Me Fuqinë e Perëndisë në Lavdi të Madhe
Nderimi i besëlidhjeve na armatos me drejtësi dhe me fuqinë e Perëndisë në lavdi të madhe.
Lutem që Fryma e Shenjtë do ta ndriçojë dhe lartësojë shpirtërisht secilin prej nesh, teksa e marrim parasysh së bashku veprën e mrekullueshme të shpëtimit dhe ekzaltimit në periudhën ungjillore të plotësisë së kohëve.
Vizita e Parë e Moronit te Jozef Smithi
Pothuajse tre vjet pas Vegimit të Parë, natën e 21 shtatorit 1823, i riu Jozef Smith po lutej për të marrë një heqje të mëkateve të tij dhe për të ditur gjendjen dhe qëndrimin e tij përpara Perëndisë.1 Një personazh iu shfaq në anë të shtratit, e thirri Jozefin me emër dhe shpalli se “ishte një lajmëtar i dërguar nga prania e Perëndisë … dhe se emri i tij ishte Moroni”. Ai shpjegoi “se Perëndia kishte një punë për [Jozefin] për ta bërë”2 dhe më pas i dha atij udhëzime për daljen në dritë të Librit të Mormonit. Në mënyrë domethënëse, Libri i Mormonit ishte njëra nga temat e para të trajtuara në mesazhin e Moronit.
Libri i Mormonit është një dëshmi tjetër e Jezu Krishtit dhe mjeti i madhërishëm për kthimin në besim në ditët e mëvonshme. Qëllimi ynë pse ne e përhapim ungjillin, është që t’i ftojmë të gjithë të vijmë te Jezu Krishti3, të marrim bekimet e ungjillit të rivendosur dhe të durojmë deri në fund nëpërmjet besimit te Shpëtimtari4. Ndihma ndaj individëve që të provojnë ndryshimin e madh të zemrës5 dhe të lidhen me Zotin nëpërmjet besëlidhjeve dhe ordinancave të shenjta janë objektivat themelorë të predikimit të ungjillit.
Paraqitja e Librit të Mormonit nga Moroni për Jozef Smithin nisi veprën e shpëtimit dhe të ekzaltimit për individët në këtë anë të velit në periudhën ungjillore të plotësisë së kohëve.
Duke e vazhduar udhëzimin për Jozefin, më pas Moroni citoi nga libri i profetit Malakia në Dhiatën e Vjetër, me pak ndryshim në gjuhën që përdoret te varianti i Mbretit Xhejms:
“Vini re, unë do t’ju zbuloj Priftërinë, nga dora e Elijas, profetit, përpara ardhjes së ditës së madhe e të tmerrshme të Zotit.
… Dhe ai do të mbjellë në zemrat e fëmijëve premtimet e bëra etërve dhe zemrat e fëmijëve do të kthehen tek etërit e tyre. Në qoftë se nuk do të ishte kështu, e tërë toka do të shkatërrohej plotësisht në ardhjen e tij.”6
Qëllimi ynë pse i ndërtojmë tempujt, është që t’i vëmë në dispozicion vendet e shenjta ku mund të administrohen besëlidhjet dhe ordinancat e shenjta të nevojshme për shpëtimin dhe ekzaltimin e familjes njerëzore, si për të gjallët, ashtu edhe për të vdekurit. Udhëzimi i Moronit për Jozef Smithin rreth rolit jetik të Elijas dhe autoritetit të priftërisë e zgjeroi veprën e shpëtimit dhe ekzaltimit në këtë anë të velit dhe nisi në periudhën tonë ungjillore punën për të vdekurit në anën tjetër të velit.
Duke e përmbledhur, mësimet e Moronit në shtator 1823 rreth Librit të Mormonit dhe misionit të Elijas ngritën themelin doktrinor për veprën e shpëtimit dhe të ekzaltimit në të dyja anët e velit.
Mësimet e Profetit Jozef Smith
Mësimet që Jozef Smithi mori nga Moroni, ndikuan në çdo aspekt të shërbesës së tij. Për shembull, në një kuvend solemn të mbajtur në Tempullin e Kirtlandit më 6 prill 1837, Profeti shpalli: “Pas gjithçkaje që është thënë, detyra më e madhe dhe më e rëndësishme është të predikojmë Ungjillin”7.
Thuajse pikërisht shtatë vjet më vonë, më 7 prill 1844, Jozef Smithi dha një predikim të njohur sot si Ligjërata për King Folletin. Në atë fjalim ai deklaroi: “Përgjegjësia më e madhe në këtë botë që Perëndia ka vendosur mbi ne, është që të kërkojmë të vdekurit tanë”8.
