“Materiali i Përgatitjes së Orës Mësimore për Mësimin 3: Natyra Jonë Hyjnore dhe Fati Ynë Hyjnor”, Materiali i Mësuesit – Familja e Përjetshme (2022)
“Materiali i Përgatitjes së Orës Mësimore për Mësimin 3”, Materiali i Mësuesit – Familja e Përjetshme
Mësimi 3 Materiali i Përgatitjes së Orës Mësimore
Natyra Jonë Hyjnore dhe Fati Ynë Hyjnor
Disa nga pyetjet më të rëndësishme që kemi në jetë, lidhen me origjinën dhe fatin tonë – kush jemi në të vërtetë dhe cili është potenciali ynë. Teksa e studioni këtë mësim, merrni parasysh se si e trajtoni veten dhe se si i trajtoni të tjerët. Si mund të ndryshojë kjo, në qoftë se e kujtoni gjithmonë natyrën tuaj hyjnore dhe fatin tuaj hyjnor?
Pjesa 1
Kush jam unë?
Profeti Jozef Smith dha mësim: “Nëse njerëzit nuk e kuptojnë karakterin e Perëndisë, ata nuk kuptojnë vetveten” (Mësimet e Presidentëve të Kishës: Jozef Smith [2009], f. 42). Shkrimet e shenjta ofrojnë një dëshmi të fuqishme rreth faktit se kush është Perëndia dhe cila është marrëdhënia jonë me Të.
Presidenti Diter F. Uhtdorf, në atë kohë i Presidencës së Parë, dha mësim këtë rreth marrëdhënies sonë me Perëndinë:
Ne jemi krijuar nga Perëndia i Plotfuqishëm. Ai është Ati ynë Qiellor. Ne jemi me të vërtetë fëmijët e Tij shpirtërorë. Ne jemi bërë nga një lëndë qiellore, më e çmuara dhe tepër e përpunuar, dhe si rrjedhojë mbartim brenda vetes lëndën e hyjnueshmërisë.
Megjithatë, këtu në tokë, mendimet dhe veprimet tona ndikohen negativisht nga ajo që është e shthurur, e pashenjtë dhe e papastër. Pluhuri dhe fëlliqësia e botës i njollosin shpirtrat tanë, duke e bërë të vështirë që ta njohim e ta kujtojmë qëllimin dhe natyrën e lindjes sonë.
Por kjo e gjitha nuk mund ta ndryshojë se kush jemi vërtet. Hyjnueshmëria themelore e natyrës sonë mbetet. (“Ai do t’ju Vendosë mbi Supet e Tij dhe do t’ju Çojë në Shtëpi”, Liahona, maj 2016, f. 104)
Shiheni materialin filmik “Your True Identity” (0:29) dhe mendoni rreth faktit se kush jeni dhe nga erdhët.
Profetët dhe apostujt kanë pohuar se “të gjitha qeniet njerëzore – meshkuj dhe femra, janë krijuar sipas shëmbëlltyrës së Perëndisë. Secili prej nesh është një bir ose bijë shpirtërore e dashur e prindërve qiellorë” (“Familja: Një Proklamatë drejtuar Botës”, ChurchofJesusChrist.org). Merreni parasysh se si mësimet vijuese mund ta shtojnë të kuptuarit tuaj rreth prindërve tuaj qiellorë:
Të gjithë burrat e gratë janë në ngjashmëri me Atin dhe Nënën universale dhe janë me kuptimin e plotë të fjalës bij e bija të Hyjnisë. …
Njeriu, si shpirt, u lind nga prindër qiellorë dhe arriti pjekuri në banesat e përjetshme të Atit, para se të vinte në tokë me një trup të përkohshëm [fizik]. (“Gospel Classics: The Origin of Man”, Ensign, shkurt 2002, f. 29, 30)
Presidenti Harold B. Li shpalli: “Ne harrojmë se kemi një Atë Qiellor dhe një Nënë Qiellore që janë akoma më të shqetësuar, ndoshta, se ati ynë dhe nëna jonë tokësore, dhe se ndikimet nga e përtejmja po punojnë vazhdimisht për t’u përpjekur që të na ndihmojnë kur ne bëjmë gjithçka mundemi” [Harold B. Lee, “The Influence and Responsibility of Women”, Relief Society Magazine, shkurt 1964, f. 85]. (Temat e Ungjillit “Nëna në Qiell”, topics.ChurchofJesusChrist.org)
Presidenti M. Rasëll Ballard i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve dha mësim gjithashtu: “Së pari dhe para së gjithash, ju jeni dhe do të jeni gjithmonë një fëmijë shpirtëror i Perëndisë” (“Children of Heavenly Father” [takim shpirtëror i Universitetit “Brigam Jang”, 3 mars 2020], f. 2, speeches.byu.edu). Presidenti Uhtdorf dha mësim se e vërteta që ne jemi fëmijët e mirëfilltë shpirtërorë të Perëndisë “[duhet ta] ndrysho[jë] mënyrën se si e shohim veten, vëllezërit dhe motrat tona dhe vetë jetën” (“Katër Tituj”, Liahona, maj 2013, f. 58).
