2022
Rrengu me Biçikletat
Mars/Prill 2022


Rrengu me Biçikletat

Shokët e tij thanë se do të ishte argëtuese, por nuk të jepte ndjesinë se ishte e drejtë.

Pamja
three boys sitting by bikes at a park

Semi i dha biçikletës lart për në kodër sa më shpejt që mundej. Ai anoi përpara. Ajri i depërtonte nëpër flokë. Shoku i tij, Liami, i jepte biçikletës në krah të tij.

“Po lodhesh?” – tha Liami.

“Hiç fare!” – tha Semi.

Shoku i tyre Eriku ishte tashmë te parku në majë të kodrës.

Komm schon! Ejani!” bërtiti ai.

Semi dhe Liami mbërritën në majë të kodrës. Djemtë i lanë biçikletat dhe u ulën nën një pemë.

Liami mori një gur dhe e hodhi. “Jam i mërzitur.” Nuk kishte shumë vende ku të shkoje në fshatin e tyre të vogël në Zvicër.

“Edhe unë” – tha Eriku. Ai e gërmoi dheun me një shkop druri.

“Mund të vazhdojmë t’i japim biçikletës” – tha Semi.

Liami fshiu fytyrën. “Është e njëjta gjë që bëjmë përherë.”

“Le të bëjmë diçka argëtuese!” – tha Eriku. Ai u hodh përpjetë dhe shkoi drejt vendit të parkimit të biçikletave, ku ishin lënë shumë biçikleta. Semi dhe Liami e ndoqën.

Semit iu mblodh stomaku. Ndonjëherë, ajo që mendonin Eriku dhe Liami se ishte argëtuese, nuk qe argëtuese për të. Erikut dhe Liamit u pëlqente t’i tallnin fëmijët e tjerë dhe të thoshin gjëra të pahijshme në klasë, por ndoshta këtë herë do të ishte ndryshe.

Përveç kësaj, nuk kishte shumë djem në klasën e Semit. Nëse nuk do të ishte shok me Erikun dhe Liamin, me kë do të ishte shok?

“Le t’i marrim të gjitha tapat e ventilave të të gjitha rrotave” – pëshpëriti Eriku. “Mund t’i fshehim pranë pemës.” U gjunjëzua pranë një biçiklete të kuqe, të shndritshme dhe përdrodhi një tapë të vogël plastike nga njëra prej rrotave.

Liami qeshi. “Po! Kjo do të jetë shumë argëtuese.”

Semi psherëtiu. Jo. Këtë herë nuk ishte ndryshe. “Nuk e di” – tha ai. “Ndoshta thjesht duhet të ikim.”

Eriku e shtyu Semin nga krahu. “Hë pra!” – tha ai. “Madje askush s’po na shikon.”

“Janë thjesht pjesë të vogla” – tha Liami. “Askush madje nuk do ta vërë re që janë hequr.”

Semi u përpoq ta shpërfillte ndjenjën e keqe në stomak. Heqja e tapave të ventilave nuk do t’i prishte biçikletat. Ai ngriti supet dhe pohoi me kokë.

Të tre djemtë shpejt hoqën të gjitha tapat e ventilave të rrotave të biçikletave dhe u kthyen me vrap për te pema. I fshehën të gjitha tapat poshtë një guri dhe u ulën që të vështronin biçikletat. Liami dhe Eriku po qeshnin nën hundë.

Shpejt erdhi një burrë, e zgjidhi biçikletën dhe iku.

“E sheh? Ai as që e vuri re” – tha Liami.

Por unë e vura re, mendoi Semi.

Gjatë pjesës tjetër të ditës, Semi nuk mund ta hiqte mendjen nga tapat e ventilave. Dëshironte që t’i kthente, por nuk kishte asnjë mënyrë se si të gjente pronarët e biçikletave. U gjunjëzua dhe i tregoi Atit Qiellor për këtë.

“Ndihem tmerrësisht keq” – tha Semi. “Do të doja të mos e kisha bërë kurrë këtë. Të lutem më fal, Atë Qiellor.”

Të nesërmen, Semi dhe shokët e tij shkuan sërish me biçikleta te parku.

Përsëri Eriku tha: “Le t’i heqim tapat e ventilave!”

Përsëri Liami ra dakord.

Semi solli ndërmend lutjen e tij. Dhe këtë herë, u ndie pak më guximtar.

“Nuk mendoj se duhet ta bëjmë” – tha ai.

“Pse jo?” – tha Liami, duke rrudhur vetullat. “Askush as që e vuri re dje.”

“Nuk do të doja që dikush të trazonte biçikletën time” – tha Semi. Përpara se njëri prej djemve të mund të përgjigjej, ai i hipi biçikletës. “Bëjmë garë deri te pastiçeria” – bërtiti ai. Pastaj filloi t’i jepte biçikletës sa më shpejt që mundej.

Edhe Eriku me Liamin morën biçikletat e tyre.

“Nuk është e drejtë! Ti u nise përpara” – thirri Liami.

Semi qeshi vesh më vesh ndërsa shokët e tij në garë po u jepnin biçikletave pas tij. Ai i pëshpëriti një faleminderit Atit Qiellor. U ndje shumë më mirë.

Ilustrimi nga Shane Clester

Shtyp në Letër