2010–2019
Përkatësia në Besëlidhje
Konferenca e përgjithshme e tetorit 2019


2:3

Përkatësia në Besëlidhje

Të kemi përkatësi me Perëndinë dhe të ecim me njëri-tjetrin në shtegun e Tij të besëlidhjeve, do të thotë të bekohemi nga përkatësia në besëlidhje.

Të dashur vëllezër dhe motra, historia tregon për një fëmijë të Fillores që po mëson të lutet. “Faleminderit për shkronjën A, shkronjën B, … shkronjën G.” Lutja e fëmijës vazhdon: “Faleminderit për shkronjat X, Y, Z. I dashur Atë Qiellor, faleminderit për numrin 1, numrin 2.” Mësuesja e Fillores shqetësohet por pret me mençuri. Fëmija thotë: “Faleminderit për numrin 5, numrin 6 – dhe faleminderit për mësuesen time të Fillores. Ajo është personi i vetëm që më le gjithmonë ta mbaroj lutjen time.”

Ati Qiellor e dëgjon vërtet lutjen e çdo fëmije. Me dashuri të pafundme, Ai na fton të fillojmë të besojmë dhe të kemi përkatësi me anë të besëlidhjes.

Bota është plot me mirazhe, iluzione, dinakëri. Kaq shumë gjëra duken kalimtare dhe sipërfaqësore. Kur i lëmë mënjanë maskat, shtirjet, pëlqimet dhe mospëlqimet që shprehen nga grupe njerëzish në mediat shoqërore, ne dëshirojmë më shumë sesa një lustër të shpejtë, lidhje kalimtare apo ndjekjen e interesave vetjakë të botës. Fatmirësisht, ka një mënyrë për t’i mposhtur këto probleme.

Kur ne u qasemi urdhërimeve të mëdha të Perëndisë për ta dashur Atë dhe ata që janë përreth nesh me anë të besëlidhjes, ne e bëjmë atë jo si të huaj apo të ftuar, por si një fëmijë në shtëpinë e Tij. Paradoksi i lashtë është ende i vërtetë. Kur nuk rendim më pas interesave tona vetjake për shkak të përkatësisë në besëlidhje, ne e gjejmë dhe bëhemi vetja jonë më e mirë, e përjetshme – të lirë, të gjallë, të vërtetë – dhe përcaktojmë se kush janë marrëdhëniet tona më të rëndësishme. Përkatësi në besëlidhje do të thotë t’i bëjmë premtime Perëndisë e njëri-tjetrit dhe t’i mbajmë ato, nëpërmjet ordinancave të shenjta, të cilat e ftojnë fuqinë e perëndishmërisë të manifestohet në jetën tonë. Kur besëlidhim gjithçka që jemi, ne mund të bëhemi më shumë sesa jemi. Përkatësia në besëlidhje na jep vend, skenar, aftësi për t’u bërë. Kjo prodhon besim për jetën dhe shpëtimin.

Besëlidhjet hyjnore bëhen një burim dashurie për Perëndinë dhe një burim dashurie që rrjedh prej Tij, dhe në këtë mënyrë, për njëri-tjetrin dhe me njëri‑tjetrin. Perëndia, Ati ynë Qiellor na do më shumë dhe na njeh më mirë nga sa e duam apo e njohim vetveten. Besimi në Jezu Krisht dhe ndryshimi vetjak (pendimi) sjellin mëshirë, hir, falje. Këto qetësojnë lëndimin, vetminë, padrejtësinë që përjetojmë në vdekshmëri. Duke qenë Perëndi, Ati ynë Qiellor dëshiron që ne të marrim dhuratën më të madhe të Perëndisë – gëzimin e Tij, jetën e Tij të përjetshme.

Perëndia ynë është një Perëndi besëlidhjeje. Nga natyra e Tij, Ai “e mban besëlidhjen dhe tregon mëshirë”. Besëlidhjet e Tij mbeten “përderisa të zgjatë koha ose derisa të qëndrojë toka, ose përderisa të ketë një njeri mbi faqen e dheut që të shpëtohet”. Ne nuk jemi bërë që të endemi në pasiguri dhe dyshime ekzistenciale, por që të gëzojmë marrëdhënie të dashura të vulosura me besëlidhje, të cilat janë “më [të] fort[a] se zinxhirët e vdekjes”.

