëmijë

fletushka e mësuesit

Pas një kohe të mjaftueshme, ftojini një ose dy studentë të tregojnë atë që mësuan nga diskutimi i tyre në grup. Nëse studentët nuk e përmendin atë, kujtojuni atyre këshillën e dhënë tek Alma 37:37 dhe paraqitni parimin në vijim: Ndërsa bashkëshortët dhe bashkëshortet këshillohen me Zotin dhe ushtrojnë besim tek Ai, Ai do t’i udhëheqë ata në vendimet e tyre për të pasur fëmijë.

Merrni parasysh t’i ftoni studentët të bëjnë pyetje që kanë rreth urdhërimit për të pasur fëmijë. (Ju mund të keni mbledhur disa nga pyetjet e studentëve përpara orës së mësimit që mund t’i theksoni dhe diskutoni këtu.) Ju gjithashtu mund të zgjidhni cilëndo nga pyetjet në vijim që mendoni se do t’i ndihmonin studentët tuaj ta thellojnë të kuptuarit e tyre për këtë temë dhe t’i diskutojnë ato si klasë:

  • Përse është e rëndësishme që bashkëshortët dhe bashkëshortet të këshillohen me Atin Qiellor lidhur me kohën se kur të kenë fëmijë dhe sa fëmijë të kenë?

  • Në çfarë mënyrash i keni parë njerëz që i njihni të ecin përpara me besim kur zbuluan se nuk mund të kishin fëmijë (ose të kishin aq fëmijë sa dëshironin)?

  • Pse është e rëndësishme të mos i gjykojmë të tjerët në vendimet e tyre lidhur me kohën kur të kenë fëmijë dhe sa fëmijë të kenë?

Ju mund t’i paraqitni pyetjet vijuese dhe t’u jepni studentëve kohë për të shënuar mendimet e tyre rreth një ose dy pyetjeve që ata i kanë zgjedhur:

  • Cilat janë bindjet dhe ndjenjat e mia vetjake rreth pasjes së fëmijëve?

  • Çfarë ndryshimesh, nëse ka, mund të më nevojitet të bëj për ta përputhur vullnetin tim më plotësisht me këndvështrimin e Zotit lidhur me pasjen e fëmijëve?

  • Si mund ta mbroj rëndësinë e pasjes së fëmijëve?

  • Si mund ta rrit mirëbesimin tim se Zoti do të më përkrahë mua dhe bashkëshortin/en tim/e në përmbushjen e urdhërimit për të pasur fëmijë në pajtim me vullnetin e Tij?

Merreni parasysh të ftoni disa studentë që ndihen rehat për ta bërë këtë, që të tregojnë atë që kanë shënuar.

Zoti e ka pohuar shenjtërinë e jetës.

Ftojeni një student të lexojë më zë të lartë thënien nga proklamata e familjes në fillim të pjesës 3 të materialit të përgatitjes.

  • Çfarë na mëson kjo thënie rreth Atit tonë Qiellor dhe asaj që Ai dëshiron për fëmijët e Tij? (Ju mund t’i nxitni studentët të marrin parasysh se si njohja e këtyre të vërtetave ndikon te dëshirat e tyre për vetë fëmijët e tyre.)

Kujtojuni studentëve se kjo thënie nga proklamata e familjes kundërshton disa praktika të pranuara gjerësisht sot, të tilla si aborti.

  • Si mund ta përdorni atë që dini rreth planit të Perëndisë për të shpjeguar pse “aborti me dëshirë, për voli vetjake ose shoqërore” është në kundërshtim me vullnetin e Perëndisë? (Manuali i Përgjithshëm: Shërbimi në Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, 38.6.1, ChurchofJesusChrist.org.)

Ftojini studentët të marrin parasysh se çfarë mund të bëjnë për të nxitur dhe mbrojtur shenjtërinë e jetës njerëzore.

Si rishikim dhe dëshmi shtesë e asaj për të cilën diskutuan studentët në këtë mësim, merrni parasysh të shfaqni materialin filmik “Having Children in Faith [Bërja e Fëmijëve në Besim]” (02:25).

2:25

Mund të përfundoni duke dhënë dëshminë tuaj për të vërtetat që studentët përcaktuan në këtë mësim.

Për Herën Tjetër

Kërkojuni studentëve të përsiatin pyetjen vijuese: Cilat mësime të Jezu Krishtit ju kanë sjellë më shumë gëzim në jetën tuaj deri tani?

Nxitini studentët të studiojnë materialin e përgatitjes për orën e ardhshme mësimore me këtë pyetje në mendje.