2022
Si të Përballesh me Tri Lloje Sprovash
Mars 2022


“Si të Përballesh me Tri Lloje Sprovash”, Për Forcën e Rinisë, Mars 2022.

Eja, Më Ndiq

Zanafilla 37–50

Si të Përballesh me Tri Lloje Sprovash

Jeta ka shumë sfida të ndryshme, por kthimi te Perëndia është gjithmonë përgjigjja.

Jozefi shitet si skllav nga vëllezërit e tij

Ilustrimet nga Simini Blocker

Nga zilia, vëllezërit e Jozefit e shitën atë si skllav dhe më pas i thanë babait të tyre se atë e kishin vrarë kafshët e egra.

Jozefi i Egjiptit mund të kishte bërë shumë pyetje rreth mënyrës se si po shpalosej jeta e tij. Këtë muaj do të jesh duke studiuar rreth jetës së tij, por ja një përmbledhje e shpejtë e asaj që i ndodhi atij:

  • Vëllezërit e tij e shitën si skllav.

  • Si skllav, ai u akuzua padrejtësisht se u përpoq të joshte gruan e zotërisë së vet.

  • Më pas u burgos për dy vjet të tërë.

Përfytyro se si mund të ishe ndier po të ishe Jozefi. Më së paku, mund të tundohesh që të pyetësh: “Pse mua?” “Çfarë bëra për ta merituar këtë?”

Jozefi në burg në Egjipt

Ndonëse nuk kishte kryer asnjë krim, Jozefi u dërgua në burg për dy vjet të tërë.

Tri Lloje Sprovash

Plaku Nil A. Maksuell (1926–2004), i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dikur dha mësim për tri lloje të ndryshme sprovash që mund të hasim në këtë jetë:

  • Lloji 1: Sprovat që vijnë nga vetë mëkatet ose gabimet tona.

  • Lloji 2: Sprovat që ndodhin ngaqë kjo është një botë e rënë, plot sëmundje, ligështi dhe njerëz të rënë.

  • Lloji 3: Sprovat që Perëndia është i gatshëm që ne t’i përjetojmë, sepse Ai dëshiron që ne të rritemi.

Në mes të një sprove, ne mund të tundohemi që të pyesim: “Pse mua?” Por ajo pyetje mund të mos jetë po aq e dobishme sa shpresojmë. Plaku Maksuell shkroi se pavarësisht nga arsyeja përse e kemi sprovën, “rezultati në mënyrë të dukshme është i njëjtë cilado qoftë mënyra; Perëndia është i gatshëm që ne t’i nënshtrohemi asaj sfide. Prapëseprapë, Ai na premton se hiri i Tij është i mjaftueshëm për ne.”1 Me fjalë të tjera, Ati Qiellor nuk na lejon të kalojmë përmes sprovave pa na siguruar ndihmën që na nevojitet nëpërmjet Shlyerjes së Jezu Krishtit.

Shembulli i Jozefit

Le të hedhim një tjetër vështrim të shpejtë te sprova e parë e madhe e Jozefit: Vëllezërit e tij e shitën si skllav.

A ishte kjo një sprovë e “Llojit 1”? A e shkaktoi Jozefi vetë këtë sfidë? Epo, jo. Ai vërtet tregoi pafajësisht dy prej ëndrrave të tij profetike lidhur me vëllezërit e tij më të mëdhenj. Ato ëndrra zbuluan se ai do të bëhej udhëheqësi i tyre një ditë. Sigurisht, vëllezërve të tij më të mëdhenj nuk iu pëlqeu ta dëgjonin atë gjë. Në fakt, ata “e urryen edhe më tepër për shkak të ëndrrave të tij” (Zanafilla 37:8).

Po të ishe në vendin e Jozefit, mund të përfytyroje veten duke menduar: “Sikur të mos u kisha treguar për ëndrrat e mia!”

Ose a ishte ajo përkundrazi një sprovë e “Llojit 2”? A ndodhi sprova e Jozefit nga të jetuarit në një botë të rënë, e cila përfshin njerëz të tjerë që e përdorin keq lirinë e tyre të zgjedhjes? Ndoshta. Sërish do të kishte qenë e lehtë për Jozefin që ta tundte kokën dhe të mendonte rreth mënyrës se si gjithë problemet e tij ishin për faj të vëllezërve të vet. Apo për faj të gënjeshtrës së gruas së Potifarit. Ose mbase për faj të kupëmbajtësit që për dy vjet harroi t’i thoshte Faraonit rreth Jozefit, edhe pasi premtoi se do t’i thoshte (shih Zanafilla 40:23).