Kriteret për ordinancat dhe besëlidhjet e Perëndisë janë universale dhe mundësia për to është individuale. Sipas drejtësisë së Perëndisë, secili individ në çdo vend e në çfarëdo moshe mund të marrë ordinanca shpëtuese. Këtu gjen zbatim liria e zgjedhjes – individët zgjedhin a duan t’i pranojnë ordinancat e ofruara. Ordinancat e Perëndisë japin informacion si tabelat rrugore në shtegun e Tij të besëlidhjeve. Ne e quajmë planin e Perëndisë për t’i sjellë fëmijët e Tij në shtëpi plani i shëlbimit, plani i shpëtimit, plani i lumturisë. Shëlbimi, shpëtimi, lumturia çelestiale janë të mundura sepse Jezu Krishti “kreu këtë shlyerje të përsosur”.

Të kemi përkatësi me Perëndinë dhe të ecim me njëri-tjetrin në shtegun e Tij të besëlidhjeve, do të thotë të bekohemi nga përkatësia në besëlidhje.

Së pari, përkatësia në besëlidhje përqendrohet te Jezu Krishti si “ndërmjetësi [i] besëlidhjes së re”. Të gjitha gjërat mund veprojnë së bashku për të mirën tonë kur “shenjtërohe[m]i në Krisht … në besëlidhjen e Atit”. Çdo bekim i mirë dhe i premtuar u vjen atyre që qëndrojnë besnikë deri në fund. “Gjendje … [e] lumtur [e] atyre që zbatojnë urdhërimet e Perëndisë” do të thotë të jenë të “bekuar në të gjitha gjërat, qoftë tokësore ashtu edhe shpirtërore” dhe të “jetojnë me Perëndinë në … lumturi të pafund”.

Ndërsa i nderojmë besëlidhjet tona, ndonjëherë mund të kemi ndjesinë se jemi në shoqërinë e engjëjve. Dhe ashtu do të jemi – ata që duam e na bekojnë nga kjo anë e velit, dhe ata që na duan e na bekojnë nga ana tjetër e velit.

Kohët e fundit, unë dhe Motra Gong pamë një nga shembujt më të mirë të përkatësisë në besëlidhje në një dhomë spitali. Një baba i ri kishte dëshpërimisht nevojë për një transplant të veshkave. Familja e tij kishte qarë, kishte agjëruar dhe ishte lutur që ai të merrte një veshkë. Kur erdhi lajmi se sapo ishte vënë në dispozicion një veshkë që mund t’i shpëtonte jetën, bashkëshortja e tij me qetësi tha: “Shpresoj që familja tjetër të jetë mirë”. Të kemi përkatësi me anë të besëlidhjes do të thotë, me fjalët e Apostullit Pal, “që unë të ngushëllohem bashkë me ju me anë të besimit që e kemi të përbashkët, tuajin dhe timin”.

Përgjatë shtegut të jetës, ne mund ta humbasim besimin në Perëndi, por Ai kurrë nuk e humbet besimin te ne. Me një fjalë, Ai është gjithmonë duke na pritur. Ai na fton të vijmë ose të kthehemi te besëlidhjet që e shenjojnë shtegun e Tij. Ai pret i gatshëm të na përqafojë, edhe kur jemi “ende larg”. Kur kërkojmë me një sy besimi modelet, trajektoren e jetës sonë ose pikat e bashkuara të përvojës sonë, ne mund të shohim mëshirat e Tij të dhembshura dhe inkurajimin e Tij, veçanërisht në sprovat, pikëllimet dhe sfidat tona, si dhe në gëzimet tona. Pavarësisht nga sa shpesh pengohemi ose biem, nëse vazhdojmë të shkojmë drejt Tij, Ai do të na ndihmojë, hap pas hapi.

Së dyti, Libri i Mormonit është një provë që ne mund ta mbajmë në dorën tonë mbi përkatësinë në besëlidhje. Libri i Mormonit është mjeti i premtuar për mbledhjen e fëmijëve të Perëndisë, e profetizuar si një besëlidhje e re. Teksa e lexojmë Librin e Mormonit, vetëm dhe me të tjerë, qoftë në heshtje apo me zë të lartë, ne mund ta pyetim Perëndinë “me një zemër të sinqertë, me qëllim të vërtetë duke pasur besim në Krisht” dhe të marrim me anë të fuqisë së Frymës së Shenjtë sigurinë e Perëndisë se Libri i Mormonit është i vërtetë. Kjo përfshin sigurinë që Jezu Krishti është Shpëtimtari ynë, Jozef Smithi është profeti i Rivendosjes dhe Kisha e Zotit quhet me emrin e Tij – Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme.