Pjesa 2
Çfarë ndryshimi mund të sjellë njohuria se jam fëmijë i Perëndisë?
Merreni parasysh thënien vijuese nga Motra Mishel D. Krejg, këshilltare në Presidencën e Përgjithshme të Të Rejave:
Sa më shumë ta kuptoni identitetin dhe qëllimin tuaj të vërtetë, thellë në shpirt, aq më shumë do të ndikojë te gjithçka në jetën tuaj. (“Sy për të Parë”, Liahona, nëntor 2020, f. 16)
Një përvojë që pati Moisiu pasi bisedoi ballë për ballë me Perëndinë dhe mësoi për natyrën e vet hyjnore e ilustron fuqinë që mund të ketë kjo njohuri për ne.
Pjesa 3
Cili është fati im hyjnor?
Merreni parasysh se sa keni mësuar dhe jeni rritur 10 vitet e fundit. Si një bir ose bijë e prindërve qiellorë, ju keni një kapacitet të jashtëzakonshëm për rritje. Në fakt, ju keni një fat hyjnor. (Shih “Familja Një Proklamatë drejtuar Botës”, ChurchofJesusChrist.org.)
Një bashkëtrashëgimtar është dikush që merr një trashëgimi të barabartë me trashëgimtarët e tjerë. Si i parëlinduri dhe i vetmi Bir i përkryer i Atit Qiellor, është e drejta e Jezu Krishtit që të trashëgojë gjithçka që Ati ka. Ata që janë të bindur dhe marrin bekimet e plota të Shlyerjes së Shpëtimtarit, do të trashëgojnë gjithashtu gjithçka që Ati ka (shih Romakëve 8:14–18; Galatasve 3:26–29; Doktrina e Besëlidhje 93:21–22). Kjo do të thotë se ne të gjithë e kemi potencialin për t’u bërë si Ati ynë Qiellor.
Presidenti Rasëll M. Nelson ndihmoi për të sqaruar se çfarë do të thotë fati ynë hyjnor:
Ne duhet të përgatitemi për vetë fatin tonë hyjnor – lavdinë, pavdekësinë dhe jetën e përjetshme. Këto bekime qiellore, që të gjitha, mund të jenë tonat, me anë të besnikërisë sonë. (“The Creation”, Ensign, maj 2000, f. 86)
Në mësimet e ardhshme, do të mësoni më shumë rreth mënyrës se si Jezu Krishti e bën të mundur për ne që të arrijmë fatin tonë hyjnor si trashëgimtarë të jetës së përjetshme. Sikurse dha mësim Presidenti Uhtdorf, kjo bëhet me hapa një e nga një:
Ne të gjithë e kemi parë një foshnjë që mëson të ecë. Ai bën një hap të vogël dhe lëkundet. Ai bie. A e qortojmë një përpjekje të tillë? Natyrisht që jo. Cili baba do ta ndëshkonte një foshnjë sepse pengohet? Ne nxitim, ne duartrokasim dhe ne lavdërojmë, sepse me çdo hap të vogël, fëmija po bëhet më shumë si prindërit e tij.
… Krahasuar me përsosmërinë e Perëndisë, ne të vdekshmit zor se jemi më shumë se foshnja të ngathëta, ngurruese. Por Ati ynë i dashur Qiellor na do të bëhemi më shumë si Ai dhe … ky duhet të jetë qëllimi ynë i përjetshëm gjithashtu. Perëndia e kupton se ne nuk arrijmë atje brenda një çasti, por duke i bërë hapat një e nga një. (“Katër Tituj”, Liahona, maj 2013, f. 58)