Konferenca e Përgjithshme
Lutem që Ai do të na Përdorë
Konferenca e përgjithshme e tetorit 2021


10:36

Lutem që Ai do të na Përdorë

Përpjekje të vogla në mënyrë kolektive sjellin një ndikim të madh, duke i lartësuar gjërat e shumta individuale që i bëjmë si dishepuj të Jezu Krishtit.

Kjo ëmbëlsirë e bërë me peta të holla dhe stika është për të shprehur falënderim. U bë nga familja Kadado e cila prej dekadash zotëronte tri dyqane bukësh dhe ëmbëlsirash në Damask të Sirisë. Kur filloi lufta, një bllokadë i ndaloi ushqimet dhe furnizimet e tjera që të arrinin në pjesën e tyre të qytetit. Familja Kadado filloi të vuante nga uria. Në pikën kulmore të kësaj situate të dëshpëruar, Latter-day Saint Charities [Organizata Bamirëse e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme] dhe disa nga personeli shumë guximtar i organizatës Rahma Worldwide, filluan të shërbenin çdo ditë një vakt ushqimi të ngrohtë, së bashku me qumësht për fëmijët e vegjël. Pas një kohe të vështirë, familja e filloi jetën e vet – si edhe dyqanin e bukës – përsëri në një vend të ri.

Kohët e fundit, një kuti biskotash mbërriti në zyrat e Kishës me mesazhin vijues: “Për më shumë se dy muaj, ne arritëm të merrnim ushqim nga kuzhina Rahma – Latter-day Saint [Charities]. Pa të, do të [kishim] vdekur nga uria. Ju lutemi pranojeni këtë … kuti biskotash nga dyqani im si një shenjë e vogël falënderimi. I kërkoj Perëndisë të Plotfuqishmit që t’ju bekojë … në gjithçka që bëni.”1

Një biskotë mirënjohjeje dhe kujtimi. Ajo në fakt është për të gjithë ju. Për të gjithë ata që u lutën pasi e panë një histori në lajme, për të gjithë ata që dolën vullnetarë kur nuk ishte e volitshme, ose për ata që dhuruan dashamirësisht para për fondin humanitar; duke mirëbesuar se do të bënte diçka të mirë – faleminderit.

Përgjegjësia Hyjnore për t’u Kujdesur për të Varfrit

Kisha e Jezu Krishtit është nën urdhrin hyjnor që të kujdeset për të varfrit.2 Ai është njëri nga elementet përbërëse të punës për shpëtimin dhe ekzaltimin.3 “Dhe kështu, në rrethanat e tyre të begatshme, ata nuk përzinin askënd që ishte i zhveshur, ose që ishte i uritur, ose që ishte i etur, ose që ishte i sëmurë, ose që nuk ishte i ushqyer; dhe ata nuk i vunë zemrat e tyre pas pasurive; prandaj ata ishin bujarë me të gjithë, si pleq ashtu dhe të rinj, si robër ashtu dhe njerëz të lirë, si burra ashtu dhe gra, qoftë me pjesëtarë ose me jopjesëtarë të kishës, pa bërë dallim mes njerëzve në nevojë”4.

Kisha i përgjigjet kësaj detyre që i është ngarkuar, në një larmi të gjerë mënyrash, përfshirë:

  • Dhënien e shërbesës që e bëjmë nëpërmjet Shoqatës së Ndihmës, kuorumeve të priftërisë dhe klasave.

  • Agjërimin dhe përdorimin e ofertave të agjërimit.

  • Fermat dhe fabrikat e konservimit për mirëqenien.

  • Qendrat e mirëpritjes për emigrantët.

  • Programet e përkrahjes për njerëzit në burg.

  • Përpjekjet humanitare të Kishës.

  • Programin elektronik ThjeshtShërbe, i cili u jep vullnetarëve mundësi për të shërbyer.

Këto janë të gjitha mënyra të organizuara nëpërmjet priftërisë, ku përpjekje të vogla në mënyrë kolektive sjellin një ndikim të madh, duke i lartësuar gjërat e shumta individuale që i bëjmë si dishepuj të Jezu Krishtit.

