Nesër Zoti Ka për të Bërë Mrekulli midis Jush
Vazhdoni të doni. Vazhdoni të përpiqeni. Vazhdoni të mirëbesoni. Vazhdoni të besoni. Vazhdoni të rriteni. Qielli po gëzohet me ju sot, nesër dhe përgjithmonë.
Vëllezër e motra, a keni ndonjë ide – a keni ndonjë mendim apo ide të vagët të ndonjë lloji – se sa shumë ju duam ne? Për 10 orë ju vështroni, të ngulitur te një fytyrë te kjo foltore, duke i parë ato njëra pas tjetrës, por gjatë atyre 10 orëve, ne, të ulur prapa kësaj foltoreje, ju vështrojmë, të ngulitur te ju. Na emociononi deri në thellësi të shpirtit tonë, qofshin ata 21.000 veta këtu në Qendrën e Konferencave apo numrat e shumtë në shtëpitë e mbledhjeve dhe godinat kishtare, apo së fundi miliona njerëz në shtëpitë anembanë globit, ndoshta të mbledhur grumbull përreth një ekrani të një kompjuteri të familjes. Jeni këtu, jeni atje, orë pas ore, me veshjet më të mira të së dielës, duke qenë më të mirët që mund të jeni. Këndoni e luteni. Dëgjoni e besoni. Ju jeni mrekullia e kësaj Kishe. Dhe ne ju duam.
Ç’konferencë tjetër të përgjithshme, të mrekullueshme kemi pasur! Veçanërisht jemi bekuar me praninë e Presidentit Tomas S. Monson dhe me mesazhe profetike. President, ne ju duam, lutemi për ju, ju falënderojmë dhe mbi të gjitha, ju mbështetim. Jemi mirënjohës që na është dhënë mësim prej jush dhe këshilltarëve tuaj të mrekullueshëm dhe prej kaq shumë udhëheqësish tanë të tjerë, burrash e grash të madhërishme. Kemi dëgjuar muzikë që s’gjen krahasim. Folësit janë lutur dhe përgjëruar me ngulm për ne. Me të vërtetë Shpirti i Zotit ka qenë këtu me bollëk të madh. Çfarë fundjave frymëzuese ka qenë kjo në çfarëdolloj mënyre.
Tani, unë shoh vërtet dy probleme. Njëri është fakti se jam i vetmi njeri që qëndroj ndërmjet jush dhe akullores që e keni gjithmonë gati në përfundimin e konferencës së përgjithshme. Një problem tjetër i mundshëm tregohet në këtë fotografi që e pashë kohët e fundit në internet.
Ju kërkoj ndjesë të gjithë fëmijëve që po fshihen tani nën divan, por e vërteta është se askush prej nesh nuk dëshiron që e nesërmja, ose dita pas saj, t’i shkatërrojë ndjenjat e mrekullueshme që i kemi pasur këtë fundjavë. Ne duam të mbahemi fort te mbresat shpirtërore që i kemi pasur, dhe mësimet e frymëzuara që i kemi dëgjuar. Por është e pashmangshme që pas çasteve qiellore në jetën tonë, ne, nga nevoja, të kthehemi në tokë, le të themi, atje ku nganjëherë përballemi sërish me rrethana aspak të përsosura.
Autori i Letrës drejtuar Hebrenjve na paralajmëroi për këtë kur shkroi: “Sillni ndërmend ditët e mëparshme, në të cilat, pasi u ndriçuat, keni duruar një luftë të madhe vuajtjesh”. Ajo vuajtje pasi u ndriçuam, mund të vijë në shumë mënyra dhe mund të na vijë neve të gjithëve. Sigurisht që çdo misionar, i cili ka shërbyer ndonjëherë në një mision, shpejt e kuptoi se jeta në mision nuk do të ishte po aq e ngjashme me mjedisin e përpunuar të qendrës së trajnimit të misionarëve. Po kështu është për ne të gjithë që largohemi nga një sesion i këndshëm në tempull ose që mbarojmë një mbledhje sakramenti veçanërisht shpirtërore.
