Pionierë në Çdo Vend
Harieta Takohet me Misionarët
A mund të ishte me babanë sërish?
Harieta ia nguli sytë fotografisë së babait në mur. Kishin kaluar tetë muaj që kur ai vdiq. Ajo pyeste veten a do ta shihte ndonjëherë atë përsëri. Kishte shumë mall për të.
Tak, tak, tak.
Harieta hapi derën e apartamentit të tyre të vogël. Dy djem të rinj qëndronin në këmbë jashtë.
“Guten Tag! Tungjatjeta! Ne jemi misionarë nga Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme. Do të donim të flisnim me familjen tuaj për Jezu Krishtin.”
Harieta buzëqeshi. Diçka rreth asaj që thanë ata, e bëri të ndihej mirë përbrenda. “Do të pyes Mutter-in (mamin).”
Harieta gjeti Mutter‑in. “Misionarët janë te dera”, – tha ajo. “Ata duan të na flasin për Jezusin.”
Mutter‑i u vrenjt. “U thuaj që s’kemi kohë.”
“Por ata duken kaq të mirë”, – tha Harieta. “Nuk do të zgjatë shumë.”
Mutter‑i hodhi sytë nga ora. “Në rregull. Për ca minuta.”
Misionarët u futën brenda dhe i folën Mutter‑it, Harietës dhe motrës së Harietës, Karmenit. U folën rreth Jezusit dhe një libri të quajtur das Buch Mormon, Libri i Mormonit. Më pas ata i dhanë familjes së Harietës një kopje për ta lexuar.
“Mendoj se mund të lexojmë disa faqe”, – tha Mutter‑i, duke hapur librin. Gjatë disa ditëve të ardhshme, Mutter‑i vazhdoi të lexonte e të lexonte. Ajo u lexoi pjesë me zë të lartë Harietës dhe Karmenit.
Sa do të doja që babi të mund ta lexonte këtë! Atij do t’i kishte pëlqyer shumë, – mendoi Harieta.
Kur misionarët erdhën përsëri, ata u mësuan për planin e Perëndisë. “Ne jetuam me Perëndinë përpara se të lindnim. Ne erdhëm në tokë për të mësuar dhe për t’u bërë si Ai. Kur të vdesim, ne mund të jemi me Të përsëri.”
Po babi? – pyeti veten Harieta.
Misionari vështroi nga Harieta. “Ngaqë Jezusi vdiq dhe jetoi sërish, ne mund të jemi me familjet tona përgjithmonë. Edhe me njerëzit tanë të dashur që kanë vdekur.”
Harieta pati një ndjenjë të papritur shprese. Ne mund të jemi me babin përsëri! Mutter‑i pati një buzëqeshje të madhe gjithashtu – të parën në një kohë të gjatë.
Harieta, Mutter‑i dhe Karmeni vazhduan të mësonin nga misionarët. Ato shkuan në kishë. Harieta zuri shoqëri me një djalë të dashur që quhej Diter.
Tani në apartamentin e Harietës dukej sikur kishte rreze dielli në çdo dhomë. Shpejt Harieta dhe familja e saj vendosën të pagëzoheshin.
Natën përpara pagëzimit të tyre, Harieta ra në gjunjë me Mutter‑in dhe Karmenin për t’u lutur. “Atë Qiellor”, – tha Harieta, “sa mirënjohëse jemi për misionarët, ungjillin dhe familjen tonë. Mezi presim që të pagëzohemi.”
Kur Harieta hapi sytë, ajo pa fotografinë e babait dhe buzëqeshi. Ajo mezi priste ta shihte atë përsëri një ditë.