2010–2019
Ta Marrim Kryqin Tonë
Konferenca e përgjithshme e tetorit 2019


2:3

Ta Marrim Kryqin Tonë

Të merrni mbi vete kryqin tuaj dhe të ndiqni Shpëtimtarin do të thotë të vazhdoni me besim në shtegun e Zotit dhe të mos kënaqeni në zakonet e botës.

Të dashur vëllezër dhe motra, kemi marrë mësime të mrekullueshme nga udhëheqësit tanë gjatë këtyre dy ditëve të fundit. Unë ju dëshmoj se, nëse përpiqemi fort t’i zbatojmë në jetën tonë këto mësime të frymëzuara e të kohës, Zoti, nëpërmjet hirit të Tij, do ta ndihmojë secilin prej nesh të marrë kryqin e tij dhe do t’i bëjë barrët tona të lehta.

Ndërsa ishte në afërsi të Cezaresë së Filipit, Shpëtimtari u zbuloi dishepujve të Tij se çfarë do të vuante në duart e pleqve, krerëve të priftërinjve dhe skribëve në Jerusalem. Ai u dha mësim konkretisht atyre rreth vdekjes së Tij dhe Ringjalljes së lavdishme. Në atë kohë, dishepujt e Tij nuk e kuptuan plotësisht misionin e Tij hyjnor në tokë. Vetë Pjetri, kur e dëgjoi se çfarë pati thënë Shpëtimtari, e mori Atë mënjanë dhe e qortoi, duke i thënë: “O Zot, të shpëtoftë Perëndia; kjo nuk do të të ndodhë kurrë”.

Për t’i ndihmuar dishepujt e Tij që ta kuptonin se përkushtimi ndaj punës së Tij përfshin nënshtrimin dhe vuajtjen, Shpëtimtari shpalli me forcë:

“Në qoftë se dikush don të vijë pas meje, ta mohojë vetveten, ta marrë kryqin e vet dhe të më ndjekë.

Sepse ai që do të dojë ta shpëtojë jetën e vet, do ta humbasë; por ai që do ta humbasë jetën e vet për hirin tim, do ta gjejë atë.

Ç’përfitim ka njeriu nëse fiton gjithë botën dhe pastaj e humb shpirtin e vet? Ose çfarë do të japë njeriu si shkëmbim të shpirtit të vet?”

Me këtë deklaratë, Shpëtimtari theksoi se të gjithë ata që janë të gatshëm ta ndjekin Atë duhet ta mohojnë vetveten dhe të kontrollojnë dëshirat, orekset dhe pasionet e tyre, duke sakrifikuar çdo gjë, madje vetë jetën nëse nevojitet, duke qenë tërësisht të nënshtruar ndaj vullnetit të Atit – njësoj sikurse Ai bëri. Ky është, në fakt, çmimi që duhet paguar për shpëtimin e një shpirti. Jezusi, qëllimisht dhe në mënyrë metaforike, e përdori simbolin e kryqit për t’i ndihmuar dishepujt e Tij të kuptonin më mirë se çfarë do të thoshte vërtet sakrificë dhe përkushtim ndaj kauzës së Zotit. Figura e kryqit njihej mirë nga dishepujt e Tij dhe banorët e Perandorisë Romake sepse romakët i detyronin viktimat e kryqëzimit ta mbanin publikisht kryqin e vet ose shtyllën e kryqit për te vendi ku do të bëhej ekzekutimi i tyre.

Vetëm pas Ringjalljes së Shpëtimtarit ndodhi që mendjet e dishepujve u hapën për të kuptuar gjithçka që ishte shkruar rreth Tij dhe çfarë do t’u kërkohej atyre nga ajo kohë e në vijim.

Në të njëjtën mënyrë, të gjithë ne, vëllezër dhe motra, duhet t’i hapim mendjet dhe zemrat tona që ta kuptojmë më plotësisht rëndësinë e marrjes mbi vete të kryqit tonë dhe të ndjekjes së Tij. Ne mësojmë nga shkrimet e shenjta se ata që duan ta marrin mbi vete kryqin e tyre, e duan Jezu Krishtin në mënyrë të tillë që i mohojnë vetes gjithë paperëndishmërinë e çdo lakmi të botës dhe i zbatojnë urdhërimet e Tij.