Apo e gjithë kjo ishte përfundimisht një sprovë e “Llojit 3”? Me fjalë të tjera, a ishin këto gjëra që Perëndia lejoi që Jozefi t’i përjetonte, për ta ndihmuar të rritej? Për këtë pyetje, Jozefi vetë e ndjeu se përgjigjja ishte të paktën pjesërisht “po”. Kur më në fund u takua sërish me vëllezërit e tij, ai tha: “Por tani mos u trishtoni dhe mos t’ju vijë keq që më shitët me qëllim që të çohesha këtu poshtë, sepse Perëndia më ka dërguar para jush për të ruajtur jetën tuaj” (Zanafilla 45:5, theksimi i shtuar).

Tani, mbaj mend, Jozefi u shit si skllav në moshën 17–vjeçare. Ai ishte 30 vjeç kur qëndroi përpara Faraonit për të interpretuar ëndrrat që më në fund do ta çlironin. Kjo përbën 13 vjet, ose gati gjysmën e jetës së tij deri në atë kohë, gjatë së cilës Jozefi e kishte humbur lirinë e tij për shkak të asnjë faji nga ana e vet. Por ai kishte besim se “Perëndia [e kishte] dërguar” për të ruajtur jetën. Pavarësisht nga erdhi sprova, Jozefi përfundimisht e dinte se Perëndia kishte një qëllim.

Kjo mjaftonte për të. Kjo mund të mjaftojë për ne.

Jozefi me vëllezërit e tij në Egjipt

Jozefi i fali vëllezërit e tij dhe madje ua shpëtoi jetën gjatë zisë së bukës. Jozefi e dinte se Perëndia e kishte udhërrëfyer dhe mbrojtur jetën e tij.

Sprovat e Tua

Ne mund të shpenzojmë sasi të jashtëzakonshme energjie nëse mbetemi në të shkuarën. Mund të mendojmë: “Përse e bëra atë gjë?” ose “Sikur vetëm filani të mos më kishte mashtruar”.

Por ngulitja tek arsyetimet “po sikur” dhe “mund të kishte qenë”, nuk bën asgjë më shumë sesa të shkakton vuajtje për arsyen apo mënyrën se si vjen një sprovë në jetën tënde. Në fund, paqja dhe forca gjenden duke ardhur te Krishti dhe duke mirëbesuar tek Ai, siç bëri Jozefi i Egjiptit. Nëse e bëjmë këtë gjë, të gjitha sprovat tona mund të bëhen lloji i sprovave që na ndihmojnë t’i afrohemi më shumë Perëndisë dhe të bëhemi më shumë si Ai.

Presidenti Henri B. Ajring, i Presidencës së Parë, na ka mësuar: “Me arsye mund të pyesni veten përse një Perëndi i dashur dhe i gjithëfuqishëm lejon që provat tona në vdekshmëri të jenë kaq të vështira. Është ngaqë Ai e di se ne duhet të rritemi në pastërtinë dhe shtatin shpirtëror që të jemi të aftë të jetojmë në praninë e Tij në familje përgjithmonë.”2

Shpërblimet e Përjetshme

Nëse kemi mëkatuar, duhet të pendohemi. Nëse një sprovë është brenda mundësive tona për ta përmirësuar, ne mundemi dhe duhet ta bëjmë këtë gjë. Por shumica e vështirësive që hasim në vdekshmëri kanë prirjen të ngelen me ne më gjatë nga sa do të donim – nganjëherë për tërë jetën. Këtu, gjithashtu, përgjigjja është të kthehemi te Perëndia.

Kjo jetë ka si qëllim të na tendosë dhe të na vërë në provë. Dhe Perëndia do të ecë me ne, në qoftë se e kërkojmë Atë. Plaku Dejll G. Renland, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dha mësim: “Besimi juaj tek Ati Qiellor dhe Jezu Krishti do të shpërblehen më shumë nga ç’mund ta përfytyroni. Gjithë padrejtësia – veçanërisht padrejtësia ndërkryese – do të shenjtërohet për të mirën tuaj.”3

A ishte “e drejtë” që Jozefit i ndodhën ato gjëra? Jo. Por ngaqë i ndodhën ato gjërat, ai ishte në gjendje të shpëtonte jetën e kombeve, përfshirë familjen e vet.

Ti mund të jesh në mes të vetë sprovave të tua të ngjashme me të Jozefit. Mund të mos e kuptosh arsyen për sprovën. Apo mbarimin.

Thjesht mbaj mend, hiri i Perëndisë është i mjaftueshëm. Kthehu tek Ai dhe Ai do të kryejë mrekulli në jetën tënde.