Libri i Mormonit flet me anë të një besëlidhjeje të lashtë e bashkëkohore për ju që jeni bijtë e Lehit, “fëmijë [të] profetëve”. Paraardhësit tuaj morën një premtim besëlidhjeje se ju, pasardhësit e tyre, do ta dallonit zërin që duket sikur flet nga pluhuri në Librin e Mormonit. Ai zë që ndieni ndërkohë që lexoni, dëshmon se jeni “fëmijët e besëlidhjes” dhe Jezusi është Bariu juaj i Mirë.

Libri i Mormonit e fton secilin prej nesh, sipas fjalëve të Almës, të hyjë “në një besëlidhje me [Zotin], se [ne] do t’i shërbe[jmë] atij dhe do t’i zbato[jmë] urdhërimet e tij, që ai të mund të derdhë mbi [ne] Shpirtin e tij më me shumicë”. Kur duam të ndryshojmë për mirë – siç e ka thënë një person, “të ndalojmë së qeni të mjeruar dhe të jemi të lumtur nga të qenit të lumtur” – ne bëhemi të hapur ndaj drejtimit, ndihmës e forcës. Ne mund të arrijmë me anë të besëlidhjes që të kemi përkatësi me Perëndinë dhe një bashkësi besimtarësh besnikë dhe të marrim bekimet e premtuara në doktrinën e Krishtit – tani.

Autoriteti dhe fuqia e rivendosur e priftërisë për t’i bekuar të gjithë fëmijët e Tij është një aspekt i tretë i përkatësisë në besëlidhje. Në këtë periudhë ungjillore, Gjon Pagëzori dhe Apostujt Pjetri, Jakobi dhe Gjoni kanë ardhur si lajmëtarë të lëvduar nga Perëndia për ta rivendosur autoritetin e Tij të priftërisë. Priftëria e Perëndisë dhe ordinancat e Tij i bëjnë më të çmuara marrëdhëniet në tokë dhe mund të vulosin marrëdhëniet në besëlidhje në qiell.

Priftëria mund të bekojë me plot kuptimin e fjalës që nga djepi deri në varr – që nga vënia e emrit dhe bekimi i një foshnjëje deri te përkushtimi i një varri. Bekimet e priftërisë shërojnë, ngushëllojnë, këshillojnë. Një baba ishte i zemëruar me të birin, derisa dashuria falëse erdhi kur babai i dha të birit një bekim të dhembshur priftërie. Anëtare e vetme e Kishës në familjen e saj, një e re e dashur ishte e pasigurt rreth dashurisë së Perëndisë për të, derisa ajo mori një bekim të frymëzuar priftërie. Në të gjithë botën, patriarkët fisnikë përgatiten shpirtërisht për të dhënë bekime patriarkale. Teksa patriarku vendos duart e tij mbi kokën tuaj, ai ndien dhe shpreh dashurinë e Perëndisë për ju. Ai shqipton prejardhjen tuaj në shtëpinë e Izraelit. Ai dëften bekimet nga Zoti. E matur si zakonisht, bashkëshortja e një patriarku më tregoi se si ajo dhe familja e saj e ftojnë Shpirtin, veçanërisht në ditët kur babi i tyre jep bekime patriarkale.

E fundit, bekimet e përkatësisë në besëlidhje vijnë kur ne e ndjekim profetin e Zotit dhe gëzohemi nga të jetuarit e besëlidhjeve të tempullit, përfshirë martesën. Martesa në besëlidhje bëhet hyjnore dhe e përjetshme teksa çdo ditë zgjedhim lumturinë e bashkëshortit/es dhe të familjes sonë përpara lumturisë sonë. Teksa “unë” bëhet “ne”, ne rritemi së bashku. Ne plakemi së bashku, ne rinohemi së bashku. Teksa e bekojmë njëri‑tjetrin përgjatë një jete ku e harrojmë veten tonë, ne i shohim shpresën dhe gëzimin tonë të shenjtërohen në kohë e përjetësi.

Ndërkohë që situatat janë të ndryshme, kur ne bëjmë gjithçka që mundemi, më të mirën që mundemi, dhe sinqerisht e duam dhe e kërkojmë ndihmën e Tij përgjatë udhës, Zoti do të na udhëheqë, në kohën dhe mënyrën e Tij, me anë të Frymës së Shenjtë. Besëlidhjet e martesës janë detyruese me zgjedhjen e ndërsjellë të atyre që i bëjnë ato – një kujtues i respektit që ka Perëndia dhe ne për lirinë e zgjedhjes dhe për bekimin e pasjes së ndihmës së Tij kur e kërkojmë atë bashkërisht.

