2022
Ekipet dhe Talentet
Maj/Qershor 2022


Ekipet dhe Talentet

Pjesëtarët e ekipeve më të mira punojnë së bashku dhe e ndihmojnë njëri‑tjetrin që të bëhen ekipe më të mira.

girl running and playing soccer

“Vrapo, Xhiliana, vrapo!” – thirri babi. Babi i Xhilianës ishte trajneri i ekipit të saj të futbollit. Ata po ushtroheshin shumë fort për t’u bërë gati për ndeshjen përfundimtare të kampionatit. Dielli ishte i nxehtë por Xhiliana vazhdonte të vraponte.

Më në fund babi i ra bilbilit. “Në rregull, le të bëjmë pushim.”

Xhiliana mori shishen e ujit dhe u ul në stol bashkë me djemtë. Ishte e vetmja vajzë në skuadër, por nuk e kishte problem. Ata punonin të gjithë së bashku dhe e ndihmonin njëri‑tjetrin që të përmirësoheshin. Ndonëse ishte e lodhur dhe e djersitur, ajo u ndje e lumtur që luajti me ekipin e saj.

“Babi, si luajtëm sot?” – pyeti ajo.

Babi buzëqeshi. “Shkëlqyeshëm! Mendoj se ekipi është gati për lojën.”

Xhiliana ia ktheu buzëqeshjen. E gjithë puna e tyre e shumtë ia vlente!

Gjatë rrugës për në shtëpi, Xhiliana pa shoqen e vet, Mein. Ato ishin në të njëjtën klasë të Fillores. Por Mei nuk kishte ardhur në Fillore për ca kohë.

two girls talking

Xhiliana i buzëqeshi Meit. “Tjeta, Mei! Nuk të kam parë në Fillore. A je mirë?”

Mei uli sytë poshtë te këpucët. “Mami im nuk dëshiron të shkojë në kishë.”

“Po pse?”

“Nuk e di.” Mei ngriti kokën. “Epo, më duhet të shkoj.”

Xhiliana ia bëri me dorë dhe e pa Mein që largohej. Si mund ta ndihmoj Mein? – pyeti veten.

Kur Xhiliana shkoi në shtëpi, ajo luajti disa këngë të Fillores me ukulelen e saj. Më pas i ftoi vëllezërit që të këndonin me të. Ata kënduan derisa mamaja i thirri për të ngrënë darkën.

“Do të shkoj të vizitoj motrën Aurea nesër”, – tha mamaja.

“Motra Aurea është mami i Meit, apo jo?” – pyeti Xhiliana. “A mund të vij me ty? Mei nuk ka ardhur në Fillore. Kur e pashë sot, ajo dukej disi e trishtuar.”

“Sigurisht që mund të vish”, – tha mamaja.

“Do marr edhe ukulelen time. Mund të luaj këngë të Fillores. Besoj se e ka marrë malli t’i këndojë ato”, – tha Xhiliana.

girl and mom walking

Kur mbërritën te shtëpia e Meit të nesërmen, Xhiliana e përqafoi fort Mein. Ndërsa mamatë e tyre flisnin, vajzat dolën jashtë. Xhiliana luajti me ukulelen dhe Mei zgjodhi këngët. Ato u kënaqën duke qeshur e kënduar së bashku derisa erdhi koha që Xhiliana të largohej.

“U gëzova që të pashë”, – tha Xhiliana. “Na ke munguar në Fillore.”

“Po, sa do të doja të vija! Ndoshta do t’ia kërkoj mamit përsëri.”

girl playing ukulele for her friend

Të dielën e ardhshme, Mei ishte në kishë. Xhiliana u ul pranë saj. “Jam kaq e lumtur që munde të vije”, – tha ajo.

Mei vuri buzën në gaz. “Edhe unë.”

Pak ditë më vonë ishte më në fund koha për ndeshjen e madhe të futbollit. Xhiliana u kërkoi lojtarëve të ekipit që të bënin një lutje përpara lojës. Pastaj ishte koha për të luajtur. Xhiliana vrapoi aq shpejt sa mundi. Ajo bashkëpunoi me ekipin që të merrte topin dhe të shënonte gola. Ekipi i saj e fitoi lojën.

Atë natë teksa rrinte e shtrirë në shtrat, Xhiliana mendoi për Mein dhe ekipin e saj të futbollit. Ajo ishte e lumtur që bënte pjesë në një ekip, ashtu siç ishte e lumtur që ishte pjesë e Fillores. Ata të gjithë e ndihmonin njëri-tjetrin. Xhiliana ishte e lumtur që mund t’i ndihmonte shokët dhe shoqet e saj, qoftë në kishë apo në fushën e sportit.

PDF of story

Ilustrimet nga Marcos Calo