“Materiali i Përgatitjes së Orës Mësimore për Mësimin 2: Roli i Profetëve në Shpalljen e Doktrinës së Familjes së Përjetshme”, Materiali i Mësuesit – Familja e Përjetshme (2022)
“Materiali i Përgatitjes së Orës Mësimore për Mësimin 2”, Materiali i Mësuesit – Familja e Përjetshme
Materiali i Përgatitjes së Orës Mësimore për Mësimin 2
Roli i Profetëve në Shpalljen e Doktrinës së Familjes së Përjetshme
Ne jemi të bekuar që jetojmë në një kohë kur Zoti ka thirrur përsëri profetë të gjallë që të na udhërrëfejnë dhe mbrojnë. Si ju kanë ndihmuar profetët e Zotit për ta kuptuar doktrinën e familjes së përjetshme? Teksa e studioni këtë mësim, merreni parasysh se si mund të fitoni një dëshmi më të madhe për profetët e gjallë dhe të mbështeteni më plotësisht te fjalët e tyre në jetën tuaj.
Pjesa 1
Si tregohet dashuria e Perëndisë në këshillën e profetëve?
Kur Zoti e thirri Ezekielin për të qenë profet, Ai e krahasoi rolin e ri të Ezekielit me atë të një roje. Në kohët e lashta, rojat qëndronin mbi mure ose në kulla për të ndihmuar që të mbroheshin qytetet, vreshtat ose fushat (shih “Watchmen on the Tower”, Ensign, prill 2016, f. 28). Pamja e tyre nga lart i mundësonte të shihnin gjërat që të tjerët nuk mund t’i shihnin dhe të jepnin paralajmërime në kohën e duhur për rreziqet që po afroheshin.
Profetët na ndihmojnë t’i shohim gjërat nga këndvështrimi i përjetshëm i Perëndisë. Ai i bekon ata si shikues me një dhuratë hyjnore të të parit të gjërave shpirtërore. Ata janë në gjendje të “di[n]ë për gjërat që janë të shkuara dhe gjithashtu për gjërat që do të ndodhin” (Mosia 8:17; shih edhe vargjet 15–16). Zoti i ka vendosur ata që të na mbrojnë nga rreziku shpirtëror dhe fizik.
Presidenti Rasëll M. Nelson dha mësim sa vijon rreth shtysës dhe përgjegjësisë së rojave të Zotit:
Secili nga apostujt e Zotit është në një pozicion për të vëzhguar dhe ndier dashurinë që Ati Qiellor ka për fëmijët e Tij, veçanërisht për ata që po mundohen. …
Nganjëherë ne si udhëheqës të Kishës kritikohemi ngaqë qëndrojmë të palëkundur ndaj ligjeve të Perëndisë, duke mbrojtur doktrinën e Shpëtimtarit dhe duke u bërë qëndresë trysnive shoqërore të kohës sonë. Por porosia jonë si apostuj të shuguruar është “të shk[ojmë] në gjithë botën për t’i[a] predikuar ungjillin [e Tij] çdo krijese” [Doktrina e Besëlidhje 18:28]. Kjo do të thotë që ne urdhërohemi të japim mësim të vërtetën.
Prej bërjes së kësaj, nganjëherë na akuzojnë se jemi të pandjeshëm kur i japim mësim kërkesat e Atit për ekzaltim në mbretërinë çelestiale. Por a nuk do të ishte shumë më e pandjeshme që të mos thoshim të vërtetën – të mos e jepnim mësim atë që Perëndia ka zbuluar?
Është pikërisht sepse interesohemi thellësisht rreth të gjithë fëmijëve të Perëndisë, që e shpallim të vërtetën e Tij. Ne mund të mos u themi njerëzve gjithnjë atë që duan të dëgjojnë. Profetët rrallëherë admirohen në masë. Por ne gjithmonë do të japim mësim të vërtetën! (“The Love and Laws of God” [takim shpirtëror në Universitetin “Brigam Jang”, më 17 shtator 2019], f. 3, speeches.byu.edu)
Pjesa 2
Në ç’mënyrë proklamata mbi familjen është provë për faktin që profetët e Zotit veprojnë si roja sot?