Vendosmëria jonë për të mos bërë asgjë që është në kundërshtim me vullnetin e Perëndisë dhe për të sakrifikuar gjithçka që na kërkohet të japim dhe të përpiqemi fort që të ndjekim mësimet e Tij, do të na ndihmojë të durojmë në shtegun e ungjillit të Jezu Krishtit – madje përballë vuajtjes, dobësisë së shpirtit tonë ose trysnisë shoqërore dhe filozofive të botës, që i kundërshtojnë mësimet e Tij.

Për shembull, për ata që nuk e kanë gjetur ende shokun/qen e përjetshme dhe mund të ndihen të vetmuar e pa shpresë ose për ata që janë shkurorëzuar dhe ndihen të braktisur e të harruar, unë ju siguroj se pranimi i ftesës së Shpëtimtarit për të marrë mbi vete kryqin tuaj dhe për ta ndjekur Atë do të thotë të vijoni me besim në shtegun e Zotit, duke mbajtur një model dinjiteti, dhe jo duke u kënaqur në zakonet e botës, që përfundimisht do ta heqin shpresën tonë nga dashuria dhe mëshira e Perëndisë.

Të njëjtat parime zbatohen për ata prej jush që po përjetojnë tërheqje ndaj së njëjtës gjini dhe ndihen të shkurajuar e pa shpresë. Dhe mundet për këtë arsye disa nga ju po ndieni se ungjilli i Jezu Krishtit nuk është më për ju. Nëse është kështu, unë dua t’ju siguroj se ka gjithnjë shpresë në Perëndinë, Atin, dhe në planin e Tij të lumturisë, në Jezu Krishtin dhe në flijimin e Tij shlyes dhe në të jetuarit e urdhërimeve të Tyre të dashura. Në urtësinë, fuqinë, drejtësinë dhe mëshirën e Tij të përsosur, Zoti mund të na vulosë si të Tijtë, që ne të mund të sillemi në praninë e Tij dhe të kemi shpëtim të përjetshëm, nëse jemi të paepur dhe të palëvizshëm në zbatimin e urdhërimeve dhe të jemi gjithmonë plot me vepra të mira.

Për ata që kanë kryer mëkate të rënda, pranimi i po kësaj ftese do të thotë, ndër të tjera, ta përulni veten përpara Perëndisë, të këshilloheni me udhëheqësit e duhur të Kishës dhe të pendoheni e t’i braktisni mëkatet tuaja. Ky proces bekon gjithashtu të gjithë ata që po luftojnë kundër varësive dobësuese, përfshirë opiumet, drogat, alkoolin dhe pornografinë. Ndërmarrja e këtyre hapave ju sjell më afër Shpëtimtarit, i cili mundet t’ju çlirojë përfundimisht nga faji, pikëllimi dhe skllavëria shpirtërore e fizike. Për më tepër, ju mund të kërkoni gjithashtu mbështetjen e familjes, të miqve dhe profesionistëve kompetentë mjekësorë e këshillues.

Ju lutem, mos hiqni dorë kurrë pas dështimeve të njëpasnjëshme dhe ta konsideroni veten të paaftë për të braktisur mëkatet dhe për të mposhtur varësinë. Do të jetë më keq për ju të ndaloni së përpjekuri e pas kësaj të vazhdoni në dobësi dhe mëkat! Gjithmonë përpiquni fort të bëni më të mirën tuaj, duke treguar me veprat tuaja dëshirën për të pastruar brendësinë e enës, sikurse u dha mësim nga Shpëtimtari. Ndonjëherë zgjidhjet për disa sfida vijnë pas muajsh e muajsh përpjekjesh të vazhdueshme. Premtimi që gjendet në Librin e Mormonit se ne “shpëtohemi nëpërmjet hirit, pas gjithçkaje që ne mund të bëjmë”, vlen edhe për këto rrethana. Ju lutem, mbani mend se dhurata e hirit të Shpëtimtarit “nuk është domosdoshmërisht e kufizuar në kohë te ‘pas’ gjithçkaje që mund të bëjmë. Ne mund ta marrim hirin e Tij përpara, gjatë dhe pas kohës kur bëjmë përpjekjet tona vetjake.”

