Skuadra e Re e Samuelit
A do t’i jepnin atij një mundësi djemtë e tjerë?
Ishte mëngjes herët në një të shtunë. Samueli u ul tek tavolina e kuzhinës dhe ia nguli sytë tasit të tij me drithëra. Në të vërtetë nuk i hahej.
“Babi?” – tha qetësisht. “Ndërrova mendje. Nuk dua ta takoj skuadrën time të basketbollit sot.”
“E di që është e vështirë të jesh djali më i ri në skuadër, por do të zësh shokë” – tha babai.
“Jo, s’është kjo … thjesht shqetësohem se çfarë do të mendojnë ata.”
Babai u ul pranë tij. “Do të thuash që vret mendjen se çfarë do të mendojë skuadra jote për një lojtar të ri i cili ka vetëm një dorë?”
Samueli kishte lindur pa dorën e majtë. Krahu i tij i majtë shkonte deri te kyçi.
“Po”, – tha Samueli. “Ngaqë s’më njohin, mund të mendojnë se një djalë me një dorë nuk mund të luajë basketboll.”
“Ata mund ta mendojnë këtë gjë, por ti je lojtar i shkëlqyer. Shkuarja në stërvitje do të të ndihmojë të luash edhe më mirë”, – tha babai me një buzëqeshje. “Hajde. Merre fanellën dhe shishen me ujë. Le të shkojmë ta takojmë skuadrën.”
Samueli psherëtiu. “Në rregull.”
Sapo hynë në palestër, trajneri eci drejt tyre.
“Përshëndetje! Jam trajneri Monro. Ti duhet të jesh lojtari ynë i ri.”
“Po, jam Samueli.”
“Jemi të gëzuar që të kemi në skuadrën tonë”, – tha trajneri Monro. “Le të shkojmë të takojmë djemtë e tjerë.”
Babi u ul në stol. Samueli rrëmbeu topin e vet dhe ndoqi trajnerin.
“Dua t’ju njoh me Samuelin, lojtarin tonë më të ri”, – tha trajneri Monro. Disa djem i dhanë Samuelit një përshëndetje të vogël me dorë. “Jemi me fat që ai erdhi në kohë për ndeshjen tonë të parë. Mendoj se do të kemi një skuadër të shkëlqyer, një lojë të shkëlqyer dhe një sezon të shkëlqyer!”
Trajneri Monro i ra bilbilit dhe skuadra filloi disa lëvizje stërvitjeje. Samueli pa disa prej shokëve të skuadrës që ia ngulën sytë teksa ai kërcente dhe hidhte topin vetëm me dorën e djathtë. Ai u përpoq të mos lejonte që kjo gjë t’ia largonte vëmendjen.
Gjatë pushimit për ujë, një djalë u ul pranë Samuelit te stoli. “Tjeta, unë jam Xheksoni. Çfarë të ndodhi me dorën?”
“Asgjë. Thjesht kështu linda”, – tha Samueli.
“S’kam parë kurrë askënd me një dorë që të luajë basketboll më parë”, – tha Xheksoni. “Luan vërtet mirë.”
Samueli buzëqeshi. “Faleminderit.”
Trajneri Monro i ra përsëri bilbilit. “Për 30 minutat e fundit, do të bëjmë një ndeshje kontrolli.” Ai i ndau djemtë në dy skuadra. Samueli u gëzua që Xheksoni ishte në skuadrën e tij.
Kur kishte mbetur një minutë loje, të dyja skuadrat kishin të njëjtin numër pikësh. Njëri nga lojtarët e skuadrës së Samuelit e mori topin dhe po shihte për dikë që t’ia pasonte. Samueli ishte aty pranë, gati për ta kapur topin. Por djali ia pasoi Xheksonit në vend të Samuelit.
Xheksoni bëri pak hapa. Më pas, ai pa Samuelin dhe ia pasoi atij topin. Samueli e kapi topin, u kthye dhe e hodhi drejt koshit.
Fëshshsh! Topi u fut në rrjetë pikërisht teksa trajneri Monro i ra bilbilit. Skuadra e Samuelit brohoriti.
“Pasim i shkëlqyer”, – i tha Samueli Xheksonit teksa po ecnin drejt stolave.
“Kosh i shkëlqyer”, – tha Xheksoni. “Djemtë e tjerë do të mësojnë se një dorë mjafton për të luajtur basketboll.”
Samueli buzëqeshi dhe bëri qepalla me Xheksonin. Pati ndjenjën se trajneri Monro kishte të drejtë. Do të ishte një skuadër e shkëlqyer, një lojë e shkëlqyer dhe një sezon i shkëlqyer.