Mbani mend se, kur Moisiu zbriti nga përvoja e tij mbresëlënëse në malin Sinai, ai e gjeti popullin e tij të “[ishte] korruptuar” dhe të ishte “largua[r] shpejt”. Atje ishin ata, në rrëzë të malit, duke ngritur me nxitim një viç të artë për ta adhuruar, pikërisht në kohën kur Jehova, në majë të malit, ishte duke i thënë Moisiut: “Nuk do të kesh perëndi të tjerë para meje” dhe “Nuk do të bësh [asnjë] skulpturë”. Moisiu nuk ishte i kënaqur me tufën e tij të izraelitëve endacakë të asaj kohe!
Gjatë shërbesës së Tij tokësore, Jezusi i çoi Pjetrin, Jakobin dhe Gjonin te Mali i Shpërfytyrimit, ku, shkrimi i shenjtë thotë se “fytyra e tij shkëlqeu si dielli dhe rrobat e tij u bënë të bardha si drita”. Qiejt u hapën, profetët e lashtë erdhën dhe Perëndia, Ati, foli.
Pas një përvoje të tillë çelestiale, çfarë gjeti Jezusi kur zbriti nga mali? Pra, fillimisht Ai gjeti një grindje midis dishepujve të Tij dhe kundërshtarëve të tyre lidhur me një bekim të dështuar, të administruar ndaj një të riu. Më pas u përpoq t’i bindte Të Dymbëdhjetët – pa ia dalë mbanë me sukses – se Ai shpejt do t’u dorëzohej sundimtarëve vendorë të cilët do ta vrisnin. Pastaj dikush përmendi se një taksë duhej paguar, që u pagua pa vonesë. Më pas iu desh të qortonte disa prej vëllezërve ngaqë po debatonin se kush do të ishte më i madhi në mbretërinë e Tij. Të gjitha këto e bënë Atë që të thoshte: “O brez që s’beson, … deri kur do t’ju duroj?” Ai pati arsye ta bënte atë pyetje më shumë se një herë gjatë shërbesës së Tij. S’është çudi që Ai e dëshironte vetminë duke u lutur në majë të maleve!
Duke e kuptuar që ne të gjithëve do të na duhet të zbresim nga përvojat kulmore që të merremi me peripecitë e zakonshme të jetës, më lejoni të ofroj këtë inkurajim teksa përfundon konferenca e përgjithshme.
Para së gjithash, në qoftë se në ditët e ardhshme nuk shihni vetëm kufizime te njerëzit përreth jush, por gjithashtu gjeni elemente në vetë jetën tuaj që ende nuk përputhen me mesazhet që i keni dëgjuar këtë fundjavë, ju lutem, mos e humbisni kurajën dhe mos hiqni dorë. Ungjilli, Kisha dhe këto mbledhje të mrekullueshme gjysmëvjetore kanë si qëllim të na japin shpresë dhe frymëzim. Ato nuk kanë si qëllim që t’ju shkurajojnë. Vetëm kundërshtari, armiku i neve të gjithëve, do të përpiqej të na bindte se idealet e përvijuara në konferencën e përgjithshme janë dëshpëruese dhe nuk janë realiste, se njerëzit në të vërtetë nuk përmirësohen, se në të vërtetë askush nuk përparon. Dhe përse Luciferi e mban atë fjalim? Ngaqë e di se ai nuk mund të përmirësohet, se ai nuk mund të përparojë, se në botët pa fund ai nuk do të ketë kurrë një të nesërme të shkëlqyer. Ai është një qenie e mjerë, i lidhur prej kufizimeve të përjetshme dhe dëshiron që edhe ju të jeni të mjerë. Por, mos u mashtroni prej kësaj. Me dhuratën e Shlyerjes së Jezu Krishtit dhe forcën e qiellit për të na ndihmuar, ne mund të përmirësohemi dhe gjëja e madhërishme rreth ungjillit është që ne shpërblehemi për përpjekjen, edhe nëse nuk ia dalim gjithmonë mbanë.
