2022
Perëndia Mund të Na Ndihmojë në Kohë të Vështira
Mars 2022


“Perëndia Mund të Na Ndihmojë në Kohë të Vështira”, Për Forcën e Rinisë, Mars 2022.

Perëndia Mund të Na Ndihmojë në Kohë të Vështira

Jezu Krishti di si ta ndihmojë secilin prej nesh, cilatdo qofshin sprovat tona.

Jezu Krishti

Shpëtimtari Eci mbi Ujë, nga Walter Rane

E mbaj mend se çfarë ndieja kur isha adoleshent, ngaqë jetoja në kohë që dukeshin se ishin të vështira. Pati një luftë botërore që vazhdonte me tërbim. Të rinj vetëm pak më të mëdhenj se unë në moshë po vriteshin në luftime. Në lagjet e banimit aty pranë kishte përleshje midis bandave. Një depresion ekonomik mbarëbotëror nuk kishte mbaruar ende dhe shumë njerëz ishin të varfër. Unë dhe familja ime ishim të vetmit shenjtorë të ditëve të mëvonshme në qytetin ku jetonim.

Prapëseprapë isha i lumtur dhe optimist. Më ishte mësuar, sikurse të është mësuar ty, se sprovat tona janë një bekim i mundshëm nëse na drejtojnë tek Ati Qiellor dhe Shpëtimtari për ndihmë.

Përse Sprovat?

Sprovat na japin mundësinë e çmuar për të zgjedhur që të ushtrojmë besim. Ne mund të kërkojmë ndihmë nga Jezu Krishti në lutje, i cili e di se si të na ndihmojë. Ai përjetoi çdo sprovë që ne do të hasim ndonjëherë. Ai e di në mënyrë të përsosur se si ta ndihmojë çdonjërin prej nesh. Dhe Ai na do.

Qëllimi i sfidave në jetë është të shohim se çfarë do të zgjedhim të bëjmë. A do të ushtrojmë besimin për t’i zbatuar urdhërimet që Ai na ka dhënë në çfarëdo sprove që hasim? Një Perëndi i dashur gjithmonë bën atë që është më e mira për ne. Ai mund ta heqë ose pakësojë provën tonë nëse kjo gjë do ta forconte besimin tonë. Në raste të tjera, Ai mund të mos e bëjë këtë.

Teksa e ke studiuar jetën në vitet e rinisë së profetëve të Dhiatës së Vjetër, e ke parë mënyrën se si Zoti na ndihmon hap pas hapi për t’u ngritur mbi sprovat e vështira. Për shembull, mënyra e Zotit për të ndihmuar Jozefin dhe Moisiun më mësoi se si të kërkoj dhe të marr ndihmë në kohë të vështira.

Sprovat e Jozefit

Jozefi, biri i dashur i Jakobit, u hodh në pus nga vëllezërit e tij dhe më pas u shit si skllav në Egjipt. Vëllezërit i thanë babait të tij se atë e kishin vrarë. Ndërkohë që Jozefi ishte shërbëtor skllav, Zoti i dha atij fuqi të interpretonte ëndrrat e Faraonit. Zoti i tregoi Jozefit se si Egjipti mund të goditej nga një zi buke në të ardhmen. Ai i dha Jozefit forcën morale për t’i bërë ballë tundimit, për t’u liruar nga burgu dhe, në moshën 32‑vjeçare për t’u ngritur në një detyrë të lartë nga Faraoni. Faraoni tha për Jozefin: “A mund të gjejmë një njeri si ky, tek i cili të gjendet Fryma e Perëndisë?”1

Një mësim për mua nga mënyra se si Zoti e ndihmoi Jozefin, është se si Ai mund të na ndihmojë ne në kohë të vështira. Teksa Jozefi vazhdonte të bënte zgjedhje të drejta, Zoti e forcoi Jozefin, i dha fuqi shpirtërore dhe i zbuti zemrat e njerëzve përreth tij.