Por si mund të jenë predikimi i ungjillit dhe kërkimi i të vdekurve tanë, që të dyja, detyra dhe përgjegjësia e vetme më e madhe që Perëndia ka vendosur mbi ne? Unë besoj se Profeti Jozef Smith po theksonte në të dyja pohimet të vërtetën themelore se besëlidhjet, në të cilat është hyrë nëpërmjet ordinancave të kryera me autoritetin e priftërisë, mund të na lidhin me Zotin Jezu Krisht dhe janë bërthama e veprës së shpëtimit e të ekzaltimit në të dyja anët e velit.
Puna misionare, puna në tempull dhe për historinë familjare janë aspekte plotësuese dhe të ndërlidhura të një vepre të vetme të madhërishme që përqendrohet te besëlidhjet dhe ordinancat e shenjta, të cilat na mundësojnë të marrim fuqinë e perëndishmërisë në jetën tonë dhe, përfundimisht, të kthehemi në praninë e Atit Qiellor. Pra, dy pohimet nga Profeti që fillimisht mund të duken kontradiktore, në fakt, vënë theksin te pika e përqendrimit të kësaj vepre të madhërishme në ditët e mëvonshme.
Të Lidhur me Shpëtimtarin nëpërmjet Besëlidhjeve dhe Ordinancave
Shpëtimtari tha:
“Merrni mbi vete zgjedhën time dhe mësoni nga unë, sepse unë jam zemërbutë dhe i përulur nga zemra; dhe ju do të gjeni prehje për shpirtrat tuaj.
Sepse zgjedha ime është e ëmbël dhe barra ime është e lehtë!”9
Ne e marrim mbi vete zgjedhën e Shpëtimtarit teksa mësojmë rreth besëlidhjeve dhe ordinancave të shenjta, i marrim ato me denjësi dhe i nderojmë. Ne lidhemi fort pas Shpëtimtarit dhe me Të teksa i kujtojmë besnikërisht dhe bëjmë çmos që të jetojmë në përputhje me detyrimet që kemi pranuar. Dhe ajo lidhje me Të është burimi i forcës shpirtërore në çdo stinë të jetës sonë.
Njerëzit e Besëlidhjes së Zotit
Ju ftoj t’i merrni parasysh bekimet e premtuara ndaj dishepujve të Jezu Krishtit që i mbajnë besëlidhjet. Për shembull, Nefi “vur[i] re kishën e Qengjit të Perëndisë [në ditët e mëvonshme] dhe numrat e saj ishin të pakta, … shenjtorët e Perëndisë, ish[in] gjithashtu mbi të gjithë faqen e tokës; dhe sundimet e [tyre] … ishin të vogla”10.
Ai gjithashtu “vur[i] re fuqinë e Qengjit të Perëndisë e cila zbriti mbi shenjtorët e kishës së Qengjit dhe mbi njerëzit e besëlidhjes së Zotit …; dhe ata ishin armatosur me drejtësi dhe me fuqinë e Perëndisë në lavdi të madhe”11.
Fraza “armatosur me drejtësi dhe me fuqinë e Perëndisë në lavdi të madhe” nuk është thjesht një ide e këndshme ose një shembull i gjuhës së bukur të shkrimeve të shenjta. Përkundrazi, këto bekime janë lehtësisht të dukshme në jetën e dishepujve të panumërt të Zotit në ditët e mëvonshme.
Për shkak të detyrave të mia si anëtar i Të Dymbëdhjetëve, udhëtoj anembanë botës. Dhe jam bekuar që kam takuar dhe kam marrë mësime për t’u mbajtur mend nga shumë prej jush. Dëshmoj se njerëzit e besëlidhjes së Zotit sot janë njëmend të armatosur me drejtësi dhe me fuqinë e Perëndisë në lavdi të madhe. Kam dëshmuar besim, kurajë, këndvështrim, ngulm dhe gëzim që shtrihen shumë përtej kapacitetit të të vdekshmëve – dhe këto mund t’i japë vetëm Perëndia.
E dëshmova drejtësinë dhe fuqinë e Perëndisë në lavdi të madhe të marrë nëpërmjet besnikërisë ndaj besëlidhjeve dhe ordinancave në jetën e një anëtari në moshë të re të Kishës, i cili u paralizua pjesërisht në një aksident të tmerrshëm automobilistik. Pas muajsh rraskapitës për shërim dhe përshtatje të këtij individi me një stil të ri jetese me lëvizshmëri të kufizuar, u takova dhe fola me këtë shpirt të vendosur. Gjatë bashkëbisedimit tonë e pyeta: “Çfarë të ka ndihmuar kjo përvojë të mësosh?” Përgjigjja e menjëhershme qe: “Nuk jam i trishtuar. Nuk jam i zemëruar. Dhe gjithçka do të jetë mirë.”