Unë dëshmoj se ndërsa përpiqemi vazhdimisht fort që t’i kapërcejmë sfidat tona, Perëndia do të na bekojë me dhuratat e besimit për t’u shëruar dhe të bërjes së mrekullive. Ai do të bëjë për ne atë që ne nuk jemi në gjendje ta bëjmë vetë.

Veç kësaj, për ata që ndihen keq, të inatosur, të fyer, apo të mbërthyer në pikëllime për diçka që mendojnë se nuk e meritojnë, të marrim kryqin tonë dhe të ndjekim Shpëtimtarin do të thotë të përpiqemi t’i lëmë mënjanë këto ndjenja e të kthehemi nga Zoti, që Ai të mund të na çlirojë nga kjo gjendje mendore e të na ndihmojë të gjejmë paqe. Fatkeqësisht, nëse kapemi pas këtyre ndjenjave dhe emocioneve negative, ne mund ta gjejmë veten duke jetuar pa ndikimin e Shpirtit të Zotit në jetën tonë. Ne nuk mund të pendohemi për njerëz të tjerë, por ne mund t’i falim ata – duke refuzuar që të mbahemi peng nga ata që na kanë lënduar.

Shkrimet e shenjta japin mësim se ka një rrugëdalje nga këto situata – duke e ftuar Shpëtimtarin që të na ndihmojë ta zëvendësojmë zemrën tonë prej guri me një zemër të re. Që të ndodhë kjo, nevojitet të vijmë përpara Zotit me dobësitë tona dhe t’i përgjërohemi për ndihmën e faljen e Tij, veçanërisht gjatë çastit hyjnor kur marrim sakramentin çdo të diel. Zgjedhshim të kërkojmë ndihmën e Tij dhe të bëjmë një hap të rëndësishëm e të vështirë duke i falur ata që na kanë lënduar, në mënyrë që plagët tona të mund të fillojnë të shërohen. Ju premtoj se duke e bërë këtë, netët tuaja do të jenë plot lehtësim, që vjen nga një mendje në paqe me Zotin.

Ndërsa ishte në burgun e Libertisë në vitin 1839, Profeti Jozef Smith u shkroi anëtarëve të Kishës një letër që përmban profeci, që janë po aq të zbatueshme në të gjitha këto rrethana e situata. Ai shkroi: “Të gjitha fronet dhe zotërimet, principatat dhe fuqitë do të zbulohen e do të shpallen mbi ata që kanë duruar me besnikëri për ungjillin e Jezu Krishtit”. Prandaj, vëllezërit dhe motrat e mia të dashura, ata që marrin mbi vete emrin e Shpëtimtarit, duke mirëbesuar në premtimet e Tij dhe duke ngulmuar deri në fund, do të shpëtohen dhe mund të jetojnë me Perëndinë në një gjendje lumturie të pafund.

Të gjithë përballemi me rrethana të vështira në jetën tonë që na bëjnë të ndihemi të mërzitur, pa ndihmë, pa shpresë dhe ndonjëherë madje të dobësuar. Disa nga këto ndjenja mund të na bëjnë ta pyetim Zotin: “Përse po i përjetoj këto situata?” ose “Përse nuk janë plotësuar pritshmëritë e mia? Në fund të fundit, unë po bëj çdo gjë në fuqinë time për ta marrë kryqin tim dhe për ta ndjekur Shpëtimtarin!”