Profetët Kanë Kujdestari mbi të Gjithë Tokën

Profetët kanë nën ngarkim të gjithë tokën, jo vetëm anëtarët e Kishës. Unë mund të raportoj nga vetë përvoja ime se si Presidenca e Parë kujdeset për atë përgjegjësi në mënyrë personale dhe të përkushtuar. Teksa shtohen nevojat, Presidenca e Parë na ka ngarkuar ta rritim shtrirjen tonë humanitare në mënyrë domethënëse. Ata interesohen si për nevojat më të përgjithshme, ashtu dhe për hollësitë më të vogla.

Kohët e fundit u sollëm atyre njërën nga veshjet mbrojtëse mjekësore që Beehive Clothing qepi për spitalet, që të përdorej gjatë pandemisë. Si mjek, Presidenti Rasëll M. Nelson ishte tepër i interesuar. Nuk donte që thjesht ta shihte. Donte ta vishte – të kontrollonte kapakët e mëngëve, gjatësinë dhe mënyrën se si lidhej nga pas. Më vonë na tha me emocion në zërin e tij: “Kur të takoheni me njerëzit në detyrat tuaja, falënderojini ata për agjërimin e tyre, për ofertat e tyre dhe për dhënien e shërbesës në emër të Zotit”.

Raporti Humanitar

Nën drejtimin e Presidentit Nelson, unë po ju raportoj rreth mënyrës se si Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme po u përgjigjet uraganeve, tërmeteve, shpërnguljeve të refugjatëve – madje edhe pandemisë – falë mirësisë së shenjtorëve të ditëve të mëvonshme dhe shumë miqve. Ndërkohë që më shumë se 1 500 projekte për COVID‑19 ishin sigurisht përqendrimi më i madh i ndihmës së Kishës gjatë 18 muajve të fundit, Kisha gjithashtu u përgjigj ndaj 933 fatkeqësive natyrore dhe krizave të refugjatëve në 108 vende. Por statistikat nuk e tregojnë të gjithë historinë. Më lejoni të tregoj katër shembuj të shkurtër për të ilustruar shkallën më të vogël të asaj që po bëhet.

Lehtësimi i COVID-it në Afrikën e Jugut

Gjashtëmbëdhjetëvjeçares Dike Mfuti nga Uelkomi në Afrikën e Jugut, i vdiqën prindërit disa vjet më parë, duke e lënë të kujdesej e vetme për dy vëllezërit dhe motrën e saj më të vogël. Ishte gjithmonë jashtëzakonisht e vështirë që ajo të gjente ushqim të mjaftueshëm, por mungesat e furnizimeve ushqimore dhe karantina prej COVID‑it e bënë atë pothuajse të pamundur. Ata ishin shpesh të uritur, duke ia dalë mbanë me vështirësi vetëm nëpërmjet bujarisë së fqinjëve.

Dike Mfuti

Në një ditë me diell në gusht 2020, Dikja u befasua nga një trokitje në derë. Ajo e hapi derën dhe gjeti dy të panjohur – njëri ishte një përfaqësues i Kishës nga zyra zonale në Johanesburg dhe tjetri një zyrtar nga Sektori i Zhvillimit Shoqëror për Afrikën e Jugut.

Dy organizatat ishin bashkuar që t’u sillnin ushqime vatrave familjare që ishin në rrezik. Dikja ndjeu lehtësim në trup teksa i hodhi një sy grumbullit të miellit të misrit dhe artikujve të tjerë ushqimorë, të blerë me fondet humanitare të Kishës. Këta artikuj do ta ndihmonin atë për ta mbajtur familjen e vet për disa javë, derisa një paketë e ndihmës qeveritare të mund të fillonte që të hynte në fuqi për të.

Historia e Dikes është një nga mijëra përvojat e tilla që kanë ndodhur anembanë botës gjatë pandemisë së COVID‑it falë kontributeve tuaja të përkushtuara.

Ndihma për Afganët në Ramshtajn

Ne të gjithë i kemi parë pamjet e fundit në lajme – mijëra të shpërngulur që po nxirreshin me avionë nga Afganistani. Shumë mbërritën në bazat ushtarake ose vendndodhje të tjera të përkohshme në Katar, Shtetet e Bashkuara, Gjermani dhe Spanjë, përpara se të vazhdonin drejt vendmbërritjeve të tyre përfundimtare. Nevojat e tyre ishin të menjëhershme dhe Kisha u përgjigj me furnizime dhe vullnetarë. Në Bazën e Forcave Ajrore të Ramshtajnit në Gjermani, Kisha dorëzoi dhurime të mëdha me pelena, qumësht të gatshëm për foshnjat, ushqime dhe këpucë.