E dëshmova drejtësinë dhe fuqinë e Perëndisë në lavdi të madhe të marrë nëpërmjet besnikërisë ndaj besëlidhjeve dhe ordinancave në jetën e anëtarëve të sapopagëzuar e konfirmuar të Kishës. Këta të kthyer në besim ishin të paduruar për të mësuar e shërbyer, të gatshëm por shpesh të pasigurt për mënyrën se si t’i linin mënjanë zakonet e vjetra dhe traditat e forta dhe prapëseprapë të gëzuar që do të ishin “bashkëqytetarë të shenjtorëve dhe pjesëtarë të familjes së Perëndisë”12.
E dëshmova drejtësinë dhe fuqinë e Perëndisë në lavdi të madhe të marrë nëpërmjet besnikërisë ndaj besëlidhjeve dhe ordinancave në jetën e një familjeje që përkujdesej me dhembshuri për një bashkëshort e prind me një sëmundje të pashërueshme. Këta dishepuj trima përshkruan rastet kur familja e tyre u ndje shumë e vetmuar – dhe rastet kur e dinin se dora e Zotit po i ngrinte moralisht dhe po i forconte. Kjo familje shprehu mirënjohje të sinqertë për përvojat e vështira të vdekshmërisë që na lejojnë të rritemi e të bëhemi më shumë si Ati ynë Qiellor dhe Shëlbuesi ynë, Jezu Krishti. Perëndia i erdhi në ndihmë dhe e bekoi këtë familje me shoqërimin e Frymës së Shenjtë dhe e bëri shtëpinë e tyre një vend të shenjtë strehimi si tempulli.
E dëshmova drejtësinë dhe fuqinë e Perëndisë në lavdi të madhe të marrë nëpërmjet besnikërisë ndaj besëlidhjeve dhe ordinancave në jetën e një anëtareje të Kishës që përjetoi pikëllimin e një shkurorëzimi. Vuajtja shpirtërore dhe emocionale e kësaj motre shtohej nga një ndjesi padrejtësie që lidhej me shkeljen e besëlidhjeve nga bashkëshorti i saj dhe me prishjen e martesës së tyre. Ajo donte drejtësi dhe që ai të mbante përgjegjësi.
Ndërsa kjo grua besnike po luftonte me gjithçka që i kishte ndodhur, ajo e studioi dhe përsiati Shlyerjen e Shpëtimtarit me më shumë qëllim dhe më fort se kurrë më parë në jetën e saj. Gradualisht, një kuptueshmëri më e thellë për misionin shëlbues të Krishtit pikoi mbi shpirtin e saj – për vuajtjen e Tij për mëkatet tona e gjithashtu për dhembjet, dobësitë, zhgënjimet dhe ankthet tona. Dhe ajo u frymëzua t’i bënte vetes një pyetje depërtuese: “Duke qenë se çmimi për ato mëkate tashmë është paguar, a do të kërkosh që çmimi të paguhet dy herë?” Ajo e kuptoi se një kërkesë e tillë nuk do të ishte as e drejtë, as e mëshirshme.
Kjo grua mësoi se lidhja e vetes me Shpëtimtarin nëpërmjet besëlidhjeve dhe ordinancave mund t’i shërojë plagët e shkaktuara nga ushtrimi i padrejtë i lirisë morale të zgjedhjes prej një personi tjetër dhe i mundësoi të gjente fuqinë për të falur e për të marrë paqe, mëshirë e dashuri.
Premtim dhe Dëshmi
Premtimet dhe bekimet nga besëlidhjet janë të mundura vetëm për shkak të Shpëtimtarit tonë, Jezu Krishtit. Ai na fton të shohim tek Ai13, të vijmë tek Ai14, të mësojmë nga Ai15 dhe të lidhemi me Të16 nëpërmjet besëlidhjeve dhe ordinancave të ungjillit të Tij të rivendosur. Dëshmoj dhe premtoj se nderimi i besëlidhjeve na armatos me drejtësi dhe me fuqinë e Perëndisë në lavdi të madhe. Dhe dëshmoj se Zoti i gjallë, Jezu Krishti, është Shpëtimtari ynë. Për këto të vërteta unë dëshmoj plot gëzim në emrin e shenjtë të Jezu Krishtit, amen.