“Zëri i Linaheit”, Për Forcën e Rinisë, Mars 2022.
Zëri i Linaheit
Nga muzika te historia familjare, Linahei po e përdor zërin e saj për mirë.
Linahei D. nga Tahiti e di se si ta përdorë zërin e vet për t’i bekuar të tjerët – në më shumë se një mënyrë. Për shembull, ajo po studion që të bëhet një ditë logopediste. “Dua t’i ndihmoj fëmijët me mënyrën se si shqiptojnë ose me mënyrën se si flasin”, – thotë ajo.
Gjithsesi ky është vetëm fillimi. E lindur në një familje me muzikantë të talentuar, Linahei, 14‑vjeçare, gjen shumë raste që ta përdorë zërin e saj për të kënduar. “Mua dhe vëllait na pëlqen shumë të këndojmë së bashku. Ai zakonisht bën zërin më të lartë dhe unë zërin më të ulët!”
Tek ata bëhet gjithashtu një orkestër e tërë familjare. “Mami im i bie pianos për të na ndihmuar që të mësojmë këngët dhe babi i bie kitarës dhe ukuleles (një kitare e vogël havajane).” Si mund të kemi një orkestër familjare pa pak perkusion? “Babit dhe mua na pëlqen të luajmë to‘ere‑n, që është një daulle tradicionale polineziane.”
Si një ansambël i tërë që e shoqëron, familja e saj e ndihmon me më shumë se thjesht muzikën. “Prindërit e mi gjithmonë më nxitin për studimet e mia dhe babi më jep bekime priftërie.” Kur vijnë kohë të vështira, ajo e di se mund t’i drejtohet edhe Atit të saj Qiellor. “E di se sa shumë më do Zoti dhe se Ai është gjithmonë atje për fëmijët e Tij.”
Linahei jo vetëm që e përdor zërin e saj për muzikë e lutje, por ajo flet hapur për ndihmën e pjesëtarëve të familjes në anën tjetër të velit.
Një Zë Dashurie për Familjen në Anën Tjetër të Velit
“Një natë pashë një ëndërr ku pashë qindra njerëz, por asnjëri prej tyre nuk mund të komunikonte me njëri‑tjetrin”, – thotë ajo. “Mendova se i njihja, por nuk isha e sigurt.”
Linahei në fillim nuk e dinte se çfarë kuptimi kishte ëndrra. Më pas ajo pati një mendim emocionues: “Përpara mbylljes brenda nga COVID‑19, unë kisha kryer mbi 100 pagëzime për paraardhësit e mi – këta njerëz në ëndrrën time mund të përfaqësonin ata pjesëtarë të familjes!”
Duke u ndier më e gëzuar rreth historisë familjare se ndonjëherë më parë, Linahei bëri gjithçka mundi për të ndihmuar që ata emra të kalonin proceset e tjera në tempull për të marrë ordinancat e tyre të tjera. Pak kohë pas kësaj, Linahei dhe nëna e vet u thirrën si këshilluese për historinë familjare në lagjen e tyre.
“Ne e ndihmuam një grua në lagjen tonë që të përdorte llogarinë e saj në programin FamilySearch. Kur pa pemën e saj familjare, ishte kaq e lumtur – ishte hera e parë që i kishte parë gjithë paraardhësit e saj!”
“Më parë ndihesha nervoze që t’u afrohesha njerëzve në lagjen time”, – e pranon Linahei. “Por tani që e kam mamin pranë, kam më shumë vetëbesim për t’u mësuar njerëzve rreth historisë familjare.”
Ngrije Zërin Tënd
Tani Linahei mezi pret të ndihmojë njerëzit që të mësojnë rreth paraardhësve të tyre. “Më pëlqen shumë të shoh se sa të lumtur janë njerëzit kur bëjnë historinë e tyre familjare. Dhe unë mendoj se paraardhësit tanë janë të lumtur që interesohemi për ta dhe që kryejmë ordinancat e tyre.”
Në thirrjen e saj si këshilluese për historinë familjare, ajo kohët e fundit organizoi një aktivitet për të rejat e lagjes së saj. Ajo jo vetëm që i ndihmoi ato të gjenin emra të familjes për t’i çuar në tempull, por ndihmoi gjithashtu fëmijët e Fillores që të krijonin llogaritë e tyre, që edhe ata të mund të marrin pjesë.
“Do të shkojmë në tempull së shpejti”, – tha ajo.
A do të jesh po aq i mirë ose e mirë sa Linahei? Mos u shqetëso, është tërësisht e mundur. “Rinia mund ta çojë përpara punën e Perëndisë duke përdorur teknologjinë”, – thotë Linahei. “Çfarëdo gjëje që na ndihmon të mendojmë për paraardhësit tanë është e mrekullueshme. E di se bërja e historisë familjare do t’i sjellë çdo njeriu më shumë gëzim në jetën e vet. Historia familjare më ka afruar më pranë paraardhësve të mi dhe Krishtit në të njëjtën kohë.”
Me gjithë punën që po bën për paraardhësit e saj, një gjë është e sigurt: Familja e Linaheit sigurisht që nuk është thjesht histori!