Instituti
Hyrje për Manualin e Mësuesit – Familja e Përjetshme (Feja 200)


“Hyrje për Materialin e Mësuesit – Familja e Përjetshme (Feja 200)”, Materiali i Mësuesit – Familja e Përjetshme (2022)

“Hyrje”, Manuali i Mësuesit – Familja e Përjetshme

Hyrje për Manualin e Mësuesit – Familja e Përjetshme (Feja 200)

Mirë se vini në kursin Familja e Përjetshme! Faleminderit që e pranuat mundësinë për t’i ndihmuar të rinjtë në moshë madhore që të vijnë te Jezu Krishti nëpërmjet një studimi të doktrinës së familjes në planin e Atit Qiellor. Ky program mësimor është hartuar për t’ju ndihmuar që të ushqeni për studentët tuaj përvoja të qendërzuara te Krishti dhe të përqendruara te nxënësi të cilat do t’i çojnë drejt kthimit më të thellë në besimin te Shpëtimtari.

Cilat janë rezultatet që synon ky kurs?

Synimi i Seminareve dhe Instituteve të Fesë thotë:

“Qëllimi ynë është të ndihmojmë rininë dhe të rinjtë në moshë madhore që t’i kuptojnë dhe të mbështeten te mësimet dhe Shlyerja e Jezu Krishtit, të kualifikohen për bekimet e tempullit, si dhe të përgatiten vetë, të përgatisin familjet e tyre dhe të tjerët për jetën e përjetshme me Atin e tyre në Qiell”. (Mësimdhënia dhe të Nxënit e Ungjillit: Një Manual për Mësuesit dhe Udhëheqësit në Seminaret dhe Institutet e Fesë [2012], f. 1)

Në përmbushje të Synimit të Seminareve dhe Instituteve të Fesë, ky kurs hartohet që t’i ndihmojë studentët

  • të shpjegojnë rolin qendror të familjes në planin e Atit Qiellor për shpëtimin,

  • të analizojnë pyetjet dhe çështjet e lidhura me familjen me një këndvështrim të përjetshëm,

  • të veprojnë me besim te Jezu Krishti kur trajtojnë sfidat vetjake dhe familjare, si dhe trysnitë shoqërore,

  • t’i zbatojnë mësimet e Jezu Krishtit në përpjekjet e tyre për të bërë e mbajtur besëlidhje të shenjta dhe për t’i forcuar marrëdhëniet familjare, dhe

  • ta rritin aftësinë e tyre për të përmbushur përgjegjësitë e shenjta në jetën familjare dhe për t’u bërë më shumë si Ati Qiellor dhe Jezu Krishti.

Si strukturohet ky manual?

Përmbajtja e këtij manuali hartohet që t’i ndihmojë studentët të kenë përvoja domethënëse, lartësuese si jashtë ashtu edhe brenda klasës. Secili mësim përbëhet nga materiali i përgatitjes për orën mësimore dhe materiali i mësuesit. Këto materiale hartohen për t’i ndihmuar studentët që plot mendim të përgatiten, të përfshihen në mësim më të thellë dhe të veprojnë në mënyra që i ndihmojnë të bëhen më shumë si Ati Qiellor dhe Jezu Krishti.

Plaku Kim B. Klark, më parë i Të Shtatëdhjetëve, dha mësim për atë që duhet të mësojë më thellësisht një student (dhe mësues):

Plaku Kim B. Klark

“Nëse dëshironi vërtet të mësoni thellësisht, nëse zemra juaj dhe mendja juaj janë të hapura ndaj të mësuarit dhe nëse veproni sipas asaj dëshire, Zoti do t’ju bekojë. Kur e bëni pjesën tuaj – luteni me besim, përgatiteni, studioni, përfshiheni aktivisht dhe bëni më të mirën që mundeni – Fryma e Shenjtë do t’ju japë mësim, do ta lartësojë aftësinë tuaj për të vepruar sipas asaj që mësoni, dhe do t’ju ndihmojë të bëheni çfarë Zoti do që ju të bëheni.” (“Learning for the Whole Soul”, Ensign, gusht 2017, f. 27)

Materiali i Përgatitjes për Orën Mësimore

Materiali i përgatitjes për orën mësimore ka për qëllim të studiohet si nga ju, mësuesi, ashtu edhe studentët tuaj në përgatitje për orën mësimore. Ai përfshin mësime nga shkrimet e shenjta dhe udhëheqësit e Kishës, si dhe një pjesë “Doni më Shumë?” e cila siguron burime shtesë që lidhen me temën e mësimit.

