“Fuqia e Priftërisë gjatë Pandemisë”, Për Forcën e Rinisë, Mars 2022.
Tema dhe Unë
Të rinjtë dhe të rejat tregojnë se si po i jetojnë fjalët e Temave të Të Rejave dhe të Kuorumit të Priftërisë Aarone
Fuqia e Priftërisë gjatë Pandemisë
“Unë do ta dua Perëndinë … dhe do ta përdor priftërinë e Tij që t’u shërbej të tjerëve, duke filluar nga vetë shtëpia ime.”
Kur filluam ta bënim Kishën në shtëpi për shkak të pandemisë COVID-19, unë ndihmoja që t’ia jepja sakramentin familjes sime. Ishte e këndshme që isha në gjendje ta bëja këtë gjë në shtëpinë time dhe ajo më bëri të kuptoja se sa mirënjohës jam për sakramentin. Jam mirënjohës që isha në gjendje të jetoja gjatë kësaj kohe që e kishim kishën në shtëpi.
Njëra nga fqinjat tona kishte nevojë për dikë që t’i sillte sakramentin. Nuk kishte asnjë njeri në shtëpinë e saj që mund ta përgatiste ose bekonte sakramentin ngaqë bashkëshorti i saj kishte vdekur disa vjet më parë. Ajo gjithashtu po tregohej e kujdesshme me vizitorët për shkak të pandemisë. Unë dhe babi jemi vëllezërit e saj shërbestarë, prandaj ofruam që t’i jepnim sakramentin ndërkohë që mbanim maska dhe ndërmerrnim masa të tjera paraprake për sigurinë e saj.
Ajo ishte tepër mirënjohëse që ne mundeshim të shkonim në shtëpinë e saj. Më trishtoi paksa që ajo ishte e vetmuar, ngaqë ishte i vetmi person në shtëpinë e saj gjatë pandemisë. Por isha gjithashtu mirënjohës që mund t’i ofroja diçka kaq të rëndësishme për ta bërë të lumtur. Qe kënaqësi që ishim në gjendje t’i shërbenim asaj. Më lumturoi që unë dhe babi ishim në gjendje të shkonim e t’i shërbenim fqinjës sonë.
Jam mirënjohës që kam priftërinë, sepse ajo nuk më sjell dobi vetëm mua por edhe njerëzve të tjerë. Ajo më ndihmon të bëhem një njeri më i mirë dhe më ndihmon të kuptoj se si mund t’u shërbej të tjerëve. Shpërndarja e sakramentit në shtëpinë time dhe për fqinjën time m’i hapi sytë. Kam nevojë të përfitoj nga mundësia për ta shpërndarë sakramentin dhe për t’u shërbyer njerëzve që nuk mund ta bëjnë vetë këtë gjë. Jam mirënjohës që mund ta përdor priftërinë për të bekuar njerëz të tjerë dhe familjen time.
Autori jeton në Jutë, SHBA.