Konferenca e Përgjithshme
E Vërtetë e Kulluar, Doktrinë e Kulluar dhe Zbulesë e Kulluar
Konferenca e përgjithshme e tetorit 2021


5:27

E Vërtetë e Kulluar, Doktrinë e Kulluar dhe Zbulesë e Kulluar

Ju lutem, bëjeni këtë konferencë një kohë ushqyerjeje me bollëk me mesazhet e Zotit nëpërmjet shërbëtorëve të Tij.

Të dashur vëllezërit dhe motrat e mia, mirë se erdhët në konferencën e përgjithshme! Çfarë gëzimi është të jesh me ju! Ju keni qenë në mendjen time gati vazhdimisht gjatë gjashtë muajve të kaluar. Jam lutur rreth jush dhe për ju. Gjatë javëve të fundit, jam lutur qëllimisht që kjo konferencë të jetë një kohë zbulese dhe reflektimi për të gjithë ata që i kërkojnë ato bekime.

Kemi kënaqësinë t’ju flasim nga Qendra e Konferencave, edhe një herë. Shumica e ndenjëseve mbeten bosh, por prania e disa anëtarëve të The Tabernacle Choir [Korit të Tabernakullit] është një hap i mrekullueshëm përpara. Ju mirëpresim të gjithëve në këtë konferencë kryesisht nëpërmjet internetit, kudo që të jeni.

Ne jemi ende duke u marrë me bastisjet prej virusit COVID-19 dhe varianteve të tij. Ju falënderojmë që keni ndjekur këshillën tonë dhe këshillimin e ekspertëve mjekësorë dhe zyrtarëve qeveritarë në vetë komunitetet tuaja.

Ne e mbledhim çdo konferencë të përgjithshme siç drejtohet nga Zoti.1 Formati ka ndryshuar përgjatë viteve. Kur isha shumë më i ri, konferenca zgjaste tre ose katër ditë. Më vonë, konferenca u shkurtua në dy ditë. Çdo mesazh, asokohe dhe tani, është rezultat i lutjes së zjarrtë dhe i një përgatitjeje të madhe shpirtërore.

Autoritetet e Përgjithshme dhe Drejtuesit e Përgjithshëm të Kishës që flasin, do t’i përqendrojnë mesazhet e tyre te Shpëtimtari ynë, Jezu Krishti, mëshira e Tij dhe fuqia e Tij e pafund shëlbuese. Nuk ka pasur kurrë një kohë në historinë e botës kur njohuria për Shpëtimtarin tonë të ishte më jetike personalisht dhe më me vend për çdo shpirt njerëzor. Përfytyroni se sa shpejt do të zgjidheshin konfliktet shkatërrimtare anembanë botës – dhe ato në jetën tonë individuale – nëse të gjithë do të zgjidhnim të ndiqnim Jezu Krishtin dhe t’ua vinim veshin mësimeve të Tij.

Me atë shpirt, ju ftoj të mbani vesh për tri gjëra gjatë kësaj konference: të vërtetën e kulluar, doktrinën e kulluar të Krishtit dhe zbulesën e kulluar. Në kundërshtim me dyshimet e disave, ka njëmend diçka të tillë si e drejta dhe e gabuara. Ka njëmend të vërtetë absolute – e vërteta e përjetshme. Një nga plagët e ditëve tona është se shumë pak njerëz e dinë se ku të drejtohen për të vërtetën.2 Mund t’ju siguroj se ajo që do të dëgjoni sot dhe nesër, përbën të vërtetë të kulluar.

Doktrina e kulluar e Krishtit është e fuqishme. Ajo e ndryshon jetën e kujtdo që e kupton atë dhe kërkon ta zbatojë në jetën e vet. Doktrina e Krishtit na ndihmon ta gjejmë dhe të qëndrojmë në shtegun e besëlidhjeve. Qëndrimi në atë shteg të ngushtë, por të përcaktuar mirë, do të na kualifikojë më në fund për të marrë gjithçka që ka Perëndia.3 Asgjë nuk mund të vlejë më shumë sesa gjithçka që ka Ati ynë!

Së fundi, zbulesa e kulluar për pyetjet në zemrën tuaj, do ta bëjë këtë konferencë shpërblyese dhe të paharrueshme. Në qoftë se nuk e keni kërkuar ende shërbesën e Frymës së Shenjtë që t’ju ndihmojë për të dëgjuar atë që Zoti do t’ju vinte të dëgjonit gjatë këtyre dy ditëve, unë ju ftoj ta bëni këtë tani. Ju lutem, bëjeni këtë konferencë një kohë ushqyerjeje me bollëk me mesazhet e Zotit nëpërmjet shërbëtorëve të Tij. Mësoni se si t’i vini në zbatim ato në jetën tuaj.

Kjo është Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme. Ne jemi populli i Tij i besëlidhur. Zoti shpalli se Ai do ta përshpejtonte veprën e Tij në kohën e vet4 dhe Ai po e bën këtë me një ritëm gjithnjë e më të madh. Ne kemi privilegjin të marrim pjesë në veprën e Tij të shenjtë.

Unë lutem për një bekim mbi të gjithë ata që po kërkojnë më shumë dritë, njohuri dhe të vërtetë. Shpreh dashurinë time për secilin prej jush, në emrin e shenjtë të Jezu Krishtit, amen.