Kur kishte debat në Kishën e hershme se kush e kishte të drejtën të merrte bekime nga qielli dhe kush nuk e kishte atë, Zoti i shpalli Profetit Jozef Smith: “Sepse në të vërtetë unë ju them, [dhuratat e Perëndisë] jepen për përfitimin e atyre që më duan e që i zbatojnë … urdhërimet e mia, dhe [për ata] që kërko[jnë] të bëj[në] kështu”. Vërtet, a s’jemi ne të gjithë mirënjohës për atë përkujdesje të shtuar “dhe … kërko[jmë] të bëj[më] kështu”! Ai ka qenë një fakt jetëshpëtues mbasi nganjëherë ai është gjithçka që mund të ofrojmë! Ne gjejmë ngushëllim në faktin që, nëse Perëndia do të shpërblente vetëm besimtarin e përsosur, Ai nuk do të kishte shumë emra në listën e dhënies së shpërblimeve.
Ju lutem, mbajeni mend se nesër, dhe të gjitha ditët pas saj, Zoti i bekon ata që dëshirojnë të përmirësohen, që e pranojnë nevojën për urdhërime dhe përpiqen t’i zbatojnë ato, që i vlerësojnë virtytet e ngjashme me ato të Krishtit dhe përpiqen fort me gjithçka munden, që t’i fitojnë ato. Nëse ju pengoheni në atë përpjekje, po ashtu pengohet gjithkush; Shpëtimtari është atje që t’ju ndihmojë të vazhdoni. Nëse bini, bëjini thirrje forcës së Tij. Lutuni si Alma: “O Jezus, … ki mëshirë mbi mua”. Ai do t’ju ndihmojë të ngriheni sërish. Ai do t’ju ndihmojë të pendoheni, të ndreqni, të rregulloni çfarëdo që duhet rregulluar, dhe të vazhdoni. Shumë shpejt do ta keni suksesin që kërkoni.
“Siç dëshiron prej meje, ashtu do të jetë për ty”, ka shpallur Zoti.
“… Vëre besimin tënd në atë Shpirt që drejton për të bërë mirë – po, për të bërë të drejtën, për të ecur me përulësi, për të gjykuar me drejtësi. …
… [Atëherë] cilatdo [gjëra] që dëshiron prej meje … [me] drejtësi, … do [t’i] marrësh.”
Më pëlqen shumë ajo doktrinë! Ajo thotë sërish e sërish që ne do të bekohemi për dëshirën tonë për të bërë mirë, madje ndërkohë që vërtet përpiqemi fort që të jemi të tillë. Dhe na kujton se, që të kualifikohemi për ato bekime, duhet të sigurohemi që ne nuk ua mohojmë ato të tjerëve: ne duhet të veprojmë me drejtësi, kurrë padrejtësisht, kurrë pandershmërisht; ne duhet të ecim me përulësi, kurrë me arrogancë, kurrë plot krenari; ne duhet të gjykojmë me drejtësi, kurrë me drejtësinë e shpallur nga vetja jonë, kurrë pa pasur të drejtë.
Vëllezërit dhe motrat e mia, urdhërimi i parë i madh i gjithë përjetësisë është që ta duam Perëndinë me të gjithë zemrën, fuqinë, mendjen dhe forcën tonë – ai është urdhërimi i parë i madh. Por e vërteta e parë e madhe e gjithë përjetësisë është që Perëndia na do me gjithë zemrën, fuqinë, mendjen dhe forcën e Tij. Ajo dashuri është guri themeltar i përjetësisë dhe duhet të jetë guri themeltar i jetës sonë të përditshme. Në të vërtetë është vetëm nëpërmjet asaj sigurie që digjet brenda shpirtit tonë, që ne mund të kemi vetëbesim që të vazhdojmë të përpiqemi për t’u përmirësuar, që të vazhdojmë të kërkojmë falje për mëkatet tona dhe të vazhdojmë ta shtrijmë atë hir drejt njerëzve përreth nesh.