Zoti duke iu shfaqur Moisiut

Moses Seeing Jehovah [Moisiu Duke Parë Jehovën], nga Joseph Brickey

Sprovat e Moisiut

Po ashtu, ndihma e Zotit ndaj Moisiut në sprovat e tij ishte e ngjashme me ndihmën e Tij ndaj Jozefit. Sprovat e Moisiut gjithashtu filluan në rininë e tij. Moisiu u nda nga prindërit e vet. Prova e tij që në fëmijëri ishte të rritej nga bija e Faraonit. Në mbrojtje të një izraeliti, ai vrau një egjiptian dhe iu desh të arratisej drejt shkretëtirës.

Zoti iu shfaq Moisiut dhe e thirri që të çlironte fëmijët e Izraelit nga robëria në Egjipt. Ajo detyrë e pamundur në dukje ishte një provë që Moisiu e ndjeu të ishte përtej asaj që mund të bënte ai. Sprovat dhe provat më të rënda të jetës sate mund të vijnë kur të të jepet një detyrë nga Zoti që duket shumë e vështirë dhe ndien se keni nevojë për ndihmën e Perëndisë.

Zoti e filloi duke i dhënë Moisiut ndihmën që do t’ju nevojitet juve. Ai i tha Moisiut se ishte Ai që do ta forconte përmes provave që e prisnin.

“UNË JAM AI QË JAM [dhe] … do t’u thuash kështu bijve të Izraelit: ‘UNË JAM-i më ka dërguar tek ju’.”2 Me atë siguri, Moisiu fitoi besim dhe forcë për serinë e provave që e prisnin në detyrën që i ishte caktuar atij. Jo vetëm që Zoti e kishte thirrur, por Zoti do të shkonte përpara fytyrës së tij në mënyra në dukje të mrekullueshme.

Jezu Krishti

Light of the World [Drita e Botës], nga Walter Rane

Sprovat e Tua

Kohët e vështira me të cilat përballemi ti dhe unë, do të jenë të pashoqe. Dy jetë nuk janë saktësisht të njëjta. Sprovat përshtaten për secilin prej nesh nga një Atë i dashur Qiellor dhe Biri i Tij i Dashur, Jezu Krishti. Mënyra sipas së cilës Ata u përgjigjen lutjeve tona për ndihmë, do të jetë ajo që është më e mira për ne. Për disa mund të jetë që të na forcojë dhe për të tjerë mund të jetë që të na japë gëzim kur ndeshemi me vështirësitë me besim.

Për ne të gjithë, ndihma që na nevojitet më shumë kur vihemi në provë, në çfarëdo mënyre dhe pavarësisht se sa gjatë, është një besim drithërues te Jezu Krishti. Ishte ai besim që e lejoi Jozefin të interpretonte ëndrra në Egjipt. Ishte një besim i sigurt te Jezu Krishti që i dha guxim Moisiut dhe e forcoi në detyrën e tij të vështirë për ta ndihmuar Zotin që të çlironte popullin e Tij.

Në rininë tënde, tashmë je vënë në provë nga raste të vështira, siç u vura edhe unë në provë. Por si mua, ty të është mësuar të mirëbesosh te Jezu Krishti. E kuptoj tani përse ndieja një optimizëm të tillë dhe madje gëzim kur isha i ri. Nuk ishte se prisja që kohët të bëheshin më të mira ose më të lehta. Ishte pasi ndjeva vetëbesim se në qoftë se do t’i mirëbesoja dhe shërbeja Atij, në njëfarë mënyre gjithçka do të ishte mirë.

Gjyshja ime i kërkoi babait tim të këndonte me të rrugës për në shtëpi, pasi asaj iu tha se shpejt do të vdiste nga kanceri: “Edhe në vdekshim përgjat’ udh’timit, … Gjithçka mir’! Gjithçka mir’!”3 Jap dëshminë time se një Jezu Krisht i ringjallur e di se si ta ndihmojë secilin prej nesh, cilatdo qofshin sprovat tona. Kemi nevojë vetëm të kërkojmë me besim tek Ai.

Jezu Krishti të do dhe do të të ndihmojë, në të gjitha rastet dhe sipas asaj që është më e mira për ty. Unë dëshmoj kështu, me dashuri për ty dhe për Të, në emrin e Jezu Krishtit, amen.