Instituti
Materiali i Përgatitjes për Orën Mësimore për Mësimin 22: Rritja e Fëmijëve me Drejtësi


“Materiali i Përgatitjes për Orën Mësimore për Mësimin 22: Rritja e Fëmijëve me Drejtësi”, Materiali i Mësuesit – Familja e Përjetshme (2022)

“Materiali i Përgatitjes për Orën Mësimore për Mësimin 22”, Materiali i Mësuesit – Familja e Përjetshme

një familje duke e studiuar ungjillin së bashku

Materiali i Përgatitjes për Orën Mësimore për Mësimin 22

Rritja e Fëmijëve me Drejtësi

Rritja e fëmijëve për të qenë të fortë shpirtërisht në botën e sotme mund të ndihet dërrmuese. Megjithatë, një premtim që Shpëtimtari u dha nefitëve gjen zbatim për ne në kohën tonë: “Të gjithë fëmijët e tu do të mësohen nga Zoti; dhe e madhe do të jetë paqja e fëmijëve të tu” (3 Nefi 22:13). Ndërsa e studioni këtë mësim, merreni parasysh se si mund ta përmbushni “detyrë[n tuaj] të shenjtë për të rritur fëmijët [tuaj] me … drejtësi” (“Familja: Një Proklamatë drejtuar Botës”, ChurchofJesusChrist.org).

Pjesa 1

Çfarë pret Zoti nga unë si prind?

Në fillim të kësaj periudhe ungjillore, Jezu Krishti u mësoi prindërve përgjegjësinë e tyre për t’i rritur fëmijët e tyre me drejtësi. Ai shpalli: “Ju kam urdhëruar t’i rrisni fëmijët tuaj në dritë e të vërtetë” (Doktrina e Besëlidhje 93:40). Më pas Shpëtimtari i këshilloi Profetin Jozef Smith dhe udhëheqës të tjerë të Kishës që të vendosnin rregull në shtëpitë e tyre dhe të ishin “më të zellshëm dhe më të përfshirë në shtëpi” (vargu 50; shih vargjet 41–50).

Profetët e ditëve të mëvonshme shprehin po ashtu nevojën që prindërit të jenë të qëllimshëm në përpjekjet e tyre për ta dhënë mësim ungjillin në shtëpitë e tyre. Ata kanë theksuar gjithashtu se mësimi i ungjillit duhet të jetë “i përqendruar te shtëpia dhe i përkrahur nga Kisha” (Dejvid A. Bednar, “Të Përgatitur për të Fituar Çdo Gjë të Nevojshme”, Liahona, maj 2019, f. 101; shih gjithashtu faqet 102–104).

Ndërkohë që shërbente në Presidencën e Përgjithshme të Shkollës së të Dielës, Presidenti Ted R. Kelister dha mësim:

Presidenti Ted R. Kelister

“Si prindër, ne duhet të jemi mësuesit dhe shembujt kryesorë të ungjillit për fëmijët tanë – jo peshkopi, Shkolla e së Dielës, Të Rejat apo Të Rinjtë, por prindërit. Si mësuesit e tyre kryesorë të ungjillit, ne mund t’u mësojmë atyre për fuqinë dhe realitetin e Shlyerjes – për identitetin e tyre dhe fatin e tyre hyjnor – dhe duke vepruar kështu, t’u japim një themel prej shkëmbi mbi të cilin të ndërtojnë. Në fund të fundit, shtëpia është mjedisi i përkryer për mësimdhënien e ungjillit të Jezu Krishtit.” (“Prindërit: Mësuesit Kryesorë të Ungjillit për Fëmijët e Tyre”, Liahona, nëntor 2014, f. 32)

prindër duke u dhënë mësim fëmijëve të tyre
ikonë, studioni

Studioni në Përgatitje për Orën Mësimore

Lexoni te Doktrina e Besëlidhje 68:25, 28 dhe merreni parasysh shënimin e të vërtetave që prindërit janë përgjegjës për t’i ndihmuar fëmijët e tyre të kuptojnë.

Pasi iu referua këtyre vargjeve, Motra Sheril A. Esplin, ish‑këshilltare në Presidencën e Përgjithshme të Fillores, komentoi:

Motra Sheril A. Esplin

“Të mësojmë fëmijët tanë të kuptojnë është më shumë sesa thjesht të ndajmë informacion. Ka të bëjë me të ndihmuarin e fëmijëve që të fusin doktrinën në zemrat e tyre në një mënyrë që bëhet pjesë e vetë qenies së tyre dhe kjo pasqyrohet në qëndrimet e sjelljen e tyre gjatë gjithë jetës.” (“Të Mësojmë Fëmijët Tanë të Kuptojnë”, Liahona, maj 2012, f. 10)

Ndërkohë që shërbente në Presidencën e Përgjithshme të Fillores, Presidentja Xhoi D. Xhons dha mësim:

