“Materiali i Mësuesit për Mësimin 17: Bashkëpjesëmarrja e Barabartë në Martesë”, Materiali i Mësuesit – Familja e Përjetshme (2022)
“Materiali i Mësuesit për Mësimin 17”, Materiali i Mësuesit – Familja e Përjetshme
Materiali i Mësuesit për Mësimin 17
Bashkëpjesëmarrja e Barabartë në Martesë
Që nga koha e Adamit dhe Evës, Zoti ka pasur si qëllim që bashkëshortët dhe bashkëshortet të jenë bashkëpjesëmarrës të barabartë në martesë. Profetët e gjallë e kanë ripohuar këtë parim në kohën tonë. Në këtë mësim, studentët do të kenë mundësinë që të shpjegojnë mësime të ungjillit rreth bashkëpjesëmarrjes së barabartë në martesë dhe kryesimit në familje. Gjithashtu studentët do të ftohen të përcaktojnë atë që mund të bëjnë tani për të pasur bashkëpjesëmarrje të barabartë në martesë.
Sugjerime për Mësimdhënien
Bashkëshortët dhe bashkëshortet janë paracaktuar të jenë bashkëpjesëmarrës të barabartë në martesë.
Merrni parasysh ta filloni mësimin duke u paraqitur ose duke shpërndarë kopje të thënies vijuese nga Presidentja Xhin B. Bingham, Presidente e Përgjithshme e Shoqatës së Ndihmës. Vërini studentët të lexojnë thënien, duke kërkuar mënyrën se si përpiqet kundërshtari që t’i shkatërrojë martesat dhe familjet.
“Luciferi e di që, po qe se mund ta dëmtojë unitetin që ndiejnë burrat e gratë, po qe se ai mund të na pështjellojë rreth vlerës sonë hyjnore dhe përgjegjësive të besëlidhjeve tona, ai do të arrijë t’i shkatërrojë familjet, të cilat janë njësitë themelore të përjetësisë.
Satani e stimulon përdorimin e krahasimit si një mjet për të krijuar ndjenja të të qenit më lart ose më poshtë, duke e fshehur të vërtetën e përjetshme se dallimet që nga lindja të burrave dhe grave janë dhënë nga Perëndia dhe vlerësohen njëlloj nga Ai. … Synimi i tij ka qenë të inkurajojë një luftë për pushtet në vend që të kremtohet për kontributet e pashoqe të burrave dhe grave që e plotësojnë njëri‑tjetrin dhe kontribuojnë në unitet.” (“Të Bashkuar në Përmbushjen e Punës së Perëndisë”, Liahona, maj 2020, f. 60–61)
-
Çfarë sfidash mund të vijnë në një martesë nëse bashkëshorti dhe bashkëshortja ndiejnë epërsi ndaj tjetrit?
Shqyrtojini me studentët vargjet te Moisiu 3:18, 21–23 dhe bëni pyetjen:
-
Çfarë mund të mësojmë nga mënyra se si e përshkroi Zoti krijimin fizik të Evës, siç shënohet në këtë rrëfim? (Nëse nevojitet, drejtojini studentët te shpjegimet e udhëheqësve të Kishës për këtë fragment të shkrimeve të shenjta në pjesën 1 të materialit të përgatitjes.) Ndihmojini studentët të përcaktojnë një të vërtetë si ajo që vijon: Brenda martesës, Ati Qiellor synon që një bashkëshort dhe një bashkëshorte ta ndihmojnë njëri‑tjetrin si bashkëpjesëmarrës të barabartë.)
Për t’i ndihmuar studentët që ta kuptojnë më tej këtë të vërtetë, merreni parasysh të paraqitni disa sende që e kryejnë diçka kur bashkohen në dyshe. Sende të tilla mund të përfshijnë dy anët e një gërshëre, një pirun dhe një thikë, një vegël muzikore që kërkon dy pjesë përbërëse për t’u luajtur (si për shembull një violinë), një palë këpucë ose dorashka, një dyshe kufjesh për në veshë ose për telefona, e kështu me radhë. Ftojini studentët të përfytyrojnë se çfarë do të ndodhte nëse do të përdornin vetëm një pjesë të dyshes për ta kryer detyrën e tyre.
-
Në ç’mënyrë janë këto sende si një bashkëshort e bashkëshorte të cilët po punojnë së bashku?
