N’Qoft Shi a Diell, Zot, me Mua Rri!
Unë dëshmoj se “n’qoft shi a diell” Zoti do të rrijë me ne, që “pikëllim[et] [tona të mund] të përfshihe[n] vetëm në gëzimin për Krishtin”.
Një nga himnet tona të dashura shpreh lutjen: “N’qoft shi a diell, Zot, me mua rri!” Një herë isha në avion ndërsa po afrohej një stuhi e madhe. Duke vështruar nga dritarja, mund të shihja një shtresë të dendur resh poshtë nesh. Rrezet e diellit që po perëndonin pasqyroheshin te retë, duke shkaktuar që ato të shndrinin me një dritë të fortë. Shpejt, avioni u ul përmes reve të dendura dhe befas u mbërthyem nga një errësirë e thellë që na e mbuloi krejtësisht dritën e fortë që kishim dëshmuar pak çaste më parë.
Edhe në jetën tonë mund të formohen re të zeza, të cilat mund të na e mbulojnë dritën e Perëndisë e madje të na bëjë të mendojmë se ajo dritë nuk ekziston më për ne. Disa nga ato re vijnë nga depresioni, ankthi dhe forma të tjera pikëllimi mendor dhe emocional. Ato mund ta shtrembërojnë mënyrën se si ne e perceptojmë veten, të tjerët dhe madje Perëndinë. Ato prekin gratë dhe burrat e të gjitha moshave anekënd botës.
Po aq dëmtuese është edhe reja e pamëshirshme e skepticizmit që mund të prekë të tjerë që nuk i kanë përjetuar këto sfida. Si çdo pjesë e trupit, truri u nënshtrohet sëmundjeve, traumave dhe mungesës së ekuilibrit kimik. Kur mendja jonë vuan, gjëja e duhur është që të kërkojmë ndihmë nga Perëndia, nga ata përreth nesh e nga mjekët dhe profesionistët e shëndetit mendor.
“Të gjitha qeniet njerëzore – meshkuj dhe femra – janë krijuar sipas shëmbëlltyrës së Perëndisë. Secili është një bir ose bijë shpirtërore e dashur e prindërve qiellorë dhe … secili ka një natyrë dhe destinacion hyjnor.” Ashtu si Prindërit tanë Qiellor dhe Shpëtimtari ynë, ne kemi një trup fizik dhe përjetojmë emocione.
Motrat e mia të dashura, është normale që të ndihemi të trishtuara ose të shqetësuara njëherë në kaq kohë. Trishtimi dhe ankthi janë emocione njerëzore të natyrshme. Sidoqoftë, nëse jemi vazhdimisht të trishtuara dhe nëse dhembja jonë e bllokon aftësinë për ta ndier dashurinë e Atit tonë Qiellor dhe Birit të Tij dhe ndikimin e Frymës së Shenjtë, atëherë ne mund të jemi duke vuajtur nga depresioni, ankthi ose një gjendje tjetër emocionale.
Ime bijë njëherë shkroi: “Kisha një periudhë … [kur] isha tej mase e trishtuar gjatë gjithë kohës. Mendoja gjithmonë që trishtimi ishte si diçka e turpshme dhe kjo ishte një shenjë dobësie. Kështu që e mbajta trishtimin për vete. … Ndihesha krejtësisht e pavlerë.”
Një mikeshë e përshkroi në këtë mënyrë: “Që në fëmijërinë time të hershme, jam përballur me një betejë të vazhdueshme ndjenjash si humbja e shpresës, errësira, vetmia e frika dhe ndjenjën se jam e rrënuar dhe e dobët mendërisht.” Bëra gjithçka për ta fshehur dhembjen time dhe të mos bija asnjëherë në sy, por të [dukesha] si e gjallëruar dhe e fortë.”
Miqtë e mi të dashur, mund t’i ndodhë gjithkujt nga ne – veçanërisht kur, si besimtarë në planin e lumturisë, ne i vëmë vetes barrë të panevojshme duke menduar se kemi nevojë të jemi të përkryer tani. Të tilla mendime mund të jenë sfilitëse. Arritja e përsosurisë është një proces që do të ndodhë gjatë jetës sonë në vdekshmëri dhe më tej – dhe vetëm nëpërmjet hirit të Jezu Krishtit.