Presidentja Xhoi D. Xhons

“Ne nuk mund të presim që kthimi në besim thjesht t’u ndodhë fëmijëve tanë. Kthimi në besim rastësor nuk është një parim i ungjillit të Jezu Krishtit. Bërja si Shpëtimtari ynë nuk do të ndodhë rastësisht. Të qenit të qëllimshëm në shprehjen e dashurisë, mësimdhënien dhe dhënien e dëshmisë, mund t’i ndihmojë fëmijët të fillojnë që në moshë të vogël që ta ndiejnë ndikimin e Frymës së Shenjtë. Fryma e Shenjtë është thelbësor për dëshminë për Jezu Krishtin dhe kthimin në besimin tek Ai të fëmijëve tanë; ne dëshirojmë që ata “gjithmonë [ta] kujtojnë atë, që të mund të kenë Shpirtin e tij me ta” [Doktrina e Besëlidhje 20:79]. (“Bashkëbisedimet Thelbësore”, Liahona, maj 2021, f. 12–13)

ikonë, përsiatni

Përsiatni në Përgatitje për Orën Mësimore

Si mund t’i ndihmojnë prindërit fëmijët e tyre që ta “fusin doktrinën në zemrat e tyre në një mënyrë që bëhet pjesë e vetë qenies së tyre”? Si mund t’i ndihmojnë prindërit fëmijët e tyre që ta ndiejnë dhe të mësojnë nga Fryma e Shenjtë?

Pjesa 2

Çfarë praktikash mund të më ndihmojnë mua që t’i udhëheq fëmijët e mi drejt Shpëtimtarit?

Nefi dhe populli i tij kërkuan në mënyrë aktive t’i ndihmonin fëmijët e tyre të mësonin për Shpëtimtarin.

ikonë, studioni

Studioni në Përgatitje për Orën Mësimore

Lexoni te 2 Nefi 25:26 dhe mendoni se si prindërit në kohën tonë mund të ndjekin shembullin e këtyre nefitëve.

Plaku Nil L. Andersen, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dha këshillë për t’i udhëhequr prindërit që t’i ndihmojnë fëmijët e tyre të mësojnë për Shpëtimtarin dhe prej Tij:

Plaku Nil L. Andersen

“A ka pamje të Shpëtimtarit në shtëpitë tona? A u flasim shpesh fëmijëve tanë rreth shëmbëlltyrave të Jezusit? ‘Historitë e Jezusit [janë] si erë e vrullshme nëpër prushin e besimit në zemrat e fëmijëve tanë’ [Nil L. Andersen, “Tregomë Historitë e Jezusit”, Liahona, maj 2010, f. 108]. Kur fëmijët tuaj ju bëjnë pyetje, mendoni me vetëdije t’u mësoni atë që Shpëtimtari dha mësim. Për shembull, nëse fëmija juaj pyet: ‘Babi, përse lutemi?’ Ju mund të përgjigjeni: ‘Kjo është një pyetje e shkëlqyer. A të kujtohet kur Jezusi u lut? Le të flasim për arsyen pse u lut Ai dhe si u lut Ai.’” (“Ne Flasim për Krishtin”, Liahona, nëntor 2020, f. 89).

Këshilla që profeti Moisi u dha prindërve izraelitë mund të gjejë zbatim për ne: “Do t’ua ngulitësh [urdhërimet] bijve të tu [me zell], do të flasësh për to kur rri ulur në shtëpinë tënde, kur ecën rrugës, kur ke rënë në shtrat dhe kur çohesh” (Ligji i Përtërirë 6:7).

Presidentja Xhons pasqyroi frymën e këshillës së Moisiut kur dha mësim:

Presidentja Xhoi D. Xhons

“Një zgjidhje e tretë për t’i ndihmuar fëmijët që t’i bëjnë ballë mëkatit, është ta fillojmë me dashuri, që në moshat më të vogla, për t’iu mësuar doktrinat dhe parimet bazë të ungjillit – nga shkrimet e shenjta, Nenet e Besimit, broshura Për Forcën e Rinisë, këngët e Fillores, himnet dhe vetë dëshmitë tona vetjake – që do t’i udhëheqin fëmijët drejt Shpëtimtarit.