Frytet e përkatësisë në besëlidhje përgjatë brezave të familjes ndihen në shtëpitë dhe zemrat tona. Ju lutem, më lejoni ta ilustroj me shembuj vetjakë.

Kur unë dhe Motra Gong ramë në dashuri dhe po shkonim drejt martesës, unë mësova për lirinë e zgjedhjes dhe vendimet. Për një periudhë kohe, ne ishim në shkollë duke studiuar në dy vende të ndryshme, në dy kontinente të ndryshme. Kjo është arsyeja pse mund të them ndershmërisht se mora një doktoratë për marrëdhëniet ndërkombëtare.

Kur pyeta: “Atë Qiellor, a duhet të martohem me Suzanën?” unë ndjeva paqe. Por ishte kur mësova të lutem me qëllim të vërtetë: “Atë Qiellor, unë e dua Suzanën dhe dua të martohem me të. Premtoj se do të jem bashkëshorti dhe babai më i mirë që mund të jem” – kur veprova dhe mora vendimet e mia më të mira, ishte atëherë që erdhën pohimet më të forta.

Tani, pemët familjare, historitë dhe fotografitë e familjeve tona Gong dhe Lindsi në programin FamilySearch, na ndihmojnë të zbulojmë dhe të lidhemi nëpërmjet përvojës së jetuar nga brezat që kanë pasur përkatësi në besëlidhje. Për ne, paraardhësit e respektuar përfshijnë:

Alis Blauer Bangerteri

Stërgjyshen Alis Blauer Bangerter, e cila pati tri propozime për martesë në një ditë, [e] më vonë i kërkoi bashkëshortit të saj që të lidhte një këmbëz te dybeku i saj i gjalpit në mënyrë që ajo të rrihte gjalpë, të thurte dhe të lexonte në të njëjtën kohë.

Lui Kuei Çari

Stërgjyshin Lui Kuei Çar, i cili i mbajti fëmijët e tij në shpinë dhe gjërat e pakta të familjes së tij në një gomar ndërsa kaluan fushat me lavë në Ishullin e Madh të Havait. Zotimi dhe sakrifica e brezave të familjes Çar e bekojnë familjen tonë sot.

Meri Elis Pauëll Lindsi

Gjyshen Meri Elis Pauëll Lindsi, e cila mbeti me pesë fëmijë të vegjël kur bashkëshorti dhe djali i saj më i madh ndërruan jetë papritmas vetëm disa ditë njëri pas tjetrit. Si një vejushë për 47 vjet, gjyshja e rriti familjen e saj me dashurinë përkrahëse nga udhëheqësit dhe anëtarët vendorë. Gjatë atyre viteve të gjata, gjyshja i premtoi Zotit se, nëse Ai do ta ndihmonte, ajo nuk do të ankohej kurrë. Zoti e ndihmoi atë. Ajo nuk u ankua kurrë.

Të dashur vëllezër e motra, e dëshmuar nga Fryma e Shenjtë, çdo gjë e mirë dhe e përjetshme është e përqendruar në realitetin e gjallë të Perëndisë, Atit tonë të Amshuar, dhe Birit të Tij, Jezu Krishtit dhe të Shlyerjes së Tij. Zoti ynë, Jezu Krishti, është Ndërmjetësi i besëlidhjes së re. Dëshmimi për Jezu Krishtin është një qëllim i besëlidhjes i Librit të Mormonit. Me anë të betimit dhe besëlidhjes, autoriteti i priftërisë së rivendosur të Perëndisë ka për qëllim t’i bekojë të gjithë fëmijët e Perëndisë, përfshirë nëpërmjet martesës në besëlidhje, familjes që vazhdon me breza dhe bekimeve individuale.

Shpëtimtari ynë shpall: “Unë jam Alfa dhe Omega, Krishti Zoti; po madje unë jam ai, fillimi dhe fundi, Shëlbuesi i botës”.

Duke qenë me ne që nga fillimi, Ai është me ne, në gjithë përkatësinë tonë në besëlidhje, deri në fund. Unë dëshmoj për këtë në emrin e shenjtë dhe të shenjtëruar të Jezu Krishtit, amen.