Materiali i përgatitjes së klasës përmban gjithashtu pyetje dhe veprimtari që i ndihmojnë studentët ta thellojnë të mësuarit e tyre dhe të përgatiten më mirë për të marrë pjesë në orën mësimore. Për shembull, te materiali i përgatitjes për orën mësimore për mësimin 10, “Besëlidhja e Re dhe e Përjetshme e Martesës”, studentëve u jepet mundësia për të studiuar mësimet nga shkrimet e shenjta dhe udhëheqësit e Kishës rreth besëlidhjes së martesë së përjetshme dhe ordinancës së vulosjes. Studentët ftohen më pas të bëjnë veprimtarinë vijuese:

grafik diskutimi

Materiali i Mësuesit

Çdo mësim është hartuar për një orë mësimore 50‑minutëshe. Për klasat që mblidhen një herë në javë për 90 minuta ose më shumë, ju nxiteni të ndërthurni dy mësime.

Në hyrjen e materialit të mësuesit për çdo mësim, ju do të gjeni një përshkrim të rezultateve të synuara për mësimin. Kjo hyrje pasohet nga ide të sugjeruara mësimdhënieje që sigurojnë strukturë, përmbajtje, ndihma për diskutim dhe ide për zbatimin e mësimit.

Ndërsa e studioni materialin e mësuesit, kushtojini vëmendje mënyrës se si ai mbështetet te përgatitja e studentëve. Udhëzimi që vijon nga mësimi 10 është një shembull:

grafik i udhëzimit për mësimdhënien

Duke u mbështetur vazhdimisht në përgatitjen e studentëve, ju do t’i ndihmoni të ndiejnë rëndësinë e përgatitjes për çdo orë mësimore dhe do t’i ndihmoni të mësojnë më thellësisht.

ikonë, përsiatni

Përsiatni në Përgatitje për të Dhënë Mësim Këtë Kurs

Në mënyrë të ngjashme me atë që ju dhe studentët tuaj do të bëni përpara orës mësimore, përdorni ca kohë për të përsiatur teksa përgatiteni për të dhënë mësim në këtë kurs. Së pari, hidhuni një sy një apo dy mësimeve për t’u njohur me materialin e përgatitjes për orën mësimore dhe materialin e mësuesit. Vini re se si këto materiale hartohen që të përdoren së bashku teksa përgatiteni për të dhënë mësim. Më pas përsiatni pyetjet në vijim: Cilat janë disa nga mënyrat se si mund t’i nxit studentët që ta studiojnë materialin e përgatitjes për secilin mësim? Çfarë mund të bëj për t’i përfshirë në orën mësimore studentët që mund të mos e kenë studiuar materialin e përgatitjes?

Shënim: Kur studentët përgatiten për diskutimet si klasë, ju do të zbuloni se në orën mësimore mund të kaloni më shpejt në diskutime të thella e domethënëse të doktrinës dhe parimeve që lidhen me familjen e përjetshme. Kjo duhet t’ju lejojë më shumë kohë në orën mësimore për të eksploruar se si ju dhe studentët tuaj mund t’i vini në jetë të vërtetat që i kanë përcaktuar te mësimet.

Si mund të përgatitem me efektshmëri për të dhënë mësim?

Ati Qiellor do t’ju ndihmojë ndërsa përgatiteni dhe u jepni mësim fëmijëve të Tij. Përpjekjet tuaja për t’i studiuar plot zell shkrimet e shenjta dhe për ta jetuar me zell ungjillin, do t’ju ndihmojnë që të kualifikoheni për udhërrëfimin e Shpirtit gjatë përgatitjes suaj për të dhënë mësim.

Teksa i studioni materialin e përgatitjes për orën mësimore dhe materialin e mësuesit për secilin mësim, lutuni për ndihmën e Zotit që të kuptoni nevojat e studentëve tuaj. Plaku Xhefri R. Holland, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dha mësim:

Plaku Xhefri R. Holland

“Jini të hapur – jini veçanërisht të hapur ndaj Shpirtit. Lini pak hapësirë manovrimi në planin tuaj mësimor. Nëse ju nevojitet ta shkurtoni një mësim në mënyrë që të jepni dëshminë tuaj dhe të stimuloni diskutim mbi një çështje të kohës, ju lutemi, bëjeni kur Shpirti ju nxit dhe jua dikton se është me vend. …

… Mbani mend se një student nuk është enë që duhet mbushur; një student është zjarr që duhet ndezur.” (“Engjëj dhe Habi” [fjalim i mbajtur në transmetimin e trajnimit të Sistemit Arsimor të Kishës, 12 qershor 2019], broadcasts.ChurchofJesusChrist.org)

Veçanërisht nëse po ndërthurni dy mësime për një orë mësimore, merrni parasysh nevojat e studentëve tuaj dhe kërkoni udhëzim nga Shpirti. Bërja e këtyre gjërave mund t’ju ndihmojë të përcaktoni se cilat pjesë të materialit të mësuesit të përdorni siç janë shkruar dhe cilat pjesë t’i përshtatni për të siguruar përvoja më domethënëse të të mësuarit për studentët tuaj. Kjo mund të përfshijë përcaktimin se cilat pjesë të materialit të mësimit të theksohen dhe cilat të përmblidhen.

Mund t’ju duket e dobishme t’i bëni vetes disa nga pyetjet vijuese si pjesë e përgatitjes suaj për të zhvilluar secilin mësim:

  • A jam lutur për të marrë udhërrëfim nga Fryma e Shenjtë dhe për t’i kuptuar nevojat e studentëve të mi? Si mund ta përcaktoj se çfarë përmbajtje e mësimit është më domethënëse për ta? Si mund ta përçoj dashurinë time për ta?

  • A ndihem i/e bazuar mjaftueshëm te materiali i përgatitjes për orën mësimore, përfshirë shkrimet e shenjta, dhe në materialin e mësuesit? A ka ndonjë gjë që kam nevojë ta përshtat për t’i përmbushur nevojat e studentëve të mi?

  • Si mund t’i ndihmoj studentët e mi të përqendrohen te Shpëtimtari dhe të mësojnë nga Fryma e Shenjtë në këtë mësim?

  • Si mund ta ftoj të mësuarit e zellshëm dhe t’i ndihmoj studentët që të përfshihen plotësisht në mësim? Si mund të sigurohem se kanë hapësirën që iu nevojitet për të bërë plane vetjake që ta vënë në jetë atë që po mësojnë?

  • Si mund të krijoj një mjedis të të mësuarit ku studentët të ndiejnë një ndjesi përkatësie? Si mund t’i ndihmoj të ndihen të vlerësuar, të pranuar dhe të sigurt për t’i treguar njëri-tjetrit dhe për të mësuar nga njëri-tjetri? (Shih Doktrina e Besëlidhje 88:78, 122.)

Si mund t’i përshtat mësimet për njerëzit me aftësi të kufizuar?

Ndërsa përgatiteni që të jepni mësim, jini të vëmendshëm ndaj studentëve që kanë nevoja të veçanta. Përshtatini veprimtaritë dhe pritshmëritë që t’i përfshini dhe ndihmoni për t’ia dalë mbanë. Për më shumë informacion, drejtojuni burimeve në faqen Aftësitë e Kufizuara te disabilities.ChurchofJesusChrist.org.

Si marrin studentët kredite për këtë kurs?

Për të marrë kredite për diplomimin nga instituti, studentëve u kërkohet:

  • ta studiojnë materialin e përgatitjes për të paktën 75 përqind të mësimeve,

  • të marrin pjesë në 75 përqind të orëve mësimore që zhvillohen, dhe

  • të plotësojnë njërën nga katër përvojat e të mësuarit:

    1. Të mbajnë një ditar studimi.

    2. Të shënojnë përgjigjet e të gjitha pyetjeve dhe veprimtarive në materialin e përgatitjes (vini re që studentët nuk kanë nevojë t’jua dorëzojnë përgjigjet ose ditarët e tyre të studimit; në fund të semestrit, ata thjesht nevojitet t’ju tregojnë se çfarë plotësuan).

    3. Të shkruajnë përgjigjet e tri pyetjeve të esesë.

    4. Të hartojnë dhe përfundojnë një projekt të tyren ku ata të mësojnë diçka (me miratimin e mësuesit) që lidhet me përmbajtjen e kursit. (Gjeni më shumë hollësi te faqja “Ngrijeni Përvojën e të Mësuarit për Institutin” te ChurchofJesusChrist.org.

ikonë, shënoni

Shënojini Mendimet Tuaja

Merreni parasysh llojin e përvojës që shpresoni se do të kenë studentët tuaj në këtë kurs. Renditini disa nga mendimet ose përshtypjet tuaja rreth mënyrës se si planifikoni t’i ndihmoni që të kenë një përvojë domethënëse të të mësuarit.