Krijimi i zakoneve të vazhdueshme të lutjes, studimit të shkrimeve të shenjta, mbrëmjes familjare të shtëpisë dhe adhurimit në Shabat çojnë drejt të qenit të shëndetshëm shpirtërisht, palëkundshmërisë brenda vetes dhe vlerave të forta morale – me fjalë të tjera, drejt integritetit shpirtëror. …

Vëllezër e motra, mbajini të vegjlit tuaj pranë – kaq pranë sa ta shohin sjelljen tuaj të përditshme fetare dhe t’ju vëzhgojnë duke i mbajtur premtimet dhe besëlidhjet tuaja. ‘Fëmijët janë imitues të mëdhenj, prandaj jepuni diçka të shkëlqyer për ta imituar’ [anonim].” (“Një Brez që i Bën Ballë Mëkatit”, Liahona, maj 2017, f. 88–89)

prindërit i studiojnë shkrimet e shenjta me fëmijët e tyre
ikonë, shënoni

Shënojini Mendimet Tuaja

Merrni disa minuta kohë për t’i shënuar sjelljet ose zakonet e drejta që mund të filloni ose të vazhdoni t’i zhvilloni tani, të cilat do ta shtojnë aftësinë tuaj për t’i rritur fëmijët tuaj me drejtësi. Çfarë praktikash shpirtërore doni të krijoni me familjen tuaj në të ardhmen?

Pjesa 3

Çfarë mund të bëj nëse një pjesëtar i familjes largohet nga shtegu i ungjillit?

Plaku Dejvid A. Bednar, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dha mësim:

Plaku Dejvid A. Bednar

“Një nga dhimbjet më të mëdha të zemrës që mund të pësojë një prind i guximshëm në Sion është një fëmijë që largohet nga shtegu i ungjillit. Pyetjet ‘Pse?’ ose ‘Çfarë kam bërë gabim?’ dhe ‘Si mund të ndihmohet ky fëmijë tani?’ përsiaten pa pushim në mendjet dhe zemrat e prindërve të tillë.” (“Faithful Parents and Wayward Children: Sustaining Hope While Overcoming Misunderstanding”, Ensign, mars 2014, f. 28)

Lehi dhe Saria

Lehi dhe Saria e kuptuan dhimbjen e zemrës që vjen kur fëmijët largohen nga shtegu i ungjillit.

ikonë, studioni

Studioni në Përgatitje për Orën Mësimore

Lexoni te 1 Nefi 8:37–38, duke kërkuar se si u përpoq Lehi t’i ndihmonte Lamanin dhe Lemuelin pasi pa në vegim që ata e refuzuan Zotin.

Vini re se me sa butësi Lehi u predikoi apo u dha mësim fëmijëve të tij. Plaku Ulises Soares, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dha mësim rreth mënyrave se si mund të përgjigjemi nëse një pjesëtar i familjes largohet nga shtegu i ungjillit:

Plaku Ulises Soares,

“Është e vështirë t’i kuptosh të gjitha arsyet se përse disa njerëz marrin një shteg tjetër. Gjëja më e mirë që mund të bëjmë në këto rrethana është thjesht t’i duam e t’i përqafojmë ata, të lutemi për mirëqenien e tyre dhe të kërkojmë ndihmën e Zotit për të ditur se çfarë të bëjmë dhe të themi. Gëzoni me sinqeritet me ta për arritjet e tyre; jini miqtë e tyre dhe shihni anën e tyre të mirë. Ne nuk duhet të heqim kurrë dorë prej tyre, por ta ruajmë marrëdhënien tonë. Kurrë mos i refuzoni apo t’i gjykoni shtrembër! Thjesht duajini ata! Shëmbëlltyra e djalit plëngprishës na mëson se kur fëmijët vijnë në vete, ata shpesh dëshirojnë që të kthehen në shtëpi. Nëse njerëzve tuaj të dashur u ndodh kështu, mbushini zemrat tuaja me dhembshuri, lëshohuni vrap, hidhiuni në qafë dhe puthini ata, ashtu siç bëri i ati i djalit plëngprishës [shih Lluka 15:20].

Së fundi, vazhdoni të jetoni një jetë të denjë, jini një shembull i mirë për ta rreth asaj që besoni dhe afrohuni më shumë me Shpëtimtarin tonë, Jezu Krishtin. Ai i njeh dhe i kupton hidhërimet dhe dhembjet tona më të thella, dhe Ai do t’ju bekojë në përpjekjet dhe përkushtimin tuaj ndaj njerëzve tuaj të dashur, në mos në këtë jetë, në jetën tjetër.” (“Si Mund ta Kuptoj Unë?”, Liahona, maj 2019, f. 8)

një atë dhe bir përqafohen
ikonë, përsiatni

Përsiatni në Përgatitje për Orën Mësimore

Çfarë shembujsh të tjerë ka nga shkrimet e shenjta të prindërve të drejtë, fëmija ose fëmijët e të cilëve u larguan nga shtegu i ungjillit? (Merrni parasysh, për shembull, Lehin dhe bijtë e tij, Lamanin dhe Lemuelin, ose Almën dhe birin e tij, Alma të riun.) Çfarë mund të mësoni nga përgjigjet e këtyre prindërve që mund t’ju udhëheqin në përgjigjen ndaj pjesëtarëve të familjes që mund të largohen?