Në të kundërt, kur ne flasim hapur rreth sfidave tona emocionale, duke e pranuar se nuk jemi të përsosur, ne i lejojmë të tjerët të na i tregojnë vështirësitë e tyre. Së bashku ne kuptojmë se ka shpresë dhe nuk kemi përse të vuajmë të vetëm.
Si dishepuj të Jezu Krishtit, ne kemi bërë një besëlidhje me Perëndinë se ne “je[m]i të gatshëm të mba[jmë] barrat e njëri-tjetrit” dhe “të vajto[jmë] me ata që vajtojnë.” Kjo mund të përfshijë të qenit në dijeni për sëmundjet emocionale, gjetjen e burimeve që mund të na ndihmojnë t’i trajtojmë këto vështirësi dhe si përfundim, sjelljen e vetes dhe të të tjerëve te Krishti, i cili është Mësuesi Shërues. Ndonëse nuk e dimë se si ta gjejmë veten tek ajo që të tjerët po kalojnë, pohimi se dhembja e tyre është e vërtetë mund të jetë një hap i parë i rëndësishëm për të gjetur kuptim dhe shërim.
Në disa raste, shkaku i depresionit ose i ankthit mund të identifikohet, ndërkohë që herë të tjera mund të jetë i vështirë të dallohet. Truri ynë mund të vuajë për shkak të stresit ose nga lodhja drobitëse, e cila ndonjëherë mund të përmirësohet nëpërmjet rregullimeve të regjimit ushqimor, gjumit dhe stërvitjes. Në të tjera raste, mund të jenë të nevojshme edhe terapia ose mjekimi nën drejtimin e profesionistëve të trajnuar.
Sëmundjet mendore ose emocionale të patrajtuara mund të çojnë në izolim gjithnjë e më të madh, keqkuptime, marrëdhënie të prishura, dëmtim të vetes dhe madje vetëvrasje. Këtë e kam përjetuar personalisht, kur vetë im atë vdiq nga kryerja e vetëvrasjes shumë vjet më parë. Vdekja e tij ishte tronditëse dhe ia copëtoi zemrën familjes sime dhe mua. Më janë dashur vite që ta përballoja hidhërimin tim, dhe vetëm kohët e fundit kam kuptuar se të folurit rreth vetëvrasjes në mënyra të përshtatshme, në fakt, ndihmon për ta parandaluar atë, në vend që ta nxitë. Tani kam diskutuar hapur në lidhje me vdekjen e tim ati me fëmijët e mi dhe e kam dëshmuar shërimin që mund të japë Shpëtimtari në të dyja anët e velit.
Me keqardhje, shumë njerëz që vuajnë nga depresioni i thellë e largojnë veten nga bashkëshenjtorët e tyre, sepse ndihen sikur nuk i përshtaten një lloj modeli imagjinar. Ne mund t’i ndihmojmë ata të dinë dhe të ndiejnë se vërtetë e kanë vendin me ne. Është e rëndësishme që të dallojmë se depresioni nuk është rezultati i dobësisë, as nuk është zakonisht rezultat i mëkatit. Ai “rritet kur mbahet i fshehur përbrenda, por zvogëlohet nga ndjeshmëria.” Së bashku, ne mund të depërtojmë përmes reve të izolimit dhe stigmatizimit, në mënyrë që barra e turpit të hiqet dhe mrekullitë e shërimit të mund të ndodhin.
Gjatë shërbesës së Tij në vdekshmëri, Jezu Krishti i shëroi të sëmurët dhe të pikëlluarit, por çdo njeri duhej të ushtronte besim tek Ai dhe të vepronte me qëllim që të merrte shërimin e Tij. Disa ecën me kilometra të tëra, të tjerë e shtrinë dorën e tyre që ta preknin rrobën e Tij dhe të tjerë duhej të mbarteshin për t’u çuar tek Ai me qëllim që të shëroheshin. Kur vjen puna te shërimi, a nuk kemi të gjithë nevojë për Të me kaq ngulm? “A nuk jemi ne të gjithë lypësa?”