Dhurime humanitare për refugjatët
Gra duke qepur për refugjatët afganë

Disa nga motrat e Shoqatës së Ndihmës vunë re se shumë gra afgane po përdornin këmishët e burrave të tyre për të mbuluar kokat ngaqë pëlhurat tradicionale që vinin në kokë, iu ishin grisur gjatë rrëmujës në aeroportin e Kabulit. Si një veprim miqësie që i kapërceu të gjithë kufijtë fetarë ose kulturorë, motrat e Lagjes së Parë të Ramshtajnit u mblodhën për të qepur veshje tradicionale myslimane për gratë afgane. Motra Betani Holls tha: “Dëgjuam që gratë kishin nevojë për veshje lutjeje dhe po qepim, me qëllim që ato të mund të jenë [rehat] për lutjet”5.

Ndihma për Tërmetin në Haiti

Ky shembull tani tregon se nuk ju duhet të jeni të pasur ose të moshuar që të jeni një mjet për të bërë mirë. Tetëmbëdhjetëvjeçarja Mari “Zhazhu” Zhak është nga Dega e Kavajonit në Haiti. Kur tërmeti shkatërrues ra pranë qytetit të saj në gusht, shtëpia e familjes së saj ishte njëra nga dhjetëra mijëra godinat që u shembën. Është pothuajse e pamundur të përfytyrohet dëshpërimi nga humbja e shtëpisë sate. Por në vend që t’i dorëzohej atij dëshpërimi, Zhazhuja, në mënyrë të pabesueshme, e ktheu vëmendjen tek të tjerët.

Mari Zhak
Tërmeti i Haitit

Agjencia e Lajmeve Associated Press

Ajo pa një fqinjë të moshuar në gjendje të vështirë dhe filloi të kujdesej për të. Ndihmoi të tjerët t’i pastronin rrënojat e godinave. Pavarësisht nga rraskapitja, ajo u bashkua me anëtarë të tjerë të Kishës për t’u shpërndarë të tjerëve ushqime dhe paketa higjienike. Historia e Zhazhusë është vetëm njëri nga shumë shembujt e fuqishëm të shërbimit të kryer nga rinia dhe të rinjtë në moshë madhore ndërkohë që përpiqen fort të ndjekin shembullin e Jezu Krishtit.

Ndihma ndaj Përmbytjes në Gjermani

Vetëm pak javë përpara tërmetit, një grup tjetër të rinjsh e të rejash në moshë madhore po jepte shërbim të ngjashëm në anën tjetër të oqeanit Atlantik. Përmbytjet që u përhapën nëpër Europën perëndimore në korrik, ishin më të rëndat në dekada.

Përmbytje në Gjermani

Kur ujërat më në fund u zmbrapsën, një pronar dyqani në qytetin buzë lumit të Aruajlerit në Gjermani vëzhgoi dëmet dhe ishte tërësisht i tronditur. Ky burrë i përulur, një katolik i përkushtuar, pëshpëriti një lutje që Perëndia të mund të dërgonte dikë për ta ndihmuar. Pikërisht të nesërmen në mëngjes, Presidenti Den Hemën, i Misionit të Frankfurtit në Gjermani, mbërriti në atë rrugë me një grup të vogël misionarësh, të veshur me jelekët e verdhë të Duarve Ndihmëtare. Uji kishte arritur deri në 3 metra në muret e dyqanit, duke lënë pas një shtresë të thellë balte. Vullnetarët e nxorën jashtë me lopata baltën, i hoqën moketin dhe muret ndarës prej gipsi dhe e mblodhën gjithçka në rrugë për transportim. Pronari tejet i gëzuar i dyqanit punoi krah për krah me ta për orë të tëra, i mahnitur që Zoti kishte dërguar një grup të shërbëtorëve të Tij për t’iu përgjigjur lutjes së tij, brenda 24 orësh!6