-
Çfarë bekimesh mund të vijnë në një martesë nëse bashkëshorti dhe bashkëshortja e shohin dhe e përkrahin njëri‑tjetrin si bashkëpjesëmarrës të barabartë?
Kujtojini studentët se ata lexuan në materialin e përgatitjes se Zoti u ka caktuar përgjegjësi të pashoqe bashkëshortëve dhe bashkëshorteve në familje, të cilat janë “të barabarta në vlerë dhe rëndësi” (Kuentin L. Kuk, “Dashuri të Madhe për Fëmijët e Atit Tonë”, Liahona, maj 2019, f. 79). Në mënyrë të ngjashme, profetët kanë dhënë mësim: “Në këto përgjegjësi të shenjta, etërit dhe nënat kanë detyrim të ndihmojnë njëri-tjetrin si partnerë të barabartë” (“Familja: Një Proklamatë drejtuar Botës”, ChurchofJesusChrist.org).
Mund të përmendni se disa prej këtyre përgjegjësive do të diskutohen në mësimet e ardhshme. Për ta filluar diskutimin e një shembulli, paraqitni të vërtetën vijuese: “Nëpërmjet planit hyjnor, etërit duhet të kryesojnë familjet e tyre me dashuri e drejtësi” (“Familja: Një Proklamatë drejtuar Botës”).
-
Si do ta shpjegonit se çfarë do të thotë të kryesosh me dashuri e drejtësi? Çfarë mendoni se mund të mësojmë rreth kryesimit nga shembulli i Shpëtimtari? (Nëse nevojitet, rishikojeni me studentët thënien nga Manuali i Përgjithshëm dhe thënien nga Presidenti Ezra Taft Benson në pjesën 2 të materialit të përgatitjes.)
Kujtojuni studentëve se Doktrina e Besëlidhje 121:41–43 përcakton disa tipare si të Krishtit që mund të lidhen me kryesimin me drejtësi në familje. Kërkojuni studentëve ta shqyrtojnë këtë fragment dhe atë që shkruan në përgjigje të veprimtarisë “Shënojini Mendimet Tuaja” në pjesën 2 të materialit të përgatitjes. Ftojini disa studentë që t’ia tregojnë klasës atë që shkruan. Më pas, merreni parasysh bërjen e pyetjes vijuese:
-
Çfarë shembujsh të bashkëpjesëmarrjes së barabartë dhe kryesimit të drejtë në familje keni parë ose për çfarë shembujsh keni dëgjuar?
Bashkëshortët dhe bashkëshortet duhet të këshillohen së bashku për marrjen e vendimeve për familjet e tyre.
Skenari vijues është krijuar që t’i ndihmojë studentët të analizojnë të kuptuarit e tyre lidhur me bashkëpjesëmarrjen e barabartë në martesë dhe kryesimin në familje. (Merreni parasysh se si mund ta përshtatni këtë situatë në mënyrën e duhur, që të pasqyrojë më shumë kulturën tuaj ose të plotësojë ndonjë nevojë të posaçme që mund ta kenë studentët tuaj.)
Duke punuar si klasë ose në grupe të vogla, shqyrtoni skenarin vijues dhe diskutoni pyetjet në fund të fletushkës.
Pasi studentët kenë pasur kohë të mjaftueshme për ta diskutuar skenarin, mund të pyetni:
-
Si mund t’i bekojë çiftet dhe fëmijët e tyre këshillimi së bashku me drejtësi?
Për të përfunduar, paraqitni pyetjet vijuese dhe jepuni studentëve kohë të mjaftueshme që të përsiatin në heshtje dhe të shënojnë ndonjë mbresë që mund ta marrin.
-
Çfarë qëndrimi, tipari ose zakoni si të Krishtit mund të zhvilloj apo forcoj për të më ndihmuar që të ushqej një bashkëpjesëmarrje të barabartë në martesën time? Si mund ta kërkoj ndihmën e Zotit në përpjekjet e mia?
Për Herën Tjetër
Vini në dukje me studentët se shpesh një shqetësim i madh i çifteve, teksa marrin parasysh martesën dhe fëmijët, është mënyra se si do të jenë në gjendje të sigurojnë për nevojat e tyre financiare. Nxitini studentët që me lutje të studiojnë materialin e përgatitjes për orën e ardhshme mësimore dhe të mbajnë vesh për nxitjet që mund t’i ndihmojnë të bëjnë zgjedhje të urta financiare dhe të bëhen më të mbështetur te vetja.