Presidenti Xhorxh Q. Kenën dikur dha mësim: “Pavarësisht sa e rëndë sprova, sa i thellë dëshpërimi, sa i madh hidhërimi, [Perëndia] kurrë nuk do të na braktisë. Ai kurrë nuk na ka braktisur dhe kurrë nuk do të na braktisë. Ai nuk mund të na braktisë. Nuk është në karakterin e Tij [që të na braktisë]. … Ai [gjithmonë] do të na qëndrojë përkrah. Ne mund të përshkojmë furrën e zjarrit përvëlues, mund të përshkojmë ujërat e thella, por nuk do të shkatërrohemi, as nuk do të dërrmohemi. Ne do të dalim nga gjithë këto sprova dhe vështirësi më të mirë e më të pastruar për shkak të tyre.”
Tani, me atë përkushtim madhështor duke kumbuar nga qielli si e pandryshueshmja e madhërishme në jetën tonë, të shfaqur në mënyrën më të dëlirë e më të përsosur në jetën, vdekjen dhe Shlyerjen e Zotit Jezu Krisht, ne mund t’u largohemi pasojave të mëkatit si edhe të budallallëkut – nga ana jonë apo nga të tjerët – në çfarëdo lloj forme që mund të na vijnë në udhën e të jetuarit të përditshëm. Nëse ia japim zemrën tonë Perëndisë, nëse e duam Zotin Jezu Krisht, nëse bëjmë gjithçka mundemi për ta jetuar ungjillin, atëherë e nesërmja – dhe çdo ditë tjetër – më së fundi do të jenë madhështore, edhe pse nuk e kuptojmë gjithmonë që është e tillë. Përse? Sepse Ati ynë Qiellor dëshiron që ajo të jetë! Ai dëshiron të na bekojë. Një jetë shpërblyese, e begatë dhe e përjetshme është pikërisht synimi i planit të Tij të mëshirshëm për fëmijët e Tij! Është një plan i bazuar mbi të vërtetën “se të gjitha gjërat bashkëveprojnë për të mirë për ata që e duan Perëndinë”. Prandaj vazhdoni të doni. Vazhdoni të përpiqeni. Vazhdoni të mirëbesoni. Vazhdoni të besoni. Vazhdoni të rriteni. Qielli po gëzohet me ju sot, nesër dhe përgjithmonë.
“Nuk e di ti, vallë, nuk e ke dëgjuar?” thirri Isaia.
“[Perëndia] i jep forcë të lodhurit dhe rrit fuqinë e të këputurit. …
… Ata që shpresojnë te[k Ai,] fitojnë forca të reja, ngrihen me krahë si shqiponja. …
Sepse … Zoti, Perëndia … [i] zë nga dora e djathtë dhe [u] th[otë]: ‘Mos u frikëso[ni], unë [do t’ju] ndihmoj’.”
Vëllezër e motra, na bekoftë një Atë i dashur në Qiell nesër që të kujtojmë se si u ndiem sot. Na bekoftë që të përpiqemi fort me durim e këmbëngulje drejt idealeve që i kemi dëgjuar të shpallen në këtë fundjavë konference, duke e ditur se dashuria e Tij hyjnore dhe ndihma e Tij e padështueshme do të jenë me ne edhe kur hasim vështirësi – jo, do të jetë me ne veçanërisht kur hasim vështirësi.
Nëse standardet e ungjillit duken të larta dhe përmirësimi vetjak i nevojshëm duket i paarritshëm në ditët e ardhshme, kujtoni nxitjen nga Jozueu drejtuar popullit të tij kur u përballën me një të ardhme frikësuese. “Shenjtërohuni”, tha ai, “sepse nesër Zoti ka për të bërë mrekulli midis jush.” Unë e shpall po të njëjtin premtim. Është premtimi i kësaj konference. Është premtimi i kësaj Kishe. Është premtimi i Atij që i kryen këto mrekulli, i cili është Vetë “Këshilltar i admirueshëm, Perëndi i fuqishëm, … Princ i paqes”. Për Të unë jap dëshmi. Për Të unë jam dëshmitar. Dhe për Të kjo konferencë qëndron si një dëshmi e punës së Tij të vazhdueshme në këtë ditë të madhërishme, të fundit. Në emrin e Jezu Krishtit, amen.