Unë e Vura në Provë Premtimin e Moronit
Françesko Ferrarezi, Lombardi, Itali
Disa vite përpara unë isha te shtëpia e një miku kur takova dy të rinj të veshur mirë që u paraqitën si misionarë shenjtorë të ditëve të mëvonshme. Unë mendova se ishte e çuditshme që ata patën bërë gjithë atë rrugë për në Itali për të kthyer njerëz që tashmë besonin te Shpëtimtari.
Më vonë u kërkova të vinin në shtëpinë time. “Nëse doni, ju mund të vini të më vizitoni për një shkëmbim kulturor”, u thashë. “Por mos mendoni se do t’i ndërroj besimet.”
Kur ne u takuam mbrëmjen tjetër, misionarët folën për Librin e Mormonit. Unë e mendoja të çuditshme që nuk pata dëgjuar më parë për të. Unë i ftova të vinin përsëri, por pas një vizite të dytë bashkëshortja ime, Ana Maria, krijoi bindjen se ata qenë të krisur dhe do të largohej nga shtëpia gjatë diskutimeve tona. Misionarët dukeshin pak të pazakontë për mua gjithashtu, por unë isha kurioz të dija çfarë kishin për të thënë dhe vijova të takohem me ta.
Një natë kur Ana Maria erdhi në shtëpi, ajo na dëgjoi duke biseduar rreth martesës së përjetshme. Kjo i interesoi së tepërmi asaj dhe ne vendosëm që t’i fillonim diskutimet përsëri së bashku. Ajo kishte një njohuri të mrekullueshme për shkrimet e shenjta dhe gjithmonë kishte një listë të gjatë me pyetje. Pleqtë iu përgjigjën disave prej tyre drejtpërdrejt, por të tjerave iu desh të shkonin në shtëpi dhe të kërkonin. Çdo javë pa mungesa ata ktheheshin me përgjigjet dhe çdo javë Ana Maria kishte një listë tjetër pyetjesh.
Pak pasi ne patëm mbaruar diskutimet, Ana Maria më befasoi duke kërkuar lejen time që të pagëzohej. Unë i thashë se nuk kisha asgjë kundër kësaj nëse ajo vërtet qe kthyer në besim. Unë mora pjesë në pagëzimin e saj më 5 mars 1995, duke shijuar një ndjesi të mrekullueshme gjatë shërbesës.
Unë vazhdova të lexoj gjerësisht rreth Kishës dhe misionarët vazhduan të më nxisin. Më në fund unë vendosa ta vë në provë premtimin e Moronit (shih Moroni 10:4–5). Unë doja të dija nëse Libri i Mormonit erdhi nga Perëndia apo nëse qe vetëm një roman i bukur.
Një ditë në qershorin e 1995-ës unë isha vetëm në shtëpi, u gjunjëzova te këmbët e shtratit tim dhe pyeta Atin Qiellor: “A është i vërtetë Libri i Mormont, dhe nëse është kështu, kur duhet të pagëzohem?” Befas unë ndjeva në zemër dhe në mendje një zë të qartë që më tha: “Libri i Mormonit është i vërtetë”. Unë atëherë pata një përshtypje të qartë kur duhej të pagëzohesha. Një javë më vonë unë u luta përsëri dhe mora të njëjtën përgjigje. Zemra ime po shpërthente me gëzim. Unë tani e dija se Perëndia më pati folur: Libri i Mormonit qe frymëzuar nga Perëndia dhe Jozef Smithi qe një profet i vërtetë.
Më në fund, më 17 shtator 1995, unë u futa në ujërat e pagëzimit, një vit e gjysmë nga koha kur fillova të takohem me misionarët. Shpejt bijës sonë, Aba Kiarës, iu ngjall interesi për Kishën dhe u pagëzua gjithashtu. Në janar të 1997-ës familja jonë qe vulosur në Tempullin e Bernës në Zvicër.
Ne e dimë se kjo është Kisha e vërtetë, e drejtuar nga Jezu Krishti nëpërmjet një profeti dhe priftërie. Ne i jemi mirënjohës Zotit për dashurinë e Tij, që na çoi te misionarët dhe për njohurinë tonë për ungjillin.