Miqtë e mi të dashur, ne duhet të kujtojmë se marrja e kryqit tonë mbi vete përfshin të jesh i përulur dhe t’i mirëbesosh Perëndisë dhe urtësisë së Tij të pafund. Ne duhet të pranojmë se Ai është në dijeni për secilin prej nesh dhe për nevojat tona. Është gjithashtu e nevojshme të pranohet fakti se koha e Zotit është e ndryshme nga e jona. Ndonjëherë ne kërkojmë një bekim dhe vendosim një kufi kohor që Zoti ta përmbushë atë. Ne nuk mund ta kushtëzojmë besnikërinë tonë ndaj Tij duke i vënë Atij një afat kohor për përgjigjet ndaj dëshirave tona. Kur e bëjmë këtë, ne ngjajmë me nefitët mosbesues të kohëve të lashta, që tallnin vëllezërit e tyre duke thënë se kishte kaluar koha që të përmbusheshin fjalët e thëna nga Samuel Lamaniti, duke krijuar pështjellim ndër ata që besonin. Ne duhet t’i mirëbesojmë Zotit aq sa të jemi të qetë dhe ta dimë që Ai është Perëndi, që Ai i di të gjitha gjërat dhe që Ai është në dijeni për secilin prej nesh.

Plaku Soaresh duke i dhënë shërbesë Motrës Kalamasi

Kohët e fundit pata rastin që të jepja shërbesë te një motër e ve e quajtur Franka Kalamasi, e cila vuan nga një sëmundje rraskapitëse. Motra Kalamasi ishte pjesëtarja e parë e familjes së saj që u bashkua me Kishën e rivendosur të Jezu Krishtit. Edhe pse bashkëshorti i saj nuk u pagëzua kurrë, ai pranoi të takohej me misionarët dhe shpesh merrte pjesë në mbledhjet e Kishës. Pavarësisht nga këto rrethana, Motra Kalamasi qëndroi besnike dhe i rriti katër fëmijët e saj në ungjillin e Jezu Krishtit. Një vit pas vdekjes së bashkëshortit të saj, Motra Kalamasi i çoi fëmijët e saj në tempull dhe ata morën pjesë në ordinanca të shenjta dhe u vulosën së bashku si familje. Premtimet e shoqëruara me këto ordinanca i sollën asaj shumë shpresë, gëzim dhe lumturi, të cilat e ndihmuan t’i duronte sprovat e jetës.

Familja Kalamasi në tempull

Kur filluan të shfaqen simptomat e para të sëmundjes, peshkopi i dha asaj një bekim. Në atë kohë ajo i tha peshkopit të saj se ishte gati ta pranonte vullnetin e Zotit, duke shprehur besimin e saj për t’u shëruar si dhe besimin e saj për ta duruar sëmundjen e saj deri në fund.

Gjatë vizitës sime, ndërsa mbaja dorën e Motrës Kalamasi dhe duke parë në sytë e saj, unë pashë një shkëlqim engjëllor që rrezatonte nga brendësia e saj – që pasqyronte besimin e saj në planin e Perëndisë dhe shkëlqimin e përkryer të shpresës së saj për dashurinë e Atit dhe për planin e Tij për të. Unë ndjeva vendosmërinë e saj të patundur për të duruar në besimin e saj deri në fund duke marrë kryqin e saj, me gjithë sfidat që po haste. Jeta e kësaj motre është një dëshmi për Krishtin, një shpallje e besimit dhe përkushtimit të saj ndaj Tij.

Vëllezër dhe motra, unë dua t’ju dëshmoj juve se marrja mbi vete e kryqit tonë dhe ndjekja e Shpëtimtarit kërkojnë prej nesh që të ndjekim shembullin e Tij dhe të përpiqemi fort të bëhemi si Ai, duke u bërë ballë me durim rrethanave të jetës, duke mohuar dhe përbuzur orekset e njeriut natyror dhe duke pritur për Zotin. Psalmisti shkroi:

“Ki besim të madh te Zoti; ji i fortë, ki zemër; ki besim të madh te Zoti”.

“Ai është ndihma jonë dhe mburoja jonë.”

Jap dëshmi se ndjekja e gjurmëve të Mësuesit tonë dhe pritja e Atij që është shëruesi më i mirë i jetës sonë, do të sigurojnë prehje për shpirtin tonë dhe do t’i bëjnë barrët tona të durueshme e të lehta. Për këto gjëra unë dëshmoj në emrin e shenjtë të Jezu Krishtit, amen.