2022
Shkuarja me Radhë në Kishë
Maj/Qershor 2022


Shkuarja me Radhë në Kishë

girl waving to mom and daughter

“Kur të vish në shtëpi, më thuaj se çfarë këngësh këndove në Fillore”, – tha Xheni.

“Patjetër!” – tha motra e saj, Miriami, teksa vishte këpucët.

Jo të gjithë pjesëtarët në familjen e Xhenit mund të shkonin në kishë çdo të diel. Ishin gjashtë njerëz në familjen e Xhenit. Por mami kishte para vetëm për të blerë dy bileta autobusi çdo javë. Prandaj atyre iu duhej ta bënin me radhë vajtjen me autobus në kishë.

Xheni dëshironte që të mund të shkonte çdo javë. I pëlqente të mësonte rreth Jezu Krishtit. I pëlqente të këndonte në Fillore. Donte të shihte shoqet e veta. Mbi të gjitha, ajo donte të ndiente ndjenjën e ngrohtë e të lumtur që gjithmonë e ndiente në kishë. Por sot i duhej të qëndronte në shtëpi.

“Koha që të ikim.” Mamaja i përqafoi Xhenin, vëllanë dhe motrat e saj duke u thënë mirupafshim.

Xheni u përpoq të buzëqeshte teksa Miriami dhe mami largoheshin. Por ndjeu një shtrëngim në fyt teksa i pa të largoheshin. Ah sikur të ishte radha ime të shkoja, – mendoi Xheni. Ishte gjithnjë e vështirë të qëndronte në shtëpi.

“Do të ngjyrosësh?” Vëllai i vogël i Xhenit, Markoja, ngriti lart disa lapsa me ngjyra dhe letër.

Xheni pohoi me kokë.

Gjatë disa orëve në vijim, Xheni lexoi histori dhe ngjyrosi me Markon dhe motrat e tyre më të mëdha. Ishte qejf, por Xheni vazhdonte të mendonte për kishën. A po mësonin këngë të reja në Fillore pikërisht tani? Për çfarë ishte mësimi sot?

Së fundi, Xheni dëgjoi të hapej dera e shtëpisë. Mami dhe Miriami ishin në shtëpi!

“Mama! Miriam!” Xheni vrapoi drejt derës dhe i përqafoi.

Mami la çantën përtokë. “Le të flasim për atë që mësuam në kishë.”

Të gjithë u ulën së bashku. Mami nxori librin e vogël të himneve që e mbante në çantë. Familja e Xhenit këndoi këngën “Familjet Mund të Jen’ Bashk’ Përgjithmon’”. Ajo i dinte të gjitha fjalët.

Më pas Xheni e pyeti Miriamin për Filloren. Miriami hapi Librin e saj të Mormonit dhe nxori një copë të palosur letre. Ajo e ngriti lart që çdokush të mund ta shihte. Ishte një figurë me Jezusin me disa fëmijë që ajo e kishte ngjyrosur.

drawing of Jesus with two children

“Ne ngjyrosëm një figurë dhe kënduam ‘Përpiqem t’Jem si Jezusi’. Më pas folëm për mënyrën se si Jezusi mund ta ndihmojë çdo njeri.”

“Ne folëm për këtë edhe në Shoqatën e Ndihmës”, – tha mamaja. “Jezu Krishti mund të na ndihmojë kur jemi të trembur ose të vetmuar.” Mamaja nxori një fletë letre nga çanta. “Mësuesja i dha kujtdo këtë citim nga profeti. ‘Ndërsa zgjidhni të jetoni në anën e Zotit, ju nuk jeni kurrë vetëm.’”*

mom and children sitting on floor in circle

“Edhe këtu në shtëpi!” – tha Xheni.

Mami buzëqeshi. “Edhe në shtëpi. Ne gjithmonë mund ta ndiejmë Shpëtimtarin pranë nesh.”

Xheni buzëqeshi shumë. Ajo nuk arrinte të shkonte në kishë çdo javë. Por mund të ndihej pranë Jezusit në shtëpi. Ishte plot entuziazëm për radhën e saj që të shkonte në kishë përsëri së shpejti.

  • Presidenti Rasëll M. Nelson, “Rini e Lindjes Fisnike: Çfarë do të Zgjidhni?” (Takim shpirtëror i Sistemit Arsimor të Kishës për të rinjtë në moshë madhore, 6 shtator 2013), broadcasts.ChurchofJesusChrist.org.

Page from the May/June 2022 Friend Magazine.

Ilustrimet nga Laura Catrinella