“Tri Këshilla për Më Pak Grindje në Familjen Tënde”, Për Forcën e Rinisë, Mars 2022.
Ndihmë për Jetën
Tri Këshilla për Më Pak Grindje në Familjen Tënde
A grindet ndonjëherë familja jote? Ti nuk je vetëm.
-
“S’është e drejtë! Është radha ime!”
-
“Ej, ti s’more leje për të ma marrë!”
-
“Babi! Anita sapo më nxori gjuhën!”
Nëse ndonjëri nga këto komente të duket i njohur, ti thjesht mund të jesh pjesë e një familjeje. Dhe asnjë familje nuk ka imunitet nga pjesa e saj e konfliktit. Plaku Dejvid A. Bednar, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, një herë tregoi se fëmijët e tij ishin ankuar: “Mami, ai po thith ajrin tim!”1
Është normale që grindja të hyjë në familje. Në fakt, dikush punon tepër shumë që ta bëjë këtë të ndodhë. Shpëtimtari dha mësim qartësisht: “Ai që ka shpirtin e grindjes nuk është i imi, por është i djallit i cili është ati i grindjes dhe ai nxit zemrat e njerëzve, që të grinden me zemërim me njëri-tjetrin” (3 Nefi 11:29).
Por mos u frikësoni! Ungjilli na mëson se ka shumë [gjëra] që mund të bëjmë për ta pakësuar grindjen në familjet tona – dhe për të përjetuar shumë gëzim!
Këshilla 1: Largoje Benzinën
Zjarret kanë nevojë për benzinë që të digjen. Grindja është e njëjta gjë. Dhe asgjë nuk e ndez një zënkë më shumë sesa zënia. Prandaj çfarë mund të bësh nëse dikush fillon të bëjë një zënkë me ty?
Epo, thjesht mund të refuzosh të bësh zënka. Shpëtimtari është shembulli ynë i përkryer për këtë gjë. Gjatë gjithë shërbesës së Tij, Atë e urryen, e trajtuan keq, e tradhtuan dhe në fund e kryqëzuan. Prapëseprapë, edhe kur përgjigjet e Tij ishin të fuqishme dhe të drejtpërdrejta, Ai kurrë nuk pati një frymë grindjeje. Dhe në fund Ai nuk luftoi kundër tyre, edhe kur mund të kishte thirrur “më shumë se dymbëdhjetë legjione engjëjsh” që t’i vinin në ndihmë (Mateu 26:53). Përkundrazi, Ai u lut për armiqtë e Tij, madje ndërsa ishte i varur në kryq (shih Lluka 23:34).
Refuzimi për të bërë zënka të lejon të bëhesh një dëgjues më i mirë. Dhe kur dëgjojmë më mirë, ne mund të komunikojmë më mirë dhe të bëhemi paqebërës. Refuzimi për të bërë zënka gjithashtu përfshin përgjigjen me një zë të qetë dhe bërjen e asaj që mundemi për t’i mbajtur nën kontroll emocionet tona.
Pa benzinë të shtuar, shumica e zënkave dhe grindjeve vijnë duke u shuar. Siç na mësojnë shkrimet e shenjta: “Përgjigja e ëmbël e fashit zemërimin” (Fjalët e Urta 15:1).
Këshilla 2: Trego Dashuri
Shfaqja e dashurisë ndaj pjesëtarëve të familjes tënde është një nga mënyrat më të mira për ta mbajtur konfliktin jashtë shtëpisë. Bërja e kësaj gjëje madje mund ta ndalojë shfaqjen e grindjes që nga fillimi.
Prapëseprapë, edhe kur grindja vërtet ia del të hyjë vjedhurazi përmes mbrojtjeve tona, dashuria dhe mirësia ende mund t’i bëjnë gjërat të ndryshojnë.
Merrni parasysh historinë nga Bibla për gruan që ishte kapur duke shkelur kurorën. Sipas ligjit të Moisiut ajo duhej të vritej me gurë. Një turmë e zemëruar kërkoi që Jezusi ta dënonte atë.
Por cila ishte përgjigjja e Shpëtimtarit? Para së gjithash, Ai nuk iu përgjigj kërkesave të tyre menjëherë. Ai u gjunjëzua dhe shkroi në dhé për një çast përpara se të fliste. (E dhënë ndihmëse: nganjëherë është më mirë të mos përgjigjesh menjëherë kur emocionet janë të trazuara.)
Më pas Ai tregoi dashuri e dhembshuri për gruan kur i tha turmës: “Kush nga ju është pa mëkat, le ta hedhë i pari gurin kundër saj” (Gjoni 8:7).
Jezusi e trajtoi gruan me dashuri, jo dënim. Ai i tregoi asaj gatishmërinë e Tij për ta falur kur e ftoi të “shko[nte] dhe mos mëkato[nte] më” (Gjoni 8:11).
Thuaju pjesëtarëve të familjes sate që i do. Shfaqe atë dashuri duke i falur dhe duke i lejuar të ndryshojnë – edhe nëse po veprojnë plot zemërim ndaj teje. Dashuria mund ta sjellë gjithë ndryshimin.
Këshilla 3: Lutu
Lutja sjell bekimet e Perëndisë në jetën tonë. Në Librin e Mormonit, Amuleku dha mësim: “Ju duhet të derdhni shpirtrat tuaj në dhomëzat tuaja dhe në vendet tuaja të fshehta dhe në vendin tuaj të shkretë.
Po, … le të jenë zemrat tuaja plot, të hapura në lutje tek ai vazhdimisht, për mirëqenien tuaj dhe gjithashtu për mirëqenien e atyre që janë rreth e përqark jush” (Alma 34:26–27).
Sigurisht fraza “atyre që janë rreth e përqark jush” përfshin familjen tënde – madje ata që mund të mos jetojnë me ty pikërisht tani. Prandaj lutu me familjen tënde. Lutu për familjen tënde. Lutu që të mund ta mbash nën kontroll temperamentin tënd kur dikush të mërzit. Lutu që të dish se si t’u përgjigjesh situatave të vështira që ndodhin në familjen tënde. Lutu për ndihmë hyjnore. Lutu që më shumë të qeshura dhe dashuri të hyjnë në shtëpinë tënde. Më pas bëj gjithçka mundesh për ta bërë atë gjë të ndodhë.
Ndërkohë që përpiqesh fort ta jetosh ungjillin e Jezu Krishtit më plotësisht, ti do të zbulosh se do të bekohet edhe familja jote. Grindja do të pakësohet dhe do të shtohen gëzimet e tua.