Le ta ndjekim shtegun e Shpëtimtarit dhe ta rritim dhembshurinë tonë, ta zvogëlojmë prirjen për të gjykuar dhe të ndalojmë së qeni inspektorë të shpirtshmërisë së të tjerëve. Të dëgjuarit me dashuri është një nga dhuratat më të mëdha që mund të japim dhe mund të jemi në gjendje t’i ndihmojmë që t’i mbartim ose t’i ngremë retë e dendura që ua marrin frymën njerëzve tanë të dashur dhe miqve, që, nëpërmjet dashurisë sonë, ata të mund ta ndiejnë sërish Frymën e Shenjtë dhe ta kuptojnë dritën që buron nga Jezu Krishti.
Nëse vazhdimisht jeni të rrethuar nga një “mjegull errësire”, drejtojuni Atit Qiellor. Asgjë nga ajo që keni përjetuar nuk mund ta ndryshojë të vërtetën e përjetshme, se ju jeni fëmija i Tij dhe se Ai ju do. Mos harroni se Krishti është Shpëtimtari e Shëlbuesi juaj dhe se Perëndia është Ati juaj. Ata na kuptojnë. Përfytyrojini Ata pranë jush, duke ju dëgjuar e duke ju dhënë përkrahje. “[Ata] do t’ju ngushëllojnë në pikëllimet tuaja.” Bëni gjithçka të mundeni dhe mirëbesoni te hiri shlyes i Zotit!
Shqetësimet tuaja nuk ju përcaktojnë, por mund t’ju rafinojnë. Për shkak të një “gjemb[i] në mish”, ju mund të keni aftësinë që të ndieni më shumë dhembshuri kundrejt të tjerëve. Sipas udhërrëfimit nga Fryma e Shenjtë, tregojeni historinë tuaj me qëllim që të “ndihmo[ni] të dobëtit, ngri[ni] duart që varen poshtë dhe forco[ni] gjunjët e këputur”.
Për të gjithë ata nga ne, që për momentin kanë vështirësi ose po e përkrahin dikë që ka vështirësi, qofshim të gatshëm t’i zbatojmë urdhërimet e Perëndisë në mënyrë që të kemi gjithmonë Shpirtin e Tij me ne! Le të bëjmë “gjëra… të vogla dhe të thjeshta” që do të na japin fuqi shpirtërore. Siç tha Presidentit Rasëll M. Nelson: “Asgjë nuk i hap qiejt ashtu si ndërthurja e pastërtisë më të madhe, bindjes së përpiktë, kërkimit të zellshëm, ushqimit me bollëk me fjalët e Krishtit në Librin e Mormonit dhe kohës së vazhdueshme, të zotuar për punën në tempull dhe punën e historisë familjare”.
Le të kujtojmë të gjithë se Shpëtimtari ynë, Jezu Krishti, “[ka marrë] përsipër dobësitë [tona], që zemra e tij të mund të mbushet me mëshirë, sipas mishit, që ai të mund të dijë … sesi të [na] ndihmojë sipas dobësive [tona]”. Ai erdhi “të lidh[ë] plagën e atyre që e kanë zemrën të thyer, … për të ngushëlluar tërë ata që pikëllohen; …për t’u dhënë atyre një diademë në vend të hirit, vajin e gëzimit në vend të zisë, mantelin e lavdërimit në vend të një fryme të ligështuar”.
Unë ju dëshmoj se “n’qoft shi a diell” Zoti do të rrijë me ne, “pikëllim[et] [tona mund] të përfshihe[n] vetëm në gëzimin për Krishtin”, dhe “ne shpëtohemi nëpërmjet hirit, pas gjithçkaje që ne mund të bëjmë”. Unë dëshmoj se Jezu Krishti do të kthehet në tokë “me shërimin në krahët e tij”. Në fund, Ai “do të thajë çdo lot nga sytë [tanë]; dhe [brenga] nuk do të jetë më”. Për të gjithë ata që do të “[vijnë] te Krishti dhe [të] përsos[en] në të”, “dielli … nuk do të perëndojë më … sepse Zoti do të jetë drita jo[në] e përjetshme dhe ditët [tona] të zisë do të marrin fund”. Në emrin e Jezu Krishtit, amen.