“Pra, Lutem që Ai do të Na Përdorë”

Duke folur për përpjekjet humanitare të Kishës, Plaku Xhefri R. Holland dikur vërejti: “Lutjet marrin përgjigje … në shumicën e kohës … nga Perëndia duke përdorur njerëz të tjerë. Pra, lutem që Ai do të na përdorë. Lutem që ne do të jemi përgjigjja e lutjeve të njerëzve.”7

Vëllezër e motra, nëpërmjet dhënies së shërbesës, dhurimeve, kohës dhe dashurisë suaj, ne kemi qenë përgjigjja e kaq shumë lutjeve. Dhe ende ka kaq shumë më tepër për të bërë. Si anëtarë të pagëzuar të Kishës, ne jemi nën besëlidhje për t’u kujdesur për njerëzit nevojtarë. Përpjekjet tona individuale nuk kërkojnë medoemos para ose vendndodhje të largëta8; ato vërtet kërkojnë udhërrëfimin e Shpirtit të Shenjtë dhe një zemër të gatshme për t’i thënë Zotit: “Ja ku jam, dërgomë mua”9.

Viti i Pranueshëm i Zotit

Lluka 4 shënon se Jezusi erdhi në Nazaret, në vendin ku ishte rritur, dhe u ngrit në këmbë në sinagogë për të lexuar. Kjo ishte nga fillimi i shërbesës së Tij në vdekshmëri dhe Ai citoi një fragment nga libri i Isaias:

“Fryma e Zotit është mbi mua, sepse ai më vajosi për të ungjillizuar të varfërit; ai më dërgoi për të shëruar ata që e kanë zemrën të thyer, për të shpallur çlirimin e të burgosurve dhe kthimin e të parit të verbërve, për të çliruar përsëri të shtypurit,

dhe për të predikuar vitin e pranueshëm të Zotit. …

… Sot ky Shkrim u përmbush në veshët tuaja.”10

Unë dëshmoj që shkrimi i shenjtë po përmbushet edhe në kohën tonë. Dëshmoj që Jezu Krishti ka ardhur për të shëruar zemërthyerit. Ungjilli i Tij ka për qëllim t’ia kthejë shikimin të verbrit. Kisha e Tij ka për qëllim të predikojë çlirimin e të burgosurve dhe dishepujt e Tij anembanë botës po përpiqen fort t’u japin lirinë atyre që janë të shtypur.

Lejomëni ta përfundoj duke e përsëritur pyetjen që Jezusi ia bëri Apostullit të Tij, Simon Pjetrit: “A më do ti mua?”11 Thelbi i ungjillit përmbahet në mënyrën se si ne i përgjigjemi vetë asaj pyetjeje dhe se si i “kulloti[m] delet e [Tij]”12. Me nderim dhe dashuri të madhe për Jezu Krishtin, Mësuesin tonë, unë e ftoj secilin prej nesh të jetë pjesë e shërbesës së Tij të madhërishme dhe “lutem që Ai do të na përdorë”. Në emrin e shenjtë të Jezu Krishtit, amen.

Shënime

  1. Abdul Razaq, letërkëmbim vetjak, maj 2021.

  2. Shih Doktrina e Besëlidhje 104:11–18.

  3. Shih Manuali i Përgjithshëm: Shërbimi në Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, 1.2.2, ChurchofJesusChrist.org.

  4. Alma 1:30.

  5. Bethani Halls, cituar në “Aiding Afghan Evacuees”, Buletini i Zonës së Europës për Mirëqenien dhe Mbështetjen te Vetja, gusht 2021.

  6. Nga Dan Hammon (president i Misionit të Gjermanisë, Frankfurt), postë elektronike dërguar Tai Xhonsonit, 2021.

  7. Jeffrey R. Holland, “Neonatal Resuscitation with Elder Holland” (material filmik), Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, 10 nëntor 2011, youtube.com.

  8. Shih Sharon Eubank, “16 Things You Can Do to Be a Humanitarian”, 3 tetor 2021, ChurchofJesusChrist.org.

  9. Isaia 6:18; shih edhe Lluka 3:27.

  10. Lluka 4:18–19, 21.

  11. Shih Gjoni 21:15–17.

  12. Gjoni 21:15–17.