Më 23 shtator 1995, në një mbledhje të përgjithshme të Shoqatës së Ndihmës, Presidenti Gordon B. Hinkli paraqiti dokumentin “Familja: Një Proklamatë drejtuar Botës”. Përpara se ta bënte këtë, ai shpjegoi pse Presidenca e Parë dhe Kuorumi i Dymbëdhjetë Apostujve ndien nevojën për ta shpallur këtë proklamatë:
Me kaq shumë përgënjeshtrime që paraqiten si të vërteta, me kaq shumë mashtrime lidhur me standardet dhe vlerat, me kaq shumë joshje dhe tërheqje për të marrë ndotjen e ngadaltë të botës, ne ndiem që të lajmërojmë dhe paralajmërojmë. Në mbështetje të kësaj, ne të Presidencës së Parë dhe të Këshillit të Dymbëdhjetë Apostujve tani i shpallim një proklamatë Kishës dhe botës si një deklarim dhe ripohim të standardeve, doktrinave dhe praktikave që lidhen me familjen, të cilat profetët, shikuesit dhe zbuluesit e kësaj Kishe i kanë përsëritur vazhdimisht gjatë gjithë historisë së saj. (“Stand Strong against the Wiles of the World”, Ensign, nëntor 1995, f. 100)
Fragmenti në vijim, i shkëputur nga biografia e Presidentit Nelson, përshkruan çfarë Zoti i mundësoi Apostujt e Tij të shihnin, gjë që çoi në krijimin e proklamatës mbi familjen:
Një ditë, në vitin 1994, Kuorumi i Dymbëdhjetë Apostujve kaloi një ditë të tërë në dhomën e tyre të këshillit në Tempullin e Solt‑Lejkut duke diskutuar për çështje rreth familjes. Ata morën në shqyrtim çdo gjë, duke filluar nga natyra gjithnjë në rritje, e kudogjendur e pornografisë deri te legjislacioni i mundshëm, i llojeve të ndryshme kundër familjes. Ky nuk ishte një diskutim i ri, por atë ditë i gjithë programi u rrotullua rreth kësaj teme të vetme jetike.
Të Dymbëdhjetët rishikuan si doktrinën, ashtu edhe rregulloret, duke marrë në shqyrtim ato gjëra që nuk mund të ndryshoheshin – doktrinën – dhe ato gjëra që ndoshta mund të ndryshoheshin – rregulloret. Ata diskutuan për çështje që i shihnin se do të ndodhnin, duke përfshirë një shtytje të fortë shoqërore për martesat homoseksuale dhe të drejtat e transgjinorëve. “Por ai nuk ishte fundi i asaj që pamë” – shpjegoi Plaku Nelson. “Ne mund të shihnim përpjekjet e komuniteteve të ndryshme për t’i hequr të gjitha standardet dhe kufizimet në aktivitetin seksual. Ne pamë pështjellimin e gjinive. Ne mund t’i shihnim të gjitha që do të ndodhnin.”
Ky diskutim i zgjeruar, së bashku me diskutime të tjera për një periudhë kohe, çuan në përfundimin se Të Dymbëdhjetët duhej të përgatitnin një dokument, ndoshta madje një proklamatë, duke përvijuar qëndrimin e Kishës mbi familjen për t’ia paraqitur Presidencës së Parë për shqyrtim. (Sheri Dew, Insights from a Prophet’s Life: Russell M. Nelson [2019], f. 208)
Pjesa 3
Si mund t’i pranoj dhe t’u përgjigjem me besnikëri fjalëve të profetëve të Zotit?
Në vendlindjen e Tij, në Nazaret, Shpëtimtarin nuk e pranuan kur shpalli se Ai ishte Mesia i premtuar. Në përgjigje të dyshimeve të shumta, Shpëtimtari pohoi: “Asnjë profet nuk mirëpritet në atdheun e vet” (Lluka 4:24).
Po ashtu, në kohën tonë disa njerëz zgjedhin të mos i pranojnë profetët e Zotit. Nganjëherë, edhe juve mund t’ju duket e vështirë t’i kuptoni ose zbatoni këshillat dhe mësimet e profetëve modernë.
Ditën që u organizua Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, Profeti Jozef Smith mori një zbulesë nga Zoti që përmbante një urdhërim dhe premtime për anëtarët e Kishës së Tij.
Mendoni rreth asaj që do të thotë t’i pranoni fjalët e Zotit nëpërmjet profetëve “plot durim e besim” (vargu 5). Merrni gjithashtu parasysh bekimet e premtuara nëse e bëjmë këtë. Shkrimet e shenjta përmbajnë tregime të panumërta njerëzish që zgjedhin të ushtrojnë durim e besim në fjalët e profetëve. Përzgjidhni një ose më shumë nga fragmentet vijuese të shkrimeve të shenjta që t’i studioni:
-
1 Nefi 2:11–16 (Nefi që largohet nga Jerusalemi teksa drejtohet nga profeti Lehi)
-
1 Mbretërve 17:8–24 (E veja e Sareptës që i përgjigjet një kërkese nga profeti Elia gjatë një zie buke)
-
2 Mbretërve 5:9–14 (Naamani, siriani, që kërkon të shërohet prej lebrës nga profeti Elise)
Ndërkohë që shërbente si këshilltare në Presidencën e Përgjithshme të Të Rejave, Motra Karol F. Mek‑Konki vuri në dukje:
Sipas standardeve të botës, ndjekja e profetit mund të jetë e papëlqyer, e pasaktë politikisht apo e papranueshme shoqërisht. Por ndjekja e profetit është gjithmonë e drejtë. (“Jetoni sipas Fjalëve të Profetëve”, Liahona, nëntor 2014, f. 78).
Ne mund të kemi vetëbesim në ndjekjen